SHBA-të do të mbesin udhërrëfyesit tonë në paqe dhe liri
Shkruar nga Hashim Thaçi
Jam shumë i privilegjuar që jam sot mes jush. Në fakt, sot në Denver janë dy ngjarje të mëdha, ligjërata ime, dhe ndeshja e parë në shtëpi e Rockies. Shumë fat për Rockies sot.
Kam arsye të shumëfishtë që të jem shumë i emocionuar sot para jush. Ky institucion i respektuar mbanë emrin e diplomatit të shquar z. Xhozef Korbell. Gjatë përvojës së tij diplomatike, përderisa ishte në Beograd do ti lindë vajza Medllin.
Medllin do të rritej në SHBA, e mpleksur me ëndrrën e lirisë dhe barazisë, dhe me aspiratën për të qenë i barabartë. Atëherë vajza Medllin do të rritej për tu bërë Sekretare e Shtetit në SHBA, dhe shpëtimtare e popullit tim. Me emrin e saj lidhet përjetësisht liria dhe pavarësia e popullit tim.
Posaçërisht më lejoni të përshëndes një njëri që ju e njihni shumë mirë, z. Christopher Hill. Ambasadori Hill është hisedar në suksesin tonë të përbashkët. Ai ka qenë pjesëmarrës në konferencën e Rambujesë, dhe roli i tij ka qenë vendimtarë në ndryshimin e kursit të historisë së vendit tim. Aq i admiruar është zoti Hill, sa që edhe auto shkollat në Prishtinë e kanë emrin e tij.
Po shoh në audiencë edhe zotin Goldberg. O zot, po ndihem si në shtëpi. Tërësisht mes miqsh. Zoti Goldberg ju falënderoj për mbështetjen dhe rolin tuaj për lirinë e vendit tim.
Dy ditë para nisjes për Shtetet e Bashkuara, ngjarjet në vendlindjen time ma përkujtuan brishtësinë e paqes, që po e lija pas.
Në një demonstrim të inatit ballkanik, dy pjesëtarë të policisë së Kosovës u kidnapuan nga xhandarmeria e Serbisë, derisa bënin patrullimin e rregullt përgjatë vijës kufitare. Fotografitë e tyre, të shtrirë përtokë u shpërndanë anekënd rajonit derisa Qeveria serbe krekosej me aftësinë e policisë së saj. Policët tani janë liruar, ndërkohë që retorika e ndërsjellë kërcënuese sot jehon përgjatë opinionit publik të rajonit.
Fatkeqësisht gjatë qëndrimit tim këtu në SHBA, një qytetar i komunitetit shqiptar është vrarë në pjesën veriore nga një akt terrorist, pikërisht për shkak të mungesës së sundimit të ligjit në atë pjesë.
Pse ndodhin gjëra të këtilla? Për çfarë arsye vazhdon të mirëmbahet industria e konfliktit përballë realitetit të ri të Kosovës? Përse vazhdohet vështirësimi i zhvillimit të saj? Mbi të gjitha: çfarë duhet të bëhet për ta tejkaluar trashëgiminë e urrejtjes ndër-etnike, të inateve politike dhe pengesave zhvillimore?
Ndër arsyet kryesore për vizitën time është pikërisht përpjekja për të vazhduar kërkimin e gjetjes së zgjidhjeve për maratonën e problemeve, që e rrethojnë shtetin tim të ri dhe të lirë.
Për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe për mua personalisht, është kjo një vizitë historike. Me të, mundësohen takimet me nivelet më të larta të udhëheqjes politike të Shteteve të Bashkuara: është ky një rast i madh për ne për ta ritheksuar ndikimin dhe ndihmën vendimtare amerikane që mundësoi shtetësinë tonë.
Përfundimisht, është mundësi e pacenueshme për ne për ti shpjeguar sfidat tona dhe gatishmërinë tonë për ti zgjidhur bashkërisht.
Në aspektin ekonomik, Qeveria e Republikës së Kosovës e konsideron eliminimin e barrierave të zhvillimit ekonomik, ruajtjen e stabilitetit makro-fiskal dhe fuqizimin e sektorit privat si prioritetet kryesore.
Kështu, Qeveria e Republikës së Kosovës është duke investuar në projekte kapitale në fushën e infrastrukturës rrugore, në sektorin e energjisë dhe atë të edukimit. Po ashtu, kemi filluar programin Të Bërit Biznes, me qëllim përmirësimin e mjedisit afarist. Principi bazë i të gjitha këtyre aktiviteteve është Qeverisja e Mirë.
Tani, Kosova është anëtarësuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Së shpejti, Kosova do të anëtarësohet edhe në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Si rezultat i kësaj, norma mesatare e rritjes ekonomike është vlerësuar të jetë mbi 5%. Normë kjo e cila është dy herë më e lartë se në periudhën para Shpalljes së Pavarësisë dhe dy herë më e lartë se ajo e vendeve fqinje.
Megjithatë, Kosova vazhdon të ballafaqohet me shumë sfida: të ardhurat për kokë banori janë ende më të ulëtat në rajon, norma e papunësisë është relativisht e lartë dhe ka varësi të lartë nga importi. Mirëpo, Qeveria është e përkushtuar të ballafaqohet me këto sfida me seriozitetin më madh.
Si kurdoherë më parë, përkrahja dhe udhëheqja e fuqishme amerikane është e domosdoshme për ta ndihmuar rajonin në tejkalimin e dallimeve të ndërsjella. Është e domosdoshme për ti siguruar banorët dhe popujt e tij në përfitimet zhvillimore, që mundësohen nga arsyeja, toleranca, drejtësia dhe demokracia.
Këto vlera, për të gjithë kosovarët pa dallim, përjetohen si parimet kryesore të vlerave amerikane. Tash e së paku njëzet vjet, si të tilla janë promovuar në sferën tonë publikejanë afirmuar, janë pranuar nga një popull i tërë dhe kanë rindërtuar shoqërinë e shtetit të sotëm të Kosovës.
Sot e tutje, zbatimi dhe ritheksimi i tyre vazhdon të jetë i domosdoshëm për ta funksionalizuar ambientin tonë shumë-etnik. Është pikërisht tradita dhe përvoja amerikane ajo për të cilën më së shumti ka nevojë një popull i vogëli lodhur nga konfliktet historike, por i gatshëm për ta shkruar historinë e re.
Një histori të paqes dhe zhvillimit, në të cilën Kosova do të imponohet si model shoqëror i shuarjes së dallimeve përmes pranimit të tyre; i tejkalimit të ndasive përmes integrimit--i shuarjes së armiqësive përmes arsyes, mirëkuptimit dhe kompromiseve.
Vendi i Kosovës është brenda familjes së madhe të Bashkimit Evropian. Anëtarësimi dhe barabarësia brenda saj mbetet udhërrëfim i shpresësjo vetëm për shtetin e Kosovës, por për të gjithë popujt e rajonit.
Zhvillimi i shoqërive tona mbi parimet që ndërtuan Evropën e Pasluftës së II Botërore është model sa i ndërlikuar, aq edhe i suksesshëm i ndërtimit të ardhmërisë ashtu që e kaluara të mos përsëritet.
Kosova nuk ka se si të mos pajtohet me një synim të tillë. Historia e viteve tona të pasluftës dëshmon për procese politike ku përfaqësuesit kosovarë ishin të gatshëm për largëpamësi në veprime dhe për arsyeshmëri në vlerësime.
Sikur në procesin e Rambujesë, 13 vjet më herët, ashtu edhe sot në takimet e Brukselit, udhëheqja shtetërore e jona dëshmon gatishmërinë e vet që ti pranojë vendimet sfiduese të së sotmes për hir të lehtësimit të jetës së nesërme.
Mbi të gjitha, kosovarët e kanë kuptuar se anëtarësimi në familjet e mëdha demokratike nuk mund të bëhet përmes pengimit të zhvillimit të tjetrit. Personalisht jam thellësisht i bindur se i gjithë rajoni do të humb, nëse portën e hapur të Bashkimit Evropian përpiqet ta mbyllë pas vete, për të tjerët. Veprimet e tilla janë fundamentalisht kundër-produktive dhe kundër-evropiane.
Mendoj se, në këtë kontekst, i kuptoj edhe kufizimet në veprim të faktorëve udhëheqës në Bashkimin Evropian. Përpiqem ti kuptoj edhe hezitimet, procedurat e ndërlikuara të ndërtimit të vendimeve dhe të artit të lodhshëm të konsensusit.
Mbi të gjitha, e kuptojmë dhe e përkrahim imperativin parimor të Brukselit, që inkurajimi i popujve të vazhdojë krahas kërkesave ndaj qeverive të tyre për ti pranuar dhe përmbushur standardet evropiane të tolerancës për dallimet etnike, kulturore e racore, dhe të mos-tolerancës për krimin, urrejtjen e korrupsionin.
Pikërisht këtu, në këtë proces sfidues, e shoh vendimtare përkrahjen dhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për ndihmën e madhe në mirëmbajtjen e shpresës mes popujve, në ritheksimin e garancive për të ardhmen e sigurt të qytetaritpër ndihmën në tejkalim të ndasive dhe për integrim të qëndrueshëm.
Sfidë jona e radhës është rikthimi i besimit dhe shpresës për banorët serbë në veri të Republikës së Kosovës. Dora e hapur e miqësisë, sigurisë dhe e zhvillimit që moti është drejtuar përtej lumit Ibër, nga Qeveria e Kosovës, dhe nga unë personalisht. Sikur kurdoherë më herët, jemi të gatshëm që qytetarëve tanë serbë tua dëshmojmë gatishmërinë tonë që së bashku ta ndërtojmë ardhmërinë e fëmijëve tanë. Programet ekonomike, fondet zhvillimore dhe vullneti politik i Qeverisë sonë janë të gatshme për tu implementuar, si garant i premtimeve tona.
Me këto angazhime, shpresojmë dhe jemi të bindur se do të zhduken arsyetimet dhe mosbesimi, në emër të të cilit është mbytur vullneti për bashkëpunim dhe bashkëjetesë.
Jam i bindur se me nisjen e zhvillimit dhe hapjen e vendeve të punës do të marrin fund edhe strukturat paralele, të bazuara mbi refuzimin e realitetit politik, të ndërtuar mbi marrëveshje e bashkëpunime ndërkombëtare.
Sa më shpejtë që banorët serbë nga veriu i shtetit tonë të bëhen pjesë e integruar e një Kosove të lirë e demokratike, aq më shpejtë dhe aq më i madh do të jetë zhvillimi i mbarë shoqërisë së saj. Aq më shpejtë do të merr fund mirëmbajtja e industrisë së konfliktit politik, mos-tolerancës etnike dhe shpërfilljes kulturore.
Një ardhmëri e këtillë për Kosovën dhe për mbarë Ballkanin është e mundshme dhe e pritshme. Mbi të gjitha, është e qëndrueshme dhe e garantueshme nëse është e mbështjellë me përkrahjen e fuqishme të popullit dhe të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Ata që ishin me ne gjatë luftës dhe çlirimit do të mbesin udhërrëfyesit tonë në paqe dhe liri.
/ Ligjërata e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mbajtur Shkollën Ndërkombëtare të Studimeve Ndërkombëtare Josep Korbel në Universitetin e Denverit/