Shkaqet dhe pasojat e ndodhisë në Drenicë
Shkruar nga: Xhevat Meha
Në dy komunat e Drenicës, Skenderaj dhe Drenasi në këto zgjedhje u dëshmua një ndodhi. Shikuar së thjeshtëmi, në këto zgjedhje u bënë manipulime në votime. Kjo ndodhi nuk është kaq e thjeshtë, në fakt meriton të analizohet më gjerësisht.
Kjo ndodhi është diçka shoqërore, d.m.th. ka epitete si: e ndërlidhur, e kushtëzuar, produkt shoqëror, reaksion shkak-pasojë, e të ngjashme dhe nuk mund të dalë jashtë kontekstit të shoqërisë tonë. Në këtë shkrim tentohet të ndihmohet ndriçimi i kësaj ndodhie që në opinion të jetë një e kuptuar më e mirë.
Çka në të vërtet ndodhi të dielën e 12 dhjetorit të vitit 2010?. Edhe pse për të qenë krejt korrekt do të duhej të presim përfundimin e punës së Panelit Zgjedhor për Ankesa, besoj se nuk hyjmë në mëkate të mëdha nëse themi se në votime votuesit e rëndomtë dolën në votime në mënyrë të dinjitetshme dhe se komisionerët dhe aktivistët e partive politike ndërhynë në këtë proces dhe kryen manipulime të votimeve.
Çështja bëhet më interesante për analizim sepse ky manipulim mund të thuhet se u krye në prani të komisionerëve të gjitha partive politike dhe vëzhguesve. Meqë vendbanimet tona janë të tilla ku këto veprime bisedohen vesh-më-vesh dhe dihen nga një pjesë e njerëzve të rëndomtë, këtij manipulimi mund ti jepet edhe një epitet tjetër se kjo kaloj symbyllazi, ose u pranua heshturazi nga një shtesë bukur e gjerë e njerëzve të rëndomtë.
Sy-mbyllja ose pranimi në heshtje nga komisionerët e të gjitha partive politike dhe nga një pjesë e njerëzve të rëndomtë për këtë manipulim e bëjnë këtë ndodhi edhe më interesant për analizim të mëtutjeshëm.
Pse komisionerët dhe njerëzit e rëndomtë mbyllën sytë në këtë manipulim të votimit? Vetë pyetja PSE na çon në kërkimin e shkaqeve. Në këtë shkrim, përpjekjet do të bëhet të jepen disa mendime të cilat me shpresë do të ndihmojnë në njohjen e shkaqeve dhe lidhjen e këtyre shkaqeve me ndodhinë.
Kjo ndodhi në Drenicë vjen pas disa ndodhive shoqërore në të kaluarën, d.m.th. që i kanë paraprirë kësaj ndodhie. Më poshtë janë të shkoqitura disa nga këto ndodhi shoqërore dhe lidhjet me këtë ndodhi të cilat janë të grupuara në dy faza:
Periudha e paraluftës Përshkrim i kësaj periudhe është se kjo trevë ka bërë shumë veprime dhe ka qenë shumë aktive në kundërshtimin e pushtimit dhe luftën për liri. Këto veprime kanë qenë aq të zhvilluara sa ka bërë që politika zyrtare për këtë periudhë të jetë që në këtë trevë mundësisht, jo vetëm njerëz por edhe bar të mos mbijë.
Veprimet e zyrtarëve institucional në këtë periudhë kanë qenë të llojllojshme ku në kontekst të këtij shkrimi vlen të veçohet izolimi dhe përjashtimi nga mundësia për zhvillime shoqërore. Pjesëmarrja e njerëzve nga kjo trevë në Komitetin Krahinor të LKJ-së ka qenë më pak se simbolike, pjesëmarrja si profesor dhe asistent në Universitetin e Kosovës ka qenë me ma pak se 1%, pjesëmarrja si drejtor të ndërmarrjeve ekonomike ka qenë më pak se simbolike.
Këtij mohimi dhe përjashtimi nga institucionet shtetërore zyrtare popullata e kësaj treve i është përgjigjur me mohim dhe përjashtim të institucioneve zyrtare shtetërore.
Periudha e pasluftës - Përfundimi i luftës trevën e Drenicës e gjeti me një numër të madh të luftëtarëve dhe me një mbështetje masive të luftës nga shtresat e gjëra. Luftëtarët dhe mbështetja e luftës, jo se ishte vetëm në Drenicë, por, shprehë në përqindje këtu kishte shkallë dallueshëm më të lartë se sa në trevat tjera.
Kjo vlerë shumë sublime për kombin nuk u trajtua si duhet nga individ dhe grupet politike që ishin zyrtare në Prishtinë dhe u keqpërdor nga ratni profiteri që ishin në këtë trevë.
Njëri grup politik doli në mbështetje të luftës dhe në këtë mënyrë mori edhe mbështetjen e kësaj treve, kurse grupi tjetër politik nuk doli në mbështetje të luftës dhe kuptohet që nuk u mbështet nga kjo trevë.
Qeveritë e pasluftës, me përjashtim të kësaj të fundit, meqë ishin të kontrolluara nga grupi politik që nuk kishte mbështetje nga kjo trevë, bënë gabim politik sepse nuk sollën pothuaj asnjë investim, mohuan dhe përjashtuan këtë trevë nga mundësia për pjesëmarrje në zhvillimet shoqërore.
Ndryshe nga ky grup politik, grupi që mbështeti luftën dhe që në bazë të kësaj mori mbështetje nga kjo trevë në mandatin e tyre qeverisës bëri investime të mëdha dhe përfshiu këtë trevë në zhvillimet shoqërore.
Lidhjet që mund të nxjerrën nga ndodhitë shoqëror të paraluftës dhe të pas luftës janë që shtresat e gjera në këtë trevë mbështesin ata tek të cilët gjejnë mbështetje dhe mohojnë e përjashtojnë ata të cilën i mohojnë e i përjashtojnë. Dikush mund të thotë se demokracia nuk mund të ndërtohet me manipulime të votave.
Kjo është e vërtetë po aq sa është e vërtetë edhe që shoqëria nuk mund të ndërtohet me manipulim të demokracisë. Shtresat e gjëra të kësaj treve e njohin fort mirë çka është demokracia dhe çka është manipulimi me demokracinë.
Mohimi dhe përjashtimi nga mundësia e zhvillimit shoqëror nuk ka asnjë lidhje me demokracinë, ka lidhje me manipulimin e demokracisë. Mohimi dhe përjashtimi nga mundësia për zhvillim shoqëror, i periudhës së pas luftës, ka bërë që shtesat e gjëra të kësaj treve ta kuptojnë këtë proces të votimit si manipulim të demokracisë për kthim tek mohimi dhe përjashtimi nga mundësia për zhvillim shoqëror.
Popullsia e trevës së Drenicës, në mungesë të regjistrimit të popullsisë, sipas disa demografëve është rreth 6-7% e popullsisë së Kosovës.
Nëse dikush pretendon se patriotizmi dhe kombëtarizmi shqiptar ka mbet vetëm në këtë trevë, autori i këtij shkrimi në emrin e tij personal do të nënshkruan kapitullimin e këtij patriotizmi dhe kombëtarizmi.
Patriotizmi dhe kombëtarizmi ndoshta ka qenë pak më e theksuar në këtë trevë në një periudhë të caktuar kohore por gjithsesi këto vlera nuk janë pronë vetëm e kësaj treve por janë pronë e gjithë kombit.
Në periudha tjera kohore, sigurisht se do të ketë treva tjera që do veçohen për këto vlera. Këto janë vlera universale të kombit.
Nëse për shkak të këtyre vlerave në një periudhë 50 vjeçare politika zyrtare ishte siç u përshkrua më lart, në mendim të autorit, është e arsyeshme që në një periudhë së paku 25 vjeçare kjo trevë zyrtarisht të veçohet nga institucionet shtetëror me prioritet zhvillimor pa dallim se cili grup politik udhëheq me institucionet shtetërore.
Përjashtimi dhe izolimi zyrtar i paraluftës ka bërë që komunikimet e institucioneve zyrtare me shtresat e gjëra të kësaj treve të janë të pakta.
Mungesa e komunikimit ka quar në mosnjohje. Individët dhe grupet politike që tani janë zyrtare në Prishtinë është e nevojshme që të mos vazhdojnë më me kësi gabime .është e nevojshme të rrisin komunikimin me këtë trevë, ti mbështesin dhe ti përfshijnë në zhvillimet shoqërore.
Fatkeqësisht mund të befasohen por le të provojnë dhe do të vërtetojnë se cilido grup politik që mbështet këtë trevë do ta ketë mbështetjen e kësaj treve, cilido grup që e pranon këtë trevë do ta gjejë pranimin nga kjo trevë.
Nuk mund të duhet dikush që nuk të do. Kjo trevë nuk është pronë e asnjë grupi politik, le të provohet dhe do të vërtetohet. Cilido grup politik zyrtar në Prishtinë që i shtrinë dorën kësaj treve, shtresat e gjëra të kësaj treve do ti japin dorën. Kjo trevë i kupton shumë mirë vlerat dhe njeh trimin për trimni, burrinë për burrni por edhe hajnin për hajni, le të provohet dhe do ta vërtetohet.