25 Dhjetor 2024

Shukriu për Obiliqin

Shkruar nga Miftar Mehani

Ndryshimi. Jo me dëshirë e pranoj ta vë në përdorim nocionin ndryshim. Arsyeja është te konsumimi i padrejtë i këtij termi. Thirren në ndryshime organizative, konceptuale, menaxhuese edhe ata që nuk e kanë këtë vullnet dhe aftësi që ta bëjnë.

Thirren vetëm se e kanë të qartë që pjesa dërrmuese e popullatës e ka të vështirë të bëjë jetesë të rëndomtë-normale.

Thirren në gjithçka e në çdokënd. Andaj përdorimi vend e pa vend e zbeh në masë të madhe semantikën parësore që ka ky term dhe kthehet në një stereotip që më shumë të ngjall neveri.

Kur kësaj ia shtojmë faktin se ky slogan rastis të nxirret në treg nga ndonjëri që është mbajtës aktual i pushtetit - të gjithë kthehemi në aktorë të teatrit tragjikomik.

Gjithandej shihet me sy, për pikë dite, që bëhen shkelje drastike të rregullave të udhëheqjes, shkelen ligjet para syve të qytetarëve, dhe prapëseprapë nuk ka llogaridhënie, nuk ka as nuk dëgjon për kallëzim penal të keqpërdorimit të pozitës.

Sa herë që organizatat joqeveritare a institute të ndryshme hulumtuese raportojnë për anomali në udhëheqjet komunale, organet e drejtësisë (çfarë është synimi për shtetin e së drejtës) do të ishte dashur të merren me rastet për ndriçimin e atyre shkeljeve ligjore.

Nëse është shteti ai që dikë e pajis me autoritet pushtet-mbajtës, do të ishte dashur që po ai shtet të kërkonte edhe llogari nga ata që ia shembin institucionin e pushtetit.

Ndryshimi duhet të ndodhë. Sa më parë, aq më mirë! Më vonë, do të vijë, patjetër, veçse do të jetë më i kushtueshëm. Sot më mirë, e thonë shumica. Amin!
   
Nëse presim ndryshim nga këta që janë në pushtet, vërtet do të bëhemi aktorë të një tragjikomedie të gjithë ne, e publiku do të jetë ai që di mirë ta deshifrojë teatrin e komikes dhe atë të tragjedisë, ngase te ai, prej nga vjen, teatri luhet me shekuj.


2. Politikë e zhvillimit të ekonomisë së komunës. Do të kisha dashur që këtë pikë, të zhvillimit ekonomik, ta nis me qasjen zhvillimore me të cilën përballet politika e ekonomisë ndërkombëtare, ajo që quhet zhvillim i qëndrueshëm ekonomik.

Si studiues i njërës nga segmentet tejet të ndjeshme të procesit punues, veprimtari kjo qenësore e subjekteve ekonomike, autori i këtyre rreshtave, është i disponueshëm për çështjet e trajtimit të politikave zhvillimore, edhe këtyre komunale, nga prizmi i po asaj që quhet zhvillim i qëndrueshëm ekonomik.

Ky formulim, që në thelb ka qasjen e shfrytëzimit racional të resurseve për aq sa ka nevojë sot, dhe lënien e sasive të arsyeshme edhe për gjeneratat e ardhshme, merr  konotacione shtesë në rajonet me pasuri të mëdha natyrore dhe është gjithnjë sfidë për pushtetet lokale. Dilema dhe sfida, e para për qytetarin dhe e dyta për udhëheqjen lokale, çfarë po ndodh me zhvillimin nga shfrytëzimi i resurseve që ka ai vend, ai lokacion, ai pushtet.

Të parët gjithnjë do ta kenë të paqartë se si bëhet që një rajon me pasuri të mëdha natyrore të ketë lypsarë, asistues socialë, të papunë me shifra marramendëse. Si bëhet që i gjithë ky makro-rajon prej 10.887 km 2 të përfitojë nga një lokacion i vogël prej 104 km2, e ky lokacion, që paguan faturë goxha të majme (ndikimin në shëndet), të mos përfitojë asgjë nga ky makro-rajon?

Në nivelin tonë perceptues për zhvillimin jemi aq larg zgjedhjeve racionale të politikave për zhvillim të qëndrueshëm, e kjo është kështu ngase kemi telashe të ulëta, nën nivelin e dinjitetshëm,  por ato janë aq të mëdha, saqë prej tyre nuk po arrijmë t’i shohim kahet zhvillimore të të zhvilluarve.

Pra, si të flasim për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, për të cilin sot flet e gjithë bota, kur ne nuk kemi fare politikë zhvillimore? A shkohet tutje me politikat, i thënçin politikë, qasjeve sot për nesër, shëngjergjçe? Kjo, si qasje edhe mund të jetë, por politikë zhvillimore, jo!

Çështja është: a ofrojnë kahe programore të zhvillimit ekonomik kandidatët për kryetar komune? Ku i mbështesin ata politikat e tyre? Gjatë fushatës kemi rrebesh premtimesh për ndërtim të shkollave, ambulancave, rrugëve...

Sa ka prioritet ai ndërtim krahas ndërtimeve të tjera, me ç’faturë do të realizohet (?) kjo është çështja zhvillimore, se për t’i harxhuar mjetet e buxhetit komunal është i zoti çdonjëri, ama bash çdonjëri.

-    Sa e ngrite ekonominë e komunës, është pyetja, për atë që po e lë udhëheqjen?
-    Në çfarë niveli ke për ta ngritur ekonominë e komunës ti, që synon ta marrësh udhëheqjen?

Ka apo jo komuna e Obiliqit një kapacitet të tillë intelektual, që të bëjë politika zhvillimore (ekonomike, arsimore, kulturore) e të mos mbetet vetëm në harxhues të granteve qeveritare dhe promovues i funksionarëve komunalë nëpër tubime e festa? Unë them, po, ka! Por, do të thoni edhe ju, lexuesit e këtij shkrimi, atëherë çfarë çalon? Me gjasë, diku rrugës po na shket diçka.

Edhe më tej votohet vija partiake në nivelet lokale dhe nuk shikohet as politika udhëheqëse, as zhvillimore, madje, për disa, është më me rëndësi kravata e kombinuar me kostumin e “x”-it, sesa oferta konkrete për ndonjërin nga moria e shqetësimeve të komunitetit nga “y”-ni.

 
Kandidat i pakorruptueshëm. Ka një sintagmë që dëgjohet gjithandej: “...edhe njerëzit e mirë kur po hipin në pushtet, po prishen”. Sistemi i deformuar shtyn kah parregullsitë. Ka të vërtetë në këtë, por a thua duhet të ndalemi këtu? Atëherë, o burra, ta ndërrojmë sistemin!

Mirë që e identifikuam. Një karakter i fortë njeriu, që s’do t’ia dijë për këtë, i thënçin sistem, bën punë? Edhe Hani i Elezit është brenda strukturës së sistemit tonë, porse i pari i tij, thuhet nga të gjithë, është me komunitetin dhe hallet e tij në një vijë. Kthesa duhet të bëhet e madhe, me mbikalim.

Kthesa këtu është kthimi i qeverisjes komunale për qytetarin; mbikalimi do të bëhet me votën e lirë e të drejtë të qytetarit përmbi shantazhet, mashtrimet, blerjen e saj, shkëmbimin me një post, dhe zhgënjimin nga këta që u provuan me bërjen e pushtetit. Pikërisht sot i duhet Obiliqit një kuadër me vullnet të paluhatshëm për kthimin e ligjshmërisë në udhëheqje.

Vullnet prej kandidati që karrierën nuk do t’ia përcaktojnë të tjerët, kalkulimet e interesave të ngushta, grupore. Obiliqi ka nevojë sot, më tepër se kurrë, për një kryetar që qeverisjen e mirë, humane të komunës e ka për MISION, të cilin ia ka ngarkuar subjekti i tij.

Shukriu do ta kishte më mirë aty ku është për karrierën e tij, duke iu përkushtuar fushës studimore-shkencore në fushën e fizikës, veçanërisht në antitezën për Teorinë speciale të relativitetit (për më shumë shih në: http://www.klinaku.com/default.php), pastaj, ligjërimin në UP dhe  menaxhimin e shkollës private të cilën e mban tash sa vjet. Por, Ai qe përzgjedhja e LB-së në Obiliq.

Ai qe përmbushja e objektivit të këtyre zgjedhjeve e LB-së në Obiliq. Ai posedon vizion të qartë se si duhet të zhvillohet komuna me këtë buxhet që ka, apo me atë që mund të rritet nga përfitimi i miratimit eventual të Ligjit për Obiliqin që tashmë gjendet në procedurë në Kuvendin e Kosovës.

Me saktësi do t’i udhëheqë dikasteret dhe ekskluzivisht nga profesionistët e fushave përkatëse që do të përcaktohen në kohën e duhur (përderisa ndonjë nga rivalët e tij, tashmë edhe drejtorët e shkollave i ka përcaktuar, në parimin: nëse ti më ndihmon të vij këtu, ti do të jesh aty...).

I pakorruptueshëm!
Karakter i fortë dhe i moralshëm!
Transparent dhe komunikues!
I përgjegjshëm!
    Këto veçori ia dinë të gjithë ata që e njohin. Edhe ata që janë të rreshtuar në struktura të tjera.

Te një pjesë e zgjedhësve në Obiliq ka një hezitim, një drojë për pamundësinë e realizimit të objektivave programore duke qenë pa mbështetje nga blloku i partive aktualisht të veshura me forcën e pushtetit, qoftë qendror, qoftë lokal.

Zgjedhësit shtrojnë këtë dilemë, duke i parë zhvillimet e deritashme, se,... po nuk qe i lidhur me pushtetin qendror, gjegjësisht bllokun e tri partive që kanë qenë në pushtet, nuk arrihet mbështetja nga lart.

Praktika e deritashme, në lidhje me Obiliqin, ka treguar të kundërtën: në vend se ky kapital natyror që gjendet në territorin e komunës të shfrytëzohet për një prosperitet të merituar për qytetarët e këtushëm, ai nën ombrellën e interesit nacional (70 % e territorit të komunës) vetëm sa ka ngulfatur zhvillimin e këtushëm dhe, natyrisht, gjë e njohur për të gjithë, ka degraduar shëndetin e banorëve të këtushëm.

Nga këtu, figura e politikanit jashtë bllokut të partive që ishin apo janë në pushtet, shihet si mundësi e ndërprerjes së kësaj nëpërkëmbjeje që u është bërë banorëve të këtushëm edhe në politikat e përfitimit, qoftë për shkak të shpronësimeve, qoftë edhe për politikat e kompensimeve të arsyeshme për ndotjen e mjedisit, apo edhe për politikat e punësimit dhe udhëheqjes së kompanisë e cila graviton në lokacionin komunal.

Me sa duket, ulja në tavolinë e pushtetit qendror dhe të këtij të Obiliqit për çështjet JETËSORE të këtij të fundit, mund të bëhet nga dikush që nuk e ka ndërmend të lodhet fort për hatrin e pushtetit të madh.

E kur kjo të arrihet - për çka profesori ka strategji të stërholluar - janë dy objektiva të tij: sjelljen e Obiliqit në 10 komunat më të zhvilluara, apo, në rast të miratimit të Ligjit për Obiliqin, në “top” komunën më të zhvilluar në Kosovë. Premtim ambicioz, apo jo?

Kush e njeh profesorin, ia beson. E unë e di që, çka ka projektuar deri më sot, ai e ka bërë realitet!
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)