Shumë e fortë kjo OJQ e bashkëisisë së komunave serbe në Kosovë
Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora
Mashtrimi bëhet art, nga mashtruesit profesionistë: Serbët e Kosovës që, trupin e kanë në Kosovë kurse kokën në Serbi, ç’është e vërteta, kanë pasur nevojë ta kenë një OJQ të fortë e cila nuk do të kishte nevojë që për çdo gjë të pyetet Beogradi.
Kosova, si shtet i pavarur që e kontrollon integritetin territorial 100% sikur që e shtrinë sovranitetin në çdo milimetër ku kanë jetuar apo jetojnë shqiptarët, madje edhe paraardhësit e tyre, nga Ballkani e deri te Pakistani (hundëzakët e Ademit) është treguar shumë bashkëpunues për formimin e një OJQ –je serbe.
Kumbarë më të mirë për këtë nuk kanë mundur ta gjejnë se në figurën e Presidentit Post-Historik, Shkëlqesisë së Tij, Lartmadhërisë, Censorit të Përgjithshëm, Kryeprokurorit të Shtetit, Kryegjykatësit, Guvernatorit të Shtetit, Komandantit të Përgjithshëm të FSK –së, Shefit të AKI-së, Kryepolicit dhe posteve tjera që, për shkaqe praktike, teknike dhe, sidomos higjienike, nuk po i përmendi, Zotëri Hashim Thaçi.
Hashimi ka përvojë të gjatë me OJQ-të sepse Kosovën e ka konsideruar dhe e konsideron si një organizatë joqeveritare, varësisht nga zhvillimet politike.
Me vete, si shoqërues të së keqes i ka pasur edhe dy ish ojëqëistë, tash të veshur me pozita të pushtetit sikur që janë postet e ministrit, poste që u ishin rezervuar edhe në kohën kur nuk siguruan vota për vazhdimin e udhëtimit pas gjurmëve të Shefit.
Njëri, si ministër që do duhej të tregonte rrugën drejt Europës apo Evropës, pasi i përfunduan rrentë dhe mashtrimet, u shndërrua në bartës të çantave, çadrave apo kondomëve për Udhëheqësin Shpirtërorë (nuk e kuptoj si i pashpirti mund të bëhet udhëheqës shpirtërorë !!!!) kurse tjetri, pasi e forcoi analfabetizmin intelektual, si ministër që duhej ta shpërndante arsimin, kaloi në një post tjetër që e përfaqëson Kosovën në botën e jashtme dhe, në të njëjtën kohë kishte disa poste. Edhe ky njihej dhe pranohet si mashtrues dhe rrenc i certifikuar dhe i noterizuar te Shefi i Madh.
I pari është besnik i Hashimit dhe gjithnjë afër Hashimit kurse i dyti është gjithashtu besnik i Hashimit dhe gjeografikisht afër Kadrisë, si pykë e Hashimit!
Në kushte normale këta e kanë vendin tjetërkund, në kushte jonormale janë afër dhe në mbrojtje të Hashimit. Deri sa Hashimi të jetë potent dhe të ketë nevojë për ta, si çka, e lë në imagjinatën tuaj, lexues të nderuar!
Këta, edhe sot e përkrahin që Hashimi të jetë kryenegociatori i Kosovës me Vuçiqin dhe ku Kosova do të duhej të merrte vendime të vështira, të bëjë kompromis dhe, mbase se i dhimbet Vuçiqi, thotë se as Serbia nuk do ta ketë lehtë thuaja se ne i paskemi borxh Serbisë!
A është kjo kërkimfalja e Hashimit, si kusht simbolik për t’u pajtuar me Serbinë për çka po e formon një Komision për të “ Vërtetën “ dhe Pajtim e që, në këtë drejtim, si mercenar është angazhuar një ndërkombëtar, ndonëse thuhet se pronësia e këtij procesi është vendore.
Për ta kompletuar këtë treshe mashtruese dhe për të respektuar kuotën e përfaqësimit gjinorë, gjithsesi duhet të përmendet edhe bredharakja e Brukselit, tashmë si fantazmë, mashtruesja dhe stjuardesa në linjën Prishtinë – Bruksel që ka trashur kontonë bankare dhe që e ka instaluar nepotizmin dhe e cila po thotë se Hashimi është mençuria e negociimit prandaj mbetet i pakontestuar në këtë proces krejt me shpresën se Hashimit i ka mbatur edhe ndonjë asht rezervë i cili, edhe nëse nuk ka mish (para të majme ), i ka mbetur shija e mishit (pak para ). Lypësaria dhe nënshtrimi nuk shërohen, sidomos kur ato bëhen kronike apo mënyrë e mbijetesës.
Nuk mbahet mend që një OJQ –ë të ketë nxitur përkrahjen ndërkombëtare dhe të jetë bërë subjekt ndërkombëtar sikur kjo OJQ e Serbisë e quajtur Bashkësia e Komunave Serbe.
Si kusht për regjistrim të kësaj OJQ-je është dashur të nënshkruhet një Marrëveshje ndërkombëtare në Bruksel dhe ky është rasti i parë, sigurisht edhe i vetëm kur një “ OJQ –ë “ trajtohet si një çështje me rëndësi ndërkombëtare.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës i evidentoi 23 shkelje të Kushtetutës për këtë OJQ –ë (aq të goditura mori Cezari nga Bruti dhe Kasi kur u vra në Senatin e Romës) mirëpo, doli me një përfundim idiotesk ; ka aq shkelje por se duhet të vazhdohet me themelimin e këtij mini shteti brenda Kosovës!
Në vendet normale edhe për një shkelje të vetme të Kushtetutës, anulohet çdo përpjekje tjetër sikur që merren masa ndaj atyre që kontribuan për këtë gjendje!
Te ne, ata që e miratuan këtë interpretim idiotesk biseksual juridik (sigurisht e kanë shkruar të huajt ), po përparojnë në pozita, si kuislingë e jo si profesionistë!
Tash, kriminelët e luftës dhe kriminelët politikë të Serbisë, të përkrahur nga ndërkombëtarët dhe kriminelët vendorë, po këmbëngulin që të ndërrohen ligjet e Kosovës sikur edhe Kushtetuta, për t’i dhënë një status special kësaj “ OJQ –je “ në kohën kur nuk e pranojnë transformimin e FSK –ës në ushtri, as përmes ligjit e as përmes ndryshimeve kushtetuese! Këtë nuk do ta pranonin as shtetet e shekullit XVIII e lëre më shtetet që synojnë integrimet eu (v )ro - atlantike.
Natyrisht se Bashkësia e komunave serbe në Kosovë nuk do të formohet sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese por vetëm sipas Marrëveshjes së Brukselit. Do të mbështillet me një tym sa për të qetësuar gjakrat dhe asgjë më tepër.
Bashkësia e komunave serbe në Kosovë do të jetë goditja më e madhe që do t’i bëhet Kosovës duke krijuar një mekanizëm kushtetues që, me ligje do ta ketë të mundur ta bëjë shantazhin dhe do të krijojë destabilizim afatgjatë, deri në ndarje përfundimtare të kësaj pjese të Kosovës.
Tash, kryesisht dhe vetëm shkaku i shqiptarëve, si shumicë absolute në Kosovë përjashtohet referendumi, si shprehje dhe mundësi demokratike për t’u përcaktuar për të gjitha çështjet me interes për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Pas një kohe situata do të ndryshojë, serbët e komunave serbe në Kosovë do të kërkojnë referendum për ta shprehur vullnetin e tyre politik dhe kombëtar duke u thirrue në referendum, si imnstrument demokratik dhe do të ndahen nga Kosova ose, në rastin më të mirë do të mbesin brenda kufijve të Kosovës por më të fortë dhe më vendimarrës se vet shteti i Kosovës.
Serbia nuk e lëshon Ujmanin dhe Trepçën prandaj po i instrumentalizon serbët e Kosovës kurse ndërkombëtarët do të gjejnë interes te Trepça dhe as që do ua ndiej për Kosovën.
E patë gjeneralin Klark, erdhi në Kosovë dhe i kritikoi udhëheqësit kosovarë kurse vizita e tij ishte ekskluzivisht për biznes në Rrafshin e Dukagjinit, kërkesë kjo që i ishte refuzuar më parë.
Gjenerali Klark do që thëngjillin e varfër të Kosovës me kalori ta shrytëzojë për prodhimin e karburanteve paçka se do ta bëjë mjedisin në këtë pjesë të Kosovës sikur Hiroshima, pas shpërthimit të bombës atomike.
Tre musketirët e mashtrimit dhe të rrenës e përkrahin Thaçin si kryenegociator pa pasur mandatin e Kuvendit të Kosovës në ndërkohë që e ka ndërruar postin, nga kryeministri është bërë president e që nuk i garanton të drejtën e kryenegociatorit me automatizëm.
Nëse Hashim Thaçi e merr mandatin nga Kuvendi i Kosovës të jetë kryenegociatori i bisedimeve atëherë nuk mund të kundërshtohet nga askush mirëpo, edhe në atë rast nuk mund të marrë ndonjë vendim, pa pëlqimin e shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Këta tre musketirë po e keqpërdorin situatën kur Hashim Thaçi është bërë lojtarë, jo i besueshëm por i pazëvendësueshëm për Brukselin dhe ëashingtonin, derisa t’i përfundojë disa marrëveshje pas së cilave, nuk kam asnjë dyshim e pret “ fati “ i të gjithë liderëve të shteteve ballkanike!
Hashim Thaçi ka pasur simpati dhe përkrahje për luftën që e ka bërë kundër Serbisë dhe çlirimit të Kosovës e këtë luftë e ka bërë, pa asnjë dyshim.
Thaçin e kam përkrahur deri në çastin kur kam qenë i sigurt se është kundër Serbisë dhe për Kosovën mirëpo, pas shumë veprimeve që i ka bërë kohëve të fundit po del se Serbia po fiton kurse Kosova po humb!
Nuk ka nevojë më Kosova të bëjë lëshime ndaj Serbisë, as të dhimshme e as të padhimbshme dhe marrëveshja mund dhe duhet të bëhet ekskluzivisht mbi bazën e mosndërhyrjes në punë të brendshme të Kosovës.
Serbia duhet të merret me çështje të shtetit të Serbisë sikur që edhe Kosova me çështje të Kosovës dhe thjesht kjo është formula e normalizimit të marëdhënieve midis dy shteteve!
Serbia nuk është e interesuar për normalizim kurse Kosova nuk ka guxim të kundërshtojë një shtet me udhëheqje kriminale siç është kjo e Vuçiqit, Daçiqit, Vulinit, Gjuriqit dhe mendësisë rrugaçërore të regjimit serb që ma asgjë nuk dallon nga ai i Millosheviqit.
Ndërkombëtarëve nuk u duhen lojëtarë kosovarë që shënojnë në golin e Serbisë por ata që shënojnë në golin e Kosovës që e kanë bërë me përulësinë më të madhe deri më sot!
Nëse Kosova hynë në bisedime përfundimtare me këta lojëtarë që i trukojnë rezultatet sikur kanë bërë deri më tani, Kosova është e humbur që tani.
Bashkësia e komunave serbe në Kosovë, nëse miratohet sipas kërkesës të serbëve dhe Serbisë përfundimisht do ta varrosë pavarësinë e Kosovës, e tillë siç është dhe do ta shndërrojë Kosovë në një mbetje mortore të një shteti! Politikisht dhe strategjikisht, Kosova do t’i ngjajë Spartës e cila u shkatërrua pas një qëndrese titanike kurse Kosova do të “ zhduket “ pas një dorëzimi dhe nënshtrimi titanik!
Në këto rrethana, Hashim Thaçi nuk mund të jetë përfaqësues imi dhe përcaktues i fatit tim vetëm se këtë e duan tre musketirët e rrenës, mashtrimit dhe nënshtrimit !
Lutjet e mëngjesit për lakuriqët e natës: Si popull i lashtë dhe me tradita kemi filluar shpronësimin nga vlerat që na kanë karakterizuar për shekuj me radhë.
Laknorin e dikurshëm tash po e quajmë picë, Karagjorgjeva shniclla po e quajmë Skenderbeg, emrat e bukur shqiptarë i kemi zëvendësuar me emra fetarë dhe emra të serialeve televizive që nuk kanë asnjë kuptim dhe asnjë vlerë.
Në bastardimin e vlerave dhe përmbajtjes kombëtare dhe morale kemi shuar shumë larg, tash nuk është entuziazmi dhe krenaria e të qenit shqitarë por e kemi krijuar një krenari falso, të deklarohemi si kosovarë.
Po e shohim që me sa rivalitet po pritet loja “ miqësore “ midis kombëtareve të Shqipërisë dhe Kosovës e që kështu nuk ka ngjarë edhe kur janë takuar Shqipëria me Serbinë.
Në kontekstin e imitimeve dhe largimit nga origjinaliteti njerëzorë dhe kombëtar, kliçka jonë po i organizon të ashtuquajturat “ lutjet e mëngjesit “. Nga lakuriqët e natës, në Shqipëri dhe në Kosovë.
Në këto lutje nuk mbeti kush pa shkuar nga Kosova, me robë, tesh dhe kotesh dhe me mëditje të shtetit të Kosovës. Dhe duke u lutur që të mos ndryshojnë meditjet dhe se këso manifestime të mbehen edhe më shpesh.
Pastaj vazhduan për Venedik, sigurisht për të hulumtuar të kaluarën dhe raportet e Skenderbe Kastriotit me Republikën e Venedikut.
Patriotë të paparë janë. Mbase kanë lundruar me gondola nëpër Canale Grande dhe kanë kaluar nën Urën e Psherëtimave apo të Lotëve - Il ponte dei sospiri që aq bukur e përshkruan Manxoni i madh.
Psherëtimat vinin nga të burgosurit e syrgjyrosur e që për dallim, Dubrava dhe Burgu për Siguri të Lartë në Gërdoc janë hotele me 5 yje. Sa për informatë.
Po më bënë përshtypje ministri i Kulturës, z. Kujtim Gashi që nuk po le ngjarje apo festival me përmbajtje kulturore që nuk merrë pjesë.
I shoqëruar me një dyzinë “ kulturologësh “ që me kulturë kanë lidhje aq sa kam unë me hundëzakët e Adem Salihajt.
Mbase mëditjet janë kriter i vetëm kulturor me të cilët janë pajisur këta “ haxhilerë “ të kulturës! Mund edhe të gaboj shkaku se për shumë gjëra kam mbetur mbrapa dhe pa informata.
Në këto lutje të mëngjesit ishte një urim, më së paku që mund ta them me përmbajtje idioteske dhe nënshtruese si ajo e Ilir Skraparit i cili nuk lutej që Shqipëria të normalizohet, të bëhet një shtet i respektuar dhe i mirëqenë për të gjithë qytetarët e saj por se lutet (sikur Hashimi) që bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës të jenë të suksesshme ani pse e dinë se deri më tani humbës absolut i këtyre bisedimeve është Kosova falë hashimave dhe ilirave, të Kosovës dhe të Shqipërisë !
A mbeti kush pa u bë mistrec në Kosovë: Dikund, në një medium të shkruar lexova se Adem Demaçi dhe Rexhep Qosja paskan qenë mistrecë sepse nuk e kanë vlerësuar figurën “ historike “ të “ presidentit historik “ dhe se madje e paskan luftuar ate.
Secili që merr vesh dy gramë në politikë e ka të qartë se sa për Ibrahim Rugovën kurrë nuk do të bëhej luftë në Kosovë dhe se është qesharake të bësh përpjekje ta marrësh luftën dhe ushtrinë pa e merituar ate.
Është shumë e qartë se luftën e ka bërë UÇK dhe se nuk ka pasur ushtri tjetër dhe se për mua nuk është me rëndësi përkatësia politike e ushtarëve të UÇK-së por gatishmëria dhe vullneti për të luftuar për lirinë e Kosovës dhe bashkimin kombëtar.
Për mua është vlerë e papërsëritshme kombëtare Agim Ramadani, Sali Çeku dhe shumë të tjerë që luftuan dhe e dhanë jetën për këtë që e gëzojmë dhe po e shpërdorim sot.
Ata e bënë detyrën e tyre dhe e dhanë jetën që e kemi pasur detyrim të gjithë dhe është e pandershme manipulimi apo përfitimi politik dhe material duke u mbështjellur me lëkurën e tyre e që i bie sikur që bëni përpjekje që trupin e luanit ta mbështillni me lëkurë të qenit.
Kjo nuk bëhet kurrë. Populli shqiptar i ka pasur dy vlera sublime sakrifikuese, Bacën e Madh Adem Demaçin që bëri afërsisht 30 vite burg për lirinë edhe të atyre që nuk a kanë merituar sikur edhe të Pavdekshmin, Komandantin Legjendar Adem Jashari.
Që të dy e bënë sakrificën në kohën e duhur dhe në vendin e duhur dhe, jam i sigurt se askush në historinë e mëparshme edhe as të ardhshme nuk do t’ua kalojë.
Momenti dhe koha i bëri të tillë dhe këto momente dhe kohëra nuk mund të përsëriten më! Del dikush e thotë se Adem Demaçi dhe Rexhep Qosja janë mistrecë anipse e ka të qartë se edhe Baca Adem sikur edhe bardi i kulturës shqiptare Rexhep Qosja edhe në kohën kur janë bërë synet kanë qenë më të mençur se ky farë drandafili që nuk ka fije respekt për 30 vjet burg të Adem Demaçit sikur edhe ka kompleks të pashëruar të inferioritetit në planin intelektual përballë Rexhep Qosjes.
Mbase i ka pëlqyer më shumë koha kur Baca Adem ka qenë në burg sepse ky farë drandafili është ndier i lirë në llumin e bratstvo – jedinstvos (vëllazërim - bashkimit) jugosllav dhe serb dhe se gjihën serbe dhe kulturën jugosllave e ka pasur më të afërt se ate shqiptare.
Askush nuk ia ndalon askujt ta dojë Rugovën, ta fetishizojë ate por nuk ka të drejtë të na imponojë si vlerë që duhet ta përkrahim të gjithë dhe pa përjashtime. Në këtë kontekst nuk i kuptojë ata që e shajnë Presidentin – Post-historik sepse e paska dekoruar Presidentin Historik.
Thaçi e donë fort Rugovën dhe këtë e kanë të qartë të gjithë përveç Driton Selmanajt dhe familjes Rugova. Thaçi e ka gjuajtur karremin me një znaçkë në të cilën, për shumë arsye (mundohem t’i kuptojë drejtë) ka rënë familja Rugova.
Pse të sulmohet Thaçi që e ka luajtur lojën që e luan me të gjithë e të mos sulmohet familja Rugova që është bërë pjesë e kësaj loje, në çdo aspekt të ndyrë. Driton Selmanaj po tregohet oportunist, në mungesë të guximit t’i bie kalit, i mëshon samarit!
Në këtë mënyrë katërcipërisht e vërteton faktin se gjithmonë kur ish pjesëtarët e shoqërisë civile, shfaqin ambicie për politika të mëdha, zakonisht punën e bëjnë m..t!
Nëse nuk keni të kaluar, e sotmja, kryesisht e improvizuar, nuk ua përmirëson dhe pastron të kaluarën dhe, në fund kurrë nuk iu siguron biletë për të ardhmën siç e dëshironi por që me asgjë nuk e meritoni !