Sikur të isha gazetar, ja por që s'jam më
Shkruar nga Esad Dujaka
1.
Sikur të isha gazetar nuk e di a do të isha penduar se i hyra këtij zanati!Kohë të vështira për t’iu qasur këtij profesioni mjaft të vështirë me përgjegjësi njerëzore, politike dhe ku duhet të jesh i pastër para drejtësisë!
Sikur të isha gazetar, nuk di se në cilën shtëpi botuese, gazetë, radio apo televizion a portal do të kisha trokitur për të avancuar ngritjen time profesionale? Por, do të kisha hulumtuar se a ka EGO nga zoti i shtëpisë, se a ka frymëmarrje profesionale brenda asaj shtëpie botuese - informative!
Do të kisha hulumtuar se cili është përcaktimi e orientimi i pronarit apo mediumit, madje do të interesohesha për të parë nga cili subjekt politik anon, nga i ka interesat biznesore. Do të shikoja mirë sa a kam hapësirë për ta shprehur atë që ndjej e atë që shoh, atë që e pengon shoqërinë tonë!
Pyesni, pse po shprehem kështu dhe a mund ta arsyetoj këtë negacion, apo a ka mbështetje profesionale ky mllef i imi ndoshta tash bukur i vonuar? Keni të drejtë, më ka dalë gjumi vonë, ju kërkoj falje...
Ja që s’jam më gazetar, dhe nuk e kam këtë hall...
2.
Pra, sikur të isha gazetar sot, po ja që s’jam!
Nuk do të isha pajtuar me redaktorin të shkoj të përcjell punimet e një komisioni parlamentar! Kjo s’është më gazetari!
Pse t’i përcjell “garat” e disa deputetëve që marrin paga të dhjetëfishuara të një pensionisti, ta zëmë të një profesori që ka përcjellë gjenerata nxënësish edhe në kohë të vështira e historike.
E ato zënka, që shpesh i përngjajnë një teatri që ende s’e ka marrë vetën, ku mungon madje edhe kultura fillestare, ku ka më shumë zhurmë alla shqiptarqe dhe rrahagjoksje, sesa që ka diçka që shkon për të mirën e këtij vendi e të këtij populli i cili ka dhënë botën për këta deputetë që mezi presin ta përmbyllin mbledhjen për të cilën do të rrahin gjoks se kanë bërë namin...
Të mos them se nuk do të shkruaja për punën e komisioneve, po edhe do të shkruaja, sikur të isha gazetar, njëherë në vit se çka punuan dhe çka nuk punuan, sa u dëgjua e sa u respektua fjala e kërkesat e tyre, dhe sa e arsyetuan besimin e votuesit ata deputetë që ua dha besimi besimin qytetari i zakonshëm?
3.
Sikur të isha gazetar, por ja që s’jam!
Nuk do të sillesha korridoreve të Kuvendit, të pres kur po del presidenti, kryetari Parlamentit ose kryeministri nga mbledhjet!
Presidenti kryen obligimin e vet kushtetues dhe s’është e thënë të na dalë para kamerave të thuash gati cdo javë sic veproi kohëve të fundit...
Ashtu nuk vepron asnjë president i rruzullit! Kryhet mbledhja e Kuvendit a ka nevojë kryetari të dalë në holin e Kuvendit të Kosovës dhe të sh[pjegoj pse ngjau kjo e cka deshi të thotë ai e ky, e ky na ishte qëllimi e pse dështoi seanca e të tjera...të cilat edhe ashtu po e torturojnë shikuesin e pafajshëm të tv që nga natja e deri në gjysmë të natës, si asku në botë! Se bota e civilizuar nuk ka nge të merret me punën e parlamenteve e të debateve të tilla, pasi për këtë punë janë dhe kanë besimin e votës.
Kumtohen shkurt e trup vetëm vendimet me interes të vendit dhe të shoqërisë.Dhe, kur jemi këtu, nuk do të shkoja më ta përcillja ndonjë konferencë shtypi të kujtdo qoftë, nëse më dhunojnë redaksia që doemos ta përcjellë, e aty një lider më fyen dhe më injoron!
Asënjherë s’ do të ma shihte surratin në konferencat e tilla! Do ta mbroja dinjitetin tim, por edhe të profesionit, sepse të mos harrojmë se Gazetaria është dhe vlerësohet si shtyllë e katërtë e cdo shtetndërtimi.
Kështu vlerësojnë në botën e civilizuar, e te ne përpiqen ta nëpërkëmbin dhe ta nënshtrojnë në atë masë sa edhe t’ia prekin dinjitetin!
4.
Sikur të isha gazetar por ja që s’jam tash!
Nuk do t’i përcjellja punimet e Kuvendit të Kosovës. Ato mbledhje ku deputetët e zgjedhur me votën e popullit, që hyjnë në sallë, firmosin në lista të pjesëmarrjes por që pozitë e opozitë bëjnë kalkulimet e veta kur rrijnë e kur bojkotojnë, shpesh duke e harruar interesin e votuesit, atij që punon me nder, atij bujku që punon tokën ag e terr dhe jep tatimin cent për cent për të mirën e këtij populli e të këtij vendi, ku më së miri jetojnë pikërisht të zgjedhurit e vendit, ata që dalin sipas ligjit në pension me 55 vjet, që marrin pension në lartësinë e 70 për qind të të ardhurave të deputetit, që kanë edhe të mira të tjera ai dhe familja e tij deri te mbrojtja shëndetësore deri në fund të jetës...
Sikur të isha gazetar, por ja që s’jam më, nuk do të kisha pritur korridoreve të Kuvendit të marr një sqarim, një opinion të ndonjë deputeti që mezi lidh dy mendime, e aq më pak të atyre deputetëve ndaj të cilëve ka madje edhe aktakuza të ngritura, madje deri te ministrat...
5.
Sikur të isha gazetar, e ja që nuk jam!
Nuk do të trokisja kurrën e kurrës në dyert e selive të partive politike, pa marrë parasysh se për cilën bëhet fjalë. Jo aman, ata mblidhen e çmblidhen ditën e natën, thuajse bëjnë garë se cila po mblidhet më shpesh.
Kanë zgjedhë madje edhe të dielave, zgjedhin ndonjë temë të nxjerr nga naftalini dhe ta merr mendja se kanë gjetur një formulë të re atë të njohuren E=MC2 të Ajnshtajnit! Madje ka raste shpesh që përpiqen në ato takime rutinore të na bindin se si e kanë zbuluar edhe ujin e vakët!
Jo, nuk do të përcjellja takime të tilla partiake! Gjithnjë duke shtuar atë - sikur të isha gazetar por ja që tash nuk jam më...
Se, po jua kujtoj nga përvoja që kalova, në vendet e civilizuara, ato perëndimore mblidhen në selitë e partive, japin dorëheqje, zgjedhin, propozojnë e madje edhe përjashtojnë, jepet një lajm sqarues ose shumë shpesh ato takime janë interne dhe nuk janë të ndriçuara për publikun...
E te na bëhet hataja, cingërrojnë telefonat, vrapojnë gazetarët rrugicave të Prishtinës, rreth selive të partive për të zënë një deklaratë të thatë që s’thotë asgjë, që është madje - madje shumë nënçmuese jo vetëm për ekipin e gazetarëve që mërdhijnë në terrin e natës por edhe për lexuesin ose shikuesin e respektuar!
6.
Sikur të isha gazetar, por ja që s’ jam më!
Nuk do të merrja asnjë deklaratë që shpesh ua shkruajnë liderëve politikë ose liderëve të shtetit në rrjetet sociale! JO, kurrën e kurrës!
Po kjo nuk është më gazetari, është një shkrrabagji e hiq më shumë, s’ka identitet tëndin, nuk ke ndërhyrje, nuk shpurth e nuk rrëmih asgjë, por bëhesh catip indirekt i një lideri i cili me 5 këshilltarë (tash na dolën se na qenkan 30 e fiuuuu) që paguhen sa DY herë ti, sajojnë në sallone të nxehta letra e kundëreagime, shesin patriotizëm dhe fusin hundët në jetët private madje edhe të rivalëve për të mbjellë huti dhe madje averzion te lexuesi, shikuesi pra te qytetari i cili shpesh nuk e di çka po ndodh, pse po ndodh kjo që po ndodh dhe cili është qëllimi i këtyre zënkave dhe e kësaj ’lufte’ e rrahagjoksje...
Po, do t’i merrja ato, dhe nëse më zgjohet prirja për humor që pata dikur, që aso kohe madje ia pava sherrin disa herë në faqen e “Satirikonit” në ’Rilindje ’e dikurshme, atëherë do të shkruaja një humoreskë me tone satirike, se edhe ky popull që është lodhur e mërzitur me tema të rënda që nga ‘korrigjimi i kufijve’ e deri te bashkimi kombëtar (ku patatet e Pestovës dhe specat e Krushës presin në kufi me Shqipërinë dhe kalben sepse marrëveshjet doganore s’ janë në dyzen!) e kështu ky popull do të relaksohej sado pak...
7.
Dhe, sikur të isha gazetar por ja që s’ jam!
Do të shkruaja për hallet problemore të qytetarit. A s’ ka mjaft a? Sa të doni!
Arsimi: Po kërcënojnë me grevë arsimtarët! Pse? Gjurmëve të këtij kërcënimi dhe ku ka ngel puna, te Ministria, Qeveria, te Kuvendi, te kush pra?! Prindërit luten mos dilni në grevë, se kush pëson më shumë se nxënësit?
E ku janë nxënësit nga ky vend në matjet që bijnë institucionet ndërkombëtare si PISA e njohur? A nuk është shqetësuese, apo PISA s’ ka lidhje. Si është mësimdhënia në Universitete, si funksionon organizimi i mësimdhënies atje...
Shëndetësia: Para kolapsit! Nga QKUK-ja e deri te spitalet rajonale, madje edhe 20 vjet pas çlirimit… S’ ka ilaçe, hej as elementare! E askush nuk merret në përgjegjësi që nga kryeministri, ministri e tutje?!
Temat sociale: Që nga lypësit e rrugëve nëpër rrugët e Prishtinës e deri te pensionistët që presin lëmoshën e qeverisë dhe të kryeministrit i cili u premtoi kohë më parë rritje graduale të pensioneve, kurse të vetën e ngriti që në ditën e tretë madje 100%!
Ata arsimtarë të viteve të 90-ta kur sakrifikuan dhe na i mësuan fëmijët që sakrifikuan aq shumë në kohë historike e tash presin lëmoshën se kur do të pranohet e drejta e tyre që të kenë stazh të PAKËPUTUR gjatë atyre viteve historike kur sakrifikuan dhe na i mësuan fëmijët nëpër ato shtëpi - shkolla që në jetëshkrime do të ngelin si pika më e ndritshme e ecjes sonë drejt mëvetësisë të cilën gjë e vlerësoi si të tillë edhe bota e civilizuar...
Sikur të isha gazetar, por ja që s’jam! Infrastruktura është ku s’është! S’ po them për dy rrugët kombëtare ose quani si të doni, e të cilat u ndërtuan e si po ndërtohen e asnjëherë nuk u sqarua a ishin tash për tash që të merrnin kaq shuma mjetesh nga buxheti që është çështje mjaft e komplikuar sepse rrugët janë pika më e varfër i këtij vendi, të cilit i mungon shumëçka tjetër sesa rruga rajonale, gjithnjë sipas njohësve të ekonomisë.
E ekonomia, të cilën dorën në zemër nuk e kam njohur asnjëherë por prej asaj që kam lexuar nga miqtë e mi ekonomistë të respektuar na del se investimet e huaja vështirë po depërtojnë në vendin tonë! Pse?
Të isha gazetar do ta ndiqshe këtë temë e cila është e ndjeshme dhe e hollë si letra e cigares, pasi dyshohet se investitorët e huaj për shumë arsye kanë ardhur dhe kanë ikur nga Kosova pa ia bërë as çap kësaj pune.
E këtu përmendet madje edhe zhvatja e deri te kushtëzimet e ndryshme, e të cilat asnjëherë nuk u hetuan e u futen thellë në dhe përgjithmonë...
8.
Sikur të isha gazetar, por ja që s’jam!
Do të shkruaja për joperspektivën e rinisë që nga bija ime, farmaciste që kohëve të fundit gjithnjë e më zëshëm ma përmend kurbetin dhe ia ka vën syrin Gjermanisë...
Dhe, tash gjithnjë e më shumë po ndjej vetën fajtor pikërisht pse kisha idealizuar pak si tepër kur kisha menduar se Kosova do të bëhet Zvicër!
Sikur të isha gazetar por ja që s’jam! Do të afroja rreth vetës gazetarë të zotë, të ditur e plot energji dhe të vendosur duke e ditur se do të hasin në lloj-lloj pengesash e deri te kërcënimet, të shkruajmë për plagët më të rënda të kësaj shoqërie të re në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor...
Korrupsioni
Krimi i organizuar
Kapja e shtetit
Tema të mëdha të cilat nuk prekën as me maje lapsi nëse nuk e kemi mbështetjen e parezervë të vendeve të QUINT-it e veçmas e gjithnjë e përherë të SHBA-ve, e cila nuk e di pse nuk sjell në Prishtinë të Kosovës njerëz të rryer të shërbimeve të veta nga FBI-ja (Federal Bureau of Investigacion) ?!
Nuk do të ishim vendi i parë në botë, kanë shkuar edhe anembanë rruzullit tokësor por edhe në raste të jashtëzakonshme në disa vende të Ballkanit, madje kohëve të fundit kur u ç’kanabizua Shqipëria, ata erdhën për ndihmë profesionale, qofsha i gabuar!
9.
Sikur të isha gazetar, por ja që s’ jam më!
Edhe ndoshta më mirë për mua, por po e përfundoj karrierën pa u përballur me këto tema kaq të mëdha e kaq të rëndësishme për një vend e për një popull siç është ky i yni, që po sillet në rreth vicioz duke shpresuar se e nesërmja do të jetë më e mirë, se e nesërmja do të jetë më e ndritshme, duke shpresuar se miqtë do ta ndihmojnë që ta kapërcejë me sukses edhe këtë pjesë të rrugës drejt mëvetësisë së vërtetë.
Sikur të isha gazetar por ja që s’jam, kisha ngre zërin se këtu në këtë vend një pjesë e njerëzve po garojnë kush po pasurohet më shpejtë e më shumë sesa si ta mëkëmbin këtë atdhe e si të qëndrojë i sigurt mbi këmbët e veta e pastaj t’i bashkohet Evropës atje ku i ka rrënjët me histori e me kulturë - si popull i vjetër indoevropian...
Unë s’jam më gazetar! Ju do të jeni gazetarë të ardhshëm fatkeqësisht me gjithfarë hallesh...
Ta kisha rininë tuaj, nuk isha penduar pse zgjodha këtë zanat – i vështirë dhe rrugë e mbuluar me gjithfarë sfidash e rreziqesh!
Do të kisha vdekur i lumtur sikur të kisha qenë pjesë e një ekipi gazetarësh sypatrembur të gazetës prestigjioze “Uashington Post” të SHBA-ve që zbuluan dhe shkruan me guxim dhe ndriçuan atë skandalin më të madh politik të shekullit të XX - rasti historik e papërsëritshmja “AFERA VOTERGEJT’’ (1972-1974), me ç’rast pat dhënë dorëheqje edhe presidenti amerikan Riçard Nikson...
Edhe sikur ta kisha edhe një jetë prapë do ta zgjedhja zanatin që me te kalova një jetë njeriu – Gazetarinë!
/Autori vjet shënoi 50 vjetorin e karrierës së tij profesionale si gazetar/