Shkarkimi dhe vënia e Hashim Thaçit para drejtësisë, obligim i shtetit
Shkruar nga Gani Qarri
Rrentë dhe matrapazllëqet e pafundme të kryetradhtarit të të gjitha kohëve të këtij vendi Hashim Thaçit, deri edhe në vet Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ndarjen e Kosovës, kanë bërë që pa kaluar as tre muaj të plotë nga ardhja e ambasadorit të ri amerikan, Philip Kosnett, marrëdhëniet ndërmjet Shtetit të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga pafundësisht të mira dhe të pakrahasueshme në botë, të përkeqësohen deri në pikën më të ulët të tyre, në prag të 20-vjetorit të çlirimit të vendit.
Pas tradhtive dhe gënjeshtrave të njëpasnjëshme dhe më të paskrupullta që kanë përjetuar ndonjëherë në histori shqiptarët, nga krye-kuislingu i të gjitha tradhtive të deritanishme, Hashim Thaçi, e para që do duhej të reflektonte është Qeveria e vendit me kryeministrin Ramush Haradinaj si dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës me ndërmarrjen urgjente të hapave të nevojshëm ligjor,për shkarkimin e menjëhershëm të këtij matrapazi të pa ndërgjegje as fytyrë, dhe vendosjen e tij urgjente para drejtësisë për tradhti të lart kombëtare.
Të lë pa mend fakti se si edhe profesori i bahçeve në vend se ta kritikojë Thaçin për tradhtitë që i bën vendit dhe mësuesin e vet dhe të partisë që e bëri kuislingun Thaçi president, pa fije turpi, kritikon kryeministrin pse ai është vënë në mbrojtje të Kosovës, duke i veshë "dështime" që pjesërisht janë edhe të eskortës së tij politike.
Tanimë është plotësisht publike dhe veprimet antiligjore e kundërkushtetuese, nenet kryesore të të cilës kuislingu Hashim Thaçi i ka shkelë në vijimësi me dhjetëra herë, vërtetojnë katërçipërisht se pas futjes së gjithë vendit në një rrugë të pakrye, ai përfundimisht po tenton, që ta shes e copëtojë dhe ta zhbëj tërësisht edhe shtetin e Kosovës.
Ndaj shkarkimi urgjent i këtij rrenci dhe lëngaraqi të pafytyrë, është detyrë mbi detyrat dhe obligim i pakalueshëm moral e ligjor i të gjithë spektrit politik dhe partive të vendit, për shpëtimin e shtetit tonë, nëse nuk duan të mallkohen nga historia dhe mbajnë përgjegjësinë e barrës së tradhtisë, në gjithë jetën e tyre.
Kryekuislingu Hashim Thaçi me tradhtitë e tij të vazhdueshme ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës, është bërë plotësisht i pabesueshëm që të guxojë të mbaj edhe më tej përgjegjësi aq të larta politike dhe tërësisht i pa tolerueshëm nga vet ligji dhe kushtetuta e vendit, për udhëheqjen e punëve kaq të rëndësishme shtetërore për Kosovën.
Ndaj vendimi për shkarkimin dhe vënien urgjente të tij para drejtësisë, është detyrim historik i të gjitha segmenteve vendimmarrëse shtetërore dhe politike, vendim për të cilin nuk ka më kohë për hamendje as zhargitje dhe që detyrimisht, duhet të ndërmerret sa më parë dhe menjëhershëm, në mënyrë që të mund të mbrohet integriteti i vendit dhe interesi i qytetarëve, si dhe të shpëtohet tërësia territoriale e shtetit të pavarur të Kosovës.