22 Dhjetor 2024

Sa kushton koka e kriminelit Mladiç

Shkruar nga Ramiz Bojaj

Me arrestimin e kriminelit serb, Ratko Mladiç , Serbia jo vetëm qe nuk ka hapur kapitull të ri, (siç proklamohet në qendrat e ndryshme botërore), por ajo vazhdon këmba-këmbës modelin e krijimin të Serbisë së madhe, të cilës i kanë paraprirë, Andriq, Millosheviq, Qosiq, Karagjiq e Mladiq. Kriminelët serbë, njëri pas tjetrit ulën në bankën e drejtësisë ndërkombëtare, por ‘rruga e tyre’ vazhdon të ndiqet nga politika zyrtare e Beogradit.

Nëse BE-ja do ta shpërblejë Serbinë, për arrestimin e gjeneralit Mladiq, (pa e njohur kjo e fundit shtetin e Kosovës), komuniteti ndërkombëtar mund të llogarisë në një rrëshqitje tjetër dhune në rajonin e trazuar të Evropës.
 
Arrestimi i kriminelit të shumëkërkuar nga drejtësia ndërkombëtare, Ratko Tadiçit, ka hapur pazar të ri për diplomacinë e jashtme të Serbisë. Kapja e kriminelit Mladiçit, pas 16 vjetësh ‘arratie’ në Serbi, (me tëpër se akt moral për viktimat e etnocidit dhe terrorit ‘nga shpata’e tij), është kalkulim politik i Serbisë së Tadiçit për përfitime politike dhe ekonomike.

Në fakt politika hegjemoniste serbe(e ndjekur zyrtarisht nga Beogradi) është ngulfatur gjer në atë masë, e cila nuk pati rrugëdalje tjetër përpos kalkulimit të ri për të ndryshuar imazhin e saj në arenën ndërkombëtare. Kreatori i gjenocidin të tmerrshëm në luftërat ballkanike, Ratko Mladiç, disa herë ishte dukur në aktivitete të ndryshme nacionaliste e sportive në Serbi, por nuk i kishte ‘rënë’ në sy, policisë e as shërbimit të inteligjences serbe, shërbime këto që ishin të lidhura ngushtë me të lartëpërmendurin, Mladiç.

Serbia e zënë në mat politik (për shkak të palarave të saj në rajon),  paraprakisht kishte dorëzuar dy kryekriminelët e  profilit të lartë, Sllobodan Milosheviqin, në vitin 2001 dhe ish-liderin e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, në vitin 2008. Por, Mladiçi ishte lënë i lirë për 16 vjet më radhë, për ta shitur më shtrenjtë kokën e tij.
Serbia e kapi dhe e dorëzoi kryekomandantin e serbëve të Bosnjës, (projektuesin e hollokaustit njerëzor pas Luftës së Dytë Botërore), jo kur e gjeti atë, por kur vërtet i duhej politikisht.

Serbia humbi duele të mëdha në fushëbetejën ndërkombëtare, si në GJND, OKB dhe BE, prandaj me taktikën për ‘larje hesapesh’ me drejtësinë e futi në lojë  bashkësinë ndërkombëtare, me kokën e një krimineli. Çmimin për kokën e Mladiçit e ka shkruar presidenti serb, Boris Tadiç duke thënë se “me arrestimin e Mladiqit  janë hapur dyert e Serbisë për negociata dhe për anëtarësimin e ardhshëm në Bashkimin Evropian. Me arrestimin e Mladiqit është hequr një njollë e zezë nga Serbia , nga qytetarët e saj dhe populli serb kudo në botë”. Njolla e zezë e Serbisë nuk mund të lahet me arrestimin e një krimineli.

Aq më keq tingëllon fakti kur liderë të tillë mundohen ta fshëhin ose minimizojnë krimin dhe gjenocidin serb në Ballkan. Tadiç thotë se Serbia është e gatshme të gjejë zgjidhje pragmatike për Kosovën në bashkëpunim me partnerët e vet në BE. Modelin e Tadiçit për Kosovën, e kishte provuar edhe Sllobodan Millosheviqi, I njohur si kasapi i Ballkani. Prandaj, Tadiç nuk mund të llogarisë në asnjë model zgjidhjeje, për Kosovën, me qasjen e tij të vjetër, sipas projekteve millosheviqiane. Zgjidhja është ekzistenciale kur Serbia të distancohet nga e kaluara dhe të njeh shtetin e pavarur dhe sovran të Republikës së Kosovës.
 
 
Serbia vazhdon rrugën e Mladiqit
 
 
Shteti serb kërkon publikisht vijëzimin e hartes së re, për riciklim kufijsh, të ndërtuar sipas planit famëkeq të Karaxhiqit, Mlladiqit, Millosheviqit dhe pasardhësve të tyre, të cilët edhe sot qeverisin me Beogradin. Prandaj, bashkësia ndërkombëtare, por edhe vet qendrat qe pësuan nga dora gjakatare e kriminelëve serbë, (Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë), kanë shumë arsye të ndjejnë shenja skepticizmi, për ndonje çasje të re, më realiste të Serbisë ndaj rajonit të Ballkanit.

Serbia vazhdon të nxisë serbët e Bosnjës për shpalljen e pavarësisë së ‘Republikës serbe’,(të ndërtuar nga gjenocidi sllav) dhe bashkimin e saj me Serbinë. Po ashtu, zyrtarë serbë nga Beogradi stimulojnë bandat mafioze (grupet çetnike) në veri të Mitrovicës, për refuzim të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës.

Krahas stimulimit të bandave, Serbia del zyrtarisht për ndarjen etnike të Kosovës, duke e cilësuar këtë projekt si zgjidhje afatgjate të problemit të Ballkanit, njëherësh këtë e proklamon edhe si pajtim mes shqiptarëve dhe serbëve. Realisht ky është projekt për të cilin u bënë aq shumë masakra dhe spastrime etnike, e pas të cilës qëndron edhe vet politika zyrtare e Serbisë. Kriminelët vazhdojnë të dënohen, njëri pas tjetrit, por politika serbe mbeti po ajo e vjetra, krejtësisht e pandëshkuar.

Një figurë ultranacionaliste sllave, Dobrica Çosiç, forcon betejat e mladiçëve, millosheviqëve, tadiçëve etj., për ndarjen e Kosovës. “Antagonizmat shekullorë të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë mund të tejkalohen vetëm me ndarjen e përhershme”. Por,  ky fabrikant i hegjemozimit serb shkon edhe më larg duke thënë se ndarja do të “parandalonte ekspansionin shqiptaro-madh dhe do të krijonte kushte për jetë normale të dy popujve”. Ngjitas projektit serbomadh, Serbia mëton të luajë rolin e viktimës, duke ndërtuar skemën ultranacionaliste në territoret ku janë kryer krime makabre nga forcat serbe.
 
Holokausti serb i pa ndëshkuar
 
Manovrimet taktike vazhdojnë. Loja politike e “kokave të prera” nga ana e Serbisë duket të ketë patur efekt: Me prerjen koke të kryekasapit të Ballkanit, (dorëzimin në Hagë të Millosheviqit), Serbia u amnistua për krimet e bëra në luftërat e fundit; me kokën e Karaxhiqit, fitoi liberalizimin e vizave, ndërkaq, siç duket kriminelin Mladiq e ruajti ‘kurban’ për lehtësimin e rrugës për anëtarësim e në BE. Kapja e kriminelëve të shumëkërkuar në Serbi, nuk do të thotë se ky vend gjeneron shkëputje direkte nga e kaluara e saj.

Kjo do të tingëllojë kështu, deri në çastin kur Serbia do të distancohet nga e kaluara e saj hegjemoniste dhe të njeh realitetin e ri në Ballkan, veçmas njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës. Çfarë ndryshimi mund të pritet nga Serbia e cila vazhdon të kundërshtojë fuqishëm pavarësinë e shtetit të Kosovës, të cilin juridikisht konsideron provincë të saj.

Nëse bëjmë një krahasim të qëndrimit të ish-kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit në raport me vendet joserbe, shohim se pasuesit e tjerë politik të Serbisë, siç janë: Koshtunica, Jeremiqi e Tadiçi etj., nuk ekziston as më i vogli ndryshim nga ai I viteve të nëntëdhjeta. Masakra e Srebrenicës ishte vrasja më masive në Evropë prej Holokaustit Nazist në Luftën e Dytë Botërore, për të cilën nuk e shpreh asnjë fije faji nga politikëbërësit e Beogradit.

Por, masakrat e ngjashme mizore vazhduan më vonë edhe në Kosovë. Kriminelët të cilët bënë masakra në Kosovë, vazhdojnë të nderohen si heronj në Serbi. Prandaj, proklamimet për drejtësi në këtë shtet fqinj janë falso dhe tiketë propagande. Këtë e dëshmon edhe Pavol Demesh, nga FGJM i SHBA-së, duke vlerësuar se ishte me rëndësi qe Serbia të shohë vendosmërinë e komunitetit ndërkombëtar për të çuar drejtësinë në vend, për të gjithë të dyshuarit famëkeq për krime lufte në botë.

\"Popullata serbe tashmë është mësuar me faktin se banditët, gangsterët dhe kriminelet e tyre nuk po e paguajnë çmimin në vend, por edhe bashkësia ndërkombëtare është angazhuar në përcaktimin e fatit të tyre. 

Kjo është katarzë, përmes së cilës Serbia duhet të shkojë për shkak të masakrave të kryera nga regjimi i Millosheviqit”. Hegjemonizmi serb vazhdon të zyrtarizohet e të mbrohet, por jo të dënohet dhe ndëshkohet, ashtu siç e kërkon drejtësia juridike, humane e njerëzore. Se Serbia nuk dëshironte t’i arrestonte kriminelët e luftës, dëshmon edhe faqja skandaloze Wikiliks.

Në transkriptet e  Ëikiliksit zbulohet se autoritetet në Serbi që nga viti 2006 e kanë ditur se ku fshiheshin kriminelët e luftës Ratko Mladic dhe Goran Haxhic, por nuk ndërmorën asnjë hap për t’i arrestuar ata. Ëikilis zbulon se kjo politikë përkrahej nga kryeministri i atëhershëm serb Vojislav Koshtunica, për të zbuluar kontaktet e bashkëpunëtorëve të Mladiçit me vetë kreun e  shtetit në Rusi.
 
Qasja ndërkombëtare
 
Bashkësia ndërkombëtare, nuk ka treguar vendosmëri të duhur sa i përket konflikteve të fundit në Ballkan. Në këtë kontekst, jo rrallë i janë bërë lëshime Serbisë, duke e lënë lirshëm së vepruari politikëbërjen e vjetër në Beograd . Në kontekstin medial, (në shkallë ndërkombëtare), arrestimi i Ratko Mlladiqit është vlerësuar si ditë historike për drejtësinë ndërkombëtare. Kështu vlerëson edhe kreu i OKB-së Ban Ki-mun.

Ndërkaq, shefi i NATO’s, Anders Fogh Rasmussen e vlerëson si “një mundësi që drejtësia të vihet në vend”. ndërkaq, Zëvendësi i këshilltarit për siguri kombëtare të SHBA-ve, Ben Rhodes, theksoi se  kapja e Mladiçit është një sukses i madh për drejtësinë. “Lutjet dhe mendimet tona sot, megjithatë, janë me familjet e viktimave, me të gjithë ata njerëz që kanë vuajtur dhunën dhe tiraninë e Mladiçit”. Por, ata qe pësuan nga dora kriminale e Mladiçit, kanë shumë arsye të ndihen skeptik, ngase kapja e kryekriminelit nuk ka ndodhur si mirëkuptim ndaj viktimave, ose si çasje pragmatike ndaj drejtësisë, por vetëm si treg politik.

Dërgimi në bankën e zezë për drejtësi ndërkombëtare të kasapit, Mladiq me gjendjen e tij shëndetësore të rrënuar (gati të vdekur), është një tjetër lojë qe shteti serb i bën jo vetëm viktimave të luftës, por edhe komunitetit ndërkombëtarë. Kjo uverturë serbe realisht tingëllon si taktikë për përfitime politike të Serbisë, e cila është përgjegjëse për tri luftëra të përgjakshme në konsinentin e vjetër.

Me arrestimin e kriminelit Ratko Mladiç , Serbia jo vetëm qe nuk ka hapur kapitull të ri, (siç proklamohet në qendrat e ndryshme botërore), por ajo vazhdon këmba këmbës modelin e krijimin të Serbisë së madhe, të cilës i kanë paraprirë, Andriq, Millosheviq, Qosiq, Karagjiq e Mladiq, e gjer tek lideri i fundit, Boris Tadiq. Kriminelët serbë, njëri pas tjetrit ulën në bankën e drejtësisë, por ‘rruga e tyre’ vazhdon nga politika zyrtare e Beogradit.

Krejt në fund mund të shtojmë se nëse Bashkimi Evropian do ta shpërblejë Beogradin për arrestimin e gjeneralit Mladiq, pa ndryshimin e qasjes saj ndaj realitetit të ri ballkanik, (për të njohur hartën e re me shtetin e Kosovës), komuniteti ndërkombëtar mund të llogarisë në një rrëshqitje tjetër dhune në rajonin e trazuar të Evropës. Me qasje luftënxitëse nuk mund të ndërtohet paqja, aq shumë e kërkuar, por edhe e domosdoshme për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilat janë zotuar për rrugën e integrimeve euro-atlantike.
 
 
(Autori është publicist, analist dhe drejtor për marrëdhënie me publikun në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)