Rëndësia e marketingut për biznes dhe punësim
Shkruar nga Albana Maloku Kosumi
Rëndësia e marketingut është më se e qartë sot. Marketingu është aq prezentë në jetën tonë të përditshme saqë në masë të madhe ndikon në stilin tonë të jetesës duke transformuar vazhdimisht atë dhe shoqërinë në tërësi. Ndonëse ka tendencë ti përshtatet ekonomisë dhe shoqërisë së caktuar, marketingu në instancë të fundit ndryshon jetën tonë, sjelljet tona.
Ndërmarrja është e lidhur me tregun, ndërsa këtë lidhje siguron marketingu. Marketingu është esencial për suksesin e ndërmarrjeve dhe në këtë kuptim ai siguron realizimin e qëllimeve madhore, gjegjësisht mbijetesën e ndërmarrjeve, rritjen dhe zhvillimin.
Marketingu mundëson që më mirë të identifikohen sjelljet e konsumatorëve, të hulumtohet tregu, të prezantohen idetë, të komunikohet me publikun etj. Varësisht nga mënyra e promovimit të produkteve dhe shërbimeve do të varët kërkesa e konsumatorëve për ato dhe rezultati i firmës.
Në kushtet moderne, aftësitë dhe shkathësitë e marketingut po bëhen gjithnjë më të kërkuara dhe me të nevojshme tek njerëzit të cilët punojnë apo dëshirojnë të punësohen më lehtë dhe më shpejtë.
Të posedosh aftësi dhe shkathtësi të marketingut do të thotë të jeshë i aftë të kuptosh nevojat dhe dëshirat e të tjerëve, të posedosh aftësi të motivimit ose të ndikimit, të posedosh aftësi të zgjidhjes së vërejtjeve apo konflikteve, të posedosh aftësi të prezantimit, të bindjes etj. aftësi këto të cilat mund të kenë aplikim të përgjithshëm apo universal.
Duke marrë parasysh se të gjitha ndërmarrjet janë të orientuara kah tregu, këto aftësi dhe shkathtësi duhet të jenë të mbjellura tek të gjithë ata të cilët punojnë apo synojnë të punësohen në kompani apo korporata të caktuara me qëllim të realizimit të vizionit, misionit dhe strategjive të tyre.
Sensi i marketingut është shumë i rëndësishëm për të punësuarit apo për ata të cilët tentojnë të punësohen ndonëse pozita e synuar ndoshta nuk ndërlidhet drejtpërdrejt me marketingun. Në fakt, gjithçka është e lidhur me marketingun në biznes.
Posedimi i aftësive dhe shkathtësive të marketingut do të sigurojë një kalueshmëri më të mirë të kandidatëve në intervista, do të lë përshtypje tek punëdhënësi apo paneli intervistues, ndërsa tek të punësuarit do të stimulojë të menduarit inovativ, do të rritë identifikimin me organizatën apo kompaninë dhe së bashku me këtë edhe motivimin e tyre.
Ndonëse krijohet përshtypja se këto aftësi dhe shkathtësi janë të aplikueshme vetëm në biznes, nuk do të thotë se nuk janë të aplikueshme edhe në veprimtari apo forma të tjera të organizimit, si për shembull: në sektorin publik, në organizata joqeveritare etj.
Gjithçka që ka të bëjë me qytetarin (klientin apo konsumatorin), me nevojat dhe dëshirat e tij kërkon nevojën për posedimin e këtyre aftësive dhe shkathtësive. Qoftë edhe në sektorin publik këto aftësi dhe shkathtësi mund të jenë të dobishme, si për organizatën apo institucionin, ashtu edhe për qytetarin.
Sektori publik në esencë ka të bëjë me plotësimin apo kënaqjen e nevojave të përgjithshme të shoqërisë, domethënë nuk ka për qëllim profitin, por në momentin e realizimit të kontakteve me publikun vijnë në pah aftësitë dhe shkathtësitë e marketingut të cilat sot konsiderohen si standard i sjelljes me publikun.
Sa i përket fushës së biznesit, sigurisht se rëndësia e aftësive dhe shkathtësive të marketingut është më e theksuar. Nuk do të thotë se vetëm menaxheri i marketingut duhet ti posedojë këto aftësi dhe shkathtësi, ai domosdoshmërisht duhet t'i posedojë ato në nivel të ekspertit, por përhapja e tyre në ndërmarrje është po ashtu e nevojshme.
Konstatimi i parë mund të pranohet vetëm në rast se kontakti apo bashkëpunimi i menaxherit të marketingut me të gjithë menaxherët e funksioneve të tjera në ndërmarrje dhe me top menaxherin është në nivel shumë të lartë dhe shumë i mirë, por në anën tjetër është me rëndësi që edhe menaxherët apo të punësuarit tjerë në ndërmarrje të posedojnë së paku njohuri gjenerale rreth marketingut të ndërmarrjes dhe qasjes së saj ndaj tregut, gjegjësisht strategjisë së marketingut.
Këto njohuri janë të rëndësishme në kuptim që të punësuarit të njohin më mirë tërë procesin e funksionimit të biznesit sepse kështu do të sigurohet cilësi më e lartë.
Ndërmarrjet sot krejtësisht janë të orientuara kah tregu, kah konsumatori. Marketingu ka rolin kryesor në identifikimin e nevojave të tregut, në formulimin e strategjisë, prandaj mund të konkludohet se edhe vizioni i ndërmarrjes është ngushtë i ndërlidhur me tregun, me konsumatorin.
Nëse ndërmarrja kuptohet si sistem, atëherë më mirë mund të kuptohet edhe roli i marketingut në ndërmarrje dhe lidhja e tij me të gjitha funksionet tjera të ndërmarrjes në drejtim të realizimit të qëllimeve.
Aftësitë dhe shkathtësitë e marketingut të përhapura në organizatë janë të një rëndësie të veçantë në drejtim të realizimit të vizionit të ndërmarrjes sepse vetëm në këtë mënyrë të gjitha forcat mund të mobilizohen dhe të drejtohen kah realizimi i qëllimeve.
Gjithashtu, rëndësi të njëjtë ka përvetësimi i aftësive dhe shkathtësive të marketingut nga ata të cilët synojnë të punësohen, sidomos në biznes, pasiqë në radhë të parë do të kenë aftësi kruciale për pozitën apo punën, pastaj të njëjtat aftësi dhe shkathtësi mund ti shfrytëzojnë për promovimin e vehtes në dritë më të mirë, gjë që rritë shansat për sukses.