Shoqëri e paradokseve

Shkruar nga Labinot Kunushevci
Jetojmë në një shoqëri me përplotë paradokse, absurditete e probleme:
· Ku mjeku duhanpirës rekomandon të mos konsumohet duhani se i dëmton mushkëritë dhe para se me të pyet ku të dhemb të pyet ku punon;
· Ku politikani milioner tenderokrat thotë se korrupsioni e dëmton shtetin;
· Ku doktori i diplomuar pas darke thotë se plagjiatura e degradon cilësinë e arsimit;
· Ku gazetari në emër të lirisë së shprehjes fyen ata që shprehen ndryshe;
· Ku familjari i dëshmorëve e luan rolin e institucionit të shtetit;
· Ku ai që shitet patriot blen produkte të Serbisë;
· Ku identiteti projektohet nga të tjerët si kompleks inferioriteti;
· Ku Burdushi fton mos me ra viktimë e falltorëve;
· Ku studenti kritik ndaj profesorit kopjon sa herë t\'i ofrohet mundësia;
· Ku kritika ndaj diskursit klerik konsiderohet devijim nga religjioni;
· Ku imazhet fatale dhe tragjedike të viktimave publikohen në medie;
· Ku njerëzit gjykohen çfarë kanë mbi kokë dhe jo brenda kokës;
· Ku studentët e nivelit Master ende kanë probleme në drejtshkrim;
· Ku juristi i diplomuar punon kamarier e kamarieri i dikurshëm avokat;
· Ku laminati i shtëpive është më i fortë se asfalti i rrugëve;
· Ku ata që flasin për barazi mbajnë 3-4 vende pune e dikush asnjë;
· Ku disa politikanë kanë të ardhura ditore më shumë se të ardhurat vjetore të votuesve të tyre;
· Ku personat me përgjegjësi publike japin publikisht mendime personale;
· Ku vëmendja e publikut zhvendoset me një trik tendencioz gazetaresk;
· Ku parimet shiten si perime;
· Ku artisti në emër të realitetit socio-politik shfaqet në personazhe inferiore me vetëdije neokoloniale;
· Ku sulmi ndaj religjionit konsiderohet emancipim dhe afirmim;
· Ku ata që mbajnë rend në trafik hyjnë në semafor të kuq;
· Ku kardiologu pacientin me 200 rrahje në minutë e qetëson duke ia dhënë adresën e ordinancës së tij private dhe ku stendat e zemrës s\'dallojnë prej protezave të dhëmbëve;
· Ku ai që e shkel me veturë njeriun në rrugë nuk ndalet por ik nga vendi i aksidentit;
· Ku konkurset e punës publikohen pasi të njofshmit të pranohen;
· Ku kontratat e punës bëhen me një thirrje telefoni dhe me një transfer parash;
· Ku kreditë me kamata të larta bankare joshen me idetë e rehabilitimit të përhershëm jetësor;
· Ku nudistet bëhen më të famshme e më të kërkuara se njerëzit e shkencës;
· Ku hoxha me retorikë të ashpër e autoritative fton në butësi e liri;
· Ku prifti në emër të atdhedashurisë fyen pjesëtarët e kombit të vet;
· Ku i indoktrinuari nga propaganda mundohet me të bind se Tita s\'ka qenë kriminel dhe i indoktrinuari nga ISIS-i mundohet me të bind se ata kanë me sjellë paqen hyjnore në botë;
· Ku këngëtari që i këndon vlerave të shoqërisë dhe biznesmeni që i kontribuon kapitalit të biznesit s\'paguajnë asnjë cent tatim;
· Ku disa liderë s\'dinë as letrat e shkruara t\'i lexojnë;
· Ku patentë-shoferi blihet sikur libri;
· Ku krijohen lajme të kota për konsum e tirazhe;
· Ku lidhja emocionale dhe investive jashtë shtëpisë e oborrit humb tërësisht;
· Ku margjinalizimi konsiderohet qasje e qytetëruar;
· Ku erotika zë një hapësirë të madhe në medie;
· Ku mendimet e ndryshme perspektiviste marrin 1001 etiketime;
· Ku në debate televizive polemizohet për çështje hipotetike nga ekspertë të kundërt ku njëri është kompetent për të nxjerrë fakte e tjetri për të nxjerrë dhëmbë;
· Ku sarkazma fyese interpretohet si artistike e kreative;
· Ku analisti shet mend në publik e ndaj pushtetit s\'guxon të shfaqet kritik;
· Ku pushtetari për të vepru në territorin e vet duhet të marrë leje prej fqiut armik;
· Ku e ku...!!!