29 Dhjetor 2024

Sërbizimi i vazhdueshëm i trojeve shqiptare

Shkruar nga Ismet Azizi

Lugina e Preshevës veçohet me homogjenitet të lartë etnik, kompaktësi territoriale, vazhdimësi etnike-demografike dhe me trungun etnik shqiptar. Argumentet janë të shumta siç janë ato arkeologjike, linguistike, toponomastike etj.

Ky element është më i shprehur në komunën e Preshevës dhe Bujanocit, kurse në komunën e Medvegjës prania e shqiptarëve është zvogëluar, në raport më serbët, kryesisht si rrjedhojë e emigracionit të shqiptarëve dhe vendosjes së kolonëve serb e malazez.

Në të tri komunat, deri vonë, janë shënuar tregues të lartë të natalitetit, mortalitetit dhe shtimit natyror, me tendenca të rënies graduale.

Serbia, për ndryshimin e përbërjes etnike-demografike në Kosovë dhe viset e tjera etnike shqiptare, përpiloi projekte dhe programe kolonizuese, asimiluese dhe shfarosëse, të cilat çuan në luftërat e armatosura të fundshekullit XX.

Luftërat sollën çlirimin përfundimtar të Kosovës nga Serbia, ndërsa konfliktet e armatosura në Maqedoni dhe Luginë të Preshevës ia bënë të njohur faktorit ndërkombëtar gjendjen e rëndë të popullsisë shqiptare.

Gjeografi serb Jovan Cvijiq, në punimet e tij përpiqet të mohojë autoktoninë e popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës duke i paraqitur shqiptarët si të ardhur nga krahinat e Shqipërisë Veriore.

Ai i vlerëson shqiptarët si njerëz të vrazhdë, jo tolerantë, gjysmë barbarë dhe plaçkitës e uzurpues të pronave të huaja. Më tej, në mënyrë të hapur, Cvijiq pretendon aplikimin e metodave maltusianiste për të penguar rritjen demografike të popullsisë shqiptare.

Shkrimet e Cvijiqit, Garashaninit, Çubrilloviqit etj. mbi shqiptarët në Ballkan, rrjedhimisht edhe në Luginën e Preshevës, shprehin idetë dhe aspiratat hegjemoniste të Serbisë për pushtimin e tokave shqiptare, me qëllim zgjerimin territorial deri në daljet në dete. Këto ide përcillen edhe nga pseudoshkencëtarë të mëvonshëm serb.

Serbia, për ndryshimin e përbërjes etnike-demografike në Kosovë dhe viset e tjera etnike shqiptare, përpiloi projekte dhe programe kolonizuese, asimiluese dhe shfarosëse, të cilat çuan në luftërat e armatosura të fundshekullit XX.

Luftërat sollën çlirimin përfundimtar të Kosovës nga Serbia, ndërsa konfliktet e armatosura në Maqedoni dhe Luginë i bënë të njohur faktorit ndërkombëtar gjendjen e rëndë të popullsisë shqiptare.

Deri në regjistrimin e vitit 1921 Lugina banohej kryesisht nga shqiptarët, me gjithë se vërehet një zvogëlim i tyre krahasuar me statistikat e mëhershme të Perandorisë Osmane të realizuara në vitet 1519, 1528 dhe 1570.

Edhe në këtë regjistrim popullsia evidentohet sipas përkatësisë fetare dhe gjuhësore. Të dhënat tregojnë se në Preshevë dhe Bujanoc mbizotëron popullsia e besimit mysliman. Turq kishte pak përveç disa familje agallarësh, bejlerësh dhe nëpunësish.

Pjesa dërrmuese e popullsisë myslimane ishin shqiptarë. Megjithatë, të dhënat për popullsinë myslimane (17.686 banorë) dhe ortodokse (19.788 banorëve) nuk shprehin të vërtetën mbi strukturës kombëtare të popullsisë.

Metodologjia e deklarimit të popullsisë sipas përkatësisë fetare dhe gjuhësore, por jo sipas përkatësisë kombëtare, në kushtet e analfabetizmit shumë të lartë në mesin e popullsisë shqiptare, lejonte mundësi manipulimi gjatë përpunimit dhe publikimit të rezultateve.

Një arsye tjetër është moszbatimi i regjistrimit në gjithë territorin e Luginës, sidomos në fshatrat kodrinore-malore të Karadakut. Gjatë regjistrimit të vitit 1921, rrethi i Preshevës  nuk përfshinte disa fshatra të Karadakut, të cilët ishin të lidhura me rrethin e Gjilanit dhe Kumanovës.

Periudha nga viti 1921, deri në Luftën e Dytë Botërore është me pasoja të rënda demografike, si shpërngulja shqiptarëve, kryesisht në Turqi. Të shpronësuar me pretekstin e zbatimit të reformës agrare dhe nën trysninë e asimilimit fetar, kulturor dhe etnik, shumë shqiptarë u detyruan t’i lëshojnë vatrat e tyre, ku u vendosen kolon serbë.

Në këtë mënyrë, shteti jugosllav arriti të ndryshojë pjesërisht përbërjen etnike-demografike të kësaj treve. Reforma agrare ndonëse paraqitej si një aksion për përmirësimin e marrëdhënieve pronësore-juridike dhe social-ekonomike, si dhe të pozitës së popullsisë fshatare, në thelb kishte dhe synonte keqësimin e gjendjes së popullsisë shqiptare, përmes shpronësimit, për t’i detyruar të shpërngulen, ndërsa në tokat e tyre të silleshin kolon serbë me familjet e tyre.

Planet dhe elaboratet serbe për shpërnguljen e shqiptarëve kanë përfshirë edhe Luginën. Në këtë mënyrë regjimi jugosllav ka arritur të ndryshojë strukturën etnike dhe fetare në dëm të popullsisë shqiptare.

Këto ndryshime vërehen sidomos në të dhënat e regjistrimit të popullsisë në vitin 1931, kur vërehet rënie e numrit të popullsisë myslimane në Preshevë nga 89,42% në 76,08%; në Bujanoc nga 58,30% në 57,14%.

Ndërkohë, pjesëmarrja e popullsisë serbe është rritur në shumicën e vendbanimeve: në Preshevë nga 10,57% në vitin 1921, në 23,67% në vitin 1931; në Bujanoc nga 41,70% në 42,71%.

Një ngjarje shumë e rëndësishëm në kuadër të zhvillimeve demogjeografike në Luginën e Preshevës është vendosja e popullsisë shqiptare të shpërngulur nga Sanxhaku i Nishit.

Struktura etnike e popullsisë në Sanxhakun e Nishit ishte e përzier. Shqiptarët përbënin shumicën në kazatë: Toplicë, Kurshumli, Kosanicë, Jabllanicë e Pusta Rekë, por jetonin edhe në territoret e Veternicës, Gërdelicës dhe Masuricës.

Shpërngulja e popullsisë shqiptare nga Sanxhaku i Nishit ndodhi kur Serbia, pas luftërave serbo-osmane, e futi nën kontroll këtë territor, si dhe pas vendimeve të Kongresit të Berlinit për t’i njohur Principatës Serbe sovranitetin mbi territorin e Sanxhakut të Nishit.

Në Sanxhakun e Nishit ishin rreth 600 vendbanime shqiptare, nga të cilat, në 370 shqiptarët ishin shumicë. Sipas historianit S. Uka, nga Sanxhaku i Nishit u shpërngulën rreth 200.000 shqiptarë.

Të dhanuna të rëndësishme ofron studiuesi i mardhënieve shqiptaro-britanike Daut Dauti, në librin e tij “Çështja Shqiptare në Diplomacinë Britanike 1877-1880), ku na ofron raportin e kozullit britanik. Raporti është i pajisur me detaje të shumta dhe shifra të cilat paraqesin numrin e popullsisë që kishte jetuar nga rajoni i Nishit e deri te kufiri i sotëm i Kosovës me Serbinë.

Sipas tij, gjatë sundimit otoman Nishi kishte 19 000 banorë. Diku rreth 10 000 ishin të krishterë, 8 000 mysliman ( këtu llogariteshin 1500 shqiptarë, turq por edhe ushtarë, 700 hebrej dhe 300 çerkez). Struktura e popullsisë kishte ndryshuar dukshëm me rënien e qytetit nën serbët.

Nishi në shtator  të viti 1879, kishte 13 000 banorë d.m.th. 6000 banorë më pak se gjatë sundimit otoman. Prej tyre 12 000 ishin serbë (2000 më shumë se sa nën sundimin otoman). Numri i myslimanëve të mbetur ishte 300, i hebrenjëve 700 por nuk kishte mbetur asnji çerkez. Nga 15 xhamitë që ekzistonin tashti kishin mbetur vetë 3 pa u rrënuar.

Mandej Dauti na jep edhe nji raport të nënkosullit otoman Nikollaidesi që përmbante shifra edhe të banorëve shqiptarë të 87 fshatrave të rrethit të Leskofçes (Leskocit) që jetonin në 2445 shtëpi.

Numri i banorëve shqiptarë në këto fshatra ishte 16 327, prej tyre ende jetonin në pronat e tyre 1954 veta, kurse ishin shpërngulur 13 862. Të vrarë apo të vdekur nëpër burgjet serbe  ishin 511 veta.

Në Urkuipes (Prokuple) ekzistonin 72 fshatra shqiptare me 1785 shtëpi dhe 13 289 banorë. Numri i atyre që ishin shpërngulur arrinte shifrën 12 468 kurse 771 ishin vrarë në luftë me serbët.

Rajoni i Kurshumlisë kishte 68 fshatra shqiptare me 1563 shtëpi dhe 12 734 banorë. Prej tyre 11 924 ishin shpërngulur kurse 810 kishin vdekur në luftë.

Këto janë vetëm disa të dhëna  të autorit  të bazuara në dokumente britanike të cilat dëshmojnë përqindjen e lartë të përbërjes së popullsisë nga shqiptarët në këto troje që kishin rënë nën sundimin serb dhe nga ku u dëbuan shqiptarët të cilët nuk u kompensuan kurrë për pasurinë që e lënë pas.

Popullsia shqiptare e shpërngulur u vendos në Kosovë, Bujanoc, Preshevë, Maqedoni dhe në Turqi. Në Preshevë dhe Bujanoc dhe në fshatrat kodrinore, është vendosur kryesisht popullsia shqiptare e rrethit të Vranjës dhe Masuricës. Popullsia muhaxhirë krijoi lagje të veçanta dhe fshatra të tëra duke i populluar nga muhaxhirë të ardhur nga trevat e Masuricës. Pjesa dërrmuese e muhaxhirëve janë shpërngulur disa vite pas Kongresit të Berlinit, gjegjësisht pas vitit 1882.

Popullsia e vendosur në fshatra ndikoi në varfërimin e mëtejshëm të vendasve. U rrit numri i popullsisë bujqësore dhe i asaj të mbajtur, u rrit copëtimi i mëtejshëm të pronave etj.

Me shpërnguljen e shqiptarëve Serbia synonte të bëjë pastrimin etnik të territorit dhe kolonizimin e tij me serb. Shpërngulja, Serbisë i krijoi një realitet të ri etnike-demografik ne hapësirën nga Nishi deri në Kosovë, të cilin do të tentoj ta shtrije edhe në trevat tjera etnike shqiptare.

Në periudhën 1948-1953 popullsia është shtuar mesatarisht për 1068 banorë në vit, 1953-1961 - me 540 b./vit, 1961-1971 - me 432 b./vit, 1971-1981 – me 348 b./vit, 1981-1991 – me 369 b./vit, 1991-2002 - 1134 b./vit. Gjithsesi, vihet re luhatje në ecurinë e rritjes: nga 6.72% në periudhën 1948-1953, në 3,71% në periudhën 1971-1981, për të arritur në 11,16% në periudhën 1991-2002.

Në komunën e Preshevës është shënuar rritje e vazhdueshme e numrit të popullsisë: nga 246 b./vit në periudhën 1948-1953, deri në 906 b./vit në periudhën 1991-2002.

Shkalla e natalitetit në Serbi është 9.3 ‰, ndërsa shkalla e mortalitetit 14.2 ‰, çka do te thotë se shtimi natyrorë është -4.8 ‰. Shkalla e natalitetit në Preshevë është 13.6 ‰, ndërsa e mortalitetit 7.2 ‰, çka do të thotë se shtimi është 6.4 ‰.

Presheva sipas regjistrimit të popullsisë së viti 2002 kishte 40 000 banorë, me 90% e banuar me shqiptar.

Në komunën e Bujanocit ka pasur shtim të popullsisë, por me një luhatje të ndjeshme: nga 393 b./vit në periudhën 1948-1971, në 286 b./vit në periudhën 1971-1991 dhe 422 b./vit në periudhën 1991-2002. mortaliteti 7.8 ‰.

Përndryshe Medvegja nga viti 1953 ka shënuar zvogëlim të vazhdueshëm të numrit të popullsisë për  258 banor në vit. Komuna e Medvegjës sipas regjistrimit të popullsisë së viti 2002, kishte 7163 banorë, 26.17% (2816) e tyre ishin shqiptarë. Bujanoci sipas regjistrimit të popullsisë së viti 2002 kishte 31 291 banor dhe 10 000 banor të cilët jetojnë jashtë komunës. Pra 55 % shqiptarë, 34% serb, dhe 9% rom.

Deri në vitin 1981, popullsia e Luginës kishte shtim të lartë natyror, por në zvogëlim të ndjeshëm: nga 22,1‰ në vitin 1961, në 14,4‰ në vitin 1981 dhe 2,5‰ në vitin 2010.

Vlerat e natalitetit, mortalitetit të përgjithshëm dhe të foshnjave, si dhe e shtimit natyror në vitin 2010 janë nën 10‰, që do të thotë se popullsia Luginës, sipas kriterit të lëvizjes natyrore është në përfundim të periudhës së gjatë të transicionit demografik.

Nëse bëjmë një krahasim me trevat serbe në Serbi, atëherë mund të thuhet  gjendja është deri diku e lakmueshme. Por, nëse  krahasojmë me trendët demografike të trevave tjera shqiptare, sidomos me ato në Kosovë dhe Shqipëri, atëherë gjendja aspak nuk është e lakmueshme, bile është mjaft kritike.

Lugina e Preshevës, sidomos treva e Medvegjës, nëse vazhdon një trend i tillë i shpërnguljes dhe rënies së shtimit, rrezikohet të mbetet pa shqiptarë.

Andaj është momenti i fundit që të dy qeveritë tona ta trajtojnë dhe ta kthejnë vëmendjen kah këto treva dhe në bisedimet e ardhshme me Serbinë të futet në agjendë të bisedimeve edhe çështja e kthimit dhe përmirësimit të jetës së atyre pak banorëve që kanë mbetur.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)