25 Dhjetor 2024

Sfidat e rinisë kosovare

Shkruar nga Labinot Kunushevci

Të shkruash mbi sfidat e rinisë kosovare nuk është gjë e lehtë pasi që sipas statistikave zyrtare mbi 60% të strukturës së shoqërisë kosovare është rini. Pra rinia përbën një pjesë dhe një përqindje të madhe të popullatës kosovare e që njashtu edhe sfidat me të cilat ballafaqohet kjo rini në këtë kohë janë të mëdha dhe nuk është lehtë artikulimi i tyre në një temë të shkurtë si kjo.

Janë të mëdha për shkak se investime të mëdha bëhen mbi duart e rinisë, përgjegjësi dhe obligime të shumta bien mbi supet e rinisë, faktikisht rinia është promotor i zhvillimeve në vend.

Mbi supet e rinisë bie sfida e shkollimit, sfida e punësimit, sfida e krijimit të familjes, sfida e mbrojtjes së vlerave, sfida e integrimit etj.

Tema ime nga një këndvështrim sociologjik lidhet më shumë me sfidat dhe preokupimet e rinisë në vendin tonë. Dua të theksoj se rinia është boshti kryesor i një shoqërie, fuqia më e fortë punëtore, brumi ma i shëndetshëm dhe konglomerati i të gjitha vlerave shoqërore.

Por gjithashtu është edhe gjenerata më e ndjeshme, pasi që fillon me një fazë shumë delikate dhe shumë kritike e që njihet si adoleshencë, ku dhe fillon pjekuria psiko-sociale, fizike, seksuale etj.

Së pari duhet të kuptojmë se njeriu është qenie sociale, i cili domosdoshmërisht duhet të integrohet në një shoqëri dhe  patjetër se duhet të ndihmohet në këtë rrugëtim nga mekanizma të ndryshëm, duke filluar nga agjensi i parë i socializimit e që është familja, pastaj nga shkollimi – arsimimi i tij, pastaj nga mjedisi, pastaj nga mediet e ndryshme e kështu me radhë deri te mekanizmi më i lartë institucional – shteti. Të gjithë së bashku nga një tjegull në ndërtesën e quajtur rini, e cila po u shemb, shembet një popull në tërësi.

Sfida e arsimimit

Një nga sfidat dhe preokupimet primare që një të ri kosovar e kaplojnë në këtë kohë tranzicioni në vendin tonë është edhe shkollimi, arsimimi, formimi si kuadër shkence, për të cilin nëse flasim për të kaluarën e regjimit serbo-sllav, mund të themi se mungesa e shkollimit ka qenë thukshëm më e përhapur dhe si rezultat kanë munguar kuadra nga të rinjtë kosovarë në nivel më të gjerë.

Regjimi serbo-sllav ka ndikuar në sistemin arsimor dhe kjo dukshëm ka krijuar ngecje intelektuale në radhët e kosovarëve. Më kujtohet se si një imam i vjetër 90 vjeçar, Iljas Rrahmani, më tregonte njëherë gjatë një interviste me të se si në kohën e komunizmit ishte më rrezik të të gjendeshin shkronjat shqipe se sa arma!

Pra aq është luftuar shkronja shqipe, shkollimi i shqiptarëve, saqë më shumë sanksionoheshe nëse të gjendej ndonjë shkronjë shqipe se sa ndonjë armë; revole, pushkë automatike apo çfarëdo qoftë. Dhe dihet se si ata të rinjë që kanë pas fatin e shkollimit, me çfarë sfidash dhe kushtesh janë ballafaquar.

Ndërsa sot, pasi ka kaluar ai regjim i egër, pas luftës çlirimtare, pasi formuam shtetin tonë, rrugët dhe mundësitë e shkollimit janë më të mëdha dhe një nga kriteret e plotësuara është se librat për nxënësa mundësohen falas nga Ministria e Arsimit.

Pastaj hapja e shumë shkollave të reja, formimi i shumë kuadrave; mësuesë, arsimtarë e profesorë të ndryshëm, por ende duhet punë dhe investim. Nga një hulumtim që është bërë thuhet se 23.000 fëmijë kosovarë në vit regjistrohen në shkollë fillore.

Tek të rinjtë mungon motivimi për karrierë të suksesshme, motivimi për arsimim dhe punësim, në këtë drejtim shumë pak investohet. Rinia kosovare sot në vizionin e saj e ka krijimin e një karriere, të cilën karrierë shumica prej tyre nuk e ëndërrojnë pa kryerjen e studimeve.

Madje edhe deri në nivelet më të larta, si Master dhe Doktoraturë në të gjitha disiplinat shkencore. Por brenda për brenda sistemit dhe rrjedhave të studimit ka vend për kritikë, përmirësim e ndryshim.

Shumicën e studentëve kosovarë nëse i pyet mbi ‘Sistemin e Bulonjës’, kanë për t’u përgjigjë se ky sistem e ka shkatërruar arsimin tek ne dhe patjetër duhet të ndërrohet.

Pastaj mungesa e mësim-besimit fetar në shkolla, gjë për të cilën ka nevojë kjo rini, këta nxënës të shkollave fillore e të mesme, që ta njohin fenë e tyre, profetin e tyre, librin e shenjtë të tyre, të edukohen në frymën fetare dhe të kompletohen si duhet edhe nga aspekti shpirtëror.

Pastaj është interesant fakti edhe tek çëshja e kriteriumit të punësimit në bazë të shkollimit, e këtu na del edhe një sfidë e radhës tejet e rëndësishme për rininë kosovare.

Sfida e punësimit

Nuk do të shkruaj mbi gjendjen e papunësisë, as për shifrat alarmante të papunësisë sepse janë të qarta dhe të njohura. Kosova si shtet ka nivelin më të ulët të të ardhurave për kokë banori në Ballkan dhe Europë.

Sipas Ueb-faqes amerikane për biznes dhe teknologji Business Insider, që bëjnë analizën e papunësisë dhe inflacionit të vendeve, për vitin 2013 Kosova renditet e nënta me radhë.

Ani pse tek shifrat – statistikat mbi numrin e të papunëve kam një dyshim të vogël për shkak se nuk mendoj që numri i të papunëve është aq ekstrem i lartë siç raportohet në medie dhe fakt për këtë është se shumë biznese, firma e kompani të ndryshme që funksionojnë në tregun kosovar, funksionojnë të pa palicencuara – të paregjistruara për t’iu ik tatimeve shtetërore dhe kuptohet se ata ‘gardianë të atyre bizneseve’ nuk i regjistrojnë as punëtorët e tyre dhe de fakto dhe de jure ata punëtorë që punojnë nuk llogariten fare dhe kuptohet pastaj se shifrat e ‘të papunëve’ janë marramendëse.


Sidoqoftë, edhe punësimi mbetet sfidë e rinisë kosovare dhe ndoshta numër një, por është interesant se në Kosovë kriteri i Masterit (nivel shkollimi universitar) nuk kërkohet për t\'u bërë kryetar, as kryeministër, as deputet, as ministër, as drejtor e as menaxher, ndërsa kërkohet për t\'u bërë një punëtor në nivel më të ulët, ku edhe paga dhe benificionet janë më të ulëta, madje kërkojnë edhe nga tri vite përvojë pune së paku. Ku e ka vendin elita? Çka është t\'u ndodhë kështu? Kjo ndodhë në Kosovë!

A s\'është paradoks dhe mbrapshti kriteriumi në sferën e punësimit në Kosovë?! Nëse i hap konkurset do të hasësh që për një vend pune të caktuar kërkohet niveli Master dhe së paku tri vite përvojë pune! Jo e gjithë rinia kosovare disponon Master dhe tri vite përvojë për ta plotësuar atë kriter. Edhe kjo më duket veç tek ne ndodhë.

Nëse shkon në shtetet evropiane, shembull në Gjermani, gjasat për t’u punësuar janë më të mëdha edhe atë duke mos qenë fare kriter niveli Master.

Sepse atje paguhet më shumë dora e punës, zanati, prodhimi, produktiviteti në veprimtari e nuk kriterizohet vetëm ana teorike, diploma universitare dhe titulli akademik. Shembull zanatlinjtë e veterinarisë janë milionerë në Gjermani nga puna e atij zanati dhe të ngjashme si ky zanat.

Ndërsa në Kosovë kemi djem dhe vajza të reja me tituj të nivelit Master dhe ende bredhin poshtë e përpjetë në kërkim të një pune e ndoshta e kalojnë ditën me vetëm dy euro në ditë.

Pastaj kjo krijon dëshprim me realitetin kosovar dhe dëshirë për emigrim në vendet evropiane. Dhe këtë e shohim se si shumë të rinjë që s’e kanë pasur fatin të gjejnë perspektivë ekonomike në vend, e presin me mallë liberalizimin e vizave dhe gjithmonë kur përmendet papunësia dhe zhvillimi i vogël ekonomik bashkë me mbijetesën, ata thonë se nga kriza mund të dilet vetëm nëse emigrojnë diku në ndonjë shtet më përparimtar në Europë.

Vërtetë kjo e dhimbshme! Niveli i ulët i zhvillimit ekonomik dhe shkalla e lartë e papunësisë si shkaktarët kryesorë të varfërisë në Kosovë, po e ngufasin dita-ditës rininë tonë.

Vështirë të jetohet në një vend ku s’mund ta sigurosh as kafshatën e gojës e as të sigurosh strehë mbi kokë. Paradoksi tjetër është se mund të jetë jurist i diplomuar, por punën e bën të kamarierit, shankistit, pastruesit etj!

Sidoqoftë, këtu shteti duhet ta shtrijë dorën mbi këtë rini dhe t’ua lehtësojë rrugën e punësimit dhe përparimit ekonomik dhe t’i profilizojë secilin prej tyre në bazë të avansimit të shkollimit sepse këtu varet çdo kusht dhe standard i jetës, mbi të gjitha institucioni bioemocionalo-socioekonomik që përbën bazën e çdo shoqërie e që është familja.

Sfida e krijimit të familjes

Edhe krijimi i familjes mbetët sfidë e radhës e rinisë kosovare. Shumë prej të rinjve gjatë cikleve shkollore apo gjatë studimeve universitare krijojnë lidhje dashurie dhe është bërë një far trendi modern mu sikur në kulturën evropiane, ku prej kësaj lidhje shumë prej tyre kalojnë në atë që e quajnë ‘bashkëjetesë’, me apo pa miratimin e përgjegjësit të vajzës, respektivisht prindit të quajtur babë, ndërsa martesa dhe krijimi i familjes vonohet dhe edhe kur arrihet deri tek martesa dhe krijimi i familjes, fatkeqsisht edhe planifikimin familjar shumë të rinjë e bëjnë sipas kulturave të huaja të servuara tek ne.

E që kjo i bie ikje nga origjina jonë, nga tradita jonë, nga kultura jonë, nga parimet dhe normat tona fetare, kombëtare e shumëshekullore dhe pasim i verbër, imitim i verbër i të huajve.

Ndërsa nëse flasim për të kaluarën, t’i referohemi demografes Mimoza Dushi, e cila na thotë: “Numri më i madh i martesave, i arritur ndonjëherë në shoqërinë kosovare, është pas Luftës së Dytë Botërore, ku shënohen 11.3 lidhje martesore në çdo njëmijë banorë”.

Duhet pas kujdes! Shumë herë lidhjet jashtëmartesore çojnë në amoralitet dhe degradim moral. Përgjegjësia nuk është vetëm e të rinjve, por së pari e prindërve, edukatorëve të parë të fëmiut sepse fëmiu është pasqyrim dhe reflektim i edukatës së marrë nga prindi. Ku është roli familje, kur prindi, babai urdhëron dhe të tjerët ndëgjojnë, ku humbi ky rend kaq i bukur që e kemi pas?

Tash shumë të rinjë s’ia vën veshin askujt dhe kështu nëpërkëmbet institucioni i urdhërimit në të mirë dhe ndalimit nga e keqja.

Përgjegjësi e familjes është furnizimi i fëmiut, edukimi shpirtëror i fëmiut, arsimimi i fëmiut e deri te formimi i tij si një personalitet me të gjitha virtytet, karakteristikat dhe aftësitë e tij për jetë.

Njashtu shohim se ka rënie të natalitetit tek ne në Kosovë dhe kjo është rezultat i shumë faktorëve; si social, ekonomik etj. Rinia një vëmendje të posaqme duhet t’i kushtojë kësaj sfide.

Sfida e mbrojtjes së vlerave shoqërore

Sfidë tjetër e rinisë kosovare, sidomos pas luftës, është edhe raporti i tyre me vlerat morale, shpirtërore, jeta e tyre në sferën publike, rezistimi ndaj stuhive që vijnë nga kultura krejtësisht të huaja në vendin tonë që e ndërrojnë identitetin tonë kulturor. Është investuar dhe vazhdon të investohet shumë në devijimin e rinisë kosovare së pari duke i larguar nga praktika fetare drejt një jete të shthurur morale.

Këto investime importohen nga jashtë dhe nga brenda! Rezultat është sjellja asociale që bëhet nga shumë të rinjë në sferën publike, pastaj përhapja e dukurive devijante, imitimi i verbër, pasimi i estradës çoroditëse kosovare, me në krye artistë e këngëtarë të shumtë, duke bërë disa përjashtime të vogla, të cilët merren si model jete dhe ashtu i joshin shumë të rinjë, ndërsa ata vetëm i realizojnë qëllimet e tyre dehëse, egoiste, autoritative, famoze dhe trushpërlarëse.

Rinia duhet së pari ta mbrojë besimin në Zot, fenë e tyre me të gjitha vlerat dhe normat që ka, e cila luftohet dhe mundohet të manipulohet.

Pastaj rinia kosovare duhet ta dijë kënd e ka mik dhe kënd e ka armik, kënd duhet ta pasoj dhe kënd duhet ta refuzoj. Duhet të ruhet nga çdo propagandë mediatike.

T’i shmanget dukurive devijante, si: bixhozi, duhani, alkooli, narkomania, prostitucioni, vjedhja, mafia, manipulimi, kontrabanda etj. Vëllavrasja s’është zgjidhje!

Vetëvrasja s’është zgjidhje edhe pse statistikat tregojnë se çdo 40 sekonda, diku në botë, një person bën vetëvrasje, e që llgoariten diku 1 milion raste gjatë një viti.!

Trafikimi me qenie njerëzore s’është zgjidhje edhe pse statistikat tregojnë se mbi 10 milionë qenie njerëzore vuajnë në skllavëri në mbarë botën për shkak të trafikimit të tyre, ku kryesisht janë rini dhe dhuna që ushtrohet ndaj tyre është dhunë psikike, fizike, shpirtërore, seksuale, ekonomike etj.

Dhe kjo i ka shkaqet e veta, të cilat ia vlen t’i përmendim për shkak se edhe në shoqërinë kosovare, në mesin e të rinjve ndodhin raste të tilla trafikimi.

Shkaqet e trafikimit në raport me viktimat janë: 1. Varfëria ekonomike, 2. Dhuna psikike, 3. Dhuna fizike, 4. Mungesa e shkollimit, 5. Dukuritë dëmtuese etj. Shkaqet e trafikimit në raport me trafikantët janë: 1. Përfitimi, 2. Rritja e mangësive/varfërisë, 3. Dënimet e vogla për trafikantët, 4. Kufijtë e brishtë dhe komunikimi teknologjik etj. Ndërkaq, shkaqet e trafikimit në raport me shoqërinë, janë: 1. Ekonomia në tranzicion, 2. Migrimi femëror, 3. Diskriminimi mbi baza gjinore, 4. Zhvillimi i industrisë seksuale, 5. Politika e integrimit etj. Të dyja gjinitë bien viktimë e trafikimit, e në veçanti femra.

Andaj, një shoqëri e shëndoshë, me besim dhe frikë-respekt ndaj Allahut, Krijuesit të tyre, duke qenë praktikues të fesë, pastaj duke u bërë të shkolluar e arsimuar mirë dhe duke u kapur për pune, vetëm kështu mund të dalin nga hendeqe të tilla, nga tunele të errëta e aspak progresive, në mënyrë që t’i kontribuojnë vlerave shoqërore e cila mbetët sfidë për ta, ku me të cilën do ta arrijnë një standard më të mirë të jetës.

Sfida e integrimit

Dhe gjithashtu nga sfidat e rinisë kosovare është edhe integrimi apo inkuadrimi në Evropë dhe botë duke hyrë në gara dhe duele me kuadrat e huaja të të gjitha lëmive. Dhe këtu suksesi nuk ka munguar edhe pse kemi ngecje në shumë sektorë e profile të jetës.

Por në aspektin sportiv, së fundi një nder dhe arritje të madhe që ia bëri shtetit të Kosovës ishte edhe Majlinda Kelmendi, e cila e fitoi kupën e arit në “Xhudo 2013” e cila u mbajtë në Brazil. Rinia kosovare duhet t’ia ketë lakmi dhe edhe në fushat e tjera të avansohet dhe t’u tregojë botës se edhe ne kemi vlera të shtrenjta.

Përfundim

Për fund mund të them se ka edhe shumë sfida të tjera me të cilat rinia kosovare ballafaqohet në këtë kohë. Unë i ceka dhe elaborova shkurtimisht vetëm pesë prej tyre.

Rininë kosovare e presin sfida e obligime të shumta, ndoshta edhe ngërçe e atentante të ndryshe nga dashakeqë të shoqërisë, por duhet të dijë t’u rezistojë dhe drejt progresit dhe suksesit të vazhdojë. Zoti e ndihmoftë rininë tonë drejt suksesit!


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)