Rrjetet sociale si mjete të abuzimit
Shkruar nga Leutrim Sahiti
Mediet sociale falë zhvillimit tekniko-teknologjik dhe globalizmit, sot kanë arritur që të jenë prezente në çdo cep të botës. Përdorimi i tyre sot është shndërruar në modë nga të gjitha moshat.
Roli i tyre është i shumëfishtë, duke filluar nga kontakti mes individëve, pavarësisht largësisë, marrja e informacioneve, promocioni etj.
Rrjetet sociale kanë mundësuar që iniciativat qytetare të organizohen me lehtë dhe më shpejtë në realizimin e ideve dhe projekteve të ndryshme, ato kanë transformuar jetën sociale, ku njerëzit sot janë me të afërt dhe në kontakt më shumë me njerëzit që gjenden mijëra kilometra larg njëri-tjetrit, sesa me ata që i ndajnë vetëm muret.
Rrjetet sociale shpesh herë përdoren edhe për propaganda dhe manipulim të opinionit publik nga parti politike apo grupe të interesit.
Nga aspekti socio-psikologjik sot është e rëndësishme të dijmë se cili është ndikimi i rrjeteteve sociale në krijimin e identitetit personal.
Krijimi i identitetit personal varet edhe nga faktorët social, agjensët e socializimit, ku rol të veçantë po luajnë rrjetet sociale, duke marrë parasysh nivelin e përdorimit të tyre. Ato kanë bërë unifikimin e sjelljeve, shijës, stilit të jetës etj.
Përmes rrjeteve sociale individët e shpërfaqin identitetin e tyre personal, përmes postimeve që bëjnë për jetën dhe veprimet e tyre e që shumë herë edhe bien viktimë e manipulimit nga personat tjerë.
Qasja në rrjete sociale reflekton një mungesë të integritetit personal sepse mundëson që përdoruesit të shfaqen ndryshe në rrjete sociale nga ajo që ata janë realisht. Kjo flet edhe për krizën e identitetit që e prodhon media.
Ajo që është mjaft shqetësuese ka të bëjë me abuzimin që bëjnë individë të caktuar me fëmijë të mitur, të cilët i manipulojnë duke i publikuar videot apo fotot e tyre qesharake dhe me këtë rast kemi të bëjmë me abuzim të identitetit të tyre personal dhe shkelje të të drejtave të fëmijëve të siguruara edhe me konventa ndërkombëtare.
Fëmijët viktimë të keqpërdorimit të rrjeteve sociale janë të predispozuar të bëhen devijantë kur të arrijnë moshën madhore pasi që ata do të jenë të talluar dhe të stigmatizuar nga shoqëria.
Rrjetet sociale kanë bërë që njerëzit të orvaten për të qenë në vëmendje duke përzgjedhur shumë herë edhe mënyra më absurde që ata i bënë objekt manipulimi dhe tallje nga të tjerët.
Pra rrjetet sociale e kanë zbehur në masë të madhe identitetin personal, duke krijuar kështu \"personalitete\" të rrejshme dhe fallse.
Një lëndë për edukimin medial do të ishte mjaft e nevojshme që të futet në sistemin arsimor në mënyrë që të rinjtë të marrin një edukim kulturor mbi përdorimin e rrjeteve sociale.