Rruga e Serbisë për në BE kaloi mbi trupat e shqiptarëve
Fjala e Rexhep Selimit në deklarimin jashtë rendit të ditës në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës
Gjatë gjithë kohës përderisa vazhduan dhe po vazhdojnë bisedimet e Qeverisë se Kosovës me Serbinë, ne, Lëvizja VETËVENDOSJE! iu kemi paralajmëruar se këto bisedime janë një proces që e afrojnë Kosovën me afër Serbisë dhe Serbinë më afër Evropës.
Madje këtë paralajmërim ua kemi bërë disa herë edhe nga kjo foltore e Kuvendit. Sot jemi në një gjendje kur fatkeqësisht koha na dha të drejtë. Si rezultat i negociatave dhe i marrëveshjeve Thaçi-Daçiq Serbia mori datën e fillimit te negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa MUP-i dhe institucionet e Serbisë po legalizohen në Kosovë.
Ju deputetet, nga cilido grup parlamentar që i keni mbështetur këto negociata me votën tuaj, të vetëdijshëm apo jo, jeni ata që falë mbështetjes suaj Kryeministri negocioi me Daçiqin dhe falë këtyre negociatave Serbia mori shpërblimin.
Bashkimi Evropian ka mbivlerësuar përparimet që Serbia ka bërë në dialogun me Kosovën, duke i ofruar si shpërblim nisjen e negociatave për anëtarësim. Kështu ju, ia dhatë amnistinë Serbisë, asaj që mbi kurriz mban barrën e krimeve më të rënda kundër njerëzimit, e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë.
Në negociata u propagandua shumë se negociatorët e Kosovës do të bisedonin patjetër edhe për të pagjeturit shqiptarë qe u vranë dhe u zhdukën nga forcat e Serbisë në luftë. Por siç jemi dëshmitarë askush si përmendi kurrë në asnjë tryezë në Bruksel.
Ditëve të fundit, zbulimin e varrezave të pretenduara në varrezat masive diku në Serbi, familjaret e të humburve e priten me ankth dhe me shpresë se do të mund ti gjejnë së paku eshtrat e më të dashurve të tyre.
Por, ata nuk e dinin se edhe kësaj radhe trupat e të vrarëve nuk e gjeten rrugën e kthimit në atdhe. Familjaret shpresuan por nuk e ditën se me trupat e shqiptarëve Serbia po bënte një pazar. Pesë trupa të shqiptarëve të vrarë Serbia i dha si kapar për diçka që edhe në të vërtetë e mori paraprakisht.
Rastësisht apo jo, asfalti dhe objekti mbi trupat e shqiptarëve në Serbi i përkiste një ndërmarrje që quhej Kosmet-Put që në shqip do të thotë Rruga e Kosmet, apo Rruga Kosova.
E pra, e di apo nuk e di BE-ja se nëpër çfarë rruge po i afrohet Serbia asaj, Kosmet-Put quhet rruga e Serbisë drejt Evropës, rrugë e cila kalon mbi eshtrat e shqiptarëve të vrarë e të fshehur.
Kryeministri i Kosovës bisedon me Kryeministrin e Serbisë, jo për kthimin e trupave të të vrarëve e të zhdukur por për kthimin e atyre që vranë. Ai nuk flet me Daçiqin për ti kthyer trupat dhe eshtrat e shqiptareve por për kthimin e policëve serbe të MUP-it ne Policinë e Kosovës.
Në vend që ta kërkonte nga Brukseli hapjen e Kosovës e cila është kthyer në një vend të izoluar në mes të Evropës, ai me marrëveshjet me Daçiqin ia hapi dyert Serbisë drejt integrimit. Në vend që të kërkonte drejtësi për të gjitha krimet, vrasjet dhe spastrimin etnik ndaj shqiptarëve edhe pas luftës në pjesën veriore të Kosovës, pikërisht këtë drejtësi ia la në dorë atyre që i shkaktuan këto krime.
Si rezultat i këtyre bisedimeve, MUP-i i Serbisë rikthehet në Kosovë, çetnikët udhëheqin me Komuna, madje edhe ia kanë mësyrë edhe Kuvendit të Kosovës përmes vendeve të rezervuara. Në të vërtetë, me luftën çlirimtare të UÇK-së e hoqëm Kosovën nga Serbia, por me negociata e mbajtëm Serbinë brenda Kosovës. Nëse UÇK-ja e shkëputi me lufte Kosovën nga Serbia, Qeveria e Kosovës e riktheu, jo Kosovën në Serbi por Serbinë brenda Kosovës.
Madje Daçiqi dhe Thaçi kërkojnë edhe më shumë sesa kaq, kërkojnë diçka që përveç se e papranueshme, për ne është edhe e dhimbshme. E dhimbshme por njëkohësisht e padurueshme është tashmë kjo situatë.
Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!