23 Dhjetor 2024

Riunifikimi i sllavëve

Shkruar nga Albin Kurti

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, në vizitën e tij dyditore në Shkup praktikisht e ofroi shtetin e Serbisë si një protektor për Maqedoninë. Ja se çfarë deklaroi ai: “Maqedoninë nuk e kërcënon kurrfarë rreziku nga veriu. As për ekzistencën dhe as për identitetin e saj. Kurse Serbia mundet vetëm të ndihmojë nëse ai rrezik kërcënon prej ndonjë ane tjetër. Në kuptimin politik, natyrisht.”

Më eksplicite se kaq, për diplomacinë, do të konsiderohej banale. Qeveria e Serbisë dhe ajo e Maqedonisë do të mbajnë mbledhje të përbashkët në muajin maj.

Kjo nuk do të jetë një mbledhje ceremoniale, por fillimi i një tradite të re në frymën e vjetër. Një mbledhje në Beograd, pastaj e dyta në Shkup, e treta sërish në Beograd e kështu me radhë.

Daçiq e Gruevski i kanë konstatuar dy probleme ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë për të treguar që, në të vërtetë, nuk ka probleme.

I pari, problemi kishtar, përkatësisht i mosnjohjes së Kishës Ortodokse Maqedonase nga ajo serbe, u tha se është problem kishash e jo shtetesh.

Ndërkaq, për të dytin, njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Maqedonia për dallim nga mosnjohja e Serbisë, Daçiq kishte kërkuar përmbajtje nga Gruevski përderisa zhvillohet dialogu politik Kosovë-Serbi në Bruksel dhe deri sa të arrihet kompromisi aty.

Në të njëjtën kohë kur Gruevski po e mirëpriste Daçiqin në Shkup, ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, po e mirëpriste ministrin e jashtëm maqedonas, Nikola Poposki, në Moskë.

Vështirë të jetë koincidencë protokollesh e gjithë kjo. Ashtu qysh nuk ishte e rastësishme që Daçiq në Shkup u mor aq shumë me shqiptarët.

Le të mos harrojmë që viti 2012 shënonte 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, porse ky viti 2013 shënon 100 vjetorin e ndarjes së shqiptarëve në shtete të ndryshme nga fuqi të huaja.

Mendësia e Daçiqit është ajo e kohës së luftërave ballkanike. Para se ai të jetë pasardhës politik i Milosheviqit, që të dy këta janë pasardhës ideologjikë të Nikola Pashiqit. E, megjithatë, duket që Daçiq frikësohet që në të ardhmen do të mund të bëhet bashkimi kombëtar i shqiptarëve, por pa shkëmbim territorial.

Prandaj, ai në ligjërimin e tij politik barazon bashkimin kombëtar të shqiptarëve me shkëmbimin territorial.

Në fakt, bashkimi ynë kombëtar është pikërisht ai që s’bëhet duke shkëmbyer territore tonat (si në pazar) por duke respektuar vullnetin e popullit tonë (si një e drejtë). Veçse për të realizuar këtë nevojitet organizim i madh politik e program i panegociueshëm kombëtar. Dhe, nevojitet punë, shumë punë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)