Rrjetet e televizionit kabllorë në Kosovë
Shkruar nga Shpend Fazliu
Në Kosovë aktualisht veprojnë 2 kompani të mëdha që e kanë të shtrirë rrjetin e tyre të televizionit digjital kabllorë gati në tërë territorin e Kosovës, Kompania IPKO dhe KUJTESA, përderisa PTK me TIK TV, nuk po arrin të shtrijë investimet në rrjetin e televizionit kabllor.
Fakti se gjendemi në një mes kur vetëm dy kompani kontrollojnë tërë hapësirën mediale të shpërndarjes kabllore në Kosovë, ka bërë që konkurrenca të jetë jo e mirëfilltë dhe televizionet e ofruara të mos i kënaqin në masën e duhur klientët e televizionit kabllor.
Ata që shfrytëzojnë rrjetin e televizionit kabllorë në disa qyteza të vogla përmes kompanive ilegale private, mbase mbeten më të kënaqurit dhe privilegjuarit, pasi që aty pa kontroll ofrohen të gjitha programet në paketë, përfshirë edhe pakon sportive, e cila nuk ofrohet e plotë nga dy kompanitë e licencuara, kontrolluara dhe legalizuara.
Analiza dhe komentet për IPKO
E vetmja gjë që mund të krenohet kjo kompani është marrëveshje me DIGITALB, programet e të cilës i ofron për territorin e Kosovës, po ashtu, ofrimi i disa kanaleve në kualitetin e lartë HD.
Përkundër faktit se IPKO vazhdimisht reklamohet si kompania me shërbimet më të mira të televizionit digjital, ajo asesi nuk mund të krenohet me investimet e saja për shtim të programeve televizive, sidomos ndërkombëtare, ku tani për tani ofron kryesisht kanale gjermane dhe turke që mund të shihen me antenë satelitore më të thjeshtë pa pagesë. Përkundër faktit se ka pasur dhe vazhdon të ketë kërkesa të vazhdueshme nga klientët, ka disa muaj që kjo kompani nuk ka sjellë risi sa i përket televizionit digjital dhe shtimit të kanaleve televizive.
Është për tu çuditur fakti se kjo kompani së fundmi ka filluar të aplikojë dallimet nëpër rajone të ndryshme sa i përket televizioneve lokale dhe rajonale, pra të gjitha televizionet lokale dhe rajonale i transmeton vetëm në Prishtinë, por jo edhe në rajonet e tjera, edhe pse çmimi për klientët është i njëjtë, qoftë në Prishtinë apo zonat e tjera të Kosovës.
Kompania IPKO, asnjërin nga kanalet që aktualisht i ofron nuk i ka prodhim të sajin, por kryesisht bazohet në kanale nga Shqipëria dhe të huaja.
Kulminacioni çuditërisht u arrit kur para disa muajve, kur IPKO nga paketa e saj hoqi Ligën e Futbollit Spanjoll, LA LIGA, duke zhgënjyer gjithë futbolldashësit të cilët kishin shpenzuar para për të paguar pakon sportive.
Analiza dhe komentet për KUJTESA
Kjo kompani fillimisht kishte marrëveshje me TRING TV, paketë televizionit digjital nga Shqipëria, programet e së cilës i ofronte për Kosovë. Por, me kalimin e kohës kjo marrëveshje u shkëput nga TRING dhe Kujtesa dhe filloj një etapë të re, krijimin e kanaleve televizive vetanake, qoftë për film dhe dokumentare.
Fillimi dukej tepër entuziast, madje filluan edhe prodhime vendore në kanalet e saja, por me kalimin e kohës u shfaqen shumë probleme.
Tani kjo kompani, në kanalin K Channel, transmeton reprizën e disa emisioneve të shfaqura më herët dhe duket se ka ndërprerë prodhimet vetanake.
Ajo që secilit nga ne mund ti bie në sy është fakti se Kujtesa ka shumë kanale muzikore dhe gati sa nuk është shndërruar në kompani muzikore.
Por, edhe përkundër faktit se shikuesit e rëndomtë vërejtjen kriza, kjo kompani u mundua që të sjellë risi, përmes pakos sportive, duke marrë të drejtat e transmetimit për disa Liga futbolli dhe basketbolli, tentativë kjo për të ruajtur klientët që kishte.
E sa i përket kanaleve ndërkombëtare, vlen e njëjta lojë, edhe kjo kompani kryesisht është përqendruar në kanale turke dhe gjermane që mund të shikohen me marrës të thjeshtë satelitorë, pa ndonjë investim apo kanal me kualitete të larta.
Analiza dhe komentet për TIK TV
Me fillimin e ofrimit të shërbimit të televizionit, TIK TV fillojë fuqishëm të reklamojë produktet e saja, aq sa krijohej përshtypja se konkurrenca ishte rritur fuqishëm dhe risitë për shikuesit do të vinin shpejtë.
Por, pas disa muajve investimet u ndërprenë dhe kjo kompani mbeti e kënaqur vetëm me shërbimet e TRING TV me të cilën aktualisht ka kontratë. E për sa i përket kanaleve muzikore dhe ato turke e gjermane vlen i njëjti tregim.