Rënia performances së Kuvendit dhe roli i opozites
Shkruar nga Hidajet Ahmeti
Gjatë vitit 2013 Kuvendi i Kosovës ka mbajtur gjithsej 54 seanca, prej të cilave 41 ishin seanca të punës, ndërsa ka miratuar 61 ligje. Kishte vetëm 3 interpelanca dhe 18 debate parlamentare. Sidoqoftë, kjo punë, nuk është e mjaftueshme për institucionin më të lartë të vendit.
Përveç në nxjerrjen e ligjeve, Kuvendi në funksionet tjera, siç është kontrolli parlamentar i Qeverisë dhe mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve, nuk ka qenë në nivelin e duhur gjatë vitit 2013. Një vit jo shumë për tu lëvduar për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Këtë e thonë edhe vetë përfaqësuesit e institucionit më të lartë në vend, të cilët madje këtë legjislaturë e vlerësojnë si më të dobëtën në historinë e Kuvendit të Kosovës që nga paslufta.
Roli i opozitës
Partitë politike përbëjnë elementin thelbësor të demokracisë në shoqëritë moderne. Të dala nga vetë shoqëria, në shumicën e demokracive, partitë politike luajnë rolin e ndërmjetësit mes qytetarëve dhe organeve kushtetuese.
Funksionimi i parlamentarizmit dhe demokracisë parlamentare nuk mund të imagjinohet pa ekzistencën e opozitës parlamentare. Jo rrallë niveli i zhvillimit demokratik të një shteti matet mbi bazën e asaj, se a ka opozitë të fortë dhe a ofron kushte për artikulimin politik të saj.
Në shtetet demokratike opozita e ka për detyrë kontrollin e qeveritarëve që posedojnë mandatin qeverisës, përkatësisht telekomandën.
Opozita në shoqëritë bashkëkohore ka rol dominues në avancimin, zhvillimin, kritikën, progresin ekonomik dhe politik prej inicimit të politikave deri në jetësimin e tyre.
Nuk është për t\'u habitur që kemi ngecje në të gjitha proceset sociale, kjo ka qenë një gjë e pritur për çdo person që analizon pak a shumë procesin e formimit të këtyre institucioneve, që nga zgjedhjet e keqpërdorura e deri sot, me të gjitha këto parregullsi që i përcjellin proceset sociale që pengojnë konsolidimin e demokracisë dhe shtetitsisë së Republikës së Kosovës.
Kjo është dëshmuar nga shoqëria civile, organizata vendore e nderkombëtare, ku lidhur me këtë problem mund ta përmendim Raportin e Progresit, që zgjedhjet e kaluara parlamentare janë cilësuar si zgjedhje jo të drejta, që rezultuan në rënien e performancës së demokracisë në Republikës së Kosovës karshi shteteve ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë dëshmuan se akoma nuk jemi të aftë dhe të pjekur për formimin e institucioneve dhe mbikëqyrjen e tyre.
Opozit destruktive
Sipas funksionit në sistemin politik partitë politike mund të jenë: partitë në pozitë (qeveritare) dhe opozitare. Funksioni kryesor i partive politike opozitare është kritika e programit të partisë politike në pushtet dhe qeverisë së saj.
Varësisht nga roli dhe mënyra e veprimit të tyre, partitë politike opozitare mund të ndahen në partitë opozitare konstruktive dhe destruktive. Partitë opozitare konstruktive konsiderohen ato që kritikojnë programin e partisë në pushtet dhe qeverisë së saj, në realizimin dhe avancimin në rrugën parlamentare si dhe duke ofruar programin e tyre paralel.
Këto parti mund të konsiderohen si aktive, sepse edhe janë në opozitë dhe ndikojnë në ushtrimin e pushtetit. Partitë opozitare destruktive janë ato parti që vetëm kritikojnë veprimet e partisë politike në pushtet, duke mos ofruar zgjedhjet e tyre alternative. Këto parti angazhohen në mënyrë të dhunshme për rrëzimin e pushtetit ose për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme dhe të jashtëzakonshme.
Nëse studiojmë në mënyrë kronologjike që nga momenti formimit të këtij mandati parlamentar, kemi evaluim të rolit të opozitës karshi Qeverisë. Nëse studiojmë subjektet politike qe nga fillimi, në disa subjekte politike kemi ndryshim rrënjësor karshi pozitës.
Në parlamentarizmin kosovar nga praktika shohim se kemi vetëm opozitë destruktive që nuk mund të jetë shumë frytdhënëse. Roli i opozitës shihet si jostabil, duke mos qenë të vendosur në qëndrimet e tyre karshi politikave jofrytdhënëse të Qeverisë, duke u tërhequr nga qendrimete tyre dhe duke përqafuar Qeverinë në politikat e dëmshme
për qytetarët..
Duke ditur se zgjedhjet parlamentare do të mbahen në këtë vit, gjasat shumë të mëdha janë që debati parlamentar të shkoj drejt zbehjes.Këtë fakt e argumentojnë shumë premisa.
Njëra është se një pjesë ë deputetëve aktualë duhët të merren me subjektin e tyre, duke bërë përpjekje dhe të pamundshmën që edhe njëherë të jenë në mesin e atyre që do të futën në listë e subjektit të tyre.
Fakti tjetër është se një pjesë e deputetëve të cilët kan qenë shumë pasiv dhe duke ditur se edhe nëse e bindin subjektin e tyre, prapë janë të dyshimtë që do ta fitojnë besimin e qytetarëve që tia japin besimin edhe për një mandat.
Sepse kan zhgënjyer elektoratin e tyre duke mos përfaqsuarnë në mënyrën e duhur, për besimin që është dhënë.Kurse një pjesë tjetër e deputetëve merren me punët e subjektit duke u munduar që ta forcojnë strukturën e subjektit të tyre, në mënyrën më të mirë të mundshme, me një qëllim të vetëm, që në zgjedhjet parlamentare të fitojnë zgjedhjet apo të ngrisin fuqinë e përfaqsimit në Kuvend.
Duke i ditur të gjitha këto, gjasat janë shumë të mëdha se një pjesë të deputetëve
do tju humbet interesimi për të qenë aktiv në debate parlamentare . Edhe pse në shikim të parë dukët se nuk ka ndonjë peshë shumë të madhe debati parlamentar, por në fakt i gjithë rregulli dhe funksionimi i shoqërisë është i determinuar nga ky institucion.
Gjatë vitit të kaluar në disa seanca parlamentare, në bazë të gjuhës parlamentare ka qenë shumë e vështirë të dallosh pozitë apo opozitë, duke mos qenë të vendosur brenda fushëveprimit të vet.Fakti është se të gjitha partitë politike si qëllim primar dhe të pakontestueshëm e kanë marrjen e pushtetit, kjo është dëshmuar nga e kaluara. Prandaj, ne si qytetarë duhet të jemi shumë të vetëdijshëm dhe vëzhgues të proceseve politike, në mënyrë që të bëjmë zgjedhjen e duhur në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
(Autori është i diplomuar në Filozofi dhe Shkenca politike)