25 Dhjetor 2024

Roli i bankave në (mos) zhvillimin ekonomik

Shkruar nga Astrit Ratkoceri

Çdo biznes përfshirë këtu edhe bankat përveç aktivitetit të saj ekonomik mbanë edhe përgjegjësi shoqërore kundrejt popullsisë dhe vendit ku vepron.

Edhe në qasjen më liberale do të mund të thoshim jo më shumë se Milton Friedman i cili kur flet për përgjegjësinë shoqërore të biznesit në librin “Capitalism and Freedom” thotë: “Ka një dhe vetëm një përgjegjësi shoqërore të biznesit, të përdorë dhe të angazhojë burimet e saj në aktivitete të dizajnuara për të rritur fitimet e saj, për aq sa qëndron brenda rregullave të lojës, që do të thotë, angazhohet në konkurrencë të hapur dhe të lirë pa dinakëri dhe mashtrim.” 

Por, sa është tregu bankar në Kosovë në konkurrencë të hapur dhe fer, le shumë për tu dëshiruar, kur kemi parasysh se sa i përket ofertave dhe normave të larta të interesit janë pothuajse identike të gjitha.

Bankat komerciale luajnë një rol të rëndësishëm në sistemin financiar dhe ekonominë. Si një komponent kyç në ekonomi ata ndajnë fonde nga kursimtarët tek huamarrësit, ofrojnë shërbime të specializuara financiare, në lidhje me të dyja si kursimet ashtu edhe huamarrjet, shërbime këto të cilat ndihmojnë ekonominë që të jetë më efikase në përgjithësi.

Imagjinoni një botë pa banka

Për ta mësuar më mirë rolin e bankave në zhvillimin ekonomik mund ta imagjinojmë si do të ishte një botë pa banka e që menjëherë na shfaqen pyetje të shumta si:

Ku do të shkoni që të merrni hua?
Çfarë do të bëni me kursimet tuaja?
Çfarë rreziqesh mund të keni ju si një kursimtar apo huadhënës?
Etj, etj.

Sigurisht se kur flasim për bankat dhe huamarrjet e para, që na bie ndërmend dhe që na intereson është norma e interesit, apo çmimi që do të paguajë për huazimin e bërë.

Norma e interesit luan rol të rëndësishëm dhe ka efekte të mëdha në ekonomi, ajo është një variabël i cili prek shumicën prej nesh, nëse jemi investitor apo huamarrës, por, edhe nëse nuk jemi, pasi që edhe nëse ne nuk kemi borxhe ndikimi i normave të interesit në ekonomi do të ketë ndikim të tërthortë edhe tek ne.

Normat e ulëta të interesit do të bëjnë më të lehtë për njerëzit marrjen e huave në mënyrë që ata të blejnë shtëpi, makina etj. Blerjet e shtëpive nga ana tjetër do të rrisin nevojat  dhe kërkesën për gjëra tjera si: Mobile, pajisje shtëpiake etj. duke i dhuruar kështu ekonomisë një nxitje shtesë.

Ndryshe, norma e ulët e interesit do të thotë që konsumatorët të shpenzojnë më pak për kostot e interesit, duke ju lënë atyre më shumë të ardhura për shpenzuar për mallra dhe shërbime.

Poashtu, normat e ulëta të interesit bëjnë më të lehtë për ndërmarrësit, qofshin, prodhues apo biznese tjera për të marrë hua për të investuar në kapacitete shtesë, pajisje, inventarë, ndërtesa etj. Poashtu kthimi që investimi do të prodhojë në vitet e ardhshme është më me vlerë sot kur normat e interesit janë më të ulëta dhe kështu kjo i jep biznesit edhe një nxitje për të investuar. Rritja e investimeve të biznesit e bënë ekonominë që të rritet më shpejtë.

Normat e larta të interesit ndikojnë për të keq tek të gjitha bizneset por, ato më shumë rëndojnë bizneset e vogla dhe të mesme të cilat janë shtyllë e fortë e ekonomisë Kosovare. Përveç, uljes së investimeve tek këto ndërmarrje, ndikon edhe në largimin e punonjësve duke rritur nevojat kështu për kursim të buxhetit.

Duke pasur parasysh mungesën e tregut të kapitalit në Kosovë si burim i vetëm i financimit të bizneseve në Kosovë mbeten Bankat, por sa i ndihmojnë ato bizneseve e kështu edhe zhvillimit të përgjithshëm ekonomik kur, dihet se ato vazhdojnë të kenë normat më të larta të interesit në rajon.

Sipas raportit të bankës qendrore të republikës së Kosovës për vitin 2012 Kosova kishte një normë mesatare të interesit për kredi 13.4 % ndërkaq mesatarja më e lartë e interesit për depozita ishte 5.23 % për depozitat me afat maturimi mbi 2 vite, ku vërehet një dallim shumë i madh mes normës së interesit për kredi dhe për depozita.

Kur një biznes kërkon një kredi në mënyrë që të investojë, ta rritë qarkullimin e të ardhurave etj, është vërtetë e vështirë që të arrijë të bëjë një multiplikim të të ardhurave të tillë që të mund të bëjë pagesën e kësaj norme jashtëzakonisht të madhe të interesit dhe të shoh më tutje mundësinë e krijimit të një fitimi.

Kjo kosto e lartë e kredive bizneset Kosovare i bënë më pak konkurruese si në tregun e jashtëm por, edhe në atë vendor.

Në anën tjetër janë pikërisht bankat ato që vazhdimisht kanë rritje të fitimit dhe të pasurisë së tyre, në vitin 2012 fitimi i tyre ishte 18.5 milion euro, mirëpo pavarësisht nga kjo në krahasim me vitin paraprak ata kishin rënie të fitimit mbi 40%.

Prandaj, themi se këto norma të larta të interesit nuk i shërbejnë për të mirë zhvillimit ekonomik të vendit por, përkundrazi e ngulfasin atë.

Në periudhë afatshkurtër kjo “parregullsi” në tregun financiar-bankar, mund të shpije bankat drejt një fitimi më të lehtë, mirëpo në periudhë afatgjatë përveç se ngulfatë zhvillimin ekonomik, zhvillimin e bizneseve, ato do të ngulfasin edhe zhvillimin e tyre pasi që në një ambient të tillë askush nuk do të bëjë ballë kthimin e normave të tilla të interesit apo “fajdeve” ndërkaq, bankat do të kenë probleme me shitjen e pronave të marra si hipoteke.

Ndërkaq, ulja e normave të interesit do të ndikonte në rritjen e investimeve nga bizneset të cilat rezultojnë me rritje të vendeve të punës, poashtu do të ndikonte në aspektin e konsumit, ku do të kishim rritje të konsumit e cila do të ndikonte në rritjen e GDP-se, pra zhvillim më të madh ekonomik të vendit.

Edhe pas gjithë kësaj ngulfatje që po u bëjnë bizneseve dhe ekonomisë në përgjithësi, secila nga këto banka vazhdon ta ketë mision dhe vizion, synim e qëllim të shkruar, ofrimin e produkteve të favorshme bankare, ofrimin e mundësive më të mëdha për klientin, të ju ofrojë lehtësi e qetësi klientëve të saj etj. etj.

Si përgjigje për këtë dhe për fund përsëri mund ta citojmë Milton Friedman i cili thotë: “Një nga gabimet më të mëdha është t’i gjykojmë politikat dhe programet nga synimet e tyre dhe jo nga rezultatet e tyre.”
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)