Si të ndalojmë ikjet nga Kosova
Shkruar nga Behgjet Pacolli
Po i përcjell me vëmendje kudo ku ndodhem debatet e shumta që zhvillohen në mediat tona. Mundohem të kuptoj pse njera temë debati është më e pranishme se tjetra. Pse në një temë përfshihen më shumë debatues, pse ajo temë qëndron më gjatë në media etj.
Kështu korriku ka qenë muaj kur për arsye të kuptueshme, politika dhe jeta sociale bëhet më e qetë, por mediat kanë sjellë shumë tema debati. Është debatuar rreth shkrimeve të disa analistëve për luftën, për dy vjetorin e aksionit në veri, për përmbajtjen e bisedimeve të Brukselit, etj.
E kam nga një pikëpamje për secilën prej këtyre temave dhe mund ta them shkurt atë. Për temën e të ashtuquajturave krime të luftës, them se kur Gjykata gjegjëse e jep përgjigjen, atëherë skemi pse të shpikim debate që na ndajnë dhe largojnë nga njeri tjetri.
Për aksionin e kryer dy vite më parë, inicuar dhe nga vendimi i qeverisë së Kosovës për reciprocitetin, mund të them se ai aksion, vuri në lëvizje një proces të madh politik siç është ai i Brukselit.
Për negociatat e Brukselit, mund të pohoj me bindje se kryeministri po na përfaqson me dinjitet siç duket dhe nga ankesat që vijnë nga pala serbe. Ndërkohë jam i bindur se përfaqsuesja perëndimore nuk na ka thirrur atje për ti bërë ndonjë shërbim Serbisë, por për ti bërë shërbim paqes në rajon.
Por, ajo çka më brengos është pse flitet, debatohet pak ose aspak për temën e ikjes nga Kosova të qindra apo mijëra bashkatdhetarëve tanë në mënyrë të organizuar. Në medie flitet për keqtrajtime të tyre në Hungari, por shumë pak, debatohet për arsyet e ikjes së tyre nga Kosova.
Çfarë ka ndodhur këtë vit që fluksi i të ikurve është rritur shumë ? Pse ata zgjedhin Beogradin për të kaluar në vendet e hapësirës Shengen ? Si ka mundësi që ata nisen në mënyrë të organizuar nga qendra e Prishtinës dhe nuk reagohet ndaj organizatorëve, etj.
Pse nuk organizohet një fushatë informuese ndaj këtyre njerëzve që ta dinë se nëse vazhdojnë të ikin kështu, Kosova nuk do ta marrë liberalizimin e vizave ? Duhet dhe ta dinë se nëse do të vazhdojnë të ikin si klandestinë në mënyrë kaq masive prej Kosovës, atëherë dhe Shqipëria apo ndonjë shtet tjetër do ta rrezikojë liberalizimin e vizave!
Mbi të gjitha unë dua të flitet për arsyet themelore të ikjes së tyre nga vendi. Kjo është temë thelbësore e jetës sonë politike dhe shoqërore si shtet i ri. Kjo temë lidhet me dilemën kryesore që kishin miqtë tanë perëndimorë që ishin sponsorët e pavarësisë sonë kur na e dhanë atë.
Shumë mirë bëjmë që ja japim pavarësinë kosovarëve se e meritojnë për shumë arsye. Por a do të jetë Kosova një vend i vetëmjaftueshëm ekonomikisht ? Me pak fjalë, a do dijë qeverisja të krijojë një sistem ekonomik që ti ofrojë popullsisë së vet një nivel mirëqenieje normale?
Unë kam përshtypjen se boll u morën kaq gjatë, kaq shumë njerëz të penës dhe të politikës me tema të tjera që na ndajnë si ato që përmenda. Duhet të merremi me temën e krijimit të një sistemi ekonomik që të mundësojmë jetën normale të qytetarit të Kosovës në vendin e vet.
Që mungesa e këtij sistemi mos të detyrojë qytetarin tonë, me gjithë familjet të rrezikojë jetën nëpër lumenjtë e Europës në kërkim të një jete më të mirë.
Çfarë kam bërë unë ?
Si njeri i politikës, unë vazhdimisht e kam bërë timen, me fjalë, me ide dhe me akte. Asnjëherë skam premtuar se do bëj mrekullira, se do krijoj parajsën në tokë, por nëse do më jepej mundësia do të bëja shumëçka që kjo që po ndodh, të mos ndodhte. Sjam nisur nga kurrfarë interesi personal, përveçse nga ndjenja e shërbimit për vendin tim, megjithë zhurmuesve profesionistë të të gjitha stinëve.
-A nuk mund të kishim miratuar dhe zbatuar që herët një plan rimëkëmbie të ekonomisë, si ai që unë propozova në 1999, mbështetur mbi një model të suksesshëm privatizimi, jo si ky që për fat të keq kemi realizuar deri më sot ?
Unë kam folur që në fillim kundër këtij privatizimi, i cili e rrënoi më tej ekonominë, frenoi zhvillimin, rriti papunësinë, nxiti emigracionin etj.
Kam folur dhe flas për partneritetet publiko private, kam propozuar dhe propozoj shumë ide dhe projekte në këtë drejtim duke filluar me Trepçën, me sistemin bujqësor, me sistemin energjitik, etj, etj.
Nëse do të merreshin dhe do merren në konsideratë këto ide, qoftë dhe pjesërisht, duke debatuar rreth tyre, nëse do të implementoheshin dhe implementohen ato, atëherë situata do ishte ndryshe.
Papunësia do të ishte më e ulët dhe njerëzit nuk do detyroheshin të linin vendin si tani. Por unë skam patur mundësi për ti realizuar ato. Nesër mund të jetë vonë.
-A nuk mund të kishim krijuar dhe ruajtur me kohë një sistem ligjor dhe institucional që të nxiste investimet e huaja, që të konkuronte vendet fqinjë, jo thjesht nëpërmjet burimeve natyrore që ne kemi, por dhe burimeve njerëzore, politikave të duhura, etj ?
Kështu do të kishim më shumë investitorë, më shumë punë, më shumë zhvillim. Do ta sillnim Europën në Kosovë dhe sdo ta kërkonim jashtë saj.
Më duket se nuk e kemi. Ne me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë kemi bërë diçka në përmirësimin e klimës së të bërit biznes siç e tregojnë klasifikimet ndërkombëtare, por ngelet akoma shumë për të bërë.
-A nuk duhet të kishim krijuar një sistem unik të arsimit profesional që ti përgjigjej tregut të punës ? Duhet të kishim lejuar vetëm pak universitete, por serioze që të prodhonin kapacitetet që duheshin për zhvillim, dhe jo mijëra juristë dhe politologë.
Si qytetar unë kam mbështetur themelimin e Universitetit amerikan, ndoshta universiteti privat më i mirë në rajon, por skam patur mundësi të bëja më shumë. Por një e di, se mungesa e një shkollimi të mirë na frenon në nxitjen e punësimit.
-A nuk na duhet një strategji zhvillimore afatgjatë, që të miratohet në mënyrë konsensuale dhe që të jetësohet nga të dijshmit ? Kjo strategji duhet të përcaktojë prioritetet tona, aftësitë konkuruese, dhe mbi të gjitha të jetë komplementare me atë të Shqipërisë.
A po shikoni se çpo ndodh në rajon ? Qeveritë e Maqedonisë me atë të Serbisë dhe Bullgarisë, po takohen dhe po ecin përpara në këtë drejtim. E pse ne mos të bëjmë të njëjtën gjë ?
Unë kam bërë shumë aktivitete, kam hartuar shumë projekte, kam lëshuar shumë thirrje shoqërive dhe elitave tona politike, si qytetar, si ndërmarrës, si zëvendëskryeministër, si president, por unë smund të bëj më shumë, me këtë përfaqsim politik që kam në qeveri. Më duhet ndihma e qytetarëve, më duhet konsensusi ndërpartiak që të bëj më shumë.
-Unë kam bërë diçka me ndërmarrjet e mia që punësojnë mijëra njerëz brenda dhe jashtë Kosovës. Akoma më shumë do punësoj në të ardhmen dhe vazhdimisht e kam këtë shqetësim.
Unë kam mbështetur brenda Kosovës dhe investitorë të tjerë apo ide biznesi të suksesshme siç kanë qenë ato në Gjakovë, në Kamenicë, etj, etj. Diku na kanë lejuar, diku na kanë sabotuar, por kam shikuar vetëm përpara.
Unë di të bëj shumëçka në ekonomi dhe kjo është arsyeja pse u ktheva në Kosovë, ndryshe nga bashkëkombasit e mi që sot duan të ikin. Punova për vete, dhe për qindra e mijëra bashkatdhetarë të mi, por dikur thashë se duhet të kthehem që ti realizoj idetë e mia në vendin tim.
Sot para pamjeve në televizion, para shkrimeve, atyre pak debateve rreth temës së ikjes së bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit për një jetë më të mirë, unë bëj një thirrje. Të mendojmë për sistemin tonë ekonomik që ta zhvillojë Kosovën, të rrisë punësimin, mirëqenien.
E kemi fituar luftën, por sot duhet të fitojmë paqen. Duhet ti tregojmë miqve tanë që na ndihmuan në luftë, se ne e meritojmë ndihmën e tyre. Le ti lemë për një herë tjetër debatet për do tema që presin, që na ndajnë, dhe që na marrin shumë energji që duhet ti përdorim diku tjetër.