06 Janar 2025

Si ta ushqejmë grurin?

Shkruan: Dr. sc. Imer R. RUSINOVCI

Themeli i prodhimtarisë stabile bujqësore pa dyshim është njohja e cilësisë dhe përbërjes së tokës punuese, sepse ngastra kultivuese është “djepi” në të cilin i kultivojmë bimët e grurit.

Për këtë, në ngastrat kultivuese me grurë duhet saktësisht të përdorim racione të drejta ushqyese, që bimët të rriten dhe të zhvillohen normalisht, të arrijmë prodhim të mirë, e si produkt i kësaj të realizohet edhe një fitim i fermerëve tanë nga ngastrat e tyre. Kultivarët e gurit sot sigurojnë rendimente në mënyrë të konsiderueshme më të larta, që kulturën e grurit mund ta bëjnë më ekonomike.

Nëse shikojmë interesat kombëtare jo vetëm ato të ngushta tregtare, politikat shtetërore, grurin duhet ta mbështesin që gjithmonë ta orientojmë si kulturë strategjike për vendin tonë, duke e shndërruar në kulturë ekonomike në të shumtën e rasteve, me ç’rast edhe eliminojmë sasi të mëdha të kontingjenteve që importojmë.

Falë performancave të mëdha seleksionuese fermerët kanë në disponim një gamë të shkëlqyer të kultivarëve cilësorë të grurit për kultivim. Kultivarët lartëprodhues të grurit kanë ulur dukshëm ndjeshmërinë ndaj shtrirjes (rrëzimit), shumica e tyre janë me kërcejë të shkurtë, të fortë, mirë rrënjëzohen dhe tolerojnë sasi më të larta të plehrave minerale, sidomos të azotit.

Në konditat tona, format dimërore të grurit që mbillen në vjeshtë mbeten dominante, sepse format verore të grurit japin rendimente më të ulëta. Format verore në të ardhmen mund të jenë interesante për lartësi të mëdha mbidetare, ku mbjelljet e grurit dimëror janë të diskutueshme për shkak të temperaturave të ulëta. Tanimë dihet se ka kohë që të gjitha punimet në prodhimin e grurit janë tërësisht të mekanizuara, me efikasitetit shumë të lartë të mekanizimit, sidomos në sipërfaqet e mëdha, e ky është një faktor shumë i rëndësishëm që çmimet e grurit janë aq të ulëta. Gruri është një kulturë bujqësore me periudhë vegjetative pothuajse nëntëmujore, nga vjeshta, dimri, pranvera duke u korrur në verë. Andaj, teknologjia e kultivimit është mjaft komplekse.

Punimi i tokës varet nga parakultura. Parakulturat më të mira janë kulturat mihëse, kolëza, edhe pse në kushtet tona parakultura më e zakonshme është misri. Nëse parakulturë janë të lashtat ose kolëza, atëherë ofrohet mjaft kohë për përgatitje cilësore të tokës. Menjëherë pas heqjes së parakulturës duhet të bëhet një kultivim i cekët 10-15 cm me plug shumëhullish ose disqe të rënda, që të provokohet shfaqja e barërave të këqija.

Mund të mbillet edhe ndonjë kulturë sideruese apo edhe kulturë e dytë. Kur rritet masivisht pjesa e gjelbër dhe bien shirat e parë të vjeshtës, duhet kryer plehërimin bazë me plehra NPK, para punimit të thellë në thellësi 20-25 cm. Në qoftë se posedojmë mekanizim cilësor të lartë, në vend të plugimit mund të bëhet një diskim i thellë duke minimizuar punimet, më pas mbjelljen. Nëse misri apo panxharsheqeri është parakulturë, përgatitja për mbjellje të grurit është shumë më komplekse.

Pas heqjes së parakulturës është shumë e nevojshme të imtësohen (prehen) mbetjet bimore. Pastaj të përdoren plehrat NPK për plehërim bazë dhe të jepet një pjesë e uresë për ta shtuar ushqimin vjeshtor të grurit me azot dhe për përshpejtimin e mineralizimit të mbetjeve organike.

Hapat e parë të vërtetë në këtë drejtim janë analizat e tokës dhe marrja e rekomandimeve për arritjen e sukseseve. Përdorimi i pakontrolluar i plehrave minerale çon në reduktim të ndjeshëm të veçorive prodhuese të tokave. Për të realizuar një prodhim të kënaqshëm të grurit nevojiten këto sasi të materieve aktive:
180-200 kg / ha - azot (N);
130 - 150 kg / ha - fosfor (P205);
100-120 kg / ha - kalium (K20).
Korrektimet janë të mundura nëse paraprakisht kryhen analizat kimike të tokës. Për plehërimin themelor të grurit sugjerojmë një nga këto tri formulime:
-NPK 10:30:20 të përmbyset një sasi prej 500 kg/ha, në tokat e varfra me fosfor,
-NPK 7:20:30 të përmbyset një sasi prej 750 kg/ha, në tokat e varfra me kalium,
-NPK 8:26:26 të përmbyset një sasi 550 kg/ha, në toka me përbërje mesatare.
Në sipërfaqet ku parakultura kanë qenë misri apo panxharsheqeri, po qe se mbetjet janë përmbys, në to duhet dhënë 100 - 150 kg/ha ure për mineralizim të masës organike.

Riplehërimi - gruri është një kulturë bujqësore, me periudhë të gjatë vegjetative, duke kaluar edhe sezone të thata. Meqenëse azoti është element mobil (i lëvizshëm), shpëlarja dhe avullimi i tij çdoherë duhet të merret parasysh. Për t’i reduktuar shpëlarjet në minimum dhe për t’i përmbushur nevojat e bimëve të grurit gjatë vegjetacionit për rritje dhe zhvillim, bimët duhen plehëruar 3-5 herë, me forma të ndryshme të azotit.

Në plehërimin vjeshtor avantazhe kanë format amide dhe amone të azotit, sepse u qëndrojnë shpëlarjeve, transformohen në forma nitrate në përputhje me lagështinë e tokës dhe temperaturën, e kjo do të thotë edhe në përputhje me rritjen e bimëve të grurit dhe kërkesat e tyre. Në riplehërimin e parë të grurit, që rëndomë përkon në fillim të vegjetacionit pranveror, kur temperaturat ditore stabilizohen në 10 - 15° C, avantazhe kanë formulimet me azot në formë të nitrateve dhe amoniakut, sepse format nitrate të azotit më shpejt përvetësohen edhe në temperatura më të ulëta.

Zakonisht faza e vëllazërimit fillon në vjeshtë, porse në raste të veçanta, sidomos në mbjelljet e vonuara dhe në dimra të ashpër, gruri mbin në pranverë. Prandaj, riplehërimin duhet zbatuar sipas konditave kohore e jo sipas fazave fenologjike. Riplehërimin e dytë duhet zbatuar 25 - 35 ditë pas të parit, dukuri kjo në varshmëri nga zhvillimi i kushteve klimatike dhe rezultate të njëjta sigurojnë të gjitha format e azotit. Zakonisht kjo është faza e fillimit të ngritjes së kërcejve të bimëve.

Në praktikë shpesh vonohemi me riplehërimin e dytë, për ç’farë shfrytëzimi i azotit shpesh është inferior. Riplehërimi i tretë në praktikën tonë nuk është shumë i pranuar, edhe pse e njëjta sasi e azotit e shpërndarë në tri këste jep rezultate më të mira sesa në dy këste, sepse humbjet e azotit janë më të vogla. Në disa vite, kur pas riplehërimit të dytë bien shumë reshje, riplehërimi i tretë është teknologjikisht dhe ekonomikisht i justifikuar, edhe pse në përgjithësi mund të themi se riplehërimi i tretë zakonisht rrit cilësinë, ndërsa prodhimin shumë rrallë.

Ngastrat e mbjella me grurë, të dedikuara për prodhimtarinë e farës dhe kultivarët e cilësisë së lartë, rregullisht duhet riplehëruar tri herë. Nëse përdorim NAG-un për riplehërim, sasitë e këtij lloji plehu mineral për kulturën e grurit duhet të sillen në kufijtë:
Në riplehërimin e parë të përdoren: 100- 120 kg/ha NAG- 27 % N,
Në riplehërimin e dytë të përdoren: 180-220 kg/ha NAG-27 % N dhe
Në riplehërimin e tretë të përdoren: 200 l/ ha me 50 kg Ure të tretur 46 % N ose 100 kg/ha NAG 27 % N.
 
(Autori është Prof. i Asocuar, Fakulteti i Bujqësisë, Prishtinë)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)