24 Dhjetor 2024

Rruga evropiane e Kosovës 

Shkruar nga Dr. Ukë Berisha,

Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës, si parti e orientuar thellësisht kah vlerat perëndimore, është e shqetësuar me disa trendë jo të mira për Kosovën dhe rrugën e saj perëndimore. Kosova nuk duhet të demonstrojë vetëm me retorikë aspiratën për integrime.

Në të vërtetë, vendi ynë ka më shumë se kurrë nevojë që në praktikë të manifestojë standardet perëndimore, që të tejkalojmë këtë gjendje të rëndë sociale, ekonomike dhe politike.

Qeveria e Kosovës as sot e kësaj dite, nuk ka arritur të merret seriozisht me çështjen e integrimeve të vendit. Imazhi i degraduar i vendit, ka bërë që në vendin tonë mos të ketë një impakt serioz ekonomik nga vendet e Bashkimit Evropian.

Po ashtu, kemi një demokraci që çdo ditë e më shumë po lëndohet dhe për këtë përgjegjësia kryesore bie të partitë e mëdha e sidomos ato qeveritare.

Në të gjithë këtë amulli të brendshme, e shohim se nuk ka asnjë angazhim konkret të institucioneve përgjegjëse në vend, madje as i partive tjera për të tejkaluar këtë dhe për të shfaqur një alternativë të re evropiane për vendin.

Kosova duhet urgjentisht të dinamizojë politikat e saja integruese, me një angazhim të sinqertë, që të përafrojmë ligjet me standardet e kërkuara perëndimore, por edhe t’i manifestojë ato në jetën e qytetarëve tanë, që ata mos të ndjehen të braktisur nga institucionet e vendit të vet, për të cilat kanë sakrifikuar shumë.

Kosova dhe shoqëria e saj, nuk kanë nevojë për ligje që bëhen vetëm pse na thuhet nga jashtë, për ligje konforom standardeve evropiane, e që nuk gjejnë zbatueshmëri asnjëherë, por vendi ka nevojë që ato ligje dhe ato standarde, të bëhen pjesë e jetës së përditshme të qytetarëve të vendit, të cilët edhe pas kaq vitesh, e ndjejnë të largët rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Për këtë, fajtori kryesor është tek klasa politike, që politikat për integrim i ka vetëm si retorikë poze. Ne inkurajojmë opozitën, që të përgatitet me një platformë serioze për rikthimin e besimit të Kosovës para botës perëndimore, që në Kosovë të rikthehet besimi për një të ardhme më të mirë dhe për një rrugëtim të sigurt drejt perëndimit.

Ne vlerësojmë se rrugën evropiane të vendit, nuk e pengon askush më shumë se institucionet tona të brishta, me tensione të brendshme, me korrupsion kapilar dhe krime ekonomike të pashembullta.

E gjithë kjo po thellohet me papërgjegjësinë minimale të institucioneve, të cilat jo që nuk bëjnë gjë për të manifestuar standardet perëndimore në Kosovë, por me veprimet e tyre dhe papërgjegjësinë po çojnë ujë në mullirin e atyre që duan ta pengojnë integrimin evropian të Kosovës.

Shqiptarët e kanë provuar shpeshherë se çdo shmangie nga rruga perëndimore, me vetëdije apo pa të, ka rezultuar të jetë tragjike për ne.


(Autori është Kryetar i PSHDK-së)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)