21 Prill 2025

Roli i vetëdijës qytetare në funksionalizimin e shtetit

Shkruar nga Durim Berisha

Përderisa po përfundoja pjesën përfundimtare të punimit të Magjistraturës me keqardhje po përcjelli situatën e fundit të krijuar në vendin tonë.

Ndonëse fillimisht mendoja të mbaj në vete zhgënjimin mbi rrjedhën e ngjarjeve të fundit të cilat po na pasqyrojnë një realitet që pak e kemi pritur, të cilin nuk e kemi dashur, një realitet i cili ngrit shumë pikëpyetje, përgjigjet e të cilave në vend se të i kërkojmë tek vetja mundohemi të i adresojmë tek të tjerët.

Ishte pikërisht një pyetje që Profesori Burkhard Schöbener e kishte ngritur në librin e tij të “Teorisë së përgjithshme të Shtetit”, në kapitullin i cili fliste mbi shtetet e reja, ku ndër të tjera kishte pyetur “a do të mund Kosova të funksionalizohet si shtet pas shpalljes së pavaresisë?” që më shtyri të ndaj këtë opinion timin me publikun.

Duke mos dashur të zgjerohem më shumë, në mënyrë që të trajtojmë ato aspekte, përgjigjet e të cilave do të mund të i gjejmë, do të fokusoheshim në trajtimin e funksionalizimit të institucioneve shtetëore duke mos dashur të zgjerohemi në shtrirjen e sovranitetit të këtyre institucioneve (pasi është i njohur për të gjithë dështimi i shtrimit të sovranitetit në tërë territorin e Republikës) por duke u kufizuar në aspektin e ndërtimit dhe forcimit të institucioneve shtetërore, por në të njejtën kohë edhe në trajtimin e akteve juridike të cilat determinojnë këto institucione.

1.    Kushtetuta e Republikës

Akti themeltar i cili do të shërbente si bazë e funksionimit të organeve të pushtetit shtetëror edhe pse është quajtur “Kushtetutë” nuk plotëson kriterin bazë i cili njihet në të drejtën Kushtetuese për të u quajtur e tillë, pasi bazuar në parimim “pouvoir constituant” i cili nënkupton “sovranitetin kushtetutbërës”, sovranitet i cili duhej të rridhte nga populli në kuptimin se akti themeltar mund të quhet Kushtetutë vetëm atëherë kur ai pasqyron vullnetin e popullit dhe në të njejtin kuptim i është nënshtruar miratimit përmes popullit (referendumi popullore, mënyra e drejtëpërdrejtë e ushtrimit të sovranitetit) dhe jo kur ai është sjellur në pjesën e tij më të madhe nga jashtë dhe gjithashtu nuk i është nënshtruar miratimit nga populli. Ligji Themelor (Grundgesetz) i Republikës Federale të Gjermanisë për po të njejtat arsye nuk quhet Kushtetutë, pasi deri në vitet e 90’ ajo kishte subjektivitet të kufizuar.

Po të tejkalojmë këtë parim, ky dokument gjithashtu nuk ka krijuar bazë për një funksionim stabil të institucioneve pasi mënyra e të hartuarit të tij (gjuha e përdorur) është aq e pakjartë saqë (duke lejuar interpretime të ndryshme) as ata të cilët kanë punuar në përgaditjen e tij sot po përballën mes vete.

Nëse ndokush do të mendonte se ky nuk është problem, atëherë do ua rikujtoja rregullin e parë në hartimin e akteve juridike në aspektin gjuhësor “aktet juridike duhet të hartohen në atë mënyrë që të kuptohen nga të gjithë”. Besoj që pajtohemi se të kuptimi i akteve juridike duhej të ishte kuptim uniform (i njejtë) nga të gjithë ata që lexohet.

2.    Institucionet Shtetërore

Përderisa Republika e Kosovës është përcaktuar për trajtën e sundimit demokratik (të paktën në aspektin formal-juridik) ajo ka përqafuar praktikën e njohur të ndarjes së pushteteve. Përderisa pushteti Legjislativ (me përbërjen e tij) ka dëshmuar se jo çdo herë në sistemet demokratike ata të cilët do të duhej ishin përfaqësues të popullit edhe janë të tillë.

Duke qenë popull i fjetur, asnjëherë nuk janë ndëshkuar (nga vota e qytetarit) ata të cilët nuk janë lodhur të përfaqësojnë qytetarin, ata të cilët seancat e parlamentit i kanë shfrytëzuar për të mbushur llogarinë e tyre me para nga paraja e qytetarit të varfër dhe të cilët në të njejtën kohë kanë qenë po aq të fjetur sa qytetarët jashtë Parlamentit.

Ata të cilët kanë qenë mekanizëm i partive në pushtet për të realizuar një proces formal të kërkuar nga aktet juridike në fuqi. Madje më qesharak del fakti se edhe aprovimin e ligjeve (shumica e të cilave të përkthyera nga shtetet anëtare në BE) e kanë bërë duke u bazuar në parimin “te hjekim qafe” dhe jo pse kanë qenë të vetëdijshëm për përmbajtjen e tij (ka raste kur janë miratuar ligjet e vjetra që sot nuk janë të zbatueshme në ato shtete të BE dhe jo ligjet e zbatueshme)

Pasi Gjyqësori mbetet çerdhe e kriminelëve dhe burimi kryesor i kriminalitetit (e them kështu duke u bazuar në raportet të cilat e kanë nxjerë gjyqësorin si sektorin më të korruptuar në Kosovë) atëherë as që ja vlenë të shpresohet për një shtet të së drejtës, ku të drejtat dhe liritë e qytetarit respektohen.

Nëse e shikojmë që nga shpallja e pavarësisë punën e qeverive në Kosovë të cilat gjithmonë kanë qenë të fokusuara në punësimin e përkrahësve të tyre që në të shumtën e rasteve kanë qenë të paaftë të cilët si rrjedhojë pastaj kanë paaftësuar funksionimin e mirëfilltë të aparatit shtetëror. Bartësit e funksioneve qeveritare mbesin përgjegjësit e situatës së krijuar, thënë më mirë të kaosit të krijuar.

Por në mënyrë zingjirore jashtë përgjegjësisë nuk mbesin edhe ata të cilët kanë votuar për këta persona, por a kanë pasur mundësi të zgjedhin më të mirin? Apo ndoshta kanë zgjedhur njërin në mesin e të njejtëve?

Ndryshe nga qeveria, qytetarët e Kosovës asnjëherë nuk kanë mundur të kenë shumë ndikim në zgjedhjen e Presidentit të shtetit, ndërsa në zgjedhjen e fundit ndikimi i tyre ka qenë zero. Një President pa legjitimitet popullor, një absurd i llojit të vet, një diktat turpërues apo të themi një nënshtrim turpërues e në të njejtën kohë aq haptazi që vetëm një popull që i mungon vetëdija shtetformuese do të pranonte.

Prandaj duke u bazuar në këtë të fundit, besoj se pajtohemi se burimi i vërtetë i jonfunksionalitetit shtetëror është mungesa e vetëdijës qytetare mbi rëndësinë e shtetit, mbi të drejtat dhe detyrimet karshi shtetit dhe ndaj shtetit (bartësve të pushtetit), mbi rëndësinë e qytetarit në funksionimin dhe ndërtimin e shtetit.

Një mungesë e cila asnjëherë nuk është munduar të kompensohet nga bartësit e pushtetit, pasi çdo vetëdijësim qytetar do të rrezikonte statusin e atyre qe sot janë pjesë e skenës politike. Prandaj mungesa e vetëdijës qytetare do të vazhdoj të mbaj në jetë pikëpyetjen e mundësisë së funksionalizimit të Republikës së Kosovës si shtet i mirëfilltë.

(Autori është në përfundim të studimeve të Magjistraturës në Universitetin Konstanz në Gjermani në drejtimin e të Drejtës Kushtetuese Gjermane)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)