Shqipëria në 100, ende e pakryer
Shkruar nga Arbër A. Rexhaj
Shqipëria do të ketë kuptim kur do të bëhet shqiptari, prandaj do ta ketë kuptimin vetëm atëherë kur bëhet njëmend Shqipëri. Shqipëria si e tillë është vetëm një gjysmë, Kosova është tjetra. Këto janë vetëm dy. Të tjerat vijnë pas. Tërësisht janë një trup.
Mbijetesa e trupit varet nga pjesët. Pjesët bëjnë tërësinë. Si e tillë Shqipëria njëmend vetëm bashkë me esencat e saj është shqiptari. Kështu bëhet Shqipëri. Strukturalisht si e bashkuar e përforcon Shqipërinë për tu bërë e mbetur Shqipëri.
Festa e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, po vjen si festë, detyrimisht edhe si dehje e kënaqësi, si përrallë e piskamë!
Gjithandej ku ka shqiptarë do të gëzohet. Betime e zbrazëtira të stërbetimeve, muzikë dhe valle, pastaj patetizma nacional do të mbushen gojët e politikanëve këndej dhe matanë gjysmëatdheut tonë. Bashkimi kombëtar do të trumbetohet me datën kuptimplotë të 28 nëntorit.
Manifestimi do të zgjatë nga mëngjesi i 28 nëntorit deri në mëngjesin tjetër. Si përherë do të shtohen emocionet dhe asosacionet tona për rrugëtimin dhe rrafshin historik të kombit tonë.
Dhe pastaj (pa)natyrshmëria do ta pason ditën tjetër. Do të shteren gojët e politikanëve. Gjithçka do të mbetet një kujtim nga Shqipëria në 100-shen e saj.
Shqipëria në 100 vjetorin e saj do të duhej ta realizonte projektin e saj ekzistencial. Sepse vetëm kështu mund të mbetet Shqipëri. 100-shja e saj do të duhej që pas kaq përpjekjesh çlirimtare ti bashkonte pjesët.
Ta bënte trupin e saj. Ta përmbushte veten për të mundur ta kuptimsonte vetveten me gjithë ata heronj dhe dëshmorë të luftërave çlirimtare.
Heronjtë dhe meditansët e kombit tonë domosdoshmërisht kanë qenë idealistë në kuptimin më meditans të mundshëm. Ndaj në këtë rrafsh meditimi në referencën e dëshmorit dhe drithërima për atdheun kalon kufijtë e së mundshmes prandaj kërkon pafundësive të së pamundshmes.
Rilindja Kombëtare Shqiptare vjen si pasojë e idealizmës dhe mbi të gjitha kombëtarizmës. Historia domosdoshmërisht përsëritet. Ajo përsëritet vetëm atëherë kur udhëtimin e dëshmorëve tanë ne nuk e çojmë deri në fund.
Ëndrra për Shqipërinë e Bashkuar nuk soset asnjëherë. Ajo nuk harxhohet sepse meditansët jetojnë dhe rilindin sa herë që ka nevojë atdheu. Ata linden sa herë që secili fëmijë flet shqip.
Ndokush nga ta është i vetëdijshëm për sakrificën e tij, ndërsa të tjerët krejt pavetëdijshmërisht shkojnë drejt krajatave dhe të stërmundimit për ta shaluar shoqërinë dhe bërë praktikumin e atdheut. Ata përherë dëshirojnë që vendin ta shndërrojnë në kuq e zi, duan që me gjakun e tyre të ngihemi ne.
Ky nëntor do ta ketë kuptimin e vet por jo kuptimin e vërtetë. 28 nëntori do të kuptimësohet kur shqiptarët do të festojnë të bashkuar. Madje atëherë edhe festa do ta kishte kuptimin e vet. Kuptimi do të ishte i plotë.
Kështu festa nuk është festë, është patologji nga mundimi i një ëndrre që sbëhet dot përpjekje. Jo pse smundet por sepse nuk bëhet kështu. Atëherë kur bëhet si duhet formon rilindjen dhe ideologemën tashmë të bërë kombëtare.
Që kjo Shqipëri të bëhet shqiptari që njëmend më pastaj të bëhet Shqipëri, nuk i nevojitet festa, kënga e vallja për 100-shen e saj. Gazi e kënga gjithmonë kanë vend për më vonë.
Ky nëntor për Shqipërinë do të duhej të vinte si organizim për bashkim kombëtar. Si revoltë, demonstrim gjithëkombëtar kudo ku ka shqiptarë.
Duke realizuar thyerjen e konventës së dhunshme do të shembeshin idhujt e së pamundshmes. Do të hapeshin dyert e së mundshmes. Do të thyheshin kufijtë. Shqipëria atëherë do të kishte kuptim.
(Autori është kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje! në Prizren)