Rinia e pashpresë
Shkruar nga Hidajet Ahmeti
Gjithmonë është thënë se rinia është e ardhmja e një shteti, ndërsa rinia e shtetit tonë për pesëmbëdhjetë vjet po frymon në hapësira të rrethuara nga antivlerat, po jeton në frymën e pesimizmit dhe në pamundësi për ti realizuar ëndrrat e tyre.
Rinia është mbërthyer brenda një konfuzioni shumë të paqartë për të ardhmen e tyre, ngase është shtresa më e harruar e shoqërisë sonë.
Rinia jonë po kalon momente shumë të vështira dhe ndodhet në një udhëkryq të madh. Kërkon të ndërtojë të ardhmen e saj, por ndeshet me shumë probleme të cilat shpesh janë shumë të vështira për tu zgjidhur.
Pas pesëmbëdhjetë vjetësh në liri, shtatë vjet të pavarësisë së shtetit , qytetarët e Kosovës po kalojnë kohë shumë të rënda, e si pasojë e gjithë kësaj është ekonomia jofunksionale, papunësia në rritje enorme çdo vit e më shumë.
Sistemi shëndetësor është në gjendje të mjerueshme, ku nuk ofrohet as ndihma minimale për shërim; arsimi shkollor i të gjitha niveleve në gjendje kaotike; gjyqësori i menaxhuar dhe i telekomanduar në mënyrë indirekte nga organet e pushtetit qendror, etj.
Shumë të rijnë për shkak të mungesës së perspektivës për jetë më të mirë, janë të frustruar dhe veprojnë në mënyra të ndryshme.
Një pjesë e tyre mundohet ti shpëtoj gjendjes pasive dhe pa shpresë për të ardhmen, duke e ndjekur rrugën e emigracionit në shtetet perëndimore, pjesa tjetër e rinisë bredh tërë ditën dhe i frekuenton kafeteritë për ta larguar monotoninë, nga se nuk kanë mundësi për tu marrë me ndonjë aktivitet tjetër që ju sjell dobi.
Trend i ikjes së rinisë nga vendi dita ditës po merr përmasa shqetësuese. Kushtet e vështira ekonomike, hapësira e vogël që të rinjtë të shfaqin aftësitë dhe potencialin e tyre, shpesh i detyrojnë të rinjtë të marrin vendime jo të lehta, pra të ikin nga vendlindjet e tyre, që të gjejnë një të ardhme më të mirë në ndonjë nga vendet e Bashkimit Evropian.
Pjesa dermuse e të rinjëve të Kosovës nuk janë optimist për të ardhmen tyre në vendëlindje. Të rinjët nuk shohin asnjë perspektiv në Republikën e Kosovës, ndeshen me probleme të cilat janë të vështira për tu zgjidhur dhe i vetmi opsion iu mbetet të marrim rrugen e mërgimit. Kushtet për punë dhe hapësira për të krijuar një karrierë të bujshme në Kosovë janë minimale dhe nuk mund të kënaqen apetitet e të rinjëve.
Të rinjtë ikin për shumë arsye. E para është e lidhur me karrierën dhe kushtet për punë. Sot është vështirë të gjejsh punë (pa librezë partiake), por edhe nëse gjindet atëherë paraqiten shtypje të ndryshme.
Dështimi kryesor i shtetit të Kosovës është që nuk po krijon mundësi për zhvillim për qytetarët e saj. Nuk është për tu çuditur që sidomos rinia kërkon që të ikën nga Kosova dhe se më e pranueshme ju duket një jetë në ilegalitet dhe në margjinat e shoqërisë kudo në Perëndim se sa jeta në dëshpërim dhe e pa-shpresë në Kosovë.
Shteti në të cilin jetojmë është shndërruar në autoritarizëm e cila në pamje të jashtme duket se funksionon si demokraci, ku qeveris populli.Por në realitet është krejt e kundërta.Në këtë shtet gjithçka është politizuar deri në palcë dhe ky rezultat është pikërisht faji sistemit të instaluar mbrapsht. Rinia kudo është lokomotivë e shoqërisë, në Kosovë rinia nuk inkurajohet.
Kjo politikë dinake ka injektuar tek të rinjtë ndjenjën e pesimizmit dhe ata e planifikojnë të ardhmen e tyre jashtë vendlindjes, sepse në Kosovë janë mbyllur rrugët e së ardhmes.
Sot një pjesë e madhe e rinisë ka humbur interesimin për shkollim, sepse me fakultet e kryera nuk kanë mundësi punësimi, jo pse nuk posedojnë dijeni, por ngase nuk janë pjesë e strukturave politike, ose nuk e kanë ndonjë të afërm në organet e shtetit dhe nga ky nepotizëm i madh që ka përfshirë të gjitha nivelet institucionale, mundësia për punësimin e të rinjve mbetet vetëm një ëndërr e parealizuar.
Klasa politike duhet ti ndryshojë qëndrimet dhe veprimet e veta ndaj rinisë, duke iu mundësuar qasje në jetën institucionale dhe në organizata ku mund ti shprehin idetë dhe vizionet që kanë për të ardhmen e tyre, sepse rinia e orientuar sipas principeve të drejta shoqërore është themeli i shoqërisë që krijon udhëheqësit e së nesërmes dhe është shpresa e së ardhmes.
Gjaku i pastër rinor është garanci e qëndrueshmërisë së çdo vendi dhe shteti, andaj kjo rini ka nevojë për përkujdesje shtetërore, duke filluar nga edukimi, shkollimi, siguria, avancimi i vlerave gjithëpërfshirëse, si dhe për angazhim, për eliminimin e faktorëve që prodhojnë urrejtje dhe destabilizim.