29 Dhjetor 2024

Situata e vështirë ekonomike kërkon përgjegjësi të institucionet e reja

 Shkruar nga Nehat Emrullahu

Funksionimi i ligjit është bazë themelore për krijimin e parakushteve elementare për një zhvillim normal të shtetit dhe vetë shoqërisë. Me funksionimin e ligjit nënkuptojmë uljen deri në minimum të krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe krijimin e një ambient konkurrues të barabartë si në ekonomi, arsim, shëndetësi dhe në jetën sociale. Pra frymëmarrja fillon me plotësimin, krijimin dhe respektimin e infrastrukturës ligjore.

Përkrahja e kapaciteteve intelektuale dhe profesionale nga institucionet përkatëse do të bënte zhvillimin ekonomik me të hovshëm dhe me racional duke krijua vende të reja të punës dhe ngritje të mirëqenies qytetare.

Infrastruktura ligjore dhe ajo fizike është dhe mbetet detyre dhe përgjegjësi themelore e përfaqësuesve të zgjedhur si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal.

Infrastruktura fizike nuk është dhuratë, ajo është bërë dhe behët nga taksapaguesit qytetar. Është diçka shumë elementare për funksionim të jetës normale, menaxhohet nga ekzekutivi qendror dhe ai lokal dhe për këtë në vazhdimësi duhet të japin llogari personat përgjegjës në emër të institucioneve.

Alternativat në infrastrukturën fizike janë kërkesë e kohës, si ndërtimi i rrugëve të reja me qëllim të përfitimit në kohë dhe distancë.

Energjetika duhet t\'i përshtatet rrethanave dhe mundësive fizike dhe kohore. Padyshim rezervat në thëngjill janë pasuri e madhe dhe mundësi për prodhim të vazhdueshëm të energjisë elektrike mirëpo kjo dhe pozita gjeografike e Kosovës mundëson dhe duhet të shfrytëzojë edhe burimet alternative si rrjedhat e ujit, energjia diellore, energjia e erës (për aq sa ka mundësi), energjia gjeotermale si dhe burimet tjera të mundshme.

Racionalizimi i burimeve ujore dhe hulumtimi I burimeve nëntokësore, trajtimi i ujërave të zeza gjithnjë me qëllim të mbrojtjes së lumenjve dhe shfrytëzimit të te njëjtit në bujqësi si dhe burimeve tjera të mundshme, mundësojnë përveç krijimit të kushteve për jetë normale krijohen parakushte edhe për zhvillim ekonomik.

Shfrytëzimi racional i resurseve natyrore ka ndikim të drejtpërdrejt në eficiencë të energjisë dhe përfundimisht kontribuojmë fuqishëm në uljen e ngrohjes globale.

Zhvillimi ekonomik pas funksionimit te ligjit është edhe mbetet prioritet i seciles qeveri si në nivelin qendror gjithashtu edhe në atë lokal.

Eksporti është në disfavor të fuqishëm me importin, dhe pak shpresa ka për ndryshime në një periudhë kohore të shkurt. Arka e shtetit kryesisht mbushet nga taksat që merren nga mallrat e importuara.

Prodhimet vendore kanë një marketing folklorik por, jo edhe substancial. Institucionet shtetërore mbesin punëdhënësit kryesor. Tenderomania tashme është perfeksionua deri në masë sa tenderët ju ndahen firmave të caktuara në mënyrën me të rregullt të mundshme.

Përgjegjësit gjithnjë janë të mbuluar me dokumentacion përkates. Cilësia e punimeve mbetet për tu dëshiruar.

Arsimi në të gjitha nivelet është aktual dhe i mirënjohur për të gjithë brenda dhe jashtë vendit për shkrim-lexim të dobët, për regjistrime të pa rregullta, për studime nën çdo nivel, për diploma me shumicë dhe për punësime selektive si në institucione shtetërore dhe ato publike.

Shëndetësia është dëshpëruese nga ambulancat lokale, QKUK-ja, spitalet private deri të Ministria e Shëndetësisë e cila jep tenderët dhe arsyeton me plot gojë.

Pensionistët me pensionet e tyre mund t\'i sigurojnë vetëm ilaçet por, jo edhe pleqëri meritore të dinjitetshme.

Planifikimi hapësinor, shërbimet publike, shkenca, kultura, sporti funksionojnë vetëm formalisht.

Shpenzimet e personelit në institucione si në blerjen e makinave ose zëvendësimin e atyre me të reja, konsumi i derivateve të naftës, telefonisë dhe udhëtimeve jashtë vendit behët në masë deri të pa kontrolluar ose me qenë korrekt behët edhe për ta ulë suficitin.

Sikur të kishte prurje ose krijim të kushteve për mirëqenie qytetare shpenzimet do të arsyetoheshin në tërësi.

Ndarja në mes të klasave në shoqëri është e theksueshme dhe atë me të pasurit (shtëpi ose vila luksoze, makina nga me të shtrenjtat për të gjithë anëtarët e familjes, pushimet dhe udhëtimet s\'kanë të ndalur) dhe klasën e varfër e cila barrë e ka sofrën, veshmbathjen, edukimin dhe punësimin). Klasa e mesme është numerikisht e vogël dhe në zhdukje.

Gjendjen depresive dhe të pa shpresë e dëshmon edhe ikja e qytetarëve të cilët individualisht dhe me familje largohen duke venë në rrezik jetën e tyre personale dhe atë familjare vetëm e vetëm për të siguruar mbijetesë.

Kjo është ajo që është bërë ose nuk është bërë për interesa të qytetarëve. Kjo jo vetëm që na mbylle dyert drejt integrimeve evropiane por, na zmbraps dhe denigron në tërësi edhe si komb.

Paraqitjet mediale me debate dhe dhurata formale krijojnë vetëm e vetëm vetëkënaqësi për personazhin, për liderin politik ose atë institucional por, jo edhe për qytetarët.

Vetëdijesimi imponohet të qytetarët dhe është duke pas prioritet mbijetesën e familjes me mundësi të krijimit të kushteve elementare për një jetë normale.

Athua Qeveria në formim do të dijë ta vlerësoj gjendjen aktuale, t\'i anashkaloj interesat personale, familjare dhe ato klanore, të punoj dhe ndërtoj vendin për dhe në interes të qytetarëve apo do të jetë një vazhdimësi e errët ku qytetarët do ta ngushëllojnë veten me shpresa se e ardhmja do të sjellë të mira nëse jo në Kosovë këtë do ta realizojnë në mërgim!

 (Autori është Inxhinier i Diplomuar i Makinerisë)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)