Sfidat e hapjes dhe mbajtjes së një biznesi funksional
Shkruar nga Arbër Berisha
Kosova vazhdon të jetë ndër vendet më të pa përshtatshme në botë për të bërë biznes për shkak të procedurave të gjata dhe zvarritjeve e komplikimeve të shumta të tjera që nga hapat e parë për hapjen (regjistrimin) e një biznesi por edhe më pas gjatë ekzistencës së tij.
Kjo është kështu për shkak të numrit të madh të dokumentacionit të kërkuar sipas ligjeve dhe akteve në fuqi e po ashtu edhe për shkak të vonesave të shumta në përpunimin dhe zbatimin e tyre nga institucionet dhe administratës vendore nga niveli qendror e deri tek ai lokal.
Një konkludim i këtillë mund të bëhet duke u bazuar nga raporti i fundit i Bankës Botërore (BB) për vitin 2012, Të bërit biznes në Evropën Lindore. Përsëri sikur edhe në vitin e kaluar Kosova sipas analizës dhe kritereve të BB-së renditet në vendin e 117-të për të bërë biznes.
Përderisa vendi i 117-të në konkludimin dhe përmbledhjen e të gjitha kritereve mund të duket edhe jo aq i keq për dikë, është shqetësuese se po në të njëjtin raport, për disa faza të të bërit biznes Kosova zbret edhe më shumë në këtë ranglistë. Është fjala për fazën e parë: hapjen e biznesit dhe po ashtu edhe në mbrojtjen e investimeve.
Sipas këtij raporti të BB-së, Kosova ka shënuar rënie në ranglistën për hapjen e një biznesi të ri, sepse me kushtet që duhet plotësuar dhe procedurat që duhet kaluar nëpër to, vendi i ynë klasifikohet në vendin e 168-të për vitin 2012 nga gjithsejtë 183 shtete në listë.
Në vitin 2011 Kosova ishte e 165-të në listë duke shënuar kështu një rënie të lehtë për 3 vende më poshtë.
Ndërsa, në mbrojtjen e investitorëve, BB-ja në raportin e vet Kosovën e rendit edhe më keq, në vendin e 174-të. Kjo kështu për shkak të mungesës së sigurisë për investitorët; korrupsionit të lartë; krimit ekonomik; ekonomisë joformale; konkurrencës joligjore; kontrabandës në nivel shumë të lartë dhe mbi të gjitha mosfunksionimit të rendit dhe ligjit.
Bazuar nga ky raport dhe një analize të detajuar të kësaj fushe në vendin tonë, të hapësh një biznes në Kosovë është edhe sfidë, duke marrë parasysh një seri pengesash dhe vështirësish siç janë; burokracia ekzistuese; konfliktin e kompetencave ligjore; kohën e shfrytëzuar dhe vështirësitë e llojllojshme të tjera që nevojiten për hapjen e një biznesi funksional në Kosovë.
Përkundër deklarimeve nga zyrtaret Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe marketingut nëpër media për lehtësimet e hapjes se një biznesi funksional në Kosovë, tash e 13 vite kjo nuk po ndodhë ashtu siç do të duhej, ose po ndodhë në mënyrë shumë të ngadalësuar.
Gjate viteve të fundit nuk mund të themi se nuk janë bërë disa reforma pozitive në këtë fushë, por lehtësimi i të bërit biznes në Kosovë lë shumë për të dëshiruar.
Edhe pse pothuaj në të gjitha komunat e Kosovës janë hapur qendrat e regjistrimit të biznesit, në këto qendra vetëm mund të aplikohet për regjistrimin e një veprimtarie biznesore, prapëseprapë aprovimi për tu pajisur me certifikatën e biznesit bëhet në zyrën qendrore për regjistrimin e bizneseve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Prishtinë dhe kjo zgjat dhe shkakton vonesa të pa arsyeshme.
Hapa pozitiv që janë ndërmarrë në këtë drejtim janë se tani me regjistrimin e biznesit të ri bizneset në të njëjtën kohë pajisen edhe me certifikatën e numrit fiskal; është hequr taksa për regjistrimin e biznesit; është hequr kapitali themelues te Shoqëritë me Përgjegjësi të Kufizuar e Shoqëritë Aksionare dhe heqja e disa dokumenteve shtesë të panevojshme.
Këto masa të reja kanë ndikuar në lehtësimin e pjesërishëm për regjistrimin e një biznesi në Kosovë. Por pavarësisht këtyre ndryshimeve koha e regjistrimit të një biznesi dhe pajisja me gjithë dokumentacionin e nevojshëm shkakton vonesa të panevojshme në përgatitjen e një biznesi krejtësisht funksional sepse duhet afërsisht një javë për pajisjen me certifikatë të regjistrimit dhe certifikatë të numrit fiskal për bizneset individuale ndërsa për Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar dhe Shoqëri Aksionare dy javë ose me tepër.
Pas pajisjes me certifikatë të regjistrimit dhe certifikatë të numrit fiskal duhet të aplikohet për pajisjen me certifikate për regjistrimin në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, aplikimin e regjistrimit në Tatim në të Ardhura Reale (Tatim në Fitim) ose Tatim në të Ardhura të Korporatave, regjistrimi i punëtoreve që bëhet në Administratën Tatimore të Kosovës(ATK). Dhe koha e shfrytëzuar për të gjitha këtë dokumentacion është afërsisht 15 deri 20 ditë pune për hapjen e një biznesi funksional që ndikon në komplikimin e procedurave dhe vonesën panevojshme në të bërit biznes në Kosovë.
Konflikti i kompetencave
Sfidë tjetër që vështirëson të bërit biznes në Kosovë është konflikti i kompetencave në mes ligjeve të aplikueshme nga ATK-ja dhe Inspekcioneve të tregut nëpër komuna në kontrollet e vizitat në biznese apo kompani të ndryshme. Përzierje të kompetencave kemi tek aktivitetet e këtyre dy organeve sepse që të dy këto institucione në kontrollet nëpër biznese kërkojnë librat e evidencës dhe regjistrimet dhe që të dyja ndëshkojnë bizneset për të njëjtën gjë që është në kundërshtim me normat ligjore si vendore po ashtu edhe ndërkombëtare.
Fillimisht këtu kemi një konflikt ligjor të kompetencave sepse ATK-ja këtë gjë e ka të rregulluar me nenin 53, pikat 2, 2.1, 2.2, 2.3, 2.4 dhe piken 5 po të këtij neni të Ligjit Nr. 03/L-222 dhe nenin 7 në Udhëzimin administrativ nr. 16/2009, duke filluar me ndëshkimet mandatorë varësisht nga qarkullimi i kompanisë nga viti paraprak , në shumën prej 125 Euro deri në 1000 Euro, për mos mbajtje të librave dhe regjistrimeve. Po ashtu edhe Ligji Nr. 2004/18, mbi tregtinë e brendshme që aplikohet nga Inspekcionet e tregut në komuna në nenin 41 të ligjit në fjalë pothuajse e rregullon të njëjtën çështje për obligimin e mbajtjes se evidencave dhe regjistrimeve, ku ndëshkimet që aplikohen për mos mbajtjen e tyre janë prej shumës 1000 Euro deri në 3000 Euro, dhe shumë shpesh ndodhë që bizneset të ndëshkohen nga dy institucione të ndryshme për të njëjtën gjë.
Po ashtu të njëjtën situatë e hasim te mallrat pa origjinë edhe aty ka konflikt ligjor të kompetencave sepse të dy këto institucione ndëshkojnë për të njëjtën vepër, ndryshon vetëm shuma dhe lartësia e gjobave.
Burokracia e regjistrave
Bazuar në legjislacionin e aplikueshëm në Kosove një biznes individual sa do i vogël që është pa përjashtim, duhet të posedojë një grumbull të regjistrave, duke filluar nga: libri shitjes, libri i blerjes, libri i arkës, libri i punëtorëve, lista e punëtorëve, faturat, kuponët fiskal, kontratat, gjendjen - historinë e llogarisë bankare, regjistrimin e stoqeve, arkën fiskale, deklaratat e tatimore dhe pagesa e tyre, pëlqim për kushtet sanitare që lëshohet nga organet komunale, pëlqim për mbrojtjen në punë që lëshohet nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Kur të mblidhen të gjitha këto, përveç kostos së madhe për mbajtjen e tyre është edhe burokraci e pa nevojshme e regjistrave për funksionimin e një biznesi funksional. Nga të gjitha këto do të duheshin të mos ishin as gjysma e tyre, sepse tani më është koha e teknologjisë informative dhe reduktimi i këtyre regjistrave do të ishte shumë i lehtë.
Të gjitha këto që u thanë më lart janë një pengesë e madhe për zhvillimin e sektorit privat, në thithjen e investimeve të huaja, në pengesën e zhvillimit të bizneseve serioze, në përmirësimin e imazhit te investitorët e huaj dhe përmirësimit në ranglistën e raportit të Bankës Botërore Të bërit biznes në Kosovë .
(Autori është master i Shkencave Juridike-Financiare)