22 Dhjetor 2024

Shkarkim i Qeverisë dhe Presidentit

Shkruar nga Gani Qarri

Në një vend me Qeveri të pakicës dhe President nën akuzë të shpallur për krime kundër njerëzimit, ku njerëzit vdesin si në luftë dhe ajo nuk mund të arrijë konsensus për asgjë dhe as shumicën e thjeshtë prej 61 votash të deputetëve edhe për gjërat më emergjente, ai vend konsiderohet pa president dhe udhëheqje legjitime, ndaj qeveria kukull duhet të jap vet dorëheqje ose të shkarkohet urgjentisht, për të mirën e shtetit dhe njerëzve të këtij vendi.

Kjo edhe për faktin se në situatën më të paprecedent në të cilën, që nga paslufta, për herë të parë ndodhet Kosova, ku brenda natës humbin jetën 8 njerëz sikur vendi të ndodhej në luftë dhe kur i akuzuari kryesor për krime lufte, është vet i pari i shtetit, këtij shteti i duhen medoemos ndryshime të mëdha dhe të menjëhershme si dhe formimi urgjent i një qeverie gjithëpërfshirëse të liruar prej elementeve të krimit dhe të përbërë nga ekspertët më të mirë e cila do ta nxirrte Kosovën nga kaosi politik dhe kolapsi total që ka përfshi gjithë vendin.  

Madje përderisa edhe vet BE, pas shpalljes nga prokurori i Gjykatës Speciale të aktakuzës kundër Hashim Thaçit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, deklaron publikisht se nuk e konsideron më Hashim Thaçin president të Kosovës as partner për bisedime, në gjendjen çfarë aktualisht ndodhet Kosova, mundësia e vetme për mënjanimin e problemeve dhe tejkalimin e kaosit të shkaktuar politik, është që pikësëpari të jap dorëheqje të parevokueshme presidenti i akuzuar për krime lufte Hashim Thaçi e pastaj të vet-dorëhiqet ose shkarkohet urgjentisht edhe qeveria kukull e pakicës e krijuar vetëm një muaj më parë, prej Hashim Thaçit.

Sidomos pas deklaratës më të re të ish-Këshilltarit për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton, se kërkesën për ndarjen e Kosovës dhe ndryshimit të kufijve me Serbinë, nuk e bëri ai, por vet Hashim Thaçi, ndërsa sipas shkrimeve të fundit të gazetës austriake "Der Standard", Thaçit iu ofrua edhe shpërbërja e Gjykatës Speciale në këmbim të lëshimeve territoriale ndaj Serbisë, të cilën qëllimisht e pengoi Evropa dhe prokurori amerikan duke shpallur aktakuzën për krime lufte kundër tij, për të mos lejuar kaos të ri dhe shkaktuar edhe një herë ripërtëritjen e luftërave për territore në Ballkan që serish do të përfundonin me tragjedi, Kosova nëse vërtetë e mendon veten për shtet dhe ka rend e ligj në këtë vend, duhet ta shkarkojë urgjentisht Hashim Thaçin nga posti i presidentit dhe vejë atë para drejtësisë për shkeljen e Kushtetutës dhe tradhti të lartë ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës

Në gjendjen më kaotike në të cilën, në dy dekadat e fundit ndodhet Kosova, vendit i duhen medoemos ndryshime urgjente, si dhe një  Qeveri me përfaqësim konsensual të të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend, e cila do ta formonte edhe Ekipin e Unitetit për dialog me Serbinë, në mënyrë që edhe në këtë situatë, ky ekip të jetë i pranuar nga i gjithë spektri politik i Kosovës, që të ketë sukses në bisedime dhe besueshmëri të plotë brenda dhe jashtë vendit.

Dorëheqja e parevokueshme e presidentit të akuzuar për krime lufte Hashim Thaçi, si dhe vet-dorëheqja apo rrëzimi urgjent i qeverisë kukull të krijuar prej tij, do të ishte parakushti parë dhe i domosdoshëm për ti hapur rrugë formimit të një Qeverie gjithëpërfshirëse ekspertësh, në mënyrë që Kosova të mos i vuaj pasojat e individve të akuzuar nga Gjykata Speciale, si Thaçi & CO dhe bie pre e trysnisë dhe presionit ndërkombëtar edhe për kompromise ndaj Serbisë.   

Madje duke pasur parasysh faktin se qeveria aktuale përveç inkorporimit të Listës serbe, as për vendimet me rëndësi nacionale e shtetërore, nuk mund të arrijë numrin minimal prej 61 votash të deputetëve, dialogun me Serbinë, qeveria aktuale jo vetëm që nuk mund ta qojë përpara por do të futet përsëri edhe në një  fazë të re të bllokimit, për shkak të jo legjitimitetit të saj nga populli, dhe publikimit të aktakuzës kundër Hashim Thaçit i cili çuditërisht, përkundër të gjithave, vazhdon të mos e lëshojë karrigen e presidentit.

Kështu që në momentin kur në Kosovë vdesin edhe njerëzit sikur të ishte vendi në luftë dhe me një qeveri të pafuqishme e kukull të pakicës, ku nuk ka askund dhe për asgjë konsensus, qoftë në Parlament, në mes partive politike apo edhe ndërmjet vet partnerëve të koalicionit qeverisës dhe qytetarëve të vendit, shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme do të ishte zgjidhja më e mirë, sidomos tani kur pritet miratimi i aktpadisë së prokurorit të Gjykatës Speciale kundër Hashim Thaçit i cili medoemos do të detyrohet që të jap dorëheqje nga presidenca e shtetit dhe vendi dosido detyrohet të shkojë në zgjedhje.

Për aq më tepër, pas publikimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga prokurori i Gjykatës Speciale kundër Hashim Thaçit, fatbardhësisht ai nuk ka të drejtë më të fal territore si deri më tani, as të negociojë me Serbinë në emër të Kosovës, për ndryshim të kufijve, madje nuk do të pranonte vet SHBA as BE që Thaçi edhe nën domenin e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të guxojë të ulet në tryezën e bisedimeve, për aq kohë sa është i dyshuar, e aq më pak tash, kur nga deklarata e Speciales u konfirmua publikisht se përpjekjet e tij ishin shumë të rrezikshme, jo vetëm për ta zhbërë Gjykatën, por edhe për të falur krimet serbe të luftës dhe gjenocidin e Serbisë të shkaktuara në Kosovë gjatë okupimit, për hir të pazareve të tij me Aleksandër Vuçiqin.  

Ndaj në këtë situatë të paprecedent, ku i akuzuari kryesor për krime lufte, është vet i pari i shtetit dhe vendi qeveriset nga një qeveri kukull, Kosovës  i duhet medoemos ose shkuarja në zgjedhje të reja o një qeveri gjithëpërfshirëse e liruar prej elementeve të krimit dhe e përbërë nga ekspertët më të mirë të vendit, e cila do ta vinte qeverisjen e vendit në binarë të duhur dhe  formonte një ekip gjithëpërfshirës të dialogut- Ekip të Unitetit me përfaqësimin konsensual të të gjitha partive politike, të pozitës dhe opozitës, të përfaqësuara në Kuvend dhe të pranuar nga i gjithë spektri politik në Kosovë, në mënyrë që të ketë sukses në bisedime, si dhe besueshmëri brenda dhe jashtë vendit.





Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)