29 Dhjetor 2024

Skandalet dhe reformat

Shkruar nga Florina Duli 

Diplomatët dhe vëzhguesit e huaj shpesh i referohen sistemit Kosovar të drejtësisë si sistem i dobët, jo-efektiv dhe i paaftë të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Raportet dhe deklaratat e tyre nënvizojnë mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë si pengesën kryesore në procesin e shtet ndërtimit të Kosovës.

Organizatat ndërkombëtare që veprojnë te ne, si ato bilaterale ashtu edhe multilaterale, kanë angazhuar resurse të mëdha financiare në reformimin e sistemit të drejtësisë.

Sundimi i ligjit, që nga paslufta e deri më sot, mund të ketë absorbuar mbi 1 miliardë Euro të taksa paguesve Evropian dhe Amerikan. Vetëm programi CARDS i BE-së ka angazhuar dhe shpenzuar rreth 650  milion euro gjatë periudhës 2007-2011.

Mosfunksionimi i shtetit të së drejtës shpesh përdoret si argument në proceset e dialogimit rreth liberalizimit të vizave dhe Integrimet Euro-Atlantike.

Përgjimet e bisedave telefonike mes politikanëve aktivë në Kosovë, edhe pse të publikuara nga portali Insajder, edhe një herë ngjallën reagime të apasionuara nëpër rrjete sociale, nga qytetarët, duke rikthyer kështu korrupsionin politik në fokus të diskursit publik.

Këto reagime më kujtuan filmin dokumentar “Kafshët janë njerëz të bukur” me babunin i cili sa herë që ngre një gur, sheh se nën të është fshehur një gjarpër dhe nga frika alivanoset.

Megjithatë babuni sapo zgjohet ngre gurin prapë, dhe prapë alivanoset dhe këtë e përsëritë disa herë. 

Unë befasohem me reagimin e bashkëqytetarëve të mi. Refuzoj të besoj se skandali i përgjimit ka zënë dikë në befasi. Për disa mund të jetë paksa befasues komoditeti me të cilin “të zgjedhurit e popullit” përdorin telefonin për të bërë allishverishe, kur kanë opsione tjera që janë të papërgjueshme, por kjo vetëm dëshmon atë që ne të gjithë e dimë: ata janë dhe ndihen të paprekshëm si nga ligji ashtu edhe nga votuesi.

Ky rast në vete përmban shumë tregues të kualitetit të qeverisjes, shkallës së korrupsionit politik, kronizmit, nepotizmit, kapjes së shtetit, etj. e për më tepër të kapjes së sistemit të drejtësisë dhe mediave publike.

Teoritë konspirative që qarkullojnë në Kosovë, sugjerojnë se asnjë nga rastet e korrupsionit të iniciuara deri më sot te ne, nuk ka dhënë ndonjë shenjë të fillimit të ndonjë reforme në fushën e sundimit të ligjit.

Iniciativat prokuroriale dhe rastet gjyqësore, të gjitha kanë shije politizimi përderisa tajmingu i tyre gjithmonë koincidon me momente të rëndësishme politike, duke i shërbyer kështu agjendave partiake, apo edhe agjendave të ngushta të liderëve të njërës apo tjetrës parti.

Deri më sot, drejtësia ishte vetëm një teatër, ku shteti dhe partitë luanin lojën e vet ndonjëherë edhe duke sakrifikuar lojtarët e tyre, për qëllime të caktuara.

Por edhe nëse këto teori konspirative janë të bazuara, e të cilat sugjerojnë rrjedhjen e qëllimshme të këtyre incizimeve nga vetë shteti, për qëllime shantazhi apo edhe të ndërlidhura me ndonjë proces të caktuar, si p.sh. procesi i demarkacionit, prapëseprapë autenciteti i materialeve të incizimeve kërkon reagim të strukturuar të shoqërisë si dhe faktorëve më me influencë në Kosovë, e që janë diplomacitë e huaja.

Prononcimet e përgjithshme për domosdoshmërinë e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, do të fitonin më shumë peshë kur diplomacitë nuk heshtin para rasteve konkrete të fenomeneve që ata gjykojnë.

Bile, në rastin e fundit, Ambasadorët është dashur të udhëzojnë për veprimet adekuate ligjore nga prokuroria dhe shteti, sipas shembujve nga demokracitë e tyre.

Në të kundërtën mund të përdorin instrumente të cilat i kanë aplikuar në raste tjera, si p.sh. ndalimin e vizave për politikanë të korruptuar.

Vetëm në dy vitet e fundit, Qeveria Amerikane ka ndaluar dhënien e vizave 173 politikanëve Kenianë(të zgjedhur), shumë zyrtarëve dhe politikanëve (të zgjedhur) Hungarezë dhe Guvernatorit (të zgjedhur) të shtetit të Ekitit, në Nigeri dhe familjes së tij, për shkaqe dyshimi të përfshirjes në afera korruptive.

Bile iniciativës Amerikane dhe Britaneze për ndalim udhëtimi të politikanëve Kenianë iu bashkëngjitën në atë kohë edhe Kanadaja, Finlanda, Gjermania, Japonia, Holanda, Norvegjia, Suedia dhe Zvicra.

Vetë Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), sugjeron se qeverisja kualitative është e vetmja rrugë drejt zhvillimit të qëndrueshëm.

Banka Botërore konsideron korrupsionin si sfidën më të madhe drejt zhvillimit ekonomik dhe social, duke promovuar qeverisjen e mirë si strategji kyçe drejt parandalimit të korrupsionit. Këto parime janë përqafuar nga të gjitha organizatat bilaterale dhe multilaterale që veprojnë te ne.

Pastaj, si do të reflektohet ky skandal te proceset e “mëdha” të Kosovës, si p.sh liberalizimi, i cili edhe përdoret për të na futur nëpër kutitë e patriotëve dhe tradhtarëve, dhe sa peshë ka ky kronizëm dhe nepotizëm, në procesin e integrimeve, anëtarësimit në NATO, dhe në përfitimin e asistencës ndërkombëtare, që për kusht ka qeverisjen e mirë.

Sa do të ndikojë ky skandal në matjen e zbatimit të MSA-së, gjegjësisht Nenit 83 dhe 91. Në shikim të parë, kur lexon udhërrëfyesin për liberalizim, ke përshtypjen se implementimi i tij do të çojë drejt avansimit të qeverisjes së mirë te në.

Në praktikë, BE me mesazhet e saj, i jep rëndësi më të madhe demarkacionit se sa anti-korrupsionit.

Si duket vetëm politikanët tanë kanë arritur të lexojnë mes rreshtash këto marrëveshje. 

/Autorja është Drejtoreshë ekzekutive e IKS/


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)