23 Dhjetor 2024

Sfidat e Kosovës për tu bërë pjesë e familjes evropiane

Shkruar nga Avdullah Hasani
 
Prej kaq vitesh flasim për tranzicionin e gjatë dhe të vështirë të Kosovës pa një kuptim të përcaktuar të tij. Më duket se oreksi ynë i ka dhënë vlerë asaj, që në të vertetë në vetvete, nuk duhet të ekzistojë fare. I kemi dhënë “qytetari” tranzicionit, pa u angazhuar plotësisht për t’i dhënë fund atij dhe për ta kthyer nga një proces jonormal  të kufizuar në kohë, në një realitet të ri, i cili përmes stabilitetit na fokuson në njohjen e vlerave tona dhe përqendrimin tek progresi, të cilin Evropa e ka arritur, duke u udhëhequr nga ide të shumta të ndryshme.

E tanishmja nuk meriton që të bësh diçka për të: ajo që ekziston sot, një çast më vonë mund të bjerë. Duhet të mendojmë për të shkuarën dhe për të ardhmen - për të shkuarën që t’ia njohim meritat dhe vlerat, për të ardhmen që të përpiqemi t’ia shtojmë vlerën dhe t’i çmojmë të rinjtë, pra, të ardhmen.

Tingëllon si një udhërrëfyes për shoqëritë në tranzicion. Po i lejoj pra vetes, që fjalës “tranzicion” për Republikën e Kosovës, t’i jap kuptimin e të gjitha veprimeve që duhet të kryejë mendimi, shoqëria, politika dhe ekonomia  për të plotësuar kriterin e Kopenhagës, për të arritur standartet e BE-së.

Në entuziazmin e shoqërisë në përgjithësi dhe të rinjve në veçanti dhe institucioneve që ta integrojnë Republikën e Kosovës  për t’u bërë si Europa, mungon akoma vetëdija per t’u matur me këto kritere. Krijimin e vendeve të punës shpeshherë e ka zënë retorika e  shumë  politikanëve. Realitetet e reja na kërkojnë neve që të të përqendorhemi ndryshe.

Tashmë çështja shtrohet në nevojën për një përqendrim të qartë të politikës kosovare, për të realizuar transformimin e nevojshëm. Ndërmarrja e aktiviteteve përkatëse përmban brenda sfidën, por njëkohësisht është e mundshme për t’u realizuar. Shoqëria, Qeveria  e Kosovës e ka vetë në dorë shpejtësinë e kryerjes së proceseve ndryshuese dhe integruese.

Pa nënvlerësuar aspak kriteret që kanë të bëjnë me ekonominë dhe aftësinë për të marrë përsipër detyrime nga më të ndryshmet.

Institucionet po angazhohen që të  gjejnë vendin e vet gjithnjë e më mirë dhe qartë. Sistemi duket sikur punon, pavarësisht mungesës së perfeksionimit dhe shfaqjeve të personalizimit të institucioneve. Ajo që unë shoh si pengesë për një konsolidim më të shpejtë të procesit politik është gjendja ekzistuese dhe raportet mes vete të partive politike.

Kjo po bëhet shumë shqetësuese nga dita në ditë, pavarësisht përpjekjeve për reformim dhe krijim të demokracisë brenda partive si dhe “dhënien” e një hapësire të re  për gjeneratat e reja, që nënkupton se në thelb nuk kemi arritur të krijojmë institucionin e demokracisë së brendshme.

Kjo do të krijonte me tepër demokraci në vendimmarrje, më tepër llogaridhënie, do të luftonte familjarizimin e pushtetit, nepotizmin, abuzimin dhe korrupsionin. Kështu që, në thelb do të mund të realizohej që mandati politik të mos përdorej ndryshe, përveçse në përputhje me vullnetin e popullit  dhe me dëshirën që të integrohemi.

Ky vullnet është i qartë dhe kërkon një shpejtësi më të madhe në proceset europianizuese, shpejtësi të cilën deri tani klasa politike nuk ka qenë në “gjendje” ta ofrojë. Për një shpejtësi më të madhe në ecje ka nevojë për një vullnet më të qartë për ndryshime të përmasve të mdha.

Pra, ne duhet të përqendrojmë të gjitha energjitë shtetërore në marrëdhënien tona me Evropën.  Të gjithë ne, të moshuar apo të rinj, gra dhe fëmijë, duhet të gjejmë vetveten në këtë marrëdhënie dhe të qartësojnë çfarë duhet të ndryshojë në këtë realitet mundues dhe të ndihmojmë rrugën e progresit.

Ndërkohë ata që favorizohen prej ndryshimit duhet të jenë të vetëdijshëm se ky ndryshim duhet bërë në të mirën e përparimit më të shpejtë në marrëdhënien tonë me Evropën.


(Autori është President i Këshillit të Rinisë Evropiane të Kosovës)

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)