23 Dhjetor 2024

Si mund të nxirret e vërteta nga deklarata politike

Shkruar nga Vedat Krasniqi

  

Barometër për lëvizjet e ardhshme politike të qeverisë aktuale, të artikuluara tanimë lehtësisht dhe qartë nga shumëkush, janë bërë deklaratat aktuale të kryeministrit Thaqi.

Me fjalë të tjera në rast se duam të dimë p.sh., se çka do të prodhoj dialogu me Serbinë atëherë vetëm dëgjojeni kryeministrin, dhe nuk ju nevojitet edhe aq shumë talent politik për të zbuluar esencën e vërtetë të deklaratës së tij, vetëm nxirrni, thjeshtë të kundërtën e asaj se çka ai thotë, pra negacionin, dhe ma thotë mendja se do të jeni të saktë në parashikimet tuaja politike.

Dorën në zemër  ka raste kur ai ka thënë diçka dhe konstatimet e tij kanë qenë të vërteta pra Hashimi ka mbajtur fjalën, në këtë kontest thjesht nuk duhet t’i hahet haku.

Por e keqja në këto raste, edhe ashtu të ralla, është se sa herë që Hashimi ka bërë një gjë të tillë, pra ka mbajtur fjalën, prapa premtimeve të tij kanë dal ngrehina të tëra  problemesh, për shkak se ato para së gjithash kanë qenë vendime add-hoc dhe pa ndonjë analizë të duhur, e as të ndershme e të përgjegjshme, e assesi me parashikim  derivimin e tij në parametra empirik.

Në këtë kontekst, pa dyshim duhet cekur premtimin e tij përgjatë fushatës së fundit elektorale, me ç’rast ai tha se do t’i ngritë pagat e punëtorëve të sektorëve të ndryshëm, duke filluar nga administrata, policia e deri tek arsimi. 

Natyrshëm, për shkak të pamjaftueshmërisë buxhetore, premtimi i Hashimit, administratës qeveritare i shkaktoj probleme të shumanshme; në njërën anë doganat ishin të detyruara të “risin” efikasitetin në vjeljen e tatimeve kufitare e cila rezultoi me pengesa të shumta për bizneset dhe jo vetëm për to, e në anën tjetër Fondi Monetarë Ndërkombëtarë shumë shpejt morri vendim ta ngurtësoj këstin e radhës së kredisë së butë për shtetin më të varfër të Evropës.

Por në realitet le ta faktojmë atë se pse për ta nxjerr të vërtetë duhet të merret për bazë e kundërta e asaj se çka deklaron kryeministri.

Para më pak se një viti kryeministri për dialogun me Serbinë tha “jo nuk do të dialogojmë” për ta thënë pak muaj më vonë krejt të kundërtën; “jemi të përgatitur për dialog”. Më pas, hiq më pak se nga foltorja e Kuvendit të Kosovës kryeministri tha, edhe atë në mënyrë shumë kategorike; “kur nuk do të ketë  bisedime politike me Serbinë” , gjithsesi për ta konfirmuar kontradiktën në  një prononcim tjetër me diçka të ngjashme me pohimin paraprak; “jemi të gatshëm për dialog politik për shkak se ajo shkon në favor të forcimit të fqinjësisë së mirë me Serbinë dhe me të gjitha shtetet e rajonit me çka Kosovës i hapet perspektiva evropiane”.

Të gjitha këto kontradikta, e gjithë kjo papastërti deklarative nuk është veçse amoralitet politik. Por mungesa e etikës në politikë, në veçanti ajo për bisedimet për veriun e Kosovës nuk është kurgjo, ama bash kurgjo hiq kur të merret parasysh deklarata e tij e fundit ku ai thotë: “Kurrë ndarje”!?

Tani shtrohet pyetja si shoqëri a vërtetë jemi ultrademokrat dhe kemi konsiderata për shumë aspekte me të cilat përballet kryeministri aktual, si p.sh.,i marrim parasysh trysnitë që mund t’i kenë bërë atij ndërkombëtarët, madje do ta marrim parasysh edhe atë se ai nuk mund të tregoj se cilat janë ato presione, e të tjera të kësaj natyre, vetëm e vetëm që kryeministri po mundohet ta “shpëtoj” Veriun e Kosovës.

Po po veç pas krejt asaj çka i ka ofruar Hashim Thaqi skenës tonë politike assesi nuk të krijohet përshtypja e kthyer tani më shndërruar në bindje tek qytetarët e Kosovës, se këtij njeriu mund t’i  besohet sërish.

Thjesht nuk ka asnjë hapësirë nga e cila mund të dilet me p.sh.,konstatimin;‘kryeministri e pat me vend’ po normal që nuk ka vend, hapësira është e mbushur me amoralitet politik.

Për fund do të doja ta shtoja edhe një pyetje, mbase e dalë nga kërshëria e kureshtja për ta ditur përgjigjen drejt; po të ishte kryeministri aktual në opozitë dhe po të ishin rrethanat politike të njëjta, a do të pajtohej Thaqi për dialogun me Serbinë përgjithësisht dhe në veçanti për dialogun politik?

Madje në rast se do të ishte kundër dialogut, cilat do të ishin arsyetimet e tij dhe të qeverisë që ai drejton,  dhe se a do të kishte alternativë në ofertën e tij?

Pra ka shumë pyetje hipotetike rreth dialogut dhe jo vetëm rreth tij, të cilat mbase nuk do t’i kuptojmë kur, thjesht për shkak se ai aktualisht është për një përdorim të fundit nga ndërkombëtarët dhe se pas mandatit aktual besoj fuqishëm se nuk do të ketë karrige të lirë për të në legjislacionin e radhës për shkak se udhëtimi aktual i kësaj qeverie, ballina e së cilës ka etiketën me destinacion  dështimin, e me stacionet; korrupsion, krim, nepotizëm etj., s’ka se si të jetë ndryshe veçse dështim. Po a thu për ku do të udhëtoj realisht Hashimi më pas?

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)