Si funksionon MASHT-i sot
Shkruar nga Prof. Dr. Shukri Klinaku
Zoti ministër i arsimit, shkencës dhe teknologjisë!
Dëshiroj ta filloj këtë letër me një pyetje: a mendoni se më mbarë duhet të funksionoj MASHT-i, apo cilido institucion arsimor a shkencor, i cili është administrativisht dhe fizikisht jashtë MASHT-it?
Sigurisht, pajtoheni se MASHT-i do të duhej të funksiononte më së miri nga të gjitha institucionet arsimore dhe shkencore të vendit, sepse pos tjerash, aty jeni ju - ministri i plotfuqishëm i arsimit, shkencës dhe teknologjisë; momentalisht, njeriu më kompetent dhe njeriu që brengoset më së shumti për këto tri fusha të rëndësishme të funksionimit të shoqërisë.
Fakti se ju “nuk keni pasur njohuri për funksionimin e këtyre tri fushave” deri sa e keni marrë detyrën, nuk ju bën më pak përgjegjës, apo nuk ju amniston para qytetarëve që kërkojnë arsim, shkencë dhe teknologji më të mirë.
Si qytetar që më lidhë puna me MASHT-in, nga përvoja ime personale e dy viteve të fundit, në vazhdim do të rrëfej se si e shoh funksionimin e MASHT-it në ditë e sotme.
Do të rrëfej vetëm për 4 prej problemeve me të cilat jam ballafaquar personalisht, e të cilat ose janë zhvilluar në MASHT, ose kanë lidhje të drejtpërdrejt me MASHT-in.
Këto nuk janë 4 probleme të vogla dhe të izoluara, por janë probleme, zgjidhjen e të cilave e kam kërkuar dhe ndjekur në tërë linjën administrative (prej bazës, e deri në zyrën tuaj) dhe për të cilat, e them me zhgënjim, as përgjigje nuk kam marrë, nga asnjë instancë, e lëre më të jenë zgjidhur.
Pra, janë 4 probleme që sipas bindjes sime, flasin për funksionimin tërësor të MASHT-it.
1. Funksionimi i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” – A e dini si dhe sa punohet në UP? Në UP punohet ashtu si dhe sa kanë vullnet të punësuarit. Ndërsa pagën e marrin të gjithë të plotë.
Disa që shprehin vullnet të marrin më shumë sesa pagën, e ndjekin rrugën e trasuar nga rektorati dhe e rrisin atë. Buxheti me të cilin qeverisë UP-ja, është gjigant, nëse krahasohet me dobitë që të punësuarit në këtë universitet i sjellin shoqërisë.
Puna në UP mbetet vullnetare, sepse rektorati merret me dy angazhime kryesore: me grumbullim të letrave të cilat “dëshmojnë” se puna është duke u kryer mirë; dhe me vepra mafioze.
Angazhimi i parë, nuk merr shumë kohë dhe energji, sepse janë të caktuar nëpunësit që grumbullojnë “dëshmitë” mbi mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe hulumtues.
“Dëshmitë” dëshmojnë se të gjitha realizimet janë 100 %. I raportojnë rektorit dhe me kaq kryhet obligimi për të merituar rrogën e plotë.
Angazhimi që merr më shumë kohë dhe energji është ky i dyti, i cili është i mbushur me falsifikime, mbulim të falsifikimeve, shit-blerje të notave dhe diplomave, rregullim i mesatareve, angazhim për shkelje “të butë” të statutit, intervenim në prokurori për mos procedim të kallëzimeve penale, ndarje të mëditjeve dhe shtesave të kundërligjshme, vizita të shumta për mëditje etj.
Pse i numëroj të gjitha këto këtu? Sepse, të gjitha këto i kam ngritur në organet e UP-së, por nuk kam marrë përgjigje, as përmirësim; sepse në Këshillin drejtues (KD) të UP-së, ju z. ministër keni emëruar 4 anëtarë (dhe kryetarin e këtij këshilli) dhe ata në vend se të jenë garant të ruajtjes së statutit dhe ligjit, në vend se të reagojnë për shpërdorim të buxhetit të UP-së, ata 4 anëtarët e emëruar nga ju, bashkë me 5 anëtarët tjerë janë bërë palë me rektorin dhe shkelin statut e ligj dhe shpërdorojnë buxhetin e UP-së bashkë; dhe në fund, i numëroj këto këtu, sepse për shumicën e këtyre çka përmenda këtu ju kam informuar me shkrim dhe dokumentacion voluminoz.
2. Inspektorati i Arsimit të Kosovës (IAK) – është departament i MASHT-it i cili merret me “mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi që rregullojnë fushën e arsimit publik dhe privat në Kosovë”. Mirëpo, IAK refuzoi zyrtarisht të merret me shkeljet e rektorit dhe KD të UP-së.
Pasi kishim kërkuar nga KD i UP-së të merret me shkeljet e rënda të rektorit dhe dekanit të FE-së, KD-ja nuk u përgjigj. Iu drejtuam IAK-së.
Përgjegjësi e shqyrtoi lëndën, mirëpo nuk e arkivoj atë, me pretekstin se kanë kaluar 10 ditë prej ditës kur ka skaduar afati 30 ditësh i mos përgjigjes së KD të UP-së. E çka të bëjmë tani, ishte pyetja?
Përsëriteni procedurën në KD të UP-së dhe nëse nuk përgjigjen edhe një herë, ejani të nesërmen e skadimit të afatit – ishte udhëzimi i nëpunësit përgjegjës.
E përsëritëm. Dhe kur dorëzuam lëndën në IAK në të njëjtën zyrë, pas 1 jave erdhi përgjigja – nuk jemi kompetent për këtë çështje, drejtohuni te organi ligjor kompetent.
Pra, në fillim IAK ishte kompetent për ta shtyrë, e për të dhënë udhëzime, pastaj doli se nuk është kompetent. Ne përfunduam se dora e shkelësve të mëdhenj në UP ka arritur deri në IAK. U drejtova në zyrën tuaj.
Por, përveç “habisë së madhe” të këshilltarit tuaj për sjelljen e IAK-së dhe premtimit të tij se do ta shqyrtoj këtë çështje, nuk kam marrë tjetër përgjigje. As që pres më përgjigje për këtë çështje, sepse tanimë kanë kaluar shumë muaj nga ky premtim.
3. Këshilli i shkencës i MASHT-it (KSH) – është organ në kuadër të Departamentit të shkencës dhe teknologjisë, i cili merret me shqyrtimin e aplikimeve për botime dhe projekte shkencore, për të cilat MASHT-i ka një fond të caktuar.
KSH-ja edhe në ditët e veta më të mira bën një punë gjysmë ilegale (nuk shpallet publikisht përbërja e KSH-së, KSH-ja nuk shpallë vendimet publikisht në mënyrë të rregullt dhe transparente dhe çka është më e keqja, ky këshill nuk lëshon arsyetime me shkrim mbi refuzimin e aplikimeve).
Përgjatë kohës sa e drejtoni ju MASHT-in, KSH në kohën më të gjatë ka qenë jofunksional! Një periudhë disa mujore ka qenë jofunksional “për shkak të numrit të anëtarëve” i cili “aksidentalisht” ishte rritur dhe ishte bërë numër çift.
Ndërsa në fillim të këtij viti KSH-ja nuk ka funksionuar, sepse “përbërjes së vjetër i ka kaluar mandati, ndërsa përbërja e re nuk është emëruar ende”!
Një aplikim timin për një “projekt të vogël shkencor”, KSH-ja, brenda dy viteve, dy herë e ka dërguar për vendimmarrje në zyrën tuaj! Kam kërkuar shpjegim me shkrim nga KSH-ja për këtë veprim të pakuptimtë, por nuk marrë asnjë përgjigje.
Pasi deleguan vendimmarrjen për aplikimin tim për herë të dytë në zyrën tuaj, unë kërkova nga Zyra ligjore e MASHT-it të më udhëzoj se ku mund të ankohem për këtë sjellje të KSH-së.
Në këtë zyrë kam marrë këtë përgjigje fjalë për fjalë – nuk e dimë! Pastaj i kam shkruar Sekretarit të përgjithshëm për këtë problem, nuk kam marrë përgjigje. Pastaj jam drejtuar te ju. Ju falënderoj, që më pritët në takim, por përgjigje, as zgjidhje nuk kam marrë; as në takim, as më vonë.
4. Përzgjedhja e teksteve shkollore – është proces shumë i rëndësishëm për arsimin para universitar.
Meqenëse ju z. ministër nuk i keni vënë obligim vetit që të bëni ndonjë reformë, apo ndonjë disiplinë në arsim, të cilat eventualisht do të bënin kthesën aq shumë të dëshiruar, atëherë një proces i rregullt dhe i pastër në përzgjedhjen e teksteve shkollore do të ishte një pikë e ndritshme në karrierën tuaj si ministër i MASHT-it.
Mirëpo, me keqardhje të madhe e them – procesi i përzgjedhjes së teksteve shkollore (nëse nuk ndërmerrni diçka radikale në kohën e shkurtë që ka mbetur) do të jetë e kundërt me pikën e ndritshme në karrierën tuaj si ministër.
Me siguri të plotë, i mbështetur në argumente të pa kundërshtueshme, ju them se në të gjitha fazat e këtij procesi ka shkelje të rënda të të gjitha natyrave.
Do të përmend këtu vetëm fazat kryesore. E para, Këshilli i ekspertëve (KEPTSH) i ngarkuar me udhëzim administrativ (UA) për implementim të konkurseve për përzgjedhjen e teksteve shkollore është nxjerrë jashtë procesit nga këshilltarët e juaj.
Këta këshilltarë, që në të vërtetë janë përzgjedhësit faktit të teksteve shkollore, mund të jenë më të aftit që ka Kosova, por këtë proces e kanë udhëhequr në mënyrën më të keqe të mundshme.
Mbledhjet e KEPTSH-it janë mbajtur sa për sy e faqe, pa procesverbale, pa raporte gjithëpërfshirëse dhe KEPTSH-i nuk ka pa dhe nuk ka aprovuar rezultat gjithëpërfshirës dhe me përmbajte të shqyrtimit të konkurseve.
E dyta, përzgjedhja e recensentëve është bërë nga këshilltarët e juaj dhe është bërë me korrupsion.
E treta, ku e kanë lënë “punën keq” recensentët e kanë plotësuar këshilltarët të cilat janë të vetmit që kanë poseduar çelësin e kodeve të dorëshkrimeve dhe shtëpive botuese.
E katërta, këshilltarët e juaj, pretendojnë se ua kanë dhënë shtëpive botuese rezultatin e shqyrtimit të konkurseve. Por kjo nuk është as për së afërmi e vërtetë.
Ata kanë shpërndarë disa letra me disa shifra memece, pa udhëzim, pa kode të dorëshkrimeve, pa vlerësim sipas standardeve.
Çka është ma skandaloze ato letra nuk përmbajnë shenjën e KEPTSH-it (sepse sikurse thashë, KEPTSH-i as që ka aprovuar rezultat gjithëpërfshirës), as protokoll, as nënshkrim, as vulë, madje as datë, as këshillë juridike për ankesë.
Në dialog me këshilltarët e juaj – përzgjedhësit e teksteve shkollore – për të gjitha këto as që mund të bëhej fjalë, sepse ata dështuan të më japin përgjigje në pyetjen më të thjeshtë të mundshme: prej cilës datë rrjedh koha e afatit të ankesave?
Të dy më janë përgjigjur me këmbëngulje nga dy herë: lexoje udhëzimin administrativ. Si është e mundur kjo?
Vendosin për tekstet shkollore të krejt Republikës së Kosovës, e nuk e kuptojnë se udhëzimi administrativ përcakton kohëzgjatjen e afatit të ankesës, e jo datën prej së cilës rrjedh ky afat, i cili eventualisht rrjedh prej datës së vendimit me të cilit është shpallur rezultati.
Mirëpo, këshilltarët e juaj z. ministër bëhen sikur nuk e kuptojnë se “rezultatit” të tyre i mungon edhe data, e bashkë me datën edhe 6 elemente tjera të domosdoshme për t’u quajtur dokument zyrtar.
Z. ministër, “rezultati” që kanë lëshuar këshilltarët e juaj vetëm për nja arsye nuk është përpiluar si dokument zyrtar – sepse atë nuk e ka përpiluar dhe nuk e ka miratuar KEPTSH-i.
Konsideroj se një mos funksionalitet i tillë i MASHT-it dhe shkelje kaq të rënda në përzgjedhjen e teksteve shkollore do të ishin të papranueshme edhe në vitin 2000 (menjëherë pas lufte), e lëre më sot, në vitin 2019.
Dhe t’i kthehemi pyetjes së fillimit. Kur MASHT-i ka këtë mos funksionalitet dhe gjithë këto shkelje; po institucionet tjera? Prandaj, na mbetet të urojmë: rrofshin njerëzit vullnetmirë.