29 Prill 2024

Si të luftohet papunësia në vendet në tranzicion

Shkruar nga Fidan Kosumi

Problemi i papunësisë në botë sot është një ndër problemet më të mëdha makroekonomike me të cilin ballafaqohen qeveritë e pothuajse të gjitha vendeve. Ky problem është edhe më i theksuar në vendet në tranzicion.

Ndonëse doktrinave liberale (laissez-faire) në shkencën e ekonomisë u ipet shumë përparësi, është më se e qartë se problemi i papunësisë nuk mund të zgjidhet me veprimin e tyre. Është e pakontestueshme se zgjidhja e problemit të papunësisë kërkon angazhimin e shtetit.

Ajo çka problemin e papunësisë e bën më serioz në vendet në tranzicion është se kjo papunësi nuk është ciklike, por ka tendencë të afatit të gjatë. Njerëzit të cilit mbesin pa punë, zakonisht me vite të tëra nuk mund të gjejnë punë tjetër dhe shansat për t’u punësuar sërish janë shumë të vogla.

Humbja e punës sjellë stres, frikë dhe zemërim tek ata të cilët mbesin pa punë. Problemi i papunësisë së tillë sjellë pasoja të tjera të mëdha sepse njerëzit me kalimin e kohës humbin aftësitë dhe shkathtësitë profesionale, nuk realizojnë të ardhura çka i shtynë ata në varfëri më të thellë, e kjo e fundit shpeshherë manifestohet me probleme të jostabilitetit politik dhe shoqëror në vend.

Një nga përparësitë e vendeve në tranzicion që mund të shfrytëzohet është fuqia e lirë punëtore dhe kjo mund të shërbejë si një strategji e mirë për atraktimin e investitorëve të huaj. Për t’u shfrytëzuar ky avantazh krahasues fillimisht duhet të ekzistojë një ambient afarist i përshtatshëm dhe i sigurtë për investitorët e huaj.

Këtë mund të sigurojë një shtet ligjor me institucione të besueshme. Përveç kësaj në zbutjen e papunësisë mund të ndikohet edhe me aplikimin e politikave ekspansive fiskale dhe monetare nga ana e shtetit.

Trendi i shkurtimeve buxhetore në Europë dhe i zvogëlimit të administratave shtetërore nuk është një model i cili mund të aplikohet me automatizëm në vendet në tranzicion. Në fakt ai mund të aplikohet por pasojat do të jenë shumë më të mëdha sesa në vendet e zhvilluara.

Duhet pasur parasysh se vetë procesi i tranzicionit ka lënë shumë punëtorë pa punë në vendet në tranzicion. Ndonëse nuk ka arsyeshmëri ekonomike për ekzistimin e “administratave të mëdha”, me shumë punëtorë në sektorin publik, në vendet në tranzicion, në mungesë të zhvillimit të industrisë, administratat shtetërore janë ato të cilat kanë shërbyer dhe shërbejnë si zgjidhje e problemit të absorbimit të papunësisë së madhe.

Po ashtu, pjesërisht, në zbutjen e problemit të papunësisë në këto vende ka ndikuar edhe ekonomia joformale e cila ekonomikisht është legale, por juridikisht nuk është.

Punëtorët të cilët janë angazhuar në sektorin “gri” në këtë mënyrë kanë siguruar punë, gjegjësisht të ardhura dhe kjo në masë të caktuar ka zbutur problemin e tyre ekonomik-social duke ju siguruar të ardhura për jetesë. Edhe administratat e mëdha edhe ekonomia joformale janë dukuri negative të cilat në esencë dëmtojnë ekonominë.

Por, çfarë nëse i ipet një goditje e fortë këtij problemi, gjegjësisht nëse insistohet në respektim të plotë të ligjit dhe aplikohet gjoba si forcë ligjore? Atëherë do të kishim kolaps ekonomik dhe social në vend. Sigurisht se duhet luftuar këto dukuri negative por në mënyrë graduale dhe të balancuar duke identifikuar fillimisht strukturën e problemit.

Ngarkesat fiskale janë arsyet kryesore të cilat motivojnë afaristët të merren me ekonomi joformale. Domethënë, relaksimi fiskal mund të jetë një metodë efikase e cila mund të shërbejë për luftimin e kësaj dukurie. Përveç kësaj angazhimi i shtetit duhet të jetë i paramenduar mirë për çka shteti duhet të posedojë strategji të qartë, ndërsa veprimi duhet të jetë gradual me qëllim të ruajtjes së stabilitetit ekonomik dhe atij social në vend.

Rritja e sektorit formal dhe zvogëlimi i sektorit joformal mund të sigurohet vetëm me rritje dhe zhvillim ekonomik të vendit gjegjësisht me sinkronizim të mirë të politikës makroekonomike dhe mikroekonomike. Nëse rregullat e shtetit nuk dëmtojnë interesat e ndërmarrjeve ato do të respektojnë ligjin dhe nuk do të devijojnë në afarizmin e tyre, prandaj edhe motivi për të kaluar në ekonomi joformale do të jetë më i vogël.

Investimet dhe eksporti janë dy komponente kyçe për zhvillim ekonomik të vendeve në tranzicion. Me qëllim të stimulimit të ekonomisë dhe zbutjes së papunësisë shteti duhet të zhvillojë politikë ekspansive fiskale gjegjësisht të rrisë shpenzimet shtetërore dhe njëherit të zvogëlojë taksat.

Një politikë e tillë për efekt do të ketë rritjen e kërkesës agregate, rritjen e konsumit, rritjen e çmimeve, rritjen e GDP-së reale dhe rritjen e punësimit. Efekt të tillë mund të jep edhe aplikimi i politikës monetare nga banka qëndrore nëpërmes rritjes së sasisë së parave në qarkullim që për pasojë do të ketë uljen e normës së interesit, rritjen e investimeve, gjegjësisht rritjen e kërkesës agregate, çmimeve, GDP-së reale dhe punësimit.

Përveç efekteve pozitive të politikës ekspansive, në afat të shkurtër, paraqitet edhe një dukuri negative që shoqëron këtë politikë, ajo është rritja e çmimeve, gjegjësisht inflacioni. Në afat të shkurtër qeveritë nuk kanë komoditet për të bërë zgjidhje ideale ndërmjet inflacionit dhe papunësisë, ato duhet të përcaktohen për njërën nga ato.

Këtë e dëshmon kurba e Filipsit. Në afat të gjatë nuk ekziston një lidhje e fortë ndërmjet këtyre dy variablave por në afat të shkurtër po. Sipas kurbës së Filipsit këto dy variabla janë në lidhje inverse, gjegjësisht nëse rritet inflacioni do të zvogëlohet papunësia dhe e kundërta nëse zvogëlohet inflacioni do të rritet papunësia.

Zbutja e papunësisë në vend mund të arrihet edhe me zvogëlimin apo heqjen e ngarkesave fiskale ndaj punëdhënësve të cilët punësojnë kategoritë më të rrezikuara të të papunëve, ose me dhënien e subvencioneve për punësimin e punëtorëve të rinj nga radhët e kategorive më të rrezikuara të të papunëve e që zakonisht janë të rinjtë deri në 30 vjeç dhe më të vjetër se 45 vjeç.

Sigurisht se shtetet e zhvilluara kanë më tepër mundësi në zgjidhjen e problemit të papunësisë sepse disponojnë me më shumë mjete për financimin e programeve të ndryshme për zbutjen e papunësisë dhe ky është avantazh i tyre krahasues në raport me vendet në tranzicion.

Kriza e fundit financiare edhe njëherë ka nxjerrë në pah nevojën për intervenim të shtetit. Për këtë arsye shtetet kanë qenë të detyruara që përveç masave për zbutjen e krizës financiare të ndërmarrin edhe masa për stimulimin apo rritjen e kërkesës agregate, për zbutjen e rënies së prodhimit, zbutjen e papunësisë, rritjen e besimit në institucione etj.

Kjo edhe njëherë ka dëshmuar se shteti është faktor i rëndësishëm në ekonomi dhe se intervenimi i tij është i domosdoshëm.


Lexo te plote


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)