22 Dhjetor 2024

Shqiptarët dhe Rusia e kthyer në Ballkan

Shkruar nga Faton Abdullahu

Demokracia është ajo që e ka shpërbërë ish Jugosllavinë. E tillë çfarë ishte ajo si shtet nuk mund t’i mbijetonte demokracisë sepse nëpër histori që nga fillet e saja kishte ekzistuar dhe funksionuar vetëm kur kishte qenë shtet unitar dhe shtet i të pabarabartëve.

Në anën tjetër një nga arsyet kryesore pse bota perëndimore e pa të arsyeshme që ky shtet nuk ja vlen që të ekzistoj më dhe nuk ja vlen mundi që ajo të mbahet gjallë, ishte përpjekja jo demokratike e serbëve për ta kthyer primatin e tyre unitarist në këtë shtet dhe prirja e ringjallur në bazën e saj nacionaliste serbe që e afronte Serbin gjithnjë e më shumë kah Rusia dhe e largonte vazhdimisht nga Evropa, përgjithësisht nga perëndimi.

Për rrjedhojë një Jugosllavi unitariste, me Serbin në krye të saj si faktorin më të madh dhe më të rëndësishëm, do ta rikthente në forma të ndryshme ndikimin e Rusisë në Ballkan.

Rusia do t’i ankoronte interesat e veta në Ballkan falë këtij shteti të ristrukturuar me politikë unitariste, ku kroatët dhe sllovenët properëndimor, nuk do të mund ta kishin fjalën kryesore dhe do të anashkaloheshin për shumëçka dhe ku shqiptarët do të vazhdonin të mbesin të diskriminuar të përçarë dhe në robëri njëjtë apo edhe më keq se më parë.

Kjo qasje dhe ky koncept politikë i Serbisë, për perëndimorët ishte i papranueshëm. Pse ? Pas përmbysjes së komunizmit sa më shumë që serbët i ktheheshin rrënjëve të veta, aq më shumë largoheshin nga perëndimi.

Më shumë fe ortodokse dhe rol të kishës në politik, më shumë çirilicë dhe përpjekje për të dalluar nga gjuha kroate, përkatësisht nga ajo që në atë kohë ishte serbo-kroate, më shumë kulturë sllavo-ortodokse dhe sidomos më shumë sistem politik unitarit, kjo dhe të tjerat si këto nënkuptonte më afër Rusisë.

Por në kohën kur kjo po i ndodhte Serbisë pra kur po niste shpërbërja e Jugosllavisë, Rusia ishte e zënë me veten e saj, konkretisht me shpërbërjen e BRSS-së, me përmbysjen e komunizmit dhe me krizë të thellë ekonomike.

Me të gjitha këto halle Rusia në atë kohë ishte larg nga mundësia që t’i shtrijë dhe thelloj interesat e veta gjeostrategjike përtej kufijve të saj, ajo kishte prioritete tjera.

Përkundrazi perëndimorët ishin ata që në Ballkan do të përqendrohen për t’u ankoruar një herë e mirë, ishin të vetëdijshëm se këtë pjesë të Evropës për kohë të gjatë e kishin pasur dhe e kishin kontrolluar në shumë sfera rusët, ishin të vetëdijshëm se tani kishin shansin e mirë.

Sikur Serbia të mos merrte qëndrim unitarist për ta marrë primatin ekskluziv në Jugosllavi dhe sikur nacionalizmit serb të mos i mungonte orientimi properëndimore Jugosllavia nuk do të shpërbëhej, mbase do të demokratizohej deri në një masë për të mbetur gjeografikisht sikundër ka qenë, por pa pretendime e premisa për t’u bërë pro-ruse.


Aktualisht gjërat kanë ndryshuar shumë për këto dy dekada. Jugosllavia është shpërbërë, evro-perendimorët janë të ankoruar në çdo aspekt në pjesën më të madhe të Ballkanit.

Por ka edhe disa risi, konkretisht dallime krahasuar me atë periudhë. Rusia më nuk është e dobët sa ka qenë gjatë dhe pas shpërbërjes së BRSS-së dhe davaritjes së komunizmit.

Ajo nuk është e okupuar si në atë kohë me aferat interne. Tani Rusia është larg më e fort dhe më e konsoliduar se që ishte.

Ambiciet e saja për t’u bërë sërish super fuqi janë të mëdha dhe në drejtim të kësaj po punohet shumë. Gazi rus bashkë me atë që po e quajnë në Rusi ‘demokraci e menaxhuar’ të cilës po i prinë Putini, po dëshmohen si parakushte solide që Rusia me rirreshtime gjeostrategjike të rikthehet sa më shumë që mundet në vendet ku dikur i kishte të shtrira interesat e veta.

Ballkani sigurisht se është njëra nga këto vende. Dhe në këtë përpjekje të saj në këtë rajon, Serbia gjithsesi është aleati më i mirë i mundshëm.

Ajo çfarë nuk ka ndryshuar në përmbajtje është gjithsesi nacionalizmi serb. Baza e saj politike dhe kulturore është e njëjtë edhe pse format e veprimit kanë ndryshuar e determinuar nga rrethanat për te jo të favorshëm.

Është jashtë çdo dyshimi se sa më shumë që do të ketë prani të Rusisë në Ballkan aq më shumë do të ringjallet dhe konsolidohet nacionalizmi serb. Indicije por edhe fakte në këtë drejtim ka shumë.

Mbetet të shihet se a do të thotë se sa më afër BE-së Serbia aq më i dobët nacionalizmi serb. Apo Serbia do të mundohet të luaj me politikën e saj gjithsesi të vjetër dualiste, por tani me përpunime edhe BE edhe Rusi. Por çfarë duhet të bëjnë perëndimorët në këtë aspekt në Ballkan. 

Do të ishte komoditet i tepruar jo vetëm politik që të lihet të rrjedhë lirshëm kjo prani e Rusisë në Ballkan e cila mbase do të jetë gjithnjë në rritje përmes Serbisë dhe në të njëjtën kohë Serbia t’i afrohet dhe të pranohet në BE. Nuk është politikisht pragmatike dhe këtë duhet ta kuptojnë sa më parë evroperëndimorët të mendohet se mjafton hapja e derës së BE për Serbinë si parakusht që të amortizohet nacionalizmi serb dhe të amortizohet e dobësohet vendi dhe rrethanat ku Rusia mund lirshëm nesër t’i ankoroj interesat e saja gjeopolitike dhe të tjera.

Kërkohet edhe diçka tjetër. Kërkohet konsolidimi i pjesës tjetër të Ballkanit, afrimi më i madh i tyre në të gjitha sferat e mundshme. Kjo bëhet edhe më imediate kur të kihet parasysh se Serbia është edhe e madhe nga territori, edhe e pasur për nga resurset e për rrjedhojë edhe e rëndësishme për nga gjeostrategjia.

Prandaj këtë balancë karshi Serbisë së padëgjueshme, sidomos karshi nacionalizmit të saj antiperëndimor, nuk mund ta bëjë e vetme cilido shtet në jugperëndim të Ballkanit.

Vështruar nga kjo prizëm afrimi i shqiptarëve është zgjedhja më e mirë e mundshme, konkretisht afrimi bashkëpunimi dhe konsolidimi gjithnjë e më i ngushtë i Shqipërisë dhe Kosovës të dëshmuara tani më me qasje të thellë por edhe të vetme properëndimore.

Thënë përmbledhtazi sa më shumë që mund të shtohet ndikimi i Rusisë me gazin dhe demokracinë e saj të menaxhuar në Ballkan, aq më shumë duhet të konsolidohen dhe të forcohet faktori shqiptarë në këtë rajon.

Konkretisht aq më shumë duhet të afrohen e bashkohen Shqipëria dhe Kosova. Por jo vetëm kaq. Vështruar në mënyrën se si e shtruam çështjen, nga ky konsolidim dhe afrim i dizajnuar për të amortizuar rikthimin e Rusisë me gaz dhe demokraci të menaxhuar, dhe për ta bërë të njëjtën ndaj nacionalizmit serb i cili cuc pret për prurje të tilla ruse, nuk duhet të mbesin mbrapa as edhe Mali i Zi  dhe Maqedonia.

Nuk duhet të mbesin anash nga ky projekt, jo vetëm se në këto shtet ka shqiptarë, por edhe pse ato gjithnjë e më shumë po e dëshmojnë se janë properëndimore dhe nuk shfaqin interesa të theksuara se janë të interesuara për rrugë, qasje e koncepte të tjera përveç atyre properëndimore konkretisht euroatlantike.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)