22 Dhjetor 2024

Shkresë nga diaspora shqiptare në Belgjikë

Kohët e fundit, ne si organizata të diasporës së Kosovës, jemi njohur me diskutimet publike për amendamentet e reja të Kushtetutës sonë. Në pamundësi për të marrë pjesë në ato diskutime, për shkak të angazhimit me punë dhe jetë në mërgatë, ne jemi munduar të diskutojmë në forumet tona, në tubime të ndryshme.

Jemi munduar të formulojmë qëndrimet tona rreth këtyre ndryshimeve, ku të gjithë kemi rënë dakord, se ai që na intereson më shumë është i lidhur me detyrimin e kandidatëve për President, që të mos kenë dyshtetësi, në momentin e zgjedhjes së tyre.

Madje sipas informacioneve që kemi, në diskutimet e Komisionit për ndryshimet kushtetuese, ka patur dhe ide që kandidatët duhet të jepnin dorëheqje që në fillimin e garës.

Në lidhje me idetë që qarkullojnë në formë projekti, ne, disa shoqata që grumbullojnë shumë qytetarë të Kosovës në mërgatë, në shtetet e Beneluksit kemi arritur në këto përfundime:

1.     Amendamenti në fjalë, është kundër realitetit ekzistues të popullit të Kosovës, që është ndarë në dysh. Ai e kufizon në thuajse zero mundësinë e njerëzve tanë që të marrin pjesë në një garë politike kaq të rëndësishme siē është zgjedhja e Presidentit. SHumë prej nesh kanë zgjedhur të kenë dhe shtetësi të dytë, kryesisht në vendet perëndimore, aleate të Kosovës.  E kanë bërë këtë për të patur më shumë të drejta, për t’u përfshirë dhe në jetën shoqërore të vendieve ku jetojmë dhe punojmë. T’i kërkosh përshembull dikujt që do të zgjidhej President, e që vjen nga diaspora të hiqte dorë nga shtetësia e huaj që e ka bashkë me familjen, do të thotë të bësh diskriminim.

2.     Ashtu si presidenti, edhe kryeministri ka vlera të mëdha përfaqsuese në arenën ndërkombëtare, ka kompetenca në ushtri, etj. Pse këto kufizime duhet të jenë vetëm për presidentin dhe jo për kryeministrin, apo përshembull për shefin e shtabit të përgjithshëm, apo ministrin e mbrojtjes?

3.     Ky amendament është diskriminues edhe për shumë arsye të tjera. Ai nuk vendos kufizime të tilla për garën për deputet, dhe i vendos për president.

4.     Ky amendament, ngjan më shumë si shpikje lokale jona, dhe nuk është në shumicën e kushtetutave perëndimore, me aq sa ne kemi verifikuar. Ndoshta gjithë kushtetutat perëndimore nuk kanë ndalesa të tilla. Nuk e kanë të shprehur madje as shtetet që kanë njështetësi, ku një kufizim i tillë, mund të ngjante si normal.  Thuajse të gjithë Kushtetutat kanë vetëm detyrimin e shtetësisë dhe qëndrimit të pandërprerë prej disa vjetësh në vend, por jo ndonjë detyrim për dyshtetësinë. Atëherë pse Kosova duhet ta ketë?

5.     Ky kufizim reflekton nga pak shqetësimet tipike të vendeve gjatë Luftës së Ftohtë. Atëherë dyshtetësia ishte thuajse baraz me tradhëtinë. Sot, kur ne kemi marrë shtetësi perëndimore, si shtetësi të dytë, në vendet ku jetojmë e punojmë, të kesh frikë nga dy shtetësia është një gjë e pakuptimtë dhe qesharake.

6.     Ky amendament, është prishje e një rregulli të pashkruar të gjithë kushtetutave të botës ku për presidentin, nuk flitet në mënyrë mohore, ndaluese, por vetëm pohuese. Pse Kushtetuta e Kosovës duhet të ketë ndalesa të parashikuara?

7.     Ky kufizim, ky diskriminim, do të sjellë si pasojë dhe kufizime të tjera në jetën e Presidentit të ardhshëm,  veēanërisht për lirinë e lëvizjes së tij. Sot pasaporta perëndimore është dhe liri lëvizje, për një shtetas të Kosovës, vendit më të izoluar të Europës. T’i kërkosh Presidentit të heqë dorë nga një shtetësi e tillë, e cila realisht për një individ që zgjidhet president, bëhet status thuajse i papërdorshëm, do të thotë ta izolosh dhe atë. Do të thotë të shtosh vështirësitë e tij për të marrë viza në vende të ndryshme, t’i krijosh probleme artificiale, etj.

8.     Ne mendojmë se të gjitha këto arsye, janë arsye të mjaftueshme, që Parlamenti i Kosovës të heqë dorë nga ide të tilla, që kanë karakter diskriminues, edhe për ata që sot mbajnë pasaportën e Shqipërisë. Nuk shprehim shqetësim për përfaqsues politikë të pakicave, të cilët dhe ata ndihen të diskriminuar nga ky amendament.

Ndaj i bëjmë thirrje drejtuesve të Komisionit të heqin dorë sa më parë, nga amendamente të tilla, dhe të merren me formulime reale të statusit të presidentit,kompetencat e tij, etj.

Lidhja e Arsimtarve Shqiptarë \"Naim Frashëri\" Belgjikë, Dr. Agim Syla, kryetar

Shoqata \"Gruja Vendimmarrëse në Biznes\" Beneluks, Fatime Ameti, kryetare

Shoqata \"Dora-Dorës\" Belgjikë, Hamide Canolli, kryetare

Shoqata Shqiptare \"Ardhmëria\" Belgjikë, Shani Basha

Bruksel, 9/11/2011

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)