21 Prill 2025

Shqiponja në luftë, Korba në paqe

Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora

Paburrëria, mburravecërria, ligësia, injoranca si vlera: Kaluan më shumë se 17 vite pas përfundimit të luftës çlirimtare e cila mbahet mend se shqiptarët për herë të parë luftuan për veten e tyre pa u bërë shërbëtorë dhe kurban për të tjerët.

Lufta u bë në rrethana jashtëzakonisht  të pa barabarta dhe me një armik kriminel që i bëri katër luftëra në hapësirat e ish Jugosllavisë dhe për këtë, jo se nuk u dënua sikur që ndodhi me Gjermaninë, Japoninë dhe Italinë por, përkundrazi po shpërblehet me një dinamizim të proceseve integruese në BE, falje të borxheve, investime në miliarda euro, kredi të buta dhe heqje të embargos për prodhim dhe shitje të armatimit.

Serbia, realisht po ndahet fituese për krimet e bëra deri në gjenocid dhe po krijon një presedan negativ se krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, jo që nuk dënohen por edhe shpërblehen.

Ky është oportuniteti dhe oprtunizmi i politikës ndërkombëtare sidomos ndaj popujve të margjinalizuar dhe të pambrojtur siç është rasti me Kosovën.

 Serbia, me lejen dhe përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare u faktorizua aq shumë në Kosovë sa që, në një mënyrë, e pranuam ne apo jo  është bërë bashkëpronare e Kosovës dhe vendimmarrëse për proceset politike që po zhvillohen në dhe rreth Kosovës.

Klasa, kryesisht  analfabete politikisht e Kosovës po punon e udhëhequr nga inercioni dhe intereset e ngushta materiale duke u shndëruar në brigadën e Ali Babës me 40 a më shumë hajdutë! Nuk ka segment të jetës të cilën nuk e kanë lënë pa kullotur pas së cilës e kanë shndërruar në shkretëtirë, duke ua mohuar çdo ardhmëri brezave që po i lënë pas.

Luftës çlirimtare i parapriu një rezistencë e organizuar ilegale që për pasojë pati mijra e mijra të arrestuar dhe të dënuar të cilët në fakt edhe e organizuan dhe e udhëhoqën luftën çlirimtare, deri në një çlirim të liruar dhe të kushtëzuar.

Klasa politike, kryesisht analfabete politiksht, nuk u tregua e aftë për ta ruajtur paqen e fituar e që nënkupton se menduan se lufta përfundoi me ta marrë pushtetin apo duke i vendosur të pasmet e tyre të lodhura në karriket e gjëra të cilat,  me kalimin e kohës dhe trashjen e lëngut i mbushën e madje edhe u bënë të ngushta.

Mungesën e emancipimit politik dhe intelektual u përpoqën ta kompensojnë me tituj akademik të rremë, me këshilltarë të provenienses titiste,  me sigurmca dhe udbash të Serbisë, me politikanë që flisnin shqip ndërsa kishin vepruar më shumë se 40 vite serbisht, me intelektualë të tredhur nga çdo ndjenjë njerëzore, pa integritet moral por me një të kaluar të gjatë të shërbimit qençe regjimit kriminel të Titos dhe Millosheviqit.

Këta u bënë këshilltarë të udhëheqësve të krahut të luftës që, së shpejti e thurrën rrjetin e merimangës ku ranë si miza komandantë të shquar, luftëtarë të dalluar dhe patriotë që shumë herë e kishin vënë jetën e tyre peng të lirisë për popullin e robëruar, që e meritonin lirinë por edhe çetës titiste që talleshin me këtë liri!

Gjatë marrjes në pyetje  nga baballarët dhe majkat e këshilltarëve të udhëheqjes sonë të lavdishme, në burgjet e ish Jugosllavisë, bëhej garë se kush do ta merrte përgjegjësinë për vepra që nuk i kishte kryer vet me të vetmin qëllim t’i lirojë shokët.

Edhe gjatë luftës çlirimtare ka shumë raste kur janë vrarë ushtarë të dalluar në përpjekje për t’u ndihmuar shokëve të plagosur apo edhe në përpjekje për t[i t[rhequr ushtarët e vrarë për të mos rënë në duar të armikut. 

Në shumë e shumë raste janë bartur uhtarët e plagosur me dhjetra e qindra kilometra deri sa janë dërguar në vend të sigurt për mjekim. Gjatë vuajtjes së dënimit në llogoret e përqëndrimit jugosllav dhe serb, të gjithë të burgosurit politik shqiptarë reagonin si një trup i vetëm duke mos i marrë fare parasysh rreziqet  për jetë. Kështu na ishte dikur dhe në kohët më të vështira.

Pas përfundimit të luftës situata ndryshoi rrënjësisht ë shokët e burgut dhe të luftës u tjetërsuan përveç rasteve kur i bashkonte një interes material i cili realizohej me ndihmën e politikës prandaj u zhvillua një luftë e ndyrë, pa skrupuj moral, hakmarrëse dhe shfarosëse për eliminimin e kundërshatrëve politikë sipas parimit të Cosa Nostras.

Nuk kishte më idealizëm që na motivoi për një qëndresë dhe luftë madhështore por e përvetësuam një pragmatizëm plaçkitës dhe dhunues. Nuk thuhet kot se luftën e bëjnë idealistët, e fitojnë të pamerituarit kurse frytet e saj i gëzojnë horrat dhe maskarenjt !

Lufta brenda llojit të horrave të paqes: Kur Veton Surroi, sipas një automatizmi refleksiv e përfundonte një sapun  roman në Qerret të Shqipërisë të cilën (Shqipërinë) e do aq shumë, pikërisht në prag të Panairit të Librit ku shiste romane, me autografe të emrit të tij të çmuar dhe të respektuar dhe sipas një, gjithashtu automatizmi shpallej romani më i shitur i panairit, plaste reagimi sidomos i atyre që luftuan në veçanti me një roman ku lufta përshkruhej vetëm me shkronja të zeza (këtu Toni Montana i Qerretit ishte shumë i sinqert sa i përket përshkrimit të luftës dhe ndjenjat që i kishte për këtë luftë të huaj për të), librat e tij i hudhnin në stivë të drunjve dhe ua vënin flakën për blasfemi ndaj luftës dhe vlerave të saj, unë dola në mbrojtje të librit e jo të Tonit të Qerretit duke deklaruar se luftën çlirimtare më shumë e dëmtojnë ata që e keqpërdorën këtë luftë duke u shndërruar në zhvatës  se fakti se nëse Toni i Qerretit do ta bëjë këtë nëse çdo ditë e shkruan nga një sapun roman në përpjekje për ta dëmtuar luftën.

I Madhi Bacë Adem Demaçi, zoti Adem Demaçi për të emancipuarit  e rremë dhe të vërtetë, Ademi për injorantët dhe  servilët apo thjesht BACA për shokët e idealit që shkuan në amshim si Fehmi Lladrovci, Xhevë Lladrovci, Rexhep Mala, Remzi Ademaj, Shashivar Makolli – QALI i cili po ashtu shkoi në amshim dhe shumë shokë të tjerë i tha tri thënie profetike për shokët e luftës të lektisur pas pushteti dhe të cilët kishin hyrë thellë lakrave .

1.    Askush nuk do të mbetet pa u koritë.
2.    Do të vjen një kohë kur këta ( të luftës ) do t’ua kenë lakmi atyre që kanë  rënë për liri dhe ,
3.    Këta që kanë hyrë thellë lakrave po e hanë luftën që e kanë bërë.

Këto që i ka thënë BACA menjëherë pas përfundimit të luftës në hotel Grand në Prishtinë dhe në hotel Theranda në Therandë, në prani thuaja të të gjithë komandantëve të zonave dhe politikanëve aktualë nga krahu i luftës  po vërtetohen së fundi kur plasën polemikat e turpshme midis atyre që vuajtën bashkë, ishin bashkë në llogore, që bashkë thurnin plane për të ardhmen e kombit dhe bashkimit kombëtarë, që e organizuan dhe e udhëhoqën luftën, që vdiqën njëqind herë bashkë por që bashkërisht nuk dijtën ta ndërtojnë paqen dhe shtetin por se bashkërisht e dhunuan dhe po e dhunojnë shtetin dhe popullin.

A janë këto përplasje të fjalorit të paskrupullt dhe të dhunshëm, si pasojë e luftës për pushtet, luftës për plaçkën e humbur, luftë për rikthim të pushtetit dhe të plaçkës apo luftë për mbijetesë fizike përmes eliminimit të kundërshtarëve, dikur miq të afërt ndërsa sot armiq të përbetuar ?! Pse pikërish sot dhe në këtë kohë?!

Një budalla konsiderohet si i mençur nëse, duke ditur për gjendjen e tij mendore nuk e shpërfaq ate në publik por hesht! Dija, morali, virtyti, ndershmëria, respekti janë mall për konsum dhe, nëse ato keqpërdoren në kundërshtim me qëllimin që e kanë, të shndërrojnë në budalla dhe lolo unikal apo emblematik. Të tillë kemi shumë kohëve të fundit! Për fatin tonë të keq.

A ju ka rënë të dëgjoni kohëve të fundit se ka polemika aq të zjarrta si këto që po zhvillohen tash  për zhvillim ekonomik të vendit, hapje të vendeve të reja të punës, ofrimin e një ardhmërie për të rinjtë që po largohen, pa fajin e tyre dhe me fajin tonë, nga Kosova, për zbutje të varfërisë dhe papunësisë, për politika kombëtare dhe ndërkombëtare dhe probleme të tjera, që në dukje nuk ta mbushin syrin mirëpo janë vandimtare për vendin dhe qytetarët e saj?!

Polemikat e fundit midis atyre që nuk shohin më larg se hunda ( interesi i tyre ) nuk kanë të bëjnë fare me çështje kombëtare, shtetërore, njerëzore, morale, parimore sepse nuk po diskutohet për këto gjëra por kanë të bëjnë ekskluzivisht me matematikë, me shifra se sa kush ka vjedhur dhe ku kanë vjedhur!

E padinjitetshme, e pamoralshme, e paturpshme dhe dhunuese! Si nuk iu vjen keq nga e kaluara e tyre, nga sakrifica e tyre dhe familjarëve të tyre, nga varret e shokëve që luftuan me ta duke i shndërruar ata në heronj  të përjetësisë kurse këta në mjeranë të sotit !

A ka ardhur koha që t’i thonë arrivederçi apo lamtumirë politikës sepse, edhe ashtu ka qenë tokë e panjohur për ta dhe t’i veshin rrobat  që u bien për shtati e jo të stolisen me puplat e të tjerëve.

Luanit nuk i bie tamam lëkura e qenit dhe as bordello nuk është universitet i moralit! Në këtë kalbje dhe qelbëzim duhet shpëtuar ate që është e mundur të shpëtohet, përjashtuar fytyrën.

Dhe, për fund; a ka ma mjerim kur shqiponjat e dikurshme që ia sollën lirinë qiellit dhe tokës së Kosovës, të vinë në situatë të shndërrohen në korba të paqes ku, pamëshirshëm ua nxjerrin sytë shokëve, miqve dhe bashkëluftëtarëve të dikurshëm dhe ua gërryejnë zorrët e së kaluarës për një grusht me para apo një bythë karrike! 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)