Rifunksionalizimi i Kardiokirurgjisë, dështim i Ministrit të Shëndetësisë
Shkruar nga Muharrem Kuçi
Si ekspert i fushës kur krahasoja shifrat e buxhetit paraprak për Shëndetësi me ato të buxhetit të projektuar për vitin 2015, kisha ardhur në përfundim se Qeveria edhe në këtë mandate, Shëndetësinë nuk e shihte me prioritet.
E gjithë propaganda për përparimet në këtë sektor dhe ligjet e aprovuara si dhe premtimet e bëra për aplikimin/implementimin e obligueshëm të sigurimeve nga 2015ta nuk ishin projektuar fare në buxhet, andaj pritjet e mia ishin tepër të vogla. Dështimet e njëpasnjëshme janë ato që e vërtetojnë atë që kisha pohuar.
Logjika e prerjes dhe riprerjeve të shiritave të shpeshta u përsërit edhe me rastin e rifunksionalizimit të klinikës më të përfolur, atë të Kardiokirurgjisë, që duket qartë se dëshmon vazhdimin e punës në lëminë e Shëndetësisë si në stilin dhe mentalitetin e vjetër.
Mjafton që të bëhet lajmi se u hap Kardiokirurgjia, se për pacientin që vjen të kërkoi shërbimin në këtë institucion e bëjmë kollaj (pastaj ia diktojmë kushtet). Kjo u bë në fakt realitet.
Një javë më vonë na del që pacientëve paraprakisht u duhet të kompletojnë dosjet e tyre dhe të bëjnë disa analiza (Troponinën) në institucionin privat (mbase i preferuar nga grupi i interesit).
Është shumë e turpshme që shumë njerëz, ekspertë apo këshilltarë rreth Ministrit nuk e këshillojnë atë se për këtë rifunksionalizim duhen me përpikëri të përgatiten të gjitha hallkat e duhura që do ta bënin funksional këtë fushë shumë të rëndësishme për shërimin e pacientëve në nevojë.
Si ekspert i fushës mendoj që analizën në fjalë herë pas here me nevojitet mbase në ora 02:00 të mesnatës, por jo vetëm atë por edhe një varg analiza tjera, apo na duhet ta bëjmë edhe ca orë pas trajtimit operativ dhe si parameter në ditët në vijim. Pyes kolegët/përgjegjësit pranë Ministrit pasi po supozoi që ai as që e ka idenë për këtë, a ka mundësi të më tregojnë se si e kanë menduar ta zgjidhin këtë problem.
Për mua është një pikë uji në det po ta krahasosh me problemet që do paraqiteshin në rast të implementimit të ligjit për sigurimet dhe përcaktimin e tarifave mjekësore që keni pohuar që nga fillimi i mandatit se do i implementoni, pas fazës së ngjajshme të përgatitjeve, si kjo për Kardiokirurgjinë!
/Autori është Master në Menaxhment Shëndetësor)