23 Dhjetor 2024

Roli dhe kontributi i Aqif Blytës si nënkryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit

Shkruar nga Ismet Azizi

Në kuvendin e Prizrenit, më 16 - 20 shtator 1943, u formua organizata  politiko ushtarake me emrin Lidhja e Dytë e Prizrenit. Kryetar i parë i saj u zgjodh Rexhep Mitrovica (1888-1967), ndërsa Aqif Blyta, e Rexhep Krasniqi, nënkryetarë, kurse Bedri Gjinaj, sekretar.

Në Kuvend morën pjesë 45 delegatë nga të gjitha trojet shqiptare. Lidhja e Dytë e Prizrenit ishte organizatë politike kombëtare, e cila do të angazhohet për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike.

Në mesin e gjashtë pikave të përcaktuara nga komiteti iniciues, ishte ”Bashkimi me nanën Shqipni të krahinave të Mitrovicës, Vuçitërrnës, Podujevës dhe krahinës së Pazarit të Ri, që ndodheshin në pjesën gjermane , por nën administrimin serb.

Për rolin dhe kontributin e Aqif Blytës, që dha në Kuvendin e Prizrenit për gazetën “Kosova” ja opinioni i gazetarëve Mazar Sopoti dhe Dr. Xhelal Mitrovica si dhe fjalimi i tij para delegatëve në Kongres.

Opinioni i gazetarëve dhe Dr. Xhelal Mitrovica për Aqif Blytën, paraqitjen e tij si delegat i Sanxhakut dhe si Nënkryetar në Kongres:“Mbas Z. Shehu, si Nënkryetar, vjen Z. Aqif Bluta.

Ky burrë gjakovar, nji nga oficerat ma të shquem të dalun nga Shkolla turke, asht figura ma përfaqësuese e Sanxhakut; asht burri që, në çdo kohë, nën çdo pushtim, nuk ka pushue kurrë së luftuemi për realizimin e vullnetit të popullit kosovar për të qenë nji dhe i pandarshëm kundra çdo vale shkatërrimtare; asht Burri që, klika ushtarake imperjaliste e Belgradit, i ndeu, ma se nji herë, kurthe mbi kurthe, për t’a zhdukun nga qarkullimi, për ta vra, që të pushonte, në gji të Skupçinës, zani i tij i fuqishëm, kundra tiranis, kundra terrorizmit, kundra masakrës dhe kundra luftës të shkombëtarizimit që zhvillonte Serbija imperjaliste mbi popullinë shqiptare të Viseve thjesht shqiptare të Kosovës; asht Burri që, edhe mbas shpartallimit të Jugosllavisë mozaike popujsh dhe racash, nuk e braktisi, asnji çast, luftën e tij shpëtimtare, kurdo që megalomanët serbë, të verbuem nga andrra tashma kryekëput të parealizueshme, mësyen me Mihajloviqin në krye, Tregun e Ri (Jeni Pazarin), me nji fuqi burrash të pathyeshëm, dijti, në saje të vullnetit të tij të hekurt, në saje të trimnisë së tij të pashoqe, në saje të vendimtarisë së tij të pandryshueshme, t’u apë, herë pas here grushta të randë dhe t’i detyrojë të mbrapsen me humbje shkatërrimtare, asht Burri, ma në fund që ka vendos, për çka i përket sektorit të vet, me bashkue, me çdo mënyrë dhe me çdo therori, Tregun e Ri, vend thjesht shqiptar, si ç’e ka diftue me gjakun e derdhun bujarisht në çdo rasë rreziku, me Atdheun e përbashkët shqiptar

Pas zgjedhjes së Rexhep Mitrovica kryeministër i Shqipërisë më 04.11.1943, kryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit u zgjodh Bedri Pejani.

Ekzekutimi i Aqif Blytës

Pas depërtimit të forcave partizane jugosllave në ato treva, Aqif Blyta iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët e çuan në Pazarin e Ri. Mbas torturave mizore, që i bën OZN-a jugosllave bashkë me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë, Ahmet Dacin, publikisht para masës popullore të sjellë gjithashtu me dhunë, i ekzekutojnë në Haxhet (lagje e sotme e Pazarit të Ri) me 21 janar 1945.

Aqif Blyta, ndër të tjera, sipas vendimit të Komisionit shtetëror për përcaktimin e krimeve të okupatorit dhe ndihmësve të tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, është akuzuar për bashkëpunim me pushtuesit gjermanë, për lidhje me Komitetin Kombëtar Shqiptar nga Kosova dhe Dukagjini, me ndihmën e të cilit veproi në drejtim të bashkimit të qarkut të Dezhevës (Pazar të Ri), Shtavicës (Tutin) dhe atë të Senicës me Shqipërinë, mandej për vrasje masive, dëbimin dhe plaçkitje të popullsisë ortodokse, për pjesëmarrje dhe organizim të policisë myslimane dhe në trupat SS në trevën e Pazarit të Ri, si dhe për ri-futjen e (nametit) feudale për serbët.

Në aktakuzë gjithashtu shkruan sa Blyta udhëhoqi me një trupë të caktuar, e cila quhej Shtab për shpërnguljen e Serbëve.

Me aktvendimin e gjykatës së divizionit ushtarak të krahinës së Sanxhak, nr. 6 e 19 janar 1945, Blyta u dënua me vdekje. Autoritetet ushtarake fillimisht kërkuan varje publike, por ai vendimi ishte revokuar dhe Blyta ekzekutohet. Insistohej që ekzekutimi të jetë publik dhe ai është kryer më 21 janar 1945, në ora 11,00, në Pazar të Ri.

Aqif Blyta pa dyshim është personaliteti dhe lideri më me ndikim i boshnjakëve dhe shqiptarëve të Sanxhakut në periudhën e Mbretërisë së SKS (1918−1829) dhe Mbretërisë së Jugosllavisë (1929−1941).

Ai është një lloj fenomeni politik i kësaj periudhë kohore. Edhe atëherë kur veproi krejtësisht i pavarur pa asnjë parti që do të qëndronte prapa tij, dihej se në trevat e Dezhevës (Pazarit të Ri) dhe në atë të Senicës askush nuk mund të merrte votat e votuesve dhe zgjedhësve pa mbështetjen e Aqifit.

Populli i Sanxhakut i është mirënjohës posaçërisht për shkak të angazhimit të tij në pengimin e shpërnguljes së popullsisë nga Sanxhaku për Turqi.

Aqif Blyta duke qenë personaliteti më i rëndësishëm i organizim ushtarak dhe politik ishte në shënjestër të tri atentateve të organizuar.

Për dy atentateve të parë ishin përgjegjës nacionalistët serbomëdhenj nga Beogradi, ndërsa për atentatin e tretë kanë qenë komunistët vendas të Sanxhakut të cilët për ekzekutues kishin caktuar Hasë Rozhaja të cilët më në fund ishin tërheqë nga ky vendim.

Kah fundi i vitit 1941 organizon mbrojtjen e N. Pazarit nga çetnikët të cilët vinin nga Rashka. Qëllimi i çetnikëve ishte marrja e N. Pazarit dhe mandej tërë Sanxhakun me qëllim të shfarosjes së popullsisë shqiptare dhe myslimane.

Ngjarjet që u zhvilluan tutje treguan se Aqif Blyta me ushtrinë e tij të formuar dhe me ndihmën e njësive nga Peshteri dhe me ndihmën që i arriti nga vëllezërit kosovarë nën udhëheqjen e Shaban Palluzha arritën të mbrojnë këto territore nga çetnikët.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)