Roli i bizneseve shqiptare nё diasporё dhe rёndёsia e tyre
Shkruar nga Halit Berisha
Mërgata, gjegjësisht diaspora shqiptare është term me të cilin përfshihen të gjithë shqiptarët të cilët jetojnë, veprojnë dhe zhvillojnë aktivitete të ndryshme jashtë trojeve autoktone. Fjala diasporë rrjedh nga gjuha greke që do të thotë shpërndarje. Për herë të parë është përdorur në shek. XIX për popuj, grupe etnike dhe religjioze që lëshuan vendlindjen e tyre dhe u shpërndanë nëpër vende të ndryshme.
Në fillim të shekullit XX kur Evropa Perëndimore dhe SHBA-tё kishin hyrë në një stad të ri të një zhvillimi të hovshëm ekonomik, edhe pse në numër të vogël dhe të kufizuar populli shqiptar ishte orientuar drejt këtyre vendeve, tregjeve të punës të cilat ishin të hapura dhe kërkonin fuqi punëtore. Në përgjithësi qendrat e diasporёs shqiptare kanë qenë vendet e zhvilluara ekonomike.
Me kalimin e kohës numri i shqiptarëve të emigruar ka shkuar gjithnjë duke u rritur. Shkaktarё i këtyre emigrimeve ka qenë kryesisht ai ekonomik dhe politik.
Në historinë e kombit shqiptar aktiviteti dhe veprimtaria e diasporës ka luajtur një rol të rёndёsishёm në vendimet e mëdha e të ndryshme politike dhe ekonomike.
Organizimi i diasporës është fokusuar në shoqata kulturore dhe kombëtare tё cilat kryejnë aktivitete të larmishme që kanë të bëjnë me ruajtjen e traditave kombëtare, kultivimin e kulturёs dhe ruajtjen e gjuhës duke hapur paralele të shkollës shqipe. Krahas tyre ushtrojnё edhe aktivitete të ndryshme afariste e në vazhdimësi integrohen në tregun e punës dhe jetën shoqërore.
Nga kjo mund tё themi se suksesi i diasporës ёshtё treguar në të gjitha sferat e jetës afariste, kulturore, politike në vendet ku jeton dhe vepron. Diaspora shqiptare sot ështё bёrё urё lidhёse mes shtetit amё dhe vendeve tё ndryshme tё botёs. Nё pёrbёrjen e diasporës shqiptare ka intelektualë tё njohur, afaristё tё susksesshёm, studentё tё dalluar, punëtorë të vyeshëm tё cilёt demonstrojnë aktivitetet e tyre nё kёto vende duke promovuar edhe shumё pjesё tё vlerave kombёtare.
Numri i shqiptarëve apo më mirë themi gjendja faktike e të dhënave mbi qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mungojnë në zyrat institucionale të migracionit dhe lirisht mund të themi se qeveritë e kaluara edhe kjo e tanishmja e kanë lënë anash apo fare nuk ju intereson kjo qështje.
Sipas disa shifrave jozyrtare shumica e shqiptarёve jetojnё nё Gjermani 39%, Zvicerr 23%, Austri 7%, Itali 6%, Suedi 5%, Britani e madhe 4%, SHBA 3,5%, Francё, Kanada dhe Kroaci 2%.
Nёse marrim parasyshё kohёn e emigrimit tё shqiptarёve, ajo klasifikohet nё: Periudhёn e viteve 1960-1980 e cila pёrfshin 14% tё tyre, periudha gjatё represionit tё vitit 1990 rreth 59%, gjatё luftёs dhe pas saj 27%.
Nga treguesit e lartpёrmendur nё ndёrtimtari janё tё punёsuar 33%, nё gastronomi 11%, nё fabrika 10% ndёrsa 4% punojnё nё pozita menagjuese dhe mbikqyrёse.
Diaspora kosovare sipas disa treguesve jozyrtarё mund tё pёrfshijё 25% tё popullsisё sё Kosovёs.
Në decenien e fundit të shek. XX diaspora ka dhёnё njё kontribut tё madh duke mbёshtetur popullin e Kosovёs nё organizimin e funksionimit tё institucioneve arsimore, shёndetёsore, sociale, kulturore dhe shkencore, ndёrsa mё pak nё aktivitete ekonomike dhe investuese.
Pas çlirimit tё Kosovёs pёr herё tё parё krijohen rrethana tё reja dhe tё volitshme qё raportet e decenies së lartpërmendur, të ndihmёs dhe solidaritetit tё zёvendёsohen me investime ekonomike duke pasur parasyshё potencialin financiar qё diaspora shqiptare kishte krijuar dhe kursyer.
Nga shumё ndёrmarrje tё themeluara me pjesёmarrjen e kapitalit tё jashtёm, njё numёr i konsiderueshёm i tyre ka tё bёjё me angazhimin e investimeve tё diasporёs qё kishin lidhshmёri direkte me projektet e rindёrtimit nё Kosovё. Gjatё kёsaj periudhe kemi iniciativa tё shumta nga diaspora duke bёrё hulumtime dhe vёshtrime lidhur me thelbin e reformave ekonomike, pёrmirёsimin e ambientit pёr investime, zhvillim tё bizneseve si dhe ambientin e pёrgjithshёm institucional dhe organizativ.
Opinionet e shumё analistёve dhe ekonomistёve me renome ndёrkombёtare konsiderojnё se mobilizimi i kapitalit tё diasporёs vlerёsohet me njё rёndёsi shumё tё madhe pёr Kosovёn. Kёtё e potencoi edhe ish kryeministri anglez Tony Blair, po citoj: Diaspora e juaj, zhvillimi i bizneseve dhe dёrgimi i tё hollave nё shtёpi, poashtu do tu mundёsojnё njё fillim tё mirё. Pёrderisa dyert e Bashkimit Evropian dhe pёrfitimet nga tregu i gjёrё dhe i lirё i Evropёs fillojnё tё hapen pёr ju.
Tё ardhurat e tyre nё vendet ku punojnё dhe jetojnё gjatё vitit mund te jene 4 miliard euro, prej tё cilave 30% i mbajnё nё banka si depozita kursimi, ndёrsa 12-15% i dёrgojnё nё formё tё remitancave pёr pёrkrahjen e familjeve tё tyre nё Kosovё.
Dёrgesat e tyre si para tё gatshme sillen 500-600 milion euro nё vit të cilat zakonisht pёrdoren pёr konsum tё pёrgjithshёm. Nё mungesё tё programeve, projekteve ekonomike dhe mekanizmave tjerё, mjetet financiare kryesisht shfrytёzohen nё ndёrtimin e shtёpive, nё tё shumtёn e rasteve joproduktive.
Nga tё dhёnat statistikore tё Bankёs Qёndrore tё Kosovёs dёrgesat e mjeteve financiare pёr tre muajt e parё tё vitit 2010 kanё shёnuar njё rritje 2% krahasuar me periudhёn e njёjtё tё vitit 2009, apo e shprehur nё shifra ka qenё 101, 2 milion, ndёrsa prej muajit janar-mars tё kёtij viti nё Kosovё janё arritur nё 103 milion.
Nga viti 2004-2008 diaspora kosovare gjithnjё sipas treguesve tё lartpёrmendur ka transferuar nё Kosovё rreth 2 miliard e 798 milion euro. Gjithashtu tё dhёnat tregojnё se gjatё kёsaj periudhe ka pasur njё trend tё rritjes sё dёrguesve tё jashtёm.
Dёrgesat e diasporёs kosovare vazhdojnё tё jenё burim i rёndёsishёm dhe i fuqishёm i financimit tё konsumit tё gjёrё dhe investimeve nё Kosovё. Sipas indikatorёve tё parё tё kёtij viti vendet e BE-sё, e nё veçanti Gjermania ku punojnё shumica e diasporёs shqiptare kanё filluar tё dalin nga recesioni. Si rrjedhojё pritet tё rritet edhe vlera e remitancave.
Nga kriza financiare e vitit 2007-2009 industritё e makinerive, automobilave, kimike pёsuan njё ulje drastike, rënia e eksportit, rënia e fuqisë blerëse si dhe largimi nga vendet e punës. Si pasojë e kësaj ishte lëkundja e tregjeve financiare ndërkombëtare, e sidomos në ato asocione kreditore ku asetet ishin të përbashkëta përtej kontinentit. Ndërsa si karakteristikë e vendeve të zhvilluara është se ato u paraqitën mvarësisht nga zhvillimi dhe rritja e tyre ekonomike.
Derisa Gjermania dhe SHBA-të janë eksportuse më të mëdha në tregjet ndërkombëtare janë atakuar më së tepërmi. Vendet tjera si Anglia, Franca, Suedia, Japonia, Kanadaja kishin një atakim më të lehtë pasiqë eksporti i tyre në tregun ndërkombëtar është më i vogël. Fenomen tjetër i kësaj krize financiare është intervenimi i shtetit me programe të caktuara.
Nga gjysma e vitit 2009 e gjer mё tani kishim njё rritje tё produkteve tё eksportuara, pasiqë masat stimuluese dhe programet e veçanta tё ndёrmarra nga qeveria Merkel dhanё frutat e veta tё suksesshme.
Tani Gjermania nё nivel ndёrkombёtar ndodhet nё njё situatё tё lakmueshme. E nё kёtё gjendje ndodhet edhe ekonomia e vendeve tё Eurozonёs ku kemi njё rritje 1% mё pak se gjysma e rritjes nё Gjermani.
Qeveria gjermane iu ka dhёnё njё shtytje bizneseve fillestare dhe atyre tё vogla tё integrohen nё tregun e punёs tё cilat konsiderohen si forcë motorike e zhvillimit ekonomik. Me kёtё rast shqiptarёt e diasporёs me njё guxim, talent dhe njohuri tjera organizative kanё pёrfituar nga kёto projekte.
Pёrmes qendrave tё punёsimit dhe institucioneve tё ngjajshme janё pёrqёndruar nё kёto programe:
- Pёrgatitjen e ndёrmarrjeve apo bizneseve fillestare pёr ekonominё e tregut
- Themelimi i shёrbimeve tё bizneseve qё tё ndihmojё nё zhvillimin e tregut lokal dhe rajonal.
- Zhvillimin e konceptit tё bashkёpunimit me shёrbimet qё reprezentojnё biznesin pёrmes kёshillave, studimeve dhe seminareve.
- Ndihmat financiare me para tё gatshme dhe lehtёsim pёrmes tatimeve.
Gjendja, llojet dhe sukseset e bizneseve
Tashmë ёshtё e njohur se fillimi i njё biznesi kёrkon njё nivel tё caktuar tё njohurive si dhe aftёsi menagjeriale pёr tё qёndruar nё kontinuitetin e ekonomisё sё tregut.
Pronarёt e bizneseve tё diasporёs kёto dhjetё vitet e fundit kanё pёrparuar dhe janë integruar duke u rritur gjithnjё e mё tepёr porositё e klientёve si dhe avansimi i mëtutjeshëm nё tregun e punёs. Pёr nga mosha janё mesatarisht tё re 30-45 vjeçarё. Mjetet financiare i kanё siguruar nga burime tё ndryshme, nga kapitali vetanak, ndihma nga qendra pёr punёsim dhe kreditё nga institutet bankare me interes tё volitshёm.
Ballafaqohen me njё konkurencё tё ashpёr me kualitet dhe cilёsi tё lartё, pasiqё ekonomia e tregut i eliminon bizneset joproduktive dhe jokualitative. Ajo kёrkon organizim tё lartё, disciplinё, ndёrgjegjshmёri, njerёz tё aftё me vetёdije tё lartё, kulturё dhe edukim tё profileve tё ndryshme, e cila nё vete ngёrthen edhe organizimin e saj duke koordinuar ndarjen e punёs, radhitjen e aktiviteteve nёpёr njёsi mё tё vogla organizative, organizimin dhe kontrollimin e procesit tё punёs, furnizimin, shfrytёzimin e kapaciteteve, kooperimin dhe bashkёpunimin me biznese tjera. Tё gjitha kёto elemente i posedojnё pronarёt e ndёrmarrjeve shqiptare.
Bizneset e diasporёs janё duke u integruar gjithnjë e më tepër nё ekonominё gjermane. Kualiteti ёshtё faktori kryesor drejt transformimit nё nivele mё tё larta dhe krijimin e vendeve tё reja tё punёs.
Bizneset mё tё njohura tё shqiptarёve nё diasporё janё:
· Biznesi ndёrtimor- pёrfshin ndёrtimin e objekteve banesore, komerciale private dhe publike. Ky biznes njihet pёr besimin dhe ndershmёrinё ndaj investuesit, profesionalizmin, saktёsinё dhe korrektёsinё e pёrfundimit efikas tё punёs, përmbajtja kontratёs sё nёnshkruar, pёrcaktimi nё arkitekturё dhe ndёrtimtari moderne.
· Biznesi i gastronomisё- ёshtё i njohur me gatime tradicionale tё ndёrthuruna me ato ballkanike dhe internacionale si: gatimet e mishit, gatimet e brumrave etj..
· Bizneset prodhuese ushqimore- njihen pёr prodhimin e mishit, produktet e suxhukut, mishit tё tharë, pёrpunimi i perimeve nga vendlindja si dhe prodhime tjera tradicionale.
· Biznesi transportues- Shёrbimet e kёtij biznesi shtrihen nё TAXI dhe spedicion, nё transportin e udhёtarёve dhe mallrave nga shtetet evropiane nё Kosovё dhe anasjelltas.
· Biznesi zejtar- kryesisht identifikohet si zeje me produkte atraktive dhe profitabile. Shqiptarёt njihen si mjeshtёr dhe zejtarё tё mirё.
· Biznesi shёrbyes- pёrfshin kujdesin ndaj tё vetmuarve dhe tё moshuarve, furnizmi me ushqim si dhe ndihmё mjekёsore, mirëmbajtja dhe pastrimi i objekteve tё ndryshme.
· Biznesi tregtar Aktivitetet e kёtij biznesi janё duke u zhvilluar pёrmes dyqaneve, vetёshёrbimeve si dhe depot e shitjes me shumicё duke sjellur në treg produkte të freskëta dhe kualitative.
· Biznesi i sigurimeve - Ky biznes ka tё bёjё me sigurime shёndetёsore, familjare, pronёsore, fatkeqёsive natyrore, tё pleqёrisё etj.
· Mjekё me ordinanca tё njohura, arkitektё me vizione moderne dhe avokatё tё zellshёm.
Sipas disa sontazheve qё kam bёrё, potenciali aktual i bizneseve tё diasporёs pёr tё investuar dhe krijuar njё lidhshmёri, bashkёpunim ёshtё inkurajues me tendencё rritjeje, edhe pse tani pёr tani vёrejmё kulturёn e biznesit nё Kosovё si pengesё, duke marrё parasyshё korrupsionin, mungesёn e infrastrukturёs, mungesёn e besueshmёrisё sё afaristёve nё Kosovё.
Megjithatё lehtёsimi i tatimeve dhe masave tjera fiskale e rrit motivimin e tyre pёr tё investuar nё Kosovё. Vёnja e kontakteve zyrtare nё mes autoriteteve tё qeverisё dhe bizneseve tё diasporёs ёshtё me rёndёsi jetike. Kёta tё fundit tё konsiderohen si partner tё barabartё pёr zhvillimin e Kosovёs, bazuar nё fuqinё e tyre financiare dhe materiale tё cilёn e disponojnё.
Qeveria e Kosovës duhet të jetё e kujdesshme të ndërtojё politika zhvillimore që do tё mundёsojë komunikim dhe kooperim mё tё mirё dhe tё krijojё mekanizma efektiv ku do tё adresohen nevojat e bizneseve tё diasporёs.
Të përpilohen programe të veçanta dhe konkrete, të adresohen interesat e përbashkëta duke avancuar sa më lartë motivimin e tyre për të investuar në Kosovë. Lidhja dhe kontaktet me bizneset e tyre mund ti ndihmojë Kosovёs qё tё pёrmirёsojё imazhin e saj jashtё vendit.
Kjo mund tё lehtёsojë investimet dhe pёrkrahjen tjetёr qё mund tё vijë prej diasporёs. Biznesi i diasporёs mund tё pёrbёjё njё pjesё tё madhe tё investimeve tё jashtme direkte dhe pёr mё tepёr mund tё jetё e gatshme tё investojё edhe nё kushte qё do tё inkurajonin investuesit e huaj.
Do tё ishte shumё frytdhёnёse sikur autoritetet qeveritare tё ndёrmerrnin disa hapa qё do tё nxisnin bizneset e diasporёs dhe duke krijuar kushte tё volitshme:
- Themelimi i njё agjensioni të veçant investimesh ku bizneset e diasporёs mund tё informohen nё fushat ligjore dhe financiare pёr tё zhvilluar biznesin nё Kosovё.
- Prioriteti i agjensionit të lartpërmendur do të ishte inkurajimi i bizneseve të diasporёs, sepse ata mund tё jenё investues potencial tё cilёt do tё nxisnin edhe investues tjerё tё huaj, se Kosova ёshtё vend i sigurt dhe profitabil.
- Autoritetet qeveritare pёr tё pёrkrahur bizneset e diasporёs ёshtё me rёndёsi tё pёrmirёsojnë klimën e pёrgjithshme për investime. Tё krijojё politika tё favorshme fiskale dhe tё ngjajshme
- Autoritetet qeveritare mund tё lehtёsonin procesin e koordinimit nё mes bizneseve tё diasporёs dhe bizneseve qё veprojnё nё Kosovё nё lidhje me shkёmbimin e produkteve tё cilat prodhohen nё tregun vendor.
- Eksporti i produkteve vendore, sidomos i konsumit tё pёrgjithshёm, ushqimet tradicionale ёshtё njё pёrparёsi pёr bizneset e Kosovёs.
Nuk do tё jesh shtet i fortё pa ekonomi tё fortё. Tani jemi vend i lirё dhe i hapur, prandaj investimet e huaja duhet tё jenё tё mirёpritura. Shteti ёshtё i shenjtё dhe parajsё nёse menagjohet mirё nga qytetarёt dhe nё dobi tё qytetarёve.
(Autori është ekonomist, ndërmarrës në Gjermani)