Sërish thirrje për ndihma
Shkruar nga Gani Qarri
Para për popull, apo për arkën e partisë? Prej se ne mbajmë mend, gjithmonë nga diaspora janë kërkuar vetëm para!
Mirë dakord, se tanimë të gjithë jemi mësuar me këto veprime, por si ndodhi që askush edhe pas kërkesës për para nga diaspora, nuk na sqaroi se çfarë do të ndodhë dhe kush do të menaxhoj me to, do të kalojnë ato në arkën e partisë që i kërkoi, apo do të ndahen proporcionalisht me partnerët e pëlqyeshëm, nëse së shpejti, ashtu siç po pretendohet Kosova do të bëhet me Qeveri të re.
Madje para se z.Albin Kurti të kërkonte para, së pari ai do duhej t`ua dëshmonte qytetarëve në Kosovë dhe atyre në diasporë se rezervat dhe arka e shtetit janë shterur nga hajnat dhe zhvatësit e qeverive të mëparshme, ndaj për këtë arsye, ai dhe është i detyruar ta kërkojë ndihmën tonë.
Megjithatë, lajmi se i pari i partisë ka kërkuar para, u përhap shpejtë në të gjithë mërgatën. Tek një pjesë prej tyre shihej gëzim i madh në fytyrë, se më në fund u erdhi dita që ta tregojnë edhe ata besnikërinë ndaj shefit të partisë dhe të qeverisë.
Po mirë në rregull, edhe pse u kërkuan sërish parat tona, kërkohen ato vërtetë për të ndihmuar të sëmurët dhe ata që janë në nevojë, apo për mbushje të arkës së partisë, për startim të fushatës zgjedhore, ngase përveç pandemisë edhe gjendja politike, tanimë është tejet e turbulluar në Kosovë.
Sido që të jetë, duhet pranuar me plot gëzim, se ditën që u publikua kjo kërkesë e artë, ndodhën vërtet dy “ngjarje” të mëdha, madje tepër të mira, aq sa na kishte marrë malli shumë që ti dëgjonim live me veshët tanë dhe shihnim edhe një herë publikisht me sy.
E para, kryeministri në detyrë, dëshmoi se ende e di gjuhën e vendit tonë, nuk e përdori asnjë fjalë turqe as arabe dhe foli vetëm shqip, madje në gjuhën e Atdheut ai iu drejtua edhe diasporës për ndihma në para.
E dyta, duke e ditur se mërgata mbi të gjitha vlerëson anën kombëtare si dhe u përgjigjet thirrjeve për ndihmë vetëm nën këtë akronim të shenjtë patriotik, kryeministri i rrëzuar nuk e kishte marrë më pranë vete as hoxhën Alper Vitia dhe nuk inskenoi asnjë ezan turko-arab.
Megjithatë një gjë duhet të dihet për të gjithë, përfshi edhe diasporën, mendohet vërtetë në ndihma për mbështetjen e atyre që janë në hallë momentalisht me korona virusin dhe kanë nevojë për to, apo për mbushjen e arkës së partisë mëmë, për fushatë zgjedhore, sepse siç kemi parë kohët e fundit, përveç pandemisë edhe gjendja politike në Kosovë tanimë është shumë e pa qartë
Madje problemi ndërlidhet ngushtë edhe me garantimin e këtyre parave, ngase duke pasur parasysh faktin që Kurti është vetëm një kryeministër në detyrë i një qeverie të rrëzuar me mocion në parlament, të cilën përditë e më tepër, bëhet turr nga politikan, parti e grupe dhe anë të ndryshme të interesit për ta hequr sa më parë nga skena politike dhe formuar qeveri të re, çfarë sigurie ka ai se qeveria e tij, mund të qëndrojë edhe më tej në pushtet, kur kërkon para, mu në këto momente sallamadije.
E nëse pikërisht brenda dy-tre javësh formohet një qeveri tjetër " e re", dhe shuhet qeveria Kurti, ku do të përfundojnë ndihmat e diasporës, kush do ti merr paratë tona dhe nga cili "fatbardhë", do të (keq)përdoren tani ato?
A do tu bie edhe të prekurve nga pandemia e Korona Virusit diçka në dorë, apo do të krijohen përsëri milioner të rinj?!
çuditërisht edhe pse në këto 20 vitet e pasçlirimit, vetëm njerëzit e diasporës nga vendet e perëndimit, u ngarkuan me taksa për makina,me të hyrë në kufi, por jo edhe ata që vijnë nga Serbia, kërkesat për para, jo vetëm që nuk u hoqën asnjëherë, por gjithmonë i drejtohen vetëm diasporës.
Por pse edhe tani sërish, të kërkohet ndihmë pikërisht nga diaspora kur dihet se në këtë kohë krize edhe mërgimtarët, disa marrin gjysmë page e disa tjerë kanë mbetur fare pa to, ngase pandemia e virusit korona ka vërshuar edhe vendet perëndimore.
E përderisa Kosova është stërmbushur me imam dhe xhami sa sot nuk ke kah ta vesh këmbën prej tyre dhe vendi ka ndryshuar e është bërë si në Arabi ku çdo gjë fillon e mbaron me ezane e namaze turko-arabe, thua se je në Kandahar a Veziristan pse nuk kërkohet ndihmë edhe prej tyre për Kosovën.
Kosova pothuajse është tëhuajsuar tashmë tërësisht për diasporën, pse z.Kurti nuk kërkoni një herë diçka edhe prej imamëve, ta shohin njerëzia se përveç hiperxhamiizimit të atdheut tonë, a janë dhe sa janë të gatshëm ata, edhe ta ndihmojnë Kosovën në gjendje krizash, në vend se të kërkohen para vetëm nga diaspora, të cilët nga tjetërsimi i vendit të tyre, kanë frikë të vijnë edhe për vizita në atdhe të vetin.
Për aq më tepër edhe ti si kryeministër i shkarkuar bashkë me hoxhën Alper Vitia, përderisa keni filluar publikisht edhe në vende të hapura dhe para kamerave televizive të na argëtoni përditë me ezane,në këtë kohë pandemie,duke harruar postet shtetërore dhe detyrën që keni, do të ishte mirë që ju dy, si tandem arabonostalgjik të inskenoni edhe ndonjë namaz ekstra dhe tu drejtohen për ndihmë të paktë njëherë Erdoganit e pse jo edhe vëllezërve arab në Bangladesh, Afganistan, Siri, Jemen, Sudanin Jugor, Somali apo edhe Eritre e Etiopi,ku homologu juaj efendi Kurti, Ahmed Abiyy, kryeministër i Etiopisë,në fund të vitit të kaluar, përveç austriakut Peter Hanke, edhe ai ka marrë Çmimin Nobel për Paqe, me arsyetimin se ka arritur ti paqësoj fiset dhe zgjidh kontestin kufitar me Eritrenë, ndoshta do të ishte një shembull i shkëlqyer edhe për ju z.Kurti.
Në anën tjetër, ndihma të pakursyera nga mundi dhe djersa e diasporës, siç dihet,janë mbledhë e grumbulluar, jo shumë kohë më parë edhe nga Fondi i 3%-shit, si dhe ai "Vendlindja Thërret", por në të vërtetë, pak sosh u përdorën për popull, luftën për çlirimin e Vendit e shtet ndërtimin e Kosovës, dhe nga to na dolën shumë milioner të rinj të pasluftës, të cilët as sot nuk tregojnë saktësisht se sa para dhanë atje për ku ato ishin destinuar dhe sa të tjera i keqpërdorën ata për vete.
Ndaj megjithëse thirrjet për ndihma në kohë krizash mbarëbotërore edhe mund të arsyetohen, nëse së shpejti ndodhë të vije deri te shuarja e qeverisë tuaj z.Kurti, lind pyetja e domosdoshme, se ku do të shkojnë parat e diasporës, apo do të dalin edhe nga këto “ndihma”, sërish milionerë edhe më të rinj.