Rrëzimi i demarkacionit hapë rrugën për liberalizim të vizave
Shkruar nga Bilall Sherifi
Tanimë është sekret publik se ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të zi, si kusht për liberalizimin e vizave për Kosovën, është kërkuar nga Qeveria e Kosovës.
Dyshimet e opozitës se demarkacioni si kusht për vizat është kërkuar nga Qeveria e Kosovës, i konfirmoi praktikisht edhe raportuesja për Kosovën eurodeputetja Tanja Fajon gjatë qëndrimit të saj në Kosovë në muajin shkurt të këtij viti.
Ky fakt u bë i ditur për publikun kur ajo, gjatë një interviste, u pyet nëse Qeveria e Kosovës ka kërkuar që demarkacioni të përfshihet në paketën e kushteve për liberalizimin e vizave. Ajo nuk e mohoi një mundësi të tillë, por vetëm tha se personalisht nuk e dinte! Por, ajo nuk e fshehu se si ishin caktuar këto kushte.
Në të njëjtën intervistë, Zonja Fajon e konfirmoi se kushtet për liberalizim të vizave i kanë vendosur bashkërisht Qeveria e Kosovës dhe Komisioni evropian.
Në të njëjtën vijë ishte edhe qëndrimi i Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së Frederica Mogherini gjatë vizitës së sotme në Kosovë.
Fakti se Mogherini ka kërkuar ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi nuk përbën lajm. Lajm do të përbënte në rast se ajo do të thoshte se BE-ja ka hequr dorë nga kërkesa për të ratifikuar këtë marrëveshje.
Besoj se askush nuk ka pritur që BE-ja të heqë dorë nga plotësimi i këtij kushti, përderisa kjo marrëveshje ende nuk ka marrë epilog nga Kuvendi i Kosovës, si instanca e fundit ku marrëveshjet e nënshkruara nga qeveria, konfirmohen apo hidhen poshtë.
Miratimi apo hedhja poshtë e marrëveshjeve mes shteteve është e drejtë ekskluzive e deputetëve të kuvendit të secilit vend demokratik. Mogherini, si përfaqësuese e demokracive perëndimore, e din këtë më mirë se ne.
Tani, ajo që duhet të bëjnë përfaqësuesit e popullit është që menjëherë, pa humbur kohë, versionin aktual të demarkacionit ta sjellin në kuvend dhe t\'i japin epilogun e vetëm të drejtë që mund t\'i jepet: rrëzimin e saj në kuvend.
Hedhja poshtë e marrëveshjes dhe mosmiratimi i formës aktuale të demarkacionit do ti hapë rrugë një procesi të ri për këtë çështje. Ose do të kërkohet që të gjendet një zgjidhje përmes kontakteve bilaterale mes Kosovës dhe Malit të Zi ose përmes dërgimit të kësaj çështjeje në arbitrazh ndërkombëtar.
Sido që të ndodhë, qoftë hapja e një procesi të ri mes Kosovës dhe Malit të Zi për të shënuar vijën kufitare, qoftë dërgimi në arbitrazh, KUSHTI PËR RATIFIKIMIN E KËSAJ MARRËVESHJE DO TË BINTE POSHTË, nga vetë fakti se nuk mund të kërkohet plotësimi i një kushti, kur marrëveshja që i dha jetë u kthye në pikën fillestare.
Në rast se zgjidhja e kësaj çështjeje do të kërkohej në bisedimet dypalëshe në mes Kosovës dhe Malit të Zi, shtetet e BE-së do të prisnin epilogun e këtij procesi.
Nuk përjashtohet mundësia që BE-ja do të bënte presion që ky proces të futej në agjendat e të dy qeverive si çështje me prioritet.
Ndërsa, nëse çështja shkon në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, atëherë të gjithë do të jenë të ishin të vetëdishëm se duhet të presin vendimet e këtij mekanizmi të drejtësisë ndërkombëtare dhe askush nga qarqet politike BE-së nuk do ti vinte Kosovës si kusht diçka që varet nga institucionet e drejtësisë ndërkombëtare.
Sepse insistimi i tillë do të konsiderohej paradoksal dhe në të njëjtën kohë interferencë politike në drejtësi.
Prandaj, është obligim që deputetët e Kuvendit të Kosovës ta heqin këtë bllokim të situatës duke votuar për rrëzimin e kësaj forme të demarkacionit dhe heqjen e kushtit që është bërë pengesë për liberalizimin e vizave për qytetarët Kosovës.