Rrjeti i bizneseve të diasporës shqiptare si leksion për Tiranën
Mbi 300 biznesmenë shqiptarë nga mbarë bota, mësohet të jenë bashkuar në New York nën siglën e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në një forum ekonomik.
Ky takim i biznesmenëve të diasporës mbarëshqiptare, duket se a kaluar në një stad më të avancuar organizimi dhe suksesin nuk e garantuan thjesht dhe vetëm pjesëmarrja e lartë e shqiptarëve të suksesshëm në diasporë, Presidenti Nishani, Kryeministri Mustafa, ministra dhe zyrtarë të shteteve shqiptare, apo hapësirave të tjera shqiptare, qoftë edhe e senatorëve apo kongresmenëve amerikanë.
Duket se ky forum, si i pari i llojit të tij për diasporën shqiptare, është një provë konkrete e domosdoshmërisë së bashkëpunimit ndërshqiptar në diasporë, pa ndonjë përkrahje apo domethënëse nga shteti apo shtetet shqiptare.
Është sfidë në vete për të hulumtuar se sa prej këtyre biznesmenëve shqiptarë të diasporës, kanë arritur të guxojnë dhe të investojnë në vendlindje, ku të paktën këta të Britanisë herë pas here kanë shfaqur shqetësimin e hapur për problematikën e panumërt për të investuar në Atdhe.
Duket se ka një kontraditë themelore mes të ashtuquajturit Samit të diasporës, që do të zhvillohet në nëntor nën përkujdesjen e kryeministrit Rama, me forumin e zhvilluar në New York. Në fazën e parë të selektimit të samitxhinjve, shumë prej këtyre biznesmenëve nuk janë ftuar. Samitxhinjtë janë përzgjedhur sipas disa preferencave të ambasadave në vende të ndryshme, pa kritere specifike dhe praktikisht fejsbukizmi duket se ka qenë kriter themelor.
Prononcimi i Presidentit të Republikës për gazetën Illyria se më duhet të them me shumë keqardhje se nuk kam asnjë informacion se çfarë është ky samit, kush e organizon, pse e organizon, çfarë temash do të trajtojë, çfarë platforme ka, si do të organizohet etj zbeh çdo dritë shprese
Te bindur në një dështim të mundshëm, stafi i kryeministrit hapi një faqe interneti, ku u kërkohet aplikantëve për pjesëmarrje në samit, të plotësojnë ca formularë në mënyrë që të marrin pjesë.
Duket se kjo zgjidhje i shpërlan nga mëkati stafet e ambasadave, por mbase nuk duhet ndalur asnjë moment të vetëm në videon e kryeministrit për diasporën, pasi edhe përcjellësi më i mirë i lajmeve në mëmëdhe e ka të pamundur të gjejë një fjali të vetme të kryeministrit për diasporën që pas ditës së ardhjes në pushtet.
As që mund të diskutohet për ndonjë iniciativë konkrete, përveç premtimit me zë dhe figurë, për të drejtën e votës së emigrantëve shqiptarë, që nuk u realizua e kushedi kur mund të bëhet realitet, pasi vetëm shqiptarët e Shqipërisë në diasporë, nuk kanë të drejtën e votës në vendet ku jetojnë.
Më kot mund të vëzhgohen lëvizjet e kryeministrit në vende të ndryshme të botës dhe takimi me shqiptarët e atjeshëm mbetej i munguar.
Mbi dhjetë herë ka qenë kryeministri në Londër dhe një herë të vetme nuk mori mundimin që të takojë as ata shqiptarët e suksesshëm, që kanë pushtuar dhe po pushtojnë mediat e botës, PHD, lektorët shqiptarë të Universiteteve Britanike, sipërmarrësit tmerrësisht të suksesshëm etj etj, por nuk nguroi të merrte pjese edhe në takime ku flitej bie fjala për sportin (eksperienca personale e tij)
A është Rinasi argumenti me kokëfortë i moskokëçarjes për diasporën?
A mund të bëhej së paku sa Kosova për diasporën? Të kishte një ministri për diasporën?
Një praktikë e tillë është ndjekur përgjithësisht edhe nga ministrat e tij dhe diaspora ngjante me një fjalë që sjell përshtjellim, sesa si potencial i jashtëzakonshëm njerëzor dhe jo vetëm.
E njëjta gjë ndodhi edhe me kryetarin e parlamentit Meta gjatë vizitës së tij në Londër, ku u shënjua edhe një takim në parlamentin britanik, (përveç takimeve protokollare).
Me gjithë kujdesin e stafit të tij nga Tirana, (në të shumtën e rasteve Ambasadat anashkalohen) në kronikat që iu servirën medias shqiptare, dallohej qartësisht se më i madh ishte numri i të ardhurve pra shoqëruesve të Metës sesa i pritësve, në një prej sallave bosh të parlamentit Britanik.
Sa qesharake aq e dhimbshme qoftë edhe kur mendon se udhëtime të tilla bëhen me paratë e taksapaguesve shqiptarë, se mos është vetëm ky problemi, se mos vetëm udhëtimet e tyre.
Realisht diaspora duket se mbetet e vetmja shpresë e ndryshimit, e këtë kanë filluar ta kuptojë edhe Tirana, që me patjetër është e vetëdijshme se diaspora nuk mund të blihet dhe as të manipulohet kurrsesi, apo të paktën mund dhe duhet tu jepet shansi emigrantëve, qofshin thonj-paprerë ose jo dhe rrjeti i bizneseve të diasporës duhet të jetë leksion për Tiranën.
/http://www.thealbanian.co.uk/