23 Dhjetor 2024

Shtigjeve të Malësisë

Shkruar nga Adem Lushaj dhe Mentor Thaqi

Rruga drejtë Vuthaj, fshat në Krahinën e Plavës dhe Gucisë së Ali Pashës, të Jakup Ferit dhe trimave tjerë, aq sa ishte e kënaqshme, po aq edhe e mërzitshme.

Ky fshat i lavdishëm ishte vend takimi i shqiptarëve të ardhur edhe nga Shqipëria londineze, Kosova, Maqedonia, nga Amerika e largët dhe shtetet tjera.

Këta, pos që kishin ardhur të vizitojnë trojet shqiptare, bukuritë natyrore të kësaj zone, kishin ardhur për ti shënuar edhe dy ngjarje kulturore, ku njëra tashmë veç tradicionale.

Rrugëtimin për ti parë dhe njohur viset shqiptare, bukuritë e kësaj treve, pothuajse të boshatisur, së bashku me gazetarin e mirënjohur, Zekë Sinanaj, e kishim pritur me kënaqësi, ngase ishte hera e parë që do shtegtonim në këto troje, për të cilat kishim dëgjuar dhe mësuar nga lëndët mësimore, apo nga të parët tanë.

Të vizitosh bukuritë natyrore të Plavës dhe Gucisë, ishte ndjenjë e papërshkrueshme, ngase pamë nga afër lumin “Limi”, i cili historikisht më shumë rrodhi gjak se valë shkumëbardha, “Liqenin e Plavës”, i vëllai i majës së Gjeravicës plisbardhë, prej nga bacë Esat Mekuli i këndonte malësisë dhe Deçanit me rrafsh. Pastaj, “Krojet e Vuthajve” (“Krojet e Ali Pashë Gucisë”), “Shpellën e Ukut”, “Mullinin e Vuthajve” dhe ujin e pastër si loti që rrjedhë lugut të tij.

Po ashtu, ardhja në këto vise të trimërisë, bujarisë, ... , të rikujton ngjarjet historike të mësuara nëpër Odat e burrave, në të cilat kuvendohej për traditën, trimërinë, pleqninë dhe atdhedashurinë.

Menjëherë mendimet të kthehen te mësimet e marra nga mësimdhënësit për  “Betejën e Nokshiqit”, “Beteja e Urës së Murinës”, “Beteja e Arzhanicës”, ...

Të rikujtohen emrat e At Gjergj Fishtës, Haxhi Zekë Byberit, Ali Pashë Gucisë, Jakup Ferrit, Alush Hotit, Hysen Bajrit, Lan Selimit, Çelë Shabanit, Kerë Sadrisë, Zhujë Selmanit, Galë Selmanja-kjo “Norë e dytë e Kelmendit”, Sakë Faslia-bajraktari i Rugovës, dhe shumë e shumë burrave të tjerë të Rugovës, Rekës dhe Podgurit, deri Haqif Blyta dhe Demë Ali Pozhari, në mbrojtje të Sanxhakut.

Na u rikujtuan këngët e lavdishme të heronjve të kësaj treve dhe mbarë trojeve shqiptare, duke vënë theks të veçantë te: “...Jakup Ferri mor ku je,/ th’rrasin malet me piskam, /30 krena i ke pre, /me 7 plagë po rrin në kắmë”!

Rruga e vështirë drejt Rozhajës, me kthesa të shumta, pothuajse mbetët nën hijen e vendimeve të dëmshme politike, për humbje territori. Qyteti i Rozhajës tipike shqiptare, përkundër asaj që boshnjakizimi, dita ditës po shtrinë ndikimin në asimilim të popullsisë shqiptare.

Është e pamundur me kalua nëpër Martinaj, e të mos ndalosh te familja e veprimtarit të madh, Naim Prelvukaj, njeriut që nuk kursej asgjë nga vetja dhe familja e tij.

Ngjarjet mbesin!? Të shkruara apo të pa shkruara. Të vërteta apo të shtrembëruara. Sikurse që mbetën tokat shqiptare të copëtuara, qoftë nga padituria, tradhtia, shitja,..sikurse po veprohet edhe tash, me trojet e shtetit dardan!?

Restoranti "Krojet" i ndërtuar në afërsi të burimeve të ujit që njihen si "Krojet e Ali Pashë Gucisë" dhe derë hapur gjithmonë nga atdhetarja Hale Gjonbalaj, ishte pikë takimi i shumë veprimtarëve atdhetarë, diplomatë dhe politikanë, njerëzve të letërsisë, publicistikës, gazetarisë, kulturës, artit, shkencës, si: këshilltari i Presidentit Meta, atdhetari Flamur Gashi; ambasadori-diplomati dhe analisti Islam Lauka; Nënkryetari i Kuvendit të Malit Zi, Genc Nimanbegu; Besnik Paci – pasardhës i Derës e Trungut familjar të Fishtës së Madh; Drejtori i Kompleksit-Monumentit “Gjergj Kastrioti” në Lezhë, historiani Paulin Zefi; atdhetari-veprimtari Nikollë Camaj; atdhetari-veprimtari dr. Naim Dedushaj; Kryetari i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, Azgan Haklaj – Mjeshtër i madh; poeti Ali Daci i Rrozhajës – themelues i drejtues i Manifestimit Tradicional “Ora e Maleve”; Ismet Azizi – kryetar i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, Zek Nokshiqi zv/presidenti i Qendres Kulturore Shqiptaro-Amerikane në Teksas të Amerikës, publicistët e mirënjohur Zekë Sinanaj, Pal Shtufi, Binak Ulaj, etj., dr. Jashar Demiri, aktori e regjisori Llesh Nikolla – Mjeshtër i Madh, veprimtarët atdhetarë e humanistë Esad Gjonbalaj, Skënder Thaçi, etj.;  atdhetarët e devotshëm, vëllezërit Nokaj (Nokshiqi), Gjonbalaj, Prelvukaj, etj.!

Kjo ngjarje kulturore  e organizuar nga Gazeta e Alpeve "TROPOJA", me kryeredaktorin e palodhshëm të saj, Ramiz Lushaj dhe bashkëhapëruesin e tij, intelektualin dhe shkrimtarin Hasan Selimi, për merita të veçanta në fusha të lartcekura, në mes të tjerëve ka dekoruar edhe poetin-shkrimtarin dhe veprimtarin deçanas në mërgatë, Mentor Thaqi, të cilit iu dha Çmimi "Gjon Nikollë Kazazi"!

Krahas kësaj ngjarje, jo më larg se disa qindra metra, në Vuthajt e historisë krenare, mbaheshin Manifestimi Tradicional Kombëtar “Alpet Shqiptare-Vuthaj, 2019”, lojnat tradicionale popullore, Festivali Folklorik Mbarëkombëtar “Kënga e Vallja Shqipe na Bashkon”, ku defiluan grupe dhe shoqni kulturore-artistike, në shpërndarje gjeografike mbarëshqiptare, jug-veri.

Mirëpo, kjo ngjarje kulturore, Manifestimi “Alpet Shqiptare”, nuk shpëtoi nga virusi i “thonit infektues politik”, për dallim nga takimi nderues letrar e kulturor nën organizimin e Gazetës së Alpeve “TROPOJA” dhe kryeredaktorit Ramiz Lushaj. Në këtë të dytin që organizohej nga komuniteti vuthjan dhe veprimtari Tahir Gjonbalaj, nuk u “shpëtua” pa u ngjye në hile politike, përmes dekorimeve të “BOSSÊVE” (Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Ali Ahmeti,...), gjë që shkaktoi pakënaqësi dhe indinjatë, deri te përplasjet fizike nga të pranishmit me personelin e sigurimit të tyre!

Eh, po kthimi?

Sigurisht që bashkë me mbresat e pashlyera, me mallin e mbledhur dekadave, me lotin e ndrydhur, me ofshamat shpirtnore, po ktheheshim në “RRAPSH” me shpresën e ndruajtur se ARTERJA jetike “Deçan-Plavë”, do të na i zbutë rënkimet dhe ofshamat e dhimbjeve shpirtnore, do të kemi dasma malësie e rrafshi, do të nusërojnë bijat dhe dhëndërojnë trimat, do të këndohen ninulla dhe dëgjohen kjamje foshnjash në djepa të bekuar!

Shpresojmë...!

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)