Shefqet Dibrani, politika dhe letërsia
Shkruar nga Gani Qarri
Ky refleksion letrar, për autorin dhe veprën e tij u lexua me rastin e promovimit të monografisë Sfidë për demokracinë, që u mbajt ditë më parë në Bernë të Zvicrës.
Sado që veprimtaria e partisë-lëvizje të cilës autori i takonte, atëbotë mbante gjallë ndjenjën e mbijetesës tek të gjithë shqiptarët dhe frymëzonte ata me besim në të drejtën e tyre për të jetuar të lirë, megjithatë për disa ish aktivist të devotshëm, ka kohë që është krijuar një gjendje bukur e rëndë mosdurimit histerik - nga devijantë kameleon dhe mediokër politik.
Ndaj, pas sa vitesh mirëorganizimi, veprimi shembullor e masiv të shumicës së mërgimtarëve shqiptar në Zvicër e Gjermani dhe diasporën mbarë evropiane, ata - tash e sa kohë shohin me dëshpërim degradimin e njërit prej katalizatorëve kryesor të kombit që dikur vinte në lëvizje çdo gjë dhe gjithë ata njerëz të cilët ishin të gatshëm të vepronin ditë e natë për të mirën e vendit dhe popullit që i takojnë.
Shefqet Dibrani si aktivist shumëvjeçar, duke i njohur mirë shkaktarët e së keqes, është ndër të parët që ngriti zërin kundër këtij rrënimi, pasi siç dihet për gjithë ato vite, ai asnjëherë nuk kurseu djersën, as lodhjen, angazhimin as mjetet financiare, por tërë kohën e tij ia kushtoi veprimit organizativ, për arritjen e lirisë dhe çlirimit kombëtar të shqiptarëve.
Poeti dhe letrari ynë tashmë i mirënjohur, i lindur më 3 gusht të vitit 1960 në Gërdoc të Besianës, qysh në vitin 1984, si shumë bashkatdhetar do të emigrojë në Zvicër.
Ai siç është autor i vëllimeve \"Sfidë për Demokracinë, 1 dhe 2, ështe autor edhe i dhjetëra veprave të tjera, të cilat mbajnë me nderë emrin e tij, emrin e mikut tonë, pishtarit të demokracisë dhe letrave shqipe në përgjithësi, i cili si disident aktiv dhe i papajtuar asnjëherë me pushtimin, përveç vuajtjeve të tjera bart mbi supet e tij, si kujtim të hidhur, edhe disa kohë burg të Serbisë, të cilat me sa dimë ne,nuk i ka theksuar kurrë.
Ndaj, që nga fillimi, ai me dëshirë iu bashkua një organizate politike, jo-përjashtuese, afruese dhe dashamirëse ndaj të gjithë shqiptarëve, siç ishte dikur LDK, e cila atëbotë udhëhiqej nga ajkë e zgjedhur e intelektualësh dhe ëndërrimtarësh idealist, të përbetuar për lirin e atdheut.
Lidhjen e tij me ata miq të mëdhenj e të njëmendët, të cilët me vendosmërinë e tyre,nxorën vendin tonë nga pushtimi dhe robëria shekullore, një retrospektivë kjo e cila na kujton edhe një herë vizionin jo të rastësishëm dhe largpamës të ish LDK-s, së Ibrahim Rugovës.
Tu kthehemi edhe një herë veprave të Shefqetit, ku njëjtë si në botimin e vitit 2011 të titulluar 11 Minuta para orës 00, me mase 570 faqe, edhe në dy vëllimet voluminoze me mbi 950 faqe Sfidë për Demokracinë\", ai shënimet e tij i shoqëron me fakte, data dhe ngjarje reale duke i dokumentuar me argumente bindëse.
Autori dëshmon sesi shqiptari edhe larg vendlindjes, edhe nëpër dhembjet dhe zhgënjimet që shkakton qëndrimi në vend të huaj, nuk pushonë përpjekjet për lirin e atdheut, e cila në shpirtin e mërgimtarit, peshonte më tepër se çdo ëndërr tjetër në këtë botë.
Periudha shumëvjeçare e punës krijuese me dhjetëra botime autoriale si dhe veprimtaria e kaluar politike në LDK-në, Rugoviane, për të cilën kontribuoi aq shumë Shefqet Dibrani e bënë atë jo vetëm autor të çmuar, por edhe kronist origjinal të kësaj partie dikur avangardë, në të cilën luftohej jo me dhunë por me shembuj konkret harmonie për atdhedashje, pa interese personale dhe intriga grupore.
Kurse, monografia Sfidë për demokracinë, është një vepër e gjerë që nderon jo vetëm autorin Shefqet Dibrani dhe protagonistin Hajdar Sadrija, por edhe Degën e LDK-së, veprimtarët e saj , si dhe të gjithë aktivistët e devotshëm të këtij subjekti politik. Madje, Shefqeti, me këtë rast nuk harron ti shpreh një falënderim të përzemërt edhe shtetit të Zvicrës si vend ku u zhvilluan gjithë këto aktivitete nga veprimtarët e shumtë me të cilët punoi ai vet njëjtë si edhe protagonisti i veprës z. Hajdar Sadrija.
Nëse shfletohen me kujdes shkrimet dhe analizat e tij që nga vitet e nëntëdhjeta e gjerë më sot, do të shohim përkushtimin karakteristik dhe asnjëherë të pa lëkundur, i cili megjithëse ka botuar mese 16- vepra letrare, qëndrimet i ka po ato të dikurshmet, të njëjta dhe të pa ndryshuara, duke mbetur besnik i devotshëm i konceptit të rrugës Rugoviane dhe dashamirës i pasionuar i asaj filozofie.
Ndaj nga cilido këndvështrim,që të nisesh,madje nëse bazohemi edhe në vetë aksiomën, apo shprehjen shumë domethënëse popullore; më trego me këndë rri, të të them se kush je, Shefqet Dibrani rrezaton dinjitetshëm edhe në këtë pikëpamje, ngase shokët e tij, janë emra të përzgjedhur mirë dhe me shije mjeshtërore, afria me të cilët do ta nderonte secilin autor.
Në politikë ku kontribuonte si veprimtar i devotshëm i LDK-së, Shefqeti ishte bashkëpunëtorë i ngushtë i Hajdar Sadrisë, kurse si kryetar i nëndegës për Santgallen, (St. Gallen), ai gëzonte edhe besimin e Presidentit historik të LDK-së dhe Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova.
Nëse shihet bashkëpunimi i tij me autor të letrave shqipe, ai edhe në këtë plan diti të zgjidhte emrat më të mirë dhe personalitetet më të nderuara, duke filluar nga poeti i ndjerë Kuksian Agim Spahiu, e deri te shkrimtari më i madh shqiptar me famë botërore i ndritshmi Ismail Kadare, me të cilët mbante letërkëmbim.
Andaj edhe në këtë fushë arritjesh mendoj se Shefqeti mbetet i pa konkurrencë, kështu që pa marrë parasysh bindjet tona dhe pa bërë krahasim arritjesh personale të cilat tek ndonjëri mund të prodhojnë negativitet të paarsyeshëm, besoj se Shefqet Dibrani meriton një nderim të veçantë nga të gjithë ne, i cili edhe si autor, çdo ditë e më tepër po bëhet më i mirëpritur si në atdhe ashtu edhe tek bashkatdhetarët në mërgim, kudo.
Madje, nuk duhet harruar se ka edhe emra autorësh e profesorësh universitar si dr. Gjekë Marinaj, i cili në mes tjerash do të shkruante: ...të gjitha librat e deritanishëm të Dibranit janë pjesë e pasurisë time materiale, intelektuale dhe shpirtërore, por më tepër se kam privilegjin e një miqësie familjare prej rreth dy dekadash me të dhe se prej të cilit kam mësuar jo pak për artin edhe jetën.
Kurse unë,me këtë rast po parashtroj një pyetje më konkrete: Si ndjehet Dega e LDK-së në Zvicër me qëndrimin e saj ndaj një veprimtari si Shefqeti? Po LDK-ja në Kosovë, me këtë analist dhe autor të vyeshëm? Apo edhe ne mërgimtarët që jemi këtu, e sidomos kasta e autorëve? Mendoj se vërtetë duhet të jemi më racional dhe ti shohim gjërat me një sy më real në vlerësimet tona, sidomos për veprimtarët që jetojnë e prodhojnë dije,shkruanë dhe vazhdojnë të shkruajnë vepra, e në të njëjtën kohë janë këtu dhe veprojnë me dinjitet në mesin tonë, natyrisht jo pak të përbuzur dhe injoruar nga shumë anë.
Madje nuk duhet harruar, se nuk janë vetëm veprat e tij ato që na shtyjnë ta nderojmë këtë autor, por janë edhe vuajtjet e përjetimet personale të poetit dhe prozatorit Shefqet Dibrani, i cili në luftë humbi të atin, dhe miqtë më të mirë, si Agim Ramadanin me të cilin bashkëpunoi një kohë në Zvicër, Fehmi Aganin dhe Enver Malokun të vrarë gjatë kohës së luftës si dhe Xhemail Mustafën pas saj, për vrasjet e të cilëve ende askush nuk është vënë para përgjegjësisë. Ndërsa është Shefqeti ai, i cili si askush tjetër, për të gjitha këto raste e ka ngritur zërin pareshtur.
Pas vizitës së tij të parë në dhjetor të vitit 1992, në Shqipëri, ai u njohë dhe miqësua me shumë emra të letrave shqipe, por ajo me Agim Spahiun mbetet e veçantë, pas vdekjes tragjike të të cilit, Shefqeti do ta botonte përmbledhjen me poezi të zgjedhura të Spahiut, kurse promovimin e atij libri (janar 1994), do ta nderonte me një fjalë përshëndetëse për gjestin e Shefqetit edhe vet, Dr. Ibrahim Rugova.
.... ai paraqitet gjithmonë i hapur për një miqësi të pastër edhe me të takuarit e rastit, do të shprehej në shkrimin e tij të gjatë, për Shefqetin, dr. Gjekë Marinaj,profesor universitar në Dallas të Amerikës.
Ndaj, duke u nisur edhe nga thënia popullore se e mira ka të mirën, mëse 20-vite pas vdekjes së Agim Spahiut, siç do ta thoshte vet Shefqet Dibrani, në shenjë mirënjohje, botimin e librit të tij, poashtu- me poezi të zgjedhura ANATAOMIA E BRYMËS, do ta sponsorizonte i vëllai i Agimit, Mensuri, (duke rikthyer kështu me nderë, gjestin human e njerëzor, si shembull sublim miradie edhe pse ndoshta gjest tepër i rrallë ndër ne, do të shtoja unë).
Edhe dashurinë ndaj të afërmeve, atdheut dhe familjes, autori i vendosi kurdoherë në plan të parë, madje siç veprojmë të gjithë ne pa dallim, edhe ai si mërgimtar i vuajtur, ende vazhdon të besoj fuqishëm në kombin tonë, dhe një atdhe të përbashkët për të gjithë shqiptarët, megjithëse tëhuajsimi ndaj mërgimtarëve,çdo ditë e më tepër, thuajase po bëhet hapur edhe në vendlindjet tona.
Andaj duke u ndjerë emigrant në çdo kohë, gjithkund dhe gjatë gjithë jetës, dikur në vend të huaj e tani së fundmi edhe në vendin prej nga vijmë, Shefqet Dibrani shumë nga përjetimet e tij i ka vënë edhe në letër. Madje, ato ndjenja, qoftë në prozë apo edhe poezi, ai do ti pikturonte dhembshëm me ngjyrën e vuajtjes dhe të migrimit, kësaj plage të thellë për shqiptarët dhe dhembjes më të madhe që rëdonë mërgimtarët.