Serbia ndihmoi Kosovën për ta eksportuar nacionalizmin në Shqipëri
Shkruar nga Nexhmedin Spahiu
Ndeshja e futbollit në Beograd, me gjithë këtë është pikë kthese në relacionin Beograd- Prishtinë-Tiranë, e veçmas mes Prishtinës e Tiranës. Derisa Perëndimi po përpiqet që Beogradin e Prishtinën ti çojë në drejtim të Tiranës ( që d.m.th. të lirohen nga nacionalizmi), po ndodhë e kundërta: Tirana po i afrohet Prishtinës dhe Beogradi
Rezultat i ndeshjes së futbollit mes Serbisë e Shqipërisë është eksporti i nacionalizmit nga Kosova në Shqipëri me ndihmën e Serbisë.
I ngjashëm me nacionalizmin serb dhe atë kroat, nacionalizmi kosovar është i ndryshëm nga ai shqiptar. Ky dallim daton nga luftërat ballkanike, ndërsa trashet gjatë Luftës II Botërore.
Kur më 1941 gjermanët dhe italianët krijuan Shqipërinë e Madhe, atë ndryshe e përjetuan shqiptarët të cilët jetuan jetën e kombit për tri dekada nga ata të cilët deri më atëherë jetuan nën shtetin serb (jugosllav).
Qeverinë dhe administratën në Shqipërinë e tillë (1941-1944) e përbënin kosovarët që nga kryeministri Rexhep Mitrovica, ministri i punëve të brendshme Xhafera Deva e deri te komandantët e stacioneve policore, xhandarmërisë e oficerët e ushtrisë.
Më pas, gjatë katër dekadave e gjysmë në Shqipërinë e Enver Hoxhës, kosovarët u trajtuan si sinonim të nazistëve, fashistëve, kolaboracionistëve etj.
Derisa kosovarët, kohën e Luftës II Botërore e kujtojnë si periudhë kur Kosova përjetoi lulëzimin e vet dhe kur ata sunduan jo vetëm Kosovën por edhe Shqipërinë, në anën tjetër, shqiptarëve të Shqipërisë Shqipëria e Madhe ua kujton sundimin e kosovarëve.
Elita në Tiranë ndoqi jo kursin e nacionalizmit mbi bazën etnike (siç bërën në Serbi, Kroaci e Kosovë) por integrimin e pakicave në shoqërinë shqiptare. Zyrtarët e Tiranës u treguan të kujdesshëm që nacionalizmi mbi bazën etnike të mos gjenerohet në Shqipëri duke neutralizuar çdo ndikim eventual nga Kosova.
Por kur ishte fjala tek futbollistët, nuk nuhatën se nacionalizmi mund të marr zjarr edhe përmes futbollit. Kështu në ndeshjen me Serbinë në Beograd, në mesin e 11 futbollistëve në fushë të kombëtares shqiptare luajtën 7 kosovarë.
Qëndrimi i Federatës Serbe të Futbollit që të mos lejojë në stadium futbolldashësit shqiptarë ishte i pakuptimtë për opinionin në Shqipëri. Komentet ishin se lufta ka ndodhur mes Serbisë e Kosovës e jo mes Serbisë e Shqipërisë. Në fund të fundit edhe ajo luftë ka ndodhur moti; para 15 viteve.
Së voni në Tiranë u pritën përzemërsisht Goran Bregović-i e Zdravko Čolić-i, dhe opinionit në Tiranë iu duk e habitshme se si i gjithë stadiumi në Beograd po i fërshëllente himnit shqiptar.
Derisa në Kosovë, opinion publik po kënaqej se si harta e Shqipërisë së Madhe po valonte mbi Beograd, për opinionin publik në Tiranë, ky ishte një akt i pakuptimtë.
Këtë mund ta kenë vënë re ata që dëgjuar me vëmendje komentatorët sportivë të transmetimit direkt të RTK-së në Prishtinë dhe Supersportit në Tiranë. Derisa i pari u shastis nga gëzimi kur u paraqit droni, komenti i tjetrit ishte: dhe çfarë kërkon kjo gjë këtu tani?.
Por edhe në Prishtinë edhe në Tiranë besojnë se dronin e ka hedhur ndonjë shërbim sekret që është më i fuqishëm se BIA (shërbimi sekret serb), qëllimi i së cilës ka qenë ti provokojë serbët. Por, sidoqoftë, kushdo që ta ketë hedhur dronin, në Prishtinë kjo gjë i ka gëzuar tej mase kurse për publikun në Tiranë, kjo ka qenë një gjë pa kuptim.
Por ngjarjet që pasuan pas hedhjes së dronit zgjuan fuqishëm nacionalizmin në Shqipëri. Ironia është se një ndeshje futbolli zgjoi më shumë nacionalizëm në Shqipëri se sa lufta e përgjakshme në Kosovën fqinje. Kjo ndoshta se gjatë luftës edhe pse në Shqipëri kosovarët janë parë si viktimë i kanë arsyetuar serbët, ngase në Shqipëri, katër dekada e gjysmë është mësuar se si kosovarët janë njerëz të këqij.
Ndjenjat nacionaliste kulminuan me vendimin e UEFA-s. Këngëtari më i madh shqiptar Ardit Gjebrea, i cili gostiti në Tiranë Zdravko Čolić-in, i ftoi shqiptarët të bojkotojnë gjithë produktet serbe. Ndërsa shkrimtari dhe sekretari i përgjithshëm i socialistëve, Ben Blushi, deklaroi se nacionalizmi e ka vërshuar Shqipërinë dhe se në një moment edhe ai vet ka menduar se do të mund të shkonte në luftë kundër serbëve.
Janë të panumërt personalitetet publike në Tiranë, që janë të njohur si kosmopolitë dhe tani janë hedhur në vallen e nacionalizmit. Kulmi i kësaj euforie është deklarata e kosmopolitit të deritanishëm, kryeministrit Edi Rama i cili iu përgjigj Aleksandar Vučići-t: Jo për Shqipërinë e Madhe, por për Evropën e Madhe.
Kësaj euforie nacionaliste iu kundërvunë publikisht intelektualët e formatit më të madh: Halil Matoshi në Prishtinë dhe Fatos Lubonja në Tiranë, ndërsa komentatori politik më i shquar në Tiranë, Mero Baze, ftoi zyrtarët shqiptarë që të lejojnë praninë e shikuesve serbë në ndeshjen e kthimit në Shqipëri, kurse shikuesit shqiptarë i porositi të mos provokohen dhe le të lejojnë lirshëm shikuesit serbë të shpalojnë harta të Serbisë së Madhe.
Ndeshja e futbollit në Beograd, me gjithë këtë është pikë kthese në relacionin Beograd- Prishtinë-Tiranë, e veçmas mes Prishtinës e Tiranës. Derisa Perëndimi po përpiqet që Beogradin e Prishtinën ti çojë në drejtim të Tiranës ( që d.m.th. të lirohen nga nacionalizmi), po ndodhë e kundërta: Tirana po i afrohet Prishtinës dhe Beogradi.
*Autori është profesor i shkencave politike në Universitetin AAB në Prishtinë, ndërsa më parë ka qenë profesor në Universitetin e Tiranës, Tetovës, Prishtinës si dhe Universitetin e Hamburgut.
Ky shkrim u botua në gazetën më të madhe të Serbisë Politika.