23 Dhjetor 2024

Shqiptarët e Sirisë, diasporë e harrauar për dekada

Shkruar nga Shefqet Krasniqi

Nuk ka dyshim se populli shqiptar ka pasur një fat historik të mundimshëm dhe jo të favorshëm. Krahas vrasjeve, torturave, dyndjeve dhe maltretimeve në rajon, shqiptarët shpesh detyroheshin të largoheshin edhe nga trojet e tyre.

Shpërnguljet masive të shqiptarëve brenda territoreve ballkanike janë akoma të freskëta, po ashtu edhe shpërnguljet e tyre për në Turqi dhe jeta e tyre atje si komuniteti më i madh i huaj tashmë është vënë nën spikamë falë edhe mbulimit televiziv të disa mediave.

Mirëpo që në fillimin e shekullit të kaluar, respektivisht nga 1920 e tutje, shpërngulja e detyrueshme dhe deportimi i dhunshëm i shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore nuk kishte të ndalur.

Për disa madje si mënyrë e vetme për të siguruar jetën, nderin dhe fenë e tyre dhe të familjarëve të tyre ishte shtegtimi për në tokën \'\'largët\'\' e të bekuar të Shamit (Sirisë aktuale), ku edhe gjetën prehjen shpirtërore dhe ngrohtësinë vëllazërore të vendasve, dhe pjesa më e madhe e tyre u vendosën në Damask, i cili përndryshe njihet edhe si kryeqyteti më i vjetër i banuar në botë, ndërsa një pjesë e tyre u vendos edhe nëpër qytete tjera si Halep, Hama, etj.

Edhe pse në atë kohë nuk funksiononin organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe rehabilitimin e refugjatëve, siç kemi sot, megjithatë, falë zemërgjerësisë se vendasve, shqiptarët gjetën siguri për veten dhe familjet e tyre.

Ata arritën të realizojnë synimet e migrimit, të gjejnë një vend ku mund të jetojnë të sigurt dhe të lirë, e të shpëtojnë nga dora gjakatare e mizorit. Brenda një kohe të shkurtë, falë mikpritjes vëllazërore të popullit sirian, shqiptarëve iu mundësua një \'\'integrim\'\' normal e i pakushtëzuar.

Madje pikërisht emigrantët shqiptarë ishin themeluesit e njërës prej lagjeve të mirënjohura të Damaskut, që sot e kësaj dite njihet si Divanije, ku vazhdojnë të banojnë akoma një pjesë e madhe e shqiptarëve pasardhës.

Në atë lagje funksionon edhe xhamia e themeluar nga  shqiptarët e cila njihet edhe për nga emri si Mesxhidu-l-Arnaut - Xhamia e Shqiptarëve. Avantazhi më i madh i këtij integrimi ishte se shqiptarët u integruan pa kushtëzime, ndaj, në vazhdimësi ruanin me kujdes kujtimet e së kaluarës, prejardhjen, traditat dhe gjuhën e tyre, vlera këto që i kultivuan brez pas brezi me pasionin më të fuqishëm dhe dashurinë më të zjarrtë deri në ditët tona.

Si rezultat, gjejmë se deri vonë edhe martesat i bënin vetëm brenda komunitetit të vet në mënyrë që sa më shumë dhe sa më gjatë t’i ruajnë traditat dhe gjuhën amtare. Ç’është e vërteta, përveç këtij integrimi dhe vet-krenarie, që nga shpërngulja, ata fituan një simpati dhe respekt të veçantë nga vendasit për shkak të angazhimit dhe sjelljeve të tyre korrekte, andaj sot e kësaj dite e gjejmë mbiemrin apo epitetin ‘Arnaut’ të çmuar dhe me autoritet anekënd Sirisë.

Ky respekt dhe autoritet arriti kulmin kur nga gjiri i këtyre shqiptarëve muhaxhir-të përndjekur dhe nga bijtë e tyre dolën kolosë të shkencave islame dhe dijetarë me renome botërore si Abdulkadër (Kadri) Arnauti nga Vrella e Pejës, Nasirudin Albani, Shuajb Arnauti dhe Vehbi Sulejman Gavoçi që të tre këta të fundit me origjinë nga Shkodra. Këta kolosë me librat dhe punimet e tyre shkencore pasuruan edhe më shumë literaturën Islame dhe u mirë njohën anekënd botës islame.

Nga ana tjetër, paradoksi bashkëkohorë qëndron në atë se \'\'mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut\'\' trumbetohet në çdo medium e çdo vend, nga instancat më ulëta e deri te ato më të lartat. 

Megjithatë ironia arrin kulmin kur e tërë ajo që po ndodhë sot filmohet, dokumentohet dhe plasohet në rrjetet sociale ku secili ka mundësi të ketë qasje për tu informuar apo edhe për verifikim, mirëpo tërë ky tmerr duket sikur ka rënë në veshët e shurdhër të botës ‘demokratike’ e cila po  mjafton me fraza  boshe denoncuese  për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, e në veçanti mbrojtjen e lirisë për jetë, pa ndërmarrë asgjë konkrete në atë drejtim.

Ky terror i sistemuar dhe gjenocid i organizuar që po ushtrohet mbi civilët e Sirisë, për të vetmin ‘mëkat’ se po kërkojnë të jenë të lirë dhe të dinjitetshëm, gjeti përafërsisht edhe mbi 15 mijë shqiptarë në mesin e të revoltuarve kundër diktaturës se diktatorit dhe birit të diktatorit Beshar El Esed.

Diktator prej të cilit, tash e 17 muaj, po vuan guri dhe druri pasi që ai dhe regjimi i tij nuk njohin shenjtëri as për njeri, as për fëmijë e as për xhami. Dhe s\'do shumë mend se një pjesë e madhe e këtyre shqiptarëve u aktivizuan në protestat mbarëpopullore duke iu bashkëngjitur bashkëvendësve sirian në kërkesat e tyre elementare për liri, e jetë me dinjitet, të drejta  këto që ky regjim totalitar i kishte sanksionuar tash e 4 dekada.

Se këndejmi, përmes medieve tona vizuale dhe të shkruara më në fund dëgjuam për viktimat e para nga radhët e shqiptarëve, pra Munir dhe Behlul Arnauti. Po them me në fund, sepse ç’është e vërteta, fatkeqësisht, këta nuk ishin viktimat e para shqiptare ngase muaj më parë patëm një inxhinier shqiptar të vrarë në Hums dhe dy të tjerë në qytetin Hama, për të cilët e lusim Allahun fuqiplotë ti gradoj me gradën e shehidit dhe familjeve të tyre t’ua shtoj sabrin (durimin) kurse bashkëvendësve të tyre t’ua qetësoj zemrat e shpirtrat me fitore dhe çlirim sa më të shpejtë.

Prandaj nuk do shumë koment se gjendja e vëllezërve tanë atje është e mjerueshme dhe e tërë ajo që po plasohet në mediet e ndryshme është vetëm një pjesë e vockël e një realitetit të hidhur. Le të mos harrojmë faktin se në tërë atë llahtari kemi së paku 15 mijë shqiptarë të cilët për asnjë moment nuk harruan rrënjët e tyre dhe nuk ndaluan së ëndërruari për atdheun e të parëve të tyre, të cilin aq shumë e duan.

Mu për këtë, secili mund ta pyes veten: a thua vallë çfarë mund të ndërmarrim ne si shoqëri që tu dalim krahë vëllezërve tanë në Siri? S\'ka dyshim se në rrafshin individual mundësitë janë më të kufizuara dhe lidhën më shumë me aspektin moral sesa atë material, andaj në radhë të parë kërkohet që të jemi emocionalisht me ta dhe me ndjenja të përjetojmë sado pak gjendjen e tyre. E në radhë të dytë të lusim Allahun fuqiplotë, Zotin e qiejve dhe të tokës, që sa më parë, sa më lehtë dhe me koston më të ultë tua mundësoj atyre ta shohin dritën e lirisë së shtrenjtë dhe ti bëjë ata të triumfojnë kundër atij mizori e gjakpirësi të paparë.

Kjo sa i përket rrafshit individual, ndërsa kur dalim në rrafshin publik, qeveritar e shtetëror s\'ka dyshim se mundësitë janë shumë më të mëdha por edhe përgjegjësia është më e madhe.

Në të njëjtën kohë jemi të vetëdijshëm se shteti ynë i ri ‘shtalb’ akoma nuk e ka komoditetin e fushëveprimit dhe qasjes së mirëfilltë në arenën ndërkombëtare, mirëpo kjo nuk i shkarkon burrështetasit kosovar e aq më pak ata të shtetit shqiptar nga përgjegjësia, së paku, morale që kanë në drejtim të gjithë atyre shqiptarëve tanë për të cilët unë jam më se i bindur se zemrat e tyre ende rrahin shqip.

Më e rëndësishmja është të ekzistoj vullneti, e pastaj rrugët, metodat dhe mënyrat gjenden lehtë, qoftë duke u dal në ndihmë përmes organizatave ndërkombëtare përkatëse apo edhe përmes shteteve aleate dhe mike që kemi, e për fat të mirë shumë nga këto shtet janë pjesëtare të grupit diplomatik ndërkombëtar ‘Miqtë e Sirisë’ (Friends of Syria). A nuk është turp për të dy qeveritë tona të mos kenë strehuar gjerë më sot madje qoftë edhe një familje të vetme shqiptare nga kjo vatër e krizës!!?

Në përmbyllje, përmes këtij artikulli kisha për qëllim të vë në spikamë gjendjen alarmante të vëllezërve tanë shqiptarë në Siri duke u bërë apel të gjitha medieve elektronike dhe të shkruara që të hedhin sa më shumë dritë mbi gjendjen dhe vuajtjet e tyre të përditshme, ashtu që sa më shumë të trokasim ndërgjegjen e gjithë atyre që në një formë apo tjetër mund të kontribuojnë për ndalimin apo edhe zbutjen e kësaj tragjedie njerëzore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)