Shtëpia e Lubica Stojanoviçit, shtëpi ekzekutimesh
Shkruar nga Adem Lushaj
Fshati Dubravë është njëri ndër fshatrat më të vogla të komunës së Deçanit. Shtrihet ndërmjet fshatit Gllogjan dhe Gramaçel.
Në këtë fshat, deri në vitin 1999, ka jetuar edhe një familje malazeze, e cila ishte në afërsi të shtëpisë së familjes së Hilmi Haradinaj.
Kjo ishte shtëpia e Drag Stojanovicit, që pas vdekjes së tij, më shumë njihej si shtëpia e Lubicës, emri i bashkëshortes së tij.
Po ashtu, në fshatin Dubravë, pos familjeve të konfeksionit mysliman, ka familje edhe të konfeksionit katolik.
Është familja Kurtaj, e cila historikisht kishte raporte të mira me familjet tjera të Dubravës, por edhe të fshatrave tjera të këtij rajoni.
Më 14 prill 1999, persona të maskuar kanë ekzekutuar dy qytetarë, Gjon Kurtaj (Lush Alia) dhe Riza Dinaj, nga fshati Dubravë.
Lushi dhe Riza, si dy fqinj të pandashëm që ishin, ashtu të pandashëm edhe u ekzekutuan në shtëpinë e Lubica Stojanoviç, jo larg shtëpisë së tyre. Kjo vrasje e kishte shtuar edhe më shumë panikun te popullata.
Arsim (Pjetër) Kurtaj, i lindur më 2.7.1982 ka dëshmuar për rrëmbimin e axhës së tij. Në dëshminë e tij, Arsimi ka treguar se si dy persona të maskuar, me makinë ngjyrë të errët, ishin futur në oborrin e tyre, në familje dhe i kishin marrë Lushin dhe Rizën.
“Isha duke ia shkurtuar flokët një të riu, më duket djalit të Rizës, sepse në atë kohë nuk kishim mundësi të tjera për t’u qethur. Isha së bashku me vëllain, Labinotin, djalin e Rizës, Arbenin, si dhe një nip të Rizës nga Ratishi, që quhej Vllaznim Vishaj. Axha (baca Lush), së bashku me Rizën, po qëndronin në makinë (mercedes), duke dëgjuar lajmet e Radios Deutsche Welle, ngase makina e axhës ishte në oborrin tonë. Ka ardhur një makinë, në të cilën u vërejt se ishin dy persona të maskuar.
Në hyrje të oborrit e ndalën makinën dhe furishëm dolën duke u vërsulur drejt nesh. Vllaznimi tentoi të largohej, por ata bërtitën “stoj tamo” (ndalë aty). Pastaj na u drejtuan me fjalët “gde je gazda” (ku është i zoti i shtëpisë). Unë kam shkuar te axha dhe Riza dhe ju tregova se dy persona po thonë ku është “gazda”.
Axha doli nga makina dhe tha se po shkoj të shoh se ç’po ndodhte. Menjëherë pas tij doli edhe Riza, edhe pse axha e luti që të mos dilte.
Kur shkuam te ata dy, pashë se Vllaznimit, Arbenit dhe Labinotit, veç iu kishin thënë që të ngujoheshin në një dhomë që ishte afër derës së oborrit. Ata ua kërkuan axhës dhe Rizës letërnjoftimin.
Derisa axha po ia jepte letërnjoftimin ia rrëmbyen nga dora dhe ia shqyen dhe i urdhëruan që të hipnin në makinë, duke u nisur në drejtim të Gllogjanit. Familja veç u alarmua pas marrjes së axhës dhe Rizës.
Nuk vonoj shumë dhe dëgjuan krisma. Kjo nuk ishte fare shenjë e mirë. Diçka e keqe kishte ndodhur”, - është shprehur Arsimi, i cili më vonë e kishte kuptuar se axha i tij Lushi dhe Riza ishin ekzekutuar në shtëpinë e Lubicës.
I pari që i kishte shkuar në shtëpinë “e vdekjes” është Kujtim (Muharrem) Dinaj, i lindur më 6.3.1964, në Dubravë. Në dëshminë e tij të dhënë më 19 gusht 1999 ka rrëfyer për atë çfarë kishte parë dhe përpjekjet e tij për ta shpëtuar axhën (Rizën), që kishte arritur të largohej disa metra larg vendit të krimit.
“Atë ditë të 14 prillit të vitit 1999, kur na treguan se disa persona të maskuar dhe të armatosur i kanë marrë me vete Lush Kurtin dhe axhën tim, Rizën dhe se pas disa minutash janë dëgjuar të shtëna në shtëpinë e Lubicës (Predrag Stojanovicit), bashkë me djalin e axhës, Agimin, kemi vrapuar drejt shtëpisë ku janë dëgjuar krismat."
"Aty e kemi gjetur Lushin të vdekur, ndërsa Rizën e plagosur e kemi gjetur disa metra larg shtëpisë së Lubicës, duke tentuar që të ikte. E kemi marrë Rizën dhe e kemi dërguar në shtëpi. E kemi pyetur se çfarë kërkuan ushtarët serbë prej tyre. Ai ishte përgjigjur se iu kishin kërkuar para", - ka thënë në dëshminë e tij, Kujtim Dinaj, duke treguar se axha i tij kishte vdekur pas dy orësh.
(Shkëputur nga libri "Krimet serbe në Kosovë-Rasti i Deçanit")