Shqiptarët e Kosovës viktima të shumëfishta
Shkruar nga Xhevat Bislimi
Lajmi për arrestimin e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Ukë Rugova, (i biri i Rugovës) dhe të një rrjeti kriminal bëri bujë në Republikën tonë e më gjerë.
Të arrestuarit dyshohen për veprimtari kriminale, shitje të vizave italiane, të cilat shqiptarët hallexhinj i paguanin deri në 6 000 euro! Bastisjet e shtëpive dhe të banesave të tyre, si dhe arrestimi i tyre u bë nga policia evropiane e EULEX-it. Si në shumë raste ultrakonfidenciale edhe kësaj radhe Policia e Republikës së Kosovës nuk dinte gjë!
Ajo lajmin e mori, si e gjithë bota, nga mediet! Kapja dhe dënimi i tyre, nëse vërtetohet dyshimi, është i drejtë dhe ogurbardhë për vendin tonë.
Të zhvatësh në mënyrë kaq të pashpirt dhe kaq kriminale bashkëkombësit dhe bashkëqytetarët tu është vërtetë e pafalshme dhe duhet dënuar pa mëshirë.
Janë edhe plotë veprimtari tjera të dëmshme dhe kriminale në këtë Republikë, por, përvec aksioneve dhe arrestimeve spektakolare (shpesh për arsye politike
), nuk kemi parë që pastaj të dënohet dikush! Të dënuarit janë zakonisht (edhe sot e kësaj dite) luftëtarët e lirisë !
Pa dashur ti arsyetoj « veprimtari të këtilla kriminale » (larg qoftë) më duhet të konstatoj se shkaku i kësaj veprimtarie është vetë Evropa (Bashkimi Evropian), e cila për qëllime që bien ndesh me politikat dhe parimet e proklamuara të vetë këtij Bshkimi, ka izoluar dhe getoizuar Kosovën shqiptare-evropiane !
Po të ishin hequr vizatë edhe për Republikën e Kosovës nuk do të kishte grupe dhe rrjete të këtilla « kriminale » që do të zhvatnin shqiptarin e lodhur dhe të varfër të Kosovës, i cili shpresat e tij për një punë i ka vënë te Evropa dhe tregu i saj i punës.
Prandaj, për këtë gjendje ku janë katandisur shqiptarët, të cilët detyrohen të shesin teshë e koteshë dhe të futen në borgje deri në fyt, për të blerë një vizë e bëj përgjegjëse të drejtëpërdrejtë, përvec qeverisjen e keqe në Kosovë, edhe Bashkimin Evropian.
Viktimizimi dhe zhvatja e shqiptarit dhe qytetarit të Kosovës nuk përfundon me marrjen - blerjen e vizëz për të ikur nga vendi. Edhe në vendin ku shkojnë shqiptarët nuk kanë asnjë siguri, madje as një strehë dhe kafshatë buke. Zakonisht dorëzohen në polici (prefekturë) dhe bëjnë një kërkesë për azil (strehim) në atë vend.
Pastaj, nisin e kërkojnë një punë në tregun e zi, sepse nuk kanë të drejtë pune ! Në ato vende, përvec punëdhënsve vendës e të huaj, ka edhe një numër punëdhënsish shqiptarë, të cilët (jo të gjithë
) po e (keq)shfrytëzojnë këtë kontigjentë të shqiptarëve që shkojnë me viza të blera ose në rrugë tjera ilegale për një punë dhe për një jetë më të mirë.
I marrin në punë dhe i shfrytëzojnë pa mëshirë, duke i trajtuar si skllevër ! Edhe më keq : ndodhë shpesh e më shpesh që edhe nuk ua japin paratë! Kështu shqiptari i shkretë, tërësisht i pambrojtur, nuk ka mundësi as të ikë prej këtij punëdhënsi të pashpirt!
Është i shtrënguar të pres, të punojë dhe të shpresojë se një ditë do të paguhet për punën që bënë. Nuk janë të rralla edhe rastet kur djemtë e rinj shqiptarë detyrohen të martohen me ndonjë plakë vendëse për ti bërë letratë!
Të mbytur në borgjet që kanë marrë për të paguar vizën ose rrugëtimin illegal, këta të rinj nuk kanë se si të kthehen në shtëpitë e tyre! Një numër i tyre detyrohen të merren edhe me veprimtari të dënueshme (ilegale) në vendin ku kanë shkuar për ta mbajtur shpirtin dhe me shpresë që të fitojnë para dhe ti shlyejnë borgjet! Mjaft prej tyre përfundojnë në burgje.
Viktimizimi i tyre nuk ka fund
! Republika jonë dhe institucionet e saj, por edhe e gjithë shoqëria jonë duhet të ndërgjegjësohen dhe të marrin masa për krijimin e kushteve minimale për jetë në këtë Republikë dhe të tregojnë angazhim dhe përkushtim më të madh edhe për këta të rinj që po bëjnë jetë të vështirë (po më vjen rëndë të them jetë qeni
) dhe po viktimizohen shumëfish dhe pamëshirëshëm këtu dhe në vendet ku po shkojnë plotë shpresa (iluzione) për punë e për jetë më të mirë