22 Dhjetor 2024

Sfida e zhvillimit ekonomik

Shkruar nga Christopher Dell

Kriza më e rëndë ekonomike e shtatëdhjetë vjetëve të fundit e ka sjellë ekonominë në krye të agjendave të shumë shteteve. Ndonëse shenjat e rimëkëmbjes vazhdojnë të shfaqen, rreziqet fshihen, siç tregon qartë trazira në Greqi. Kosova ka fat sepse e përballoi pjesën më të keqe të kësaj stuhie ekonomike më mirë se shumica e fqinjëve të saj. Për fat të keq, arsyet për shpëtimin e Kosovës nuk janë shkak për kremtim. Kosova i shpëtoi këtij infektimi për shkak të integrimit të saj të dobët në tregjet evropiane dhe botërore. Kapitali nuk iku, sepse kishte vetëm nivele minimale të investimeve të huaja në ekonomi. Eksportet nuk shënuan rënie, sepse ato ishin tashmë në nivelin më të ulët. Ajo që e izolon Kosovën nga kriza botërore sot do ta pengojë të përfitojë nesër gjersa ekonomia botërore rimëkëmbet.

Qytetarët e Kosovës kanë treguar aftësi të mahnitshme për të mbijetuar. Ekonomia hije -- e tërë veprimtaria që është “jashtë llogarive” -- është e madhe dhe shërben si “amortizator” kundër kohëve të vështira. Bijtë dhe bijat besnike, që Kosova i ka “eksportuar” në botë, vazhdimisht u dërgojnë para familjeve që i kanë lënë prapa. Por Kosova vazhdon të konsumojë shumë më tepër se që prodhon, investimi është i ulët, papunësia është e lartë, dhe bizneset private përballen me një sërë pengesash që i pengojnë ato ta arrijnë potencialin e tyre të vërtetë.

Një ekonomi e tillë e çekuilibruar është e paqëndrueshme për një afat të gjatë. Është e domosdoshme që Kosova ta zhvillojë një bazë të fortë ekonomike – dhe ligjore – që do t’i mundësojë të bëhet kandidate e suksesshme dhe e fortë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ekziston vetëm një mënyrë për ta arritur këtë – me një ekonomi të lirë, të lirë nga ndërhyrja e shtetit dhe të udhëhequr nga një sektor konkurrues privat që krijon vende pune dhe pasuri për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Rritja e përshpejtuar ekonomike duhet të mbetet përqendrimi më i lartë i Kosovës tani dhe në të ardhmen e parashikueshme. Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, ju dhe partnerët tuaj ndërkombëtarë jeni përqendruar në krijimin e institucioneve të reja të Kosovës. Kjo ishte zgjidhja e drejtë – zgjidhja e vetme. Me ndihmën e miqve të saj ndërkombëtarë, sot Kosova ka një strukturë liberale qeverisëse që mund ta mbështesë një ekonomi të hapur. Ekziston një kornizë moderne ligjore në vend, normat e taksave janë ndër më të ulëtat në Evropë, përdorimi i euros ka sjellë stabilitet dhe inflacion të ulët, dhe sektori bankar është modern, fitimprurës, dhe ndihmon për t’i përmbushur nevojat e likuiditetit të ekonomisë. Reformat në tregun e punës e thjeshtësojnë punësimin e njerëzve. Kjo përpjekje madhështore tani pothuaj ka përfunduar, dhe koha është për një përqendrim të ri.

Ekonomia e Kosovës është rritur me një ritëm prej 3 deri 5% në vit dhe pritet të vazhdojë të rritet me të njëjtin ritëm. Këto norma të rritjes do të mjaftojnë dhe madje do të jenë të admirueshme për ekonomitë e pjekura, si të Shteteve të Bashkuara, që “vetëm” përballen me një shkallë papunësie prej rreth dhjetë për qind, diçka që e konsiderojmë shumë të lartë. Kosova, sipas disa vlerësimeve, ka një shkallë papunësie prej 45%, dhe deri në 75% për të rinjtë. Nëse dëshironi t’i ndryshoni ato shifra – dhe natyrisht që dëshironi -- tre deri në pesë për qind në vit thjesht nuk e ulin atë. Çdo vit, rreth 30.000 të rinj hyjnë në tregun e punës duke kërkuar punën e tyre të parë. Kjo do të thotë, Kosova duhet të krijojë 30.000 vende të reja pune në vit vetëm për ta përballuar këtë. Në vend të kësaj, ajo ka krijuar rreth 3-4.000 vende të reja pune në vit, me fjalë të tjera, ka krijuar vetëm një të dhjetën e vendeve të punës që i duhen për të qëndruar në nivel. Për t’i absorbuar këta kërkues të rinj të vendeve të punës dhe për ta zvogëluar numrin e të rriturve tashmë të papunë, norma e rritjes ekonomike duhet të jetë shumë, shumë më e lartë. Dhe kjo nuk fillon t’i qaset përmirësimit të të ardhurave, dhe jetës, të atyre që kanë vend pune. Për ta ulur shkallën e papunësisë dhe për të shkuar drejt niveleve të të ardhurave evropiane, Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se Kosova duhet të ketë rritje ekonomike së paku 7% në vit. Dhe duhet ta mbani atë shkallë të rritjes për një periudhë të qëndrueshme.

Edhe me një kornizë moderne ekonomike në vend, ju nuk jeni askund afër këtij qëllimi sot. Rritja nuk po ndodh, pak biznese janë duke u krijuar, ka pak investime vendore apo të huaja dhe eksportet e Kosovës kanë shënuar rënie. Nuk është e paarsyeshme të pyetet çka i mungon ekonomisë. Përgjigja është diçka shumë thelbësore, diçka që e di që të gjithë kosovarët e çmojnë shumë – liria. Ekonomia e Kosovës duhet të jetë e lirë nga barra e shtetit. Sektori privat duhet të lejohet ta marrë vendin e drejtuesit. Kjo është mënyra e vetme për t’i krijuar mallrat, shërbimet, eksportet, vendet e punës, dhe rritjen që do t’i mundësojë Kosovës ta marrë vendin e vet të drejtë në Evropë. Kjo është, në të vërtetë, mënyra më e mirë, mbase e vetme, për ta siguruar mbijetesën afatgjate të Kosovës së pavarur.

Gjersa i kërkojmë përgjigjet për sfidat ekonomike të Kosovës, t’i shqyrtojmë disa modele të mundshme. Gjatë tridhjetepesë vjetëve të kaluara, vetëm disa vende ia kanë dalë t’i mbështesin normat e larta të rritjes ekonomike për një dekadë apo më tepër. Disa vende, si Angola, Butani, dhe Azerbajxhani, kanë gëzuar norma të larta të rritjes ekonomike për shkak të pasurisë së resurseve natyrore dhe rritjes së çmimeve botërore të mallrave. Por disa prej tyre e kanë arritur këtë në fund – Angola, një vend në të cilin kam shërbyer dhe të cilin e njoh mirë, pritet të shënojë rritje prej vetëm 1.5% për person gjatë 3-4 vjetëve të ardhshme, një rënie prej mbi 10% gjatë dekadës së kaluar. Për më tepër, pak nga kjo pasuri e re e naftës së saj ka rrjedhur poshtë tek të varfrit e Angolës – pjesa dërmuese e popullsisë. Në të vërtetë, rritja e nxitur vetëm nga resurset shpesh ka efekt të kundërt të shkatërrimit të vendeve të punës, sepse valuta e fortë shpie drejt rritjes së importeve në llogari të mallrave të prodhuara në vend.

Ekziston edhe një model tjetër ekonomik në dispozicion, që çdo kosovar i moshës mbi 25-vjeçare e njeh mirë - një model etatist i zhvillimit. Në këtë qasje, ekonomia është gjithmonë në dorë të qeverisë, qoftë përmes kontrollit të drejtpërdrejtë mbi të, ose përmes të ashtuquajturve firma “private” të lidhura mirë. Nuk ka nevojë t’i tregoj kësaj audience gjerësisht pse ky model nuk funksionon. Tashmë e keni përjetuar atë. Ky model i rrezikon zhvillimin ekonomik edhe demokracinë. Kur e vetmja mënyrë për të fituar pasuri është të jesh afër pushtetit, apo në pushtet, nuk ka kurrfarë nxitjeje për të hequr dorë nga pushteti – në të kundërtën, në të vërtetë – ky është fundi i demokracisë në Kosovë. Kjo është një arsye pse modeli socialist dështoi.

Sot, kjo është tragjedia me të cilën përballen shumë vende në Afrikën sub-Sahariane – vende që kurrë nuk e kanë mbajtur premtimin e pavarësisë së tyre. Tregimi i Zimbabvesë, një vend tjetër të cilin e njoh mirë, është një tregim i dobishëm paralajmërues për Kosovën. Ajo është një vend relativisht i vogël, me rreth 12 milionë banorë. Pas pavarësisë dhe shumë vjet pas saj, Zimbabveja paraqitej si një nga tregimet më të suksesshme të Afrikës, ku ish-armiqtë jetonin së bashku në mënyrë paqësore, zhvillonin biznese të suksesshme, dhe e ushqenin tërë rajonin. Por në fillim të dekadës së fundit, qeveria e Robert Mugabes filloi ta merrte kontrollin mbi ekonominë dhe ta shpronësonte pasurinë e saj për vete dhe miqtë e vet. Pjesë e arsyes së tyre themelore ishte, “kemi derdhur gjakun tonë për liri, tani e meritojmë të qeverisim dhe të bëhemi të pasur”. Si rezultat i kësaj filozofie, Zimbabveja përjetoi një dekadë të rënies ekonomike, me inflacionin më të lartë që ishte regjistruar ndonjëherë, uri të madhe dhe mjerim. Më shumë se një e treta e të gjithë banorëve të Zimbabvesë tani mbështetet në ndihma ushqimore për mbijetesë. A mund të ndodhë kjo në Kosovë? Kjo mbase është e pabesueshme, dhe besoj që asnjëri nga udhëheqësit e Kosovës nuk do të jetë aq i papërgjegjshëm si Mugabe, por të mos harrojmë se edhe sot sektori publik punëson 100.000 veta. Kjo është një e treta e punësimit të përgjithshëm zyrtar – një numër shumë i lartë dhe shenjë e qartë se qeveria ka marrë një pozitë tejet të madhe në ekonomi.

Megjithatë, ka arsye për shpresë, bazuar në një model që funksionon. Normat afatgjate të rritjes së qëndrueshme ekonomike kanë filluar të ndodhin edhe në vendet që i lejojnë bizneset e tyre private të rriten dhe përtërihen; vende që vërtet e kanë përqafuar shpirtin sipërmarrës – Kina, India, Tajlanda, Kili. Më afër shtëpisë, mund t’i marrim si shembuj Gjeorgjinë, Armeninë, Estoninë dhe Lituaninë. Këto vende kanë ndjekur reforma të gjera që e lejonin sektorin privat të lulëzonte, dhe pastaj gëzuan norma të rritjes prej mbi shtatë për qind në vit për një dekadë apo më gjatë. Edhe pse i ndjenë pasojat e krizës financiare botërore, ky grup i vendeve tani është i pozicionuar mirë për të përfituar nga zgjerimi i vazhduar ekonomik – në të vërtetë shumica e analistëve presin që ato të rriten shumë më shpejt sesa vendet e pasura në perëndim.

Ndoshta shembulli më relevant i asaj që funksionon vjen nga Gjeorgjia. Pa e komentuar situatën e fundit politike atje, ta marrim parasysh vetëm ekonominë e Gjeorgjisë. Në vitin 2005, Gjeorgjia u rendit e 112-ta në Studimin e përgjithshëm Bankës Botërore Bërja e Biznesit. Pastaj qeveria e re e vendit i shqyrtoi mirë rregullat dhe rregulloret që e pengonin rritjen e biznesit. Dhe ajo filloi të reformohej. Gjeorgjia i reduktoi në minimum nevojat për kapital për ta filluar një biznes të ri prej pothuaj 1,000 dollarëve në 0 dollarë – dhe regjistrimi i bizneseve u rrit me të madhe. I thjeshtësoi procedurat kufitare për t’i inkurajuar eksportet. Për përmbushjen e kërkesave administrative për eksporte nevojiteshin 54 ditë në vitin 2005 – kurse tani nevojiten 10 ditë. Gjeorgjia gjithashtu e përmirësoi zbatimin e kontratave dhe zgjidhjen e kontesteve duke futur seksione të specializuara tregtare në gjykata dhe duke e reformuar procesin e paraqitjes së ankesave. Katër vjet më vonë, Gjeorgjia kapërceu 101 vende dhe kaloi në vendin e 11-të të Studimit Bërja e Biznesit. Por shumë më e rëndësishme sesa një renditje e thjeshtë, reformat shpunë në një dyfishim të investimeve të huaja të drejtpërdrejta për tri vjet radhazi; bizneset private dhe qeveria kursyen 130 milionë dollarë në vitin e parë të reformave; e pabesueshme, ekonomia u rrit mbi 10% në vitin 2006 dhe 15% në vitin 2007; dhe, pavarësisht pengesave të konfliktit të vitit 2008 me Rusinë dhe krizës globale, FMN-ja pret që Gjeorgjia t’i kthehet rritjes solide prej vitit të ardhshëm.

Si krahasohet Kosova? Së pari, dhe kjo është rastësi mahnitëse, Kosova zë vendin e 113-të prej 183 vendeve. Me fjalë të tjera, keni filluar pikërisht aty ku Gjeorgjia ishte katër vjet më parë. Megjithatë, ngjashmëritë përfundojnë mu këtu. Sot, në Gjeorgji nevojiten tri ditë për ta regjistruar një biznes. Në Kosovë nevojiten 52 ditë dhe 9 procedura të ndryshme, secila prej tyre është mundësi për korrupsion. Për t’i marrë të gjitha lejet e nevojshme për ndërtim në Kosovë nevojitet gati një vit, kurse në Gjeorgji 98 ditë. Një kompani apo individ që dëshiron të fillojë të ndërtojë në Kosovë do të paguajë pothuaj trembëdhjetëfishin e të ardhurave mesatare për person – që është trembëdhjetë vjet të të ardhurave – për t’i siguruar lejet dhe inspektimet e nevojshme, kundrejt 21% të të ardhurave mesatare në Gjeorgji. Në Kosovë, e shohim rezultatin e këtij regjimi obstruksionist për licencim në të gjitha ndërtimet e paligjshme rreth nesh – një burim i një tragjedie të mundshme në këtë rajon të prirur për tërmete, dhe një rrugë tjetër për korrupsion. Ndërsa disa mund të besojnë se mbi-rregullimi i tillë i mbron njerëzit apo vendin, ky shembull tregon se, në të vërtetë, e kundërta është e vërtetë.

Receta për rritje
T’u kthehemi tani disa propozimeve konkrete për të arritur rritje më të madhe dhe të ardhura më të larta. Për t’i arritur këto qëllime, Kosova duhet t’i ndjekë llojet e reformave që e lirojnë nismën private, inkurajojnë prodhimin dhe kanë rëndësi të madhe për biznese, dhe për rritjen ekonomike. Detyrat para nesh ndahen në dy kategori të gjera – e para, çka duhet bërë për ta zvogëluar rolin e Qeverisë në ekonomi duke zvogëluar edhe kontrollin negativ që ajo ushtron, dhe e dyta, si të nxitet rritje më e madhe e udhëhequr nga sektori privat.
Sa i përket Qeverisë, i shoh tri detyra kryesore:

E para dhe më e qarta nga këto është të ndërmarrë hapa për ta zgjidhur problemin e energjisë në kohën sa më të shkurtër të mundshme në mënyrë që ekonomia të përfitojë nga një furnizim i sigurt, i pastër me energji elektrike. Një raport i kohëve të fundit përshkruan një pamje të zymtë, duke vlerësuar që sektori privat humb mbi një miliard euro vit – një të katërtën e PKB-së së tanishme të vendit – nga ndërprerjet në furnizim me energji elektrike. Të ballafaquar me ndërprerje të përditshme, bizneset e Kosovës ngurrojnë t’i fusin rreth 170 milionë euro në investime të reja në vit, dhe kjo do të thotë humbje e më shumë se 130.000 vendeve të mundshme të punës vetëm nga bizneset aktuale. Furnizimi jo i rregullt dhe i paparashikueshëm me energji elektrike në Kosovë ka detyruar shumë kompani të mbyllen dhe i ka dekurajuar mijëra ndërmarrës të gatshëm për të filluar biznese të reja. Kohëve të fundit po shohim përparim në këtë sektor me miratimin e Strategjisë së Kosovës për Energji nga Kuvendi i Kosovës dhe me finalizimin e tenderit për projektin për termocentralin Kosova e Re dhe ka shpresa për një zgjidhje në 3-5 vjetët e ardhshme.

Detyra e dytë po ashtu e rëndësishme është që qeveria të nxirret nga sektorët në të cilët aktualisht dominon, si në miniera, në prodhimin e energjisë dhe në telekomunikacion. Kompanitë në këta sektorë – Trepça, kompanitë e magnezit në Kamenicë dhe Magure, KEK-u, PTK-ja – që janë nën kontrollin e shtetit ose nuk punojnë me kapacitetin e tyre, nëse fare punojnë, ose vuajnë nga shtrembërime të tjera si lista të mbushura të punësimit. Megjithatë, shumë veta në Kosovë – dhe mbase ata janë kryesisht persona mbi moshën 25-vjeçare, siç e përmenda më parë – kanë një lloj nostalgjie të vazhdueshme për Jugosllavinë dhe i konsiderojnë këto ndërmarrje si “xhevahire të kurorës” që duhet të mbeten në duart e shtetit për “arsye strategjike”. Ky është absurditet absolut. Një kompani mund të ketë sukses vetëm nëse produktet e saj kanë treg dhe prodhohen në mënyrë efikase; ajo nuk mund të mbijetojë gjatë duke humbur para dhe duke u varur nga subvencionet e qeverisë. Nëse këta sektorë duhet të lulëzojnë, shteti duhet të heqë dorë nga to dhe t’ua shesë investitorëve privatë që kanë ekspertizë dhe vizion për t’i zhvilluar ato.
Për fat të mirë, Qeveria ka treguar se e kupton këtë dhe ka ndërmarrë hapa të mëdhenj drejt privatizimit të disa prej ndërmarrjeve më të mëdha të Kosovës.

Dy javë më parë shikuam hapjen e ofertave për dhënien me koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe sot një operator shumë i kualifikuar i aeroporteve u zgjodh për ta ndërtuar dhe drejtuar një strukturë moderne të aeroportit që do t’ia japë Kosovës një portë të klasës botërore të udhëtimit drejt Evropës. Kjo gjithashtu do t’i mundësojë Kosovës të eksplorojë rrugë të reja për eksporte, për shembull të mallrave delikate por shumë të vlefshme bujqësore. Potenciali për rritje këtu është shumë i madh – vitin e kaluar vetëm një sasi e vogël e eksporteve, në vlerë prej 13,000 eurove, u nis nga Kosova me aeroplan. Kemi punuar ngushtë me Qeverinë për të siguruar proces të drejtë e transparent për të mundësuar që sektori i distribucionit të energjisë elektrike i KEK-ut t’i shitet një investitori strategjik të huaj që do ta rehabilitojë sistemin e vjetruar dhe do të sjellë praktika moderne të menaxhimit në këtë kompani jetike, por në dështim e sipër. Dhe, siç kam theksuar, Kosova është më në fund në rrugë për ta marrë një burim modern, të sigurt dhe të pastër të energjisë elektrike. Por modernizimi i sistemit të energjisë elektrike të Kosovës kërkon një investim prej qindra miliona eurove, një kërkesë financiare që është jashtë mundësive të KEK-ut ose të buxhetit publik për t’u siguruar. Për fat të mirë, Strategjia e Energjisë, e miratuar kohët e fundit, mundëson joshjen e investitorëve të huaj me resurse dhe ekspertizë të nevojshme.

Së fundi, Qeveria po kërkon t’ia shesë PTK-në një investitori strategjik të huaj, dhe shpresojmë që Qeveria do ta zbatojë një proces të drejtë e transparent që rezulton në rezultatin më të mirë të mundshëm për vendin. Hapat e fundit të ndërmarrë nga Qeveria për t’i përmirësuar kushtet nën të cilat ky transaksion do të zhvillohet janë shumë të mirëpritur.

Nëse të gjitha këto transaksione realizohen në mënyrë të drejtë, transparente dhe efikase, Kosova do të jetë afër për ta hequr Qeverinë nga ekonomia, dhe gjithashtu për ta hequr një pengesë të madhe për rritjen e sektorit privat.
Së fundi, detyra e tretë e rëndësishme në të cilën Qeveria duhet të përqendrohet është nxitja e një mjedisi që u mundëson bizneseve të rriten – dhe me këtë nënkuptoj që të gjitha firmave, të mëdha e të vogla, urbane e rurale, në të gjithë sektorët, pa marrë parasysh lidhjet e tyre me autoritetet e larta politike apo aparatet partiake, t’u lehtësohet barra dhe t’u ofrohet një shans. Qeveria duhet të kuptojë që sektori privat nuk është armik. Përkundrazi, ai është shpresa më e mirë e Kosovës. Qeveria nuk duhet dhe nuk mund ta kontrollojë sektorin privat. Në vend të kësaj, është përgjegjësi e Qeverisë ta fuqizojë sektorin privat dhe t’i mbrojë konsumatorët.
Vendet që janë transformuar me sukses prej planifikimit qendror në ekonomi të tregut të gjitha ecin në të njëjtën rrugë:

o Ato fillojnë me liberalizimin e tregjeve, largimin e burokracisë, zbatimin e ligjeve moderne komerciale dhe përmirësimin e zbatimit të kontratave. Flitet shumë për sundimin e ligjit në Kosovë, por jo aq sa duhet për rëndësinë e tij qendrore për zhvillimin ekonomik.

o Ato krijojnë një mjedis të shëndoshë rregullues për sektorin financiar, si dhe nxisin konkurrencën në mënyrë që të përmirësohet qasja në kredi.

o Ato krijojnë një bazë të gjerë tatimore përmes normave të ulëta të taksave dhe rregulloreve të favorshme për biznes që e tkurrin ekonominë e hirtë dhe e inkurajojnë sipërmarrësinë.

o Ato themelojnë sisteme moderne dhe efikase për menaxhimin e financave publike dhe mbikëqyrjen e buxhetit qendror për ta futur besimin në politikat e tyre makroekonomike.

o Ato punojnë shumë për ta joshur investimin vendës dhe të huaj.

o Por mbi të gjitha të tjerat – ato e mbështesin zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të cilat janë burimi kryesor i krijimit të vendeve të reja të punës në të gjithë botën moderne. Edhe në SHBA, që për shumë veta është sinonim me korporata të mëdha, bizneset e vogla janë ato që e fuqizojnë ekonominë dhe krijojnë shumicën e vendeve të punës. Nëntëdhjetë e nëntë për qind e të gjithë punonjësve në SHBA punojnë për biznese të vogla. Gjatë 15 vjetëve të fundit, këto firma i kanë krijuar më shumë se dy të tretat e të gjitha vendeve të reja të punës në Amerikë. Dhe bizneset e vogla janë forca shtytëse që qëndron prapa risisë, duke krijuar 13 herë më shumë të drejta ligjore për punëtor sesa kompanitë më të mëdha.

Ashtu si Gjeorgjia, shumë vende të interesuara për reforma në rajon po i zbatojnë rekomandimet e Studimeve Bërja e Biznesit që Banka Botërore i publikon çdo vit. Si pikënisje, Kosova duhet gjithashtu t’i analizojë me kujdes të dhjetë treguesit në studim, të shikojë si janë përmirësuar të tjerët, dhe të mësojë nga strategjitë e suksesshme, apo edhe t’i kopjojë. Më lejoni t’ua jap dy shembuj të asaj që Studimi sugjeron që është gabim me ekonominë tuaj sot. Duke bërë këtë, gjithashtu dua të propozoj që Qeveria të fillojë t’i reformojë këto rregulla që tani. Vitin e ardhshëm, nuk do të nevojiten më shumë se 5 ditë për ta regjistruar një biznes në Kosovë, jo 52 ditë si sot. Nëse një biznes mund të regjistrohet brenda pesë ditëve në Shqipëri, ai mund gjithashtu të regjistrohet aq shpejt edhe në Kosovë. Dhe procedurat duhet të jenë rrënjësisht të efektshme për ta eliminuar kohën e humbur sot me rastin e vrapimit prej zyre në zyrë me javë të tëra në një kohë.

Kapitali fillestar që nevojitet për ta filluar një biznes duhet të jetë 0 dollarë – nevojat e statutit për kapital nuk i mbrojnë investitorët dhe nuk i rrisin të ardhurat – ato vetëm e pengojnë regjistrimin e bizneseve.
Përveç kësaj, procesi i lejeve për ndërtim duhet të reformohet. I tërë rajoni qëndron mjaft keq në këtë drejtim, prandaj, kjo mbase është një mundësi që Kosova të shkëlqejë. Brenda një viti, koha që kërkohet për t’i nxjerrë të gjitha lejet për ndërtime dhe inspektime duhet të reduktohet në 90 ditë – që nënkupton reduktim drastik të numrit të procedurave të nevojshme, që gjithashtu do ta reduktojnë në mënyrë drastike edhe mundësinë për ryshfete dhe pagesa. Kostoja për sigurimin e të gjitha lejeve dhe inspektimeve të nevojshme para se të mund ta filloni ndërtimin duhet të ulet nga 1300% e të ardhurave mesatare vjetore, që është mjaft e lartë, në jo më shumë se në koston në Shqipëri, por edhe më tepër, nëse është e mundur.

Edhe pas zvogëlimit të madhësisë së sektorit publik dhe krijimit të reformave në favor të biznesit, duhet t’i vendosim disa qëllime të qarta për rritje në bazë të kompanive të reja, tregjeve të reja dhe qasjeve të reja. Gjatë disa viteve të ardhshme, besoj se Kosova duhet të synojë të paktën t’i dyfishojë eksportet e saj. Ajo duhet të përpiqet të krijojë së paku 10.000 vende të reja të punës në vit. Dhe duhet të synojmë ta rrisim PKB-së së paku 7% në vit.

Besoj që këto synime janë ambicioze, por të arritshme, dhe këtu janë disa shembuj të shtytësve të mundshëm të rritjes dhe krijimit të vendeve të punës:
· Kosova ka një resurs të madh natyror të rezervave të linjitit, që mund të jenë bazë për eksportim të energjisë së pastër në tërë rajonin dhe në veri në Evropë. Ka mundësi në teknologji të reja të pastra lidhur me gazifikimin e thëngjillit. Por Kosova duhet të punojë për të joshur impiante të tilla, gjersa inkurajon investitorë të tjerë strategjikë në hidrocentrale dhe madje edhe të erës. Pa vonesë, deri në vjeshtë të këtij viti, tenderi për projektin energjetik Kosova e Re duhet të jetë në rrugë dhe një proces transparent i tenderimit duhet të jetë në rrugë drejt suksesit. Suksesi në këtë projekt do ta krijojë mundësinë për investime shtesë në energji tërësisht.

· Mineralet bazë, si plumbi, zinku dhe magnezi, janë nxjerrë dhe rafinuar në Kosovë me shekuj të tërë, megjithatë, minierat sot nuk punojnë dhe rezervat e reja janë të pashfrytëzuara. Përsëri, njohuria praktike dhe kapitali i sektorit privat mund t’i sjellin këto resurse të vlefshme në treg për të mirën e vendit. Me mbrojtje përkatëse mjedisore, ato përsëri mund të kontribuojnë në krijimin e vendeve të punës dhe të të ardhurave. Pas një viti, dua ta shoh të paktën një investitor strategjik duke hyrë në sektorin e minierave dhe mineraleve.

· Pylltaria dhe produktet e drurit janë një resurs tjetër i madh për Kosovën, që mund të sigurojë të ardhura të qëndrueshme afatgjate nëse menaxhohen siç duhet. Kosova ka potencial të madh në pylltari dhe produkte të drurit sa i përket të hyrave të shtuara, punësimit, zëvendësimit të importit dhe eksporteve, dhe aftësi për ta joshur investimin e huaj të drejtpërdrejtë. Por ky resurs tani kërcënohet seriozisht nga prerjet e paligjshme. Duke i luftuar prerjet e paligjshme dhe duke i siguruar si të menaxhuara në mënyrë të qëndrueshme të paktën dy pyje brenda tri vjetëve, Kosova mund t’i rrisë eksportet në tregjet e reja. Brenda tri vjetëve, Kosova duhet t’i dyfishojë sasitë e qëndrueshme të produkteve të drurit të prodhuara për përdorim në tregun e brendshëm dhe mundësisht në destinacione të jashtme.

· Bujqësia, që dikur ishte krenaria e Kosovës, është dërrmuar nga konkurrentët dhe keqadministruar nga mbështetja e vazhdueshme në praktika të vjetruara. Ky sektor është i pazhvilluar dhe joefikas. Megjithatë, ka potencial të madh për ta shtytur rritjen dhe punësimin. Ka mundësi të madhe për rritje të produktivitetit që mund të rezultojë në zëvendësimin e importit dhe në rritje të eksporteve. Fermerët, përpunuesit dhe të gjithë operatorët e agrobiznesit të Kosovës duhet të fillojnë të mendojnë në mënyrë kreative dhe të bëjnë novacione duke shumëfishuar prodhimet e tyre, duke zhvilluar tregje të reja dhe duke përmirësuar shërbimin e tyre në shërbime tradicionale. Bujqësia tani mbështetet në subvencione, por mund të jetë fitimprurëse dhe t’i nxjerrë qindra-mijëra veta nga varfëria në prosperitet me orientim të duhur në treg. Një studim i kohëve të fundit, i porositur nga Qeveria e SHBA-së, sugjeron se me investim dhe reforma të drejta, prodhimi vjetor bujqësor mund të rritet në mbi 800 milionë euro dhe më shumë se 150.000 vende të reja të punës mund të krijohen brenda dhjetë viteve. Kjo është gjysma e objektivit që duhet ta arrini për t’i absorbuar të gjitha personat që e mbarojnë shkollën.

Këto janë vetëm disa ide. Ka shumë mënyra të tjera për të krijuar vende pune dhe rritje, dhe Kosova do t’i zbulojë përparësitë e veta krahasuese. Teknologjia informative mund të jetë një fushë e tillë, pasi forca e re punëtore e Kosovës dhe shpirti sipërmarrës janë fuqi të vërteta. Por kjo do të ndodhë vetëm nëse të rinjtë kanë shkollim të mirë, nëse pronësia intelektuale është e mbrojtur dhe ka sistem të favorshëm për biznesin në vend. Diaspora e Kosovës mund të jetë një lidhje e vlefshme për tregje dhe burim i njohurive praktike, por vetëm nëse ia vlen të investohet “në shtëpi”. Investimet e huaja mund të vijnë, por vetëm nëse kushtet e biznesit përmirësohen dhe forcohet reputacioni i Kosovës si shtet solid, që i bindet ligjit.

Së fundi

“Shumë njerëz duhet të lirohen nga paragjykimet dhe urrejtjet e të kaluarës. Ekonomia rrënohet nga nënzhvillimi dhe parazitët e pangopur të korrupsionit. Dhe pak veta, sidomos të rinjtë, janë pesimistë dhe të etur për t’u larguar.”1
Këto fjalë nuk janë të miat; ato i kishte thënë Madeleine Albright, ish-Sekretare e Shtetit, dhjetë vjet më parë në një fjalim që mbajti për këtë rajon. Fakti që këto fjalë ende jehojnë sot është një kujtim i zymtë i madhësisë së sfidës tonë dhe i asaj se sa kohë tashmë është humbur.

Si do të duket Kosova pas dhjetë vjetësh? Zgjidhjet dhe vendimet që merren sot do të përcaktojnë nëse Kosova e vitit 2020 do të duket pak a shumë si sot, shteti më i varfër në Evropë, me papunësi të madhe dhe një të ardhme të pasigurt, posaçërisht për rininë e saj, që lufton për të mbijetuar si një shtet i suksesshëm, i pavarur. Ose, Kosova mund ta sendërtojë një të ardhme të begatë për fëmijët e saj, në të cilën ekonomia u ofron mundësi të gjithë atyre që dëshirojnë të punojnë – një të ardhme që e sjell Kosovën në mënyrë të vendosur në Evropë.

Ju nxis të gjithëve që të jeni progresivë. Kundërshtojeni joshjen për ta shikuar prapa të kaluarën socialiste, një-partiake të industrive jokonkurruese që ranë në kolaps – industri që nuk do të kthehen në jetë në mënyrë magjike. Ndërpritni shprehitë e kontrollimit dhe kufizimit. Luftojeni grupin mbytës të shtetit dhe të kapitalizmit mik. Përqafojeni lirinë. Bizneset e të ardhmes do të vijnë nga sektori privat, e jo nga planifikuesit qendrorë të Qeverisë. Kosova ka nevojë për investime dhe njohuri menaxhimi të investitorëve strategjikë privatë që dinë të drejtojnë biznese fitimprurëse, konkurruese në një ekonomi globale.

Rruga përpara mund të mos jetë e lehtë, por nuk është rrugë nëpër të cilën Kosova do të ecën vetëm. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të ofrojë këshilla dhe ndihmë gjersa Kosova vazhdon rrugën drejt pranimit. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë në anën tuaj. Të ecim përpara së bashku, drejt prosperitetit dhe shpresës për Kosovën.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)