Shkruan: Prof. dr. Agim ZOGAJ
Politika, përgjithësisht karakterizohet edhe me veprimet, të cilat për rrjedhojë kanë ndryshimet e mëdha, kthesat që bëjnë histori të çastit. Në këtë kuptim, aksioni i Njësive Speciale të Republikës së Kosovës në veri të shtetit tonë paraqet ngjarje, qasje të re të politikëbërjes dhe shtetndërtimit.
Në këtë veprim, në këtë kthesë të madhe politike shtetërore ishte Qeveria e Republikës së Kosovës në krye me kryeministrin Thaçin, të cilët i dhanë dimension të ri politikës sonë shtetërore në planet për ti vendosur rendin, ligjin dhe kushtetutshmërinë në veri të Kosovës.
Aksioni, reflektimet e këtij veprimi shtetëror janë të shumëfishta por, mbi të gjitha, nga ky guxim i veprimit politik të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe personalisht të kryeministrit Thaçi, Serbia, udhëheqja e saj, pra edhe grupet paramilitare dhe bandat serbe në veri të vendit tonë do të nxjerrin mësime të reja.
Gjithsesi, Serbia, politika e saj, pra edhe grupet terroriste serbe në veri të Kosovës do ta kuptojnë se institucionet e Kosovës do ta mbrojnë me vendosmëri çdo pëllëmbë të tokës së Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran. Do ta kenë të qartë se institucionet e Kosovës nuk do të lejojnë të përulen dhe të zmbrapsen para bandave serbe dhe para çfarëdo lloj agresioni të Serbisë ndaj shtetit tonë.
Do ta kuptojnë se, edhe për institucionet e Republikës së Kosovës, pra edhe për Qeverinë e vendit tonë dhe për mbarë popullin liridashës të Kosovës ka kufi në shkallën e durimit të nëpërkëmbjes së lirisë sonë dhe të shkeljes së integritetit dhe sovranitetit tonë nga ana e bandave serbe dhe nga ata që i ndërsejnë siç bën regjimi i shtetit serb.
Do ta kuptojnë grupet ekstremiste serbe në veri të Kosovës dhe vetë shtetit serb se, me çdo kusht, pra jo vetëm, në mënyrë demokratike institucionet e shtetit tonë do ta ruajnë lirinë tonë të fituar me gjak dhe do tu qëndrojmë besnikë idealeve dhe amaneteve të dëshmorëve, heronjve dhe martirëve që ranë për këtë shtet, për Republikën e Kosovës. Qeveria serbe do ta ketë edhe më të qartë se, më, nga 25 korriku 2011, nuk do të mund të ndërhyjë kur të dojë dhe si të dojë me forca paramilitare për ti shkelur sovranitetin dhe integritetin e vendit tonë, se më nuk do ti lejohet të bëjë agresion edhe ushtarak ndaj Kosovës.
Pra, Serbia do ta kuptojë se, për ti rikthyer rendin dhe ligjin në veri të Kosovës, për ti shtrirë juridiksionin dhe kushtetutshmërinë edhe në veri të Kosovës, populli i Kosovës, institucionet dhe udhëheqja e saj janë të vendosur që këtë të drejtë, këtë detyrim kushtetues dhe kombëtar ta ushtrojmë me çdo kusht. Serbia, udhëheqja e saj, duhet ta kuptojë se më nuk mund ti diktojë zhvillimet në veri të Kosovës, se më nuk do ti lejohet të bëjë agresion ndaj një shteti fqinj, shteti të njohur ndërkombëtarisht siç është Kosova, ndryshe do të kërcënohen edhe vetë kufijtë e shtetit serb!
Prandaj, në këtë kontekst, për Serbinë, udhëheqjen e saj, ky është një paralajmërim i fuqishëm i mbarë popullit tonë, kurse për serbët kosovarë, ata që duan të vazhdojnë ta cenojnë dhunshëm integritetin dhe sovranitetin e shtetit tonë, duhet të jetë e qartë se do të ballafaqohen me ligjin, sepse asnjë shtet sovran, siç edhe Kosova, nuk do të lejojë kurrë që grupet, bandat terroriste serbe, të cilat vazhdojnë të hyjnë dhe nga Serbia ta kërcënojnë lirinë, paqen e të gjithë qytetarëve tanë.
Pra, veprimet e Qeverisë së Kosovës, përkatësisht të institucioneve të shtetit tonë të ndërmarra nga data 25 korrik 2011, sinjalizuan qartësisht se nuk do të ketë kurrfarë kompromisi kur janë në pyetje ruajtja dhe sigurimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Nga ana tjetër, në rrafshin e raporteve të ballafaqimit diplomatik, ndërshtetëror midis Kosovës dhe Serbisë, u pa qartë se shteti ynë shënoi edhe një fitore të thellë ndaj Serbisë duke i bërë me dije se nuk mund të ndërhyjë pafundësisht në Kosovë.
Në rrafshin personal, pa tendenca të ekzagjerimit them se kryeministri Thaçi shënoi edhe një fitore në raport me ballafaqimin me politikën e Serbisë dhe drejtpërdrejt në raport me presidentin Tadiq. Thaçi me këtë veprim tregoi se si burrështetas, si kryeministër i një shteti të pavarur është po i njëjti, i guximshëm, i vendosur, politikisht i zgjuar dhe strateg, sikur kur ishte drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe kur i printe delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë.
Gjithsesi, edhe faktori ndërkombëtar, pra pas 25 korrikut 2011, në paraqitjet e të gjithë udhëheqësve të Kosovës, presidentes Jahjaga, kryeministrit Thaçi, kryeparlamentarit Krasniqi dhe të tjerëve (opozitës) e kuptoi se udhëheqja e Kosovës, populli mbarë janë të vendosur për të qëndruar në ballë të detyrës kombëtare, shtetërore kur është fjala për shtrirjen e juridiksionit dhe të kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës në çdo cep të vendit, pra edhe në veri. Nuk ka më status quo në veri të Kosovës.
Ajo u prish, u përmbys supremacioni i ndërhyrjes së Serbisë në një pjesë të territorit tonë, u shemb krenaria e rrejshme serbe për paprekshmërinë e ndërhyrjeve të saj në Kosovën e re, demokratike dhe të pavarur, ndërsa pozita e Kosovës në bisedimet me Serbinë u fuqizua, prandaj duhet ta shfrytëzojmë këtë shans.
Kjo aq më parë sepse, faktori ndërkombëtar, duke përjashtuar ndërskamcat e EULEX-it dhe të disa segmenteve të politikës së jashtme të BE-së e tha hapur se, veprimi i Qeverisë së Kosovës në krye me Thaçin ishte legjitim! Po fillon një kapitull i ri në shtetndërtimin e Kosovës.