Si të ndërtohet Haiti
Nga: Robert B. Zoellick
Menjëherë pas tërmetit shkatërrues, ndihmat ndërkombëtare kanë vërshuar Haitin. Prioriteti i parë ka qenë shpëtimi i jetëve. Kjo nënkupton sigurimin e ujit, ushqimit, strehimit, barnave dhe gjërave të tjera elementare për viktimat. Ky reagim i shpejtë duhet të mbështetet me një zinxhir të vazhdueshëm logjistik i cili duhet të funksionojë për muaj të tërë.
Por, edhe gjatë stabilizimit të reagimit humanitar, ne na duhet ti kthehemi ofrimit të shërbimeve elementare dhe rindërtimit. Dhe duke vepruar kështu, ne duhet të nxjerrim mësime nga e kaluara.
Pas pesë misioneve paqeruajtëse dhe miliarda dollarëve në ndihma, Haiti mbetet një vend me tregues nga më të këqij të zhvillimit njerëzor në botë.
Megjithatë, ne e dimë se përparimi është i mundshëm.
Para uraganit në vitin 2008 dhe sërish para tërmetit të këtij muaji, Haiti përparonte me zgjedhje të suksesshme dhe paqësore, me stabilizim të pasigurisë kronike dhe me rritje të mbledhjes së të hyrave si dhe me investime.
Në vazhdën e këtyre sukseseve, rindërtimi dhe rimëkëmbja e Haitit kërkojnë zotime afatgjate. Kur të largohen kamerat - siç kanë filluar donatorët nuk duhet të largohen me to. Në të kaluarën, Lodhja Haitiane ka qenë një pengesë po aq e madhe për zhvillimin sa edhe fatkeqësitë natyrore.
Katër uraganet dhe stuhitë tropikale të vitit 2008 shkaktuan dëme që vlerësohen të arrijnë 15% të bruto produktit vendor. Kostoja e tërmetit pa dyshim se do të jetë më e lartë dhe si e tillë kërkon përpjekje më të gjata dhe më mirë të bashkërenduara.
Cilat janë mësimet që mund të nxjerrim?
Haiti nuk mund të rindërtohet nga të jashtëm qëllimmirë. Donatorët duhet të punojnë krah për krah me qeverinë dhe popullin haitian. Dhe qeveria dhe parlamenti duhet të tregojnë aftësi udhëheqëse dhe zotime për të punuar së bashku.
Mbështetja e donatorëve për rindërtim duhet të jetë në formë të granteve. Më shumë para duhet të derdhen përmes buxhetit që të mund të ndërlidhen me qëllimet e Haitit dhe ngritjen e kapaciteteve haitiane, ndonëse fazat e hershme të punës varen nga veprimet rajonale dhe partnerët ndërkombëtarë. Ne duhet të heqim barrën e borxheve të Haitit. Vitin e kaluar, me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore u bë shlyerja e borxhit prej 1.2 miliardë dollarësh amerikanë. Por kanë mbetur gati edhe një miliardë të tjera borxh. Diç më pak se 4 për qind rreth 38 milionë dollarë ndaj Bankës Botërore. Ne menjëherë njoftuam se nuk ka obligime për kthim të borxheve gjatë pesë vjetëve të ardhshëm dhe po punojmë për shlyerjen e tërë borxhit ndaj nesh. Edhe të tjerët duhet të veprojnë njësoj.
Ne na duhet një ndihmë më mirë e bashkërenduar; e më pak projekte që bëjnë donatorët të ndihen më mirë; më pak ekspozim të flamujve dhe mbikëqyrje e rreptë, transparencë dhe llogaridhënie për të kultivuar besimin se paratë do të përdoren në mënyrë efektive.
Rindërtimi i Haitit kërkon mendime dhe strategji më praktike. Ne mund të mbështesim kalimin nga ndihma humanitare në rindërtim përmes programeve të ndarjes së ushqimit ose të hollave për punë, kështu që haitasit të paguhen për pastrimin dhe rindërtimin e infrastrukturës dhe për mbjelljen e drunjve. Projektet për komunitetet mund të përmirësojnë kushtet për projekte të vogla bujqësore, të cilat me kalimin e kohës mund të japin rendimente dhe më vonë edhe të zëvendësojnë programet për asistenca ushqimore. Me investime modeste në furnizime dhe pajisje, Haiti mund të ndërtojë biznese ndërtimore me angazhim të madh të fuqisë punëtore
I goditur pareshtur nga fatkeqësitë natyrore, Haiti është mallkuar nga gjeografia e tij. Por, gjeografia e tij mund të jetë edhe një mundësi strategjike. Gjashtëqind milje larg Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Haiti ka potencial të jashtëzakonshëm. Me qasje në tregun e SHBA-ve përmes Aktit HOPE II, Haiti mund të krijojë vende të punës në sektorët e veshmbathjes dhe bujqësisë. Mund të zhvillojë edhe sektorin privat duke krijuar dhe mundësuar një mjedis për investime dhe ndërtim të infrastrukturës së rrjeteve elektrike, porteve dhe rrugëve.
Ne veçse kemi parë suksese. Dega jonë që mbulon sektorin privat, Korporata Ndërkombëtare Financiare, ka investuar në Digicel, për të transformuar mbulueshmërinë me telefoni mobile. Një zonë e lirë tregtare pranë kufirit me Republikën Dominikane ka joshur kompanitë amerikane të veshmbathjeve, duke krijuar me mijëra vende të punës. Ka mundësi edhe për rritjen e zonave të tjera.
Legjitimiteti, siguria dhe zhvillimi duhet të shkojnë krah për krah që Haiti të përparojë.
Teleshikuesit tash e kuptojnë se sa i dobët ka qenë shteti i Haitit. Kjo ngërthen në vete jo vetëm mungesën e makinerisë së rëndë për të hequr rrënojat por edhe një forcë të vogël policore, një gjyqësor të pakët dhe një shtet me kapacitete ose të hyra të ulëta për të mbrojtur qytetarët e vet ose për të ofruar shërbimet elementare.
Ne na duhet të sigurojmë zhvillim që ai të lëshojë rrënjët mjaft thellë sa të thyejë ciklin e brishtësisë, varfërisë dhe dhunës. Me stabilitet politik, siguri dhe qeverisje efektive, investimet dhe zhvillimi mund të rriten.
E kemi shembullin nga Aqe, Indonezi, që mund të na drejtojë. Sot, pesë vjet pas cunamit aziatik, rindërtimi i Aqes shihet si sukses: 140,000 shtëpi janë rindërtuar, 2,500 milje rrugë të rindërtuara dhe 200,000 ndërmarrje të vogla dhe të mesme janë ndihmuar.
Në Aqe, partnerët ndërkombëtarë kanë mbështetur rindërtimin përmes qasjeve të bashkërenduara të harmonizoheshin pas udhëheqjes qeveritare dhe prioriteteve vendore. Pesëmbëdhjetë vende të donatorëve dhe organizatorëve grumbulluan 700 milionë dollarë amerikanë në një fond multi-donatorësh i cili administrohej nga Banka Botërore. Në vend të 15 projekteve të ndara për strehim dhe infrastrukture me procedura dhe kritere të ndryshme të cilat do ti tronditnin kapacitetet vendore të institucioneve vendore, një program mirë i bashkërenduar u implementua nga komunitetet, agjencitë qeveritare, joqeveritare dhe ndërkombëtare.
Haitianët nuk dëshirojnë të jenë viktima siç nuk dëshirojmë as ne. Me një lidership të fuqishëm Haitian dhe me mbështetje rajonale dhe ndërkombëtare të bashkërenduar dhe të vazhdueshme, ne mund të shndërrojmë rrëfimet nga ditët e fatkeqësive në një dekadë të rrëfimeve për suksese.
Robert B. Zoellick është president i Grupit të Bankës Botërore.