23 Dhjetor 2024

Relacionet e partive politike me publikun

Shkruar nga Selim Bashota

Cili është, pra, relacioni që subjektet politike e kanë ndërtuar me publikun, që është njëkohësisht edhe votuesi i tyre, gjatë fushatës së sivjetme zgjedhore. Dhe, më tej, çfarë metodash të komunikimit kanë zgjedhur ato në procesin e fundit zgjedhor në Kosovë.

Partitë politike, të shtyra nga metodat e komunikimit, janë përpjekur që të krijojnë një profil modern komunikimi gjatë tërë fushatës zgjedhore, por në të njëjtën kohë të shtyra nga inercioni dhe mënyra tradicionale e komunikimit kane zgjedhur jo rrallë format tradicionale, të njohura për to.

Madje, ka disa parti politike të cilat janë mbështetur kryesisht në modelet e njohura në demokracitë perëndimore ose në modelet që i kanë krijuar vetë gjatë fushatave të mëhershme.

Partia Demokratike e Kosovës, ta zëmë, përbën shembullin më tipik të kërkimit të modeleve të reja, kryesisht në planin e strategjisë mediale, dhe në të njëjtën kohë në përdorimin e metodave të njohura e të sprovuara nga ajo vetë në fushatat e mëhershme.

Të gjithë atyre që mund tu ketë interesuar fushata parazgjedhore e kësaj partie në zgjedhjet nacionale dhe lokale të vitit 2007, mbajnë mend se mënyra e dizajnimit të fushatës së kësaj partie në ato zgjedhje ka qenë e veçantë ajo ka përdorur strategji mediale e cila është mbështetur kryesisht në promovimin e vazhdueshëm, të ditëpërditshëm, të kandidatëve të saj dhe të aktiviteteve të tyre në terren.

Madje, PDKja ka zhvilluar edhe një fushatë të mbështetur në figura themelore të partisë, sikur edhe në promovimin e një fytyre të re të saj, duke i promovuar kandidatët e rinj ose përkrahësit e rinj në moshë të kësaj partie. E gjithë fushata ka qenë dinamike, duke përdorur mjete të fuqishme të marrëdhënieve me publikun.

Zgjedhjet e vitit 2009, ndërkaq, nuk kanë shënuar një ndryshim esencial në mënyrën e prezantimit të kandidatëve të saj për zgjedhjet lokale të këtij viti. Edhe në këto zgjedhje është përdorur metodologji përafërsisht e njëjtë, si dhe mjete propaganduese të njëjta me ato të vitit 2007. madje, edhe vetë motoja e partisë ka qenë identike me atë të vitit 2007. Dhe, kjo e ka një kuptim thelbësor metoda që e solli atë në pushtet, duke e konfirmuar si partinë më të besueshme në vitin 2007 presupozohej të ndiqej edhe tani, duke nënkuptuar vazhdimin e një modeli komunikimi me publikun, si model i njohur dhe i përkrahur.

Strategjisë mediale i dha nuanca ndryshimi strategjia e komunikimit, e përdorur nga kandidati i saj për kryetar të komunës së Prishtinës, Astrit Salihu, i cili e ndau fushatën në dy pjesë në atë që quhet antifushatë, ose fushatë negative për kundërkandidatët më saktësisht për njërin nga ta, kryetarin aktual të kryeqytetit  e cila përbën dyjavëshin e parë, ose hapësirën mobilizuese të qytetarëve për të refuzuar rivalin politik, si dhe në pjesën e dytë, në të cilën është përdorur metodologjia e konsoliduar e subjektit të tij politik për të promovuar projektin e tij për kryeqytetin, ose ajo që në terma të përgjithshëm po e quajmë këtu hapësirë promovuese.

Nuk mund ta themi me siguri nëse strategjia e komunikimit është ndryshuar në pjesën e dytë të fushatës për shkak të konstatimit se porositë negative contra messaging nuk po e krijonin efektin e duhur, ose, madje, po krijonin kundërefekte te qytetarët, ose sepse kështu ishte dizajnuar mënyra e komunikimit me publikun që nga fillimi.

Sidoqoftë, kjo mënyrë e re, nga pikëshikimi i marrëdhënieve me publikun, mund të prodhojë efekte të rëndësishme. Ky nuk është natyrisht rasti me fushatën parazgjedhore të z. Salihu dhe arsyet duhet të vlerësohen në rrafshin politik, më shumë se në atë medial.

Madje, subjekti i tij politik është akuzuar se e ka thyer rregullin e garës së zgjedhjeve, duke nxjerrë pano me të cilat ai konstatonte gjendjen në të cilën, sipas tij, gjendej kryeqendra e Kosovës dhe  sugjeronte që në një fushatë të pritshme mobilizuese të mblidhte energjitë e njerëzve për ta kundërshtuar mënyrën e qeverisjes aktuale dhe ofrimin e një modeli të ri të qeverisjes.

Duke e sensibilizuar opinionin me porosi kundër Mustafa LDK para se fushata zgjedhore të fillonte zyrtarisht, z. Salihu pretendonte të krijonte favore për fushatën e tij. Kjo, mbeti një tentativë, sidoqoftë.

Lidhja Demokratike e Kosovës përbën shembullin tjetër atë të ndryshimit me çdo kusht të strategjisë së saj mediale, për shkak të pamundësisë së përdorimit të mjeteve të përdorura në zgjedhjet e mëhershme.

Madje, jo vetëm për arsyen e thjeshtë se viti 2007 nuk prodhoi efekte komunikimi të nevojshme sepse edhe nuk kishte një strategji të saktë mediale, por edhe për shkak të rrethanave të shumta që e përcaktuan nevojën për rishikim të konceptit të saj themelor në komunikim me publikun.

Nëse në zgjedhjet e vitit 2007 shihej një tendencë për të mbështetur strategjinë e komunikimit në ekspozimin mediatik të figurave të rëndësishme të saj, mbi të gjitha të presidentit të ndjerë, dr. Rugovës  si shenjë mirënjohjeje e falënderim për të, më shumë se si mjet për arrtije efektesh mediale  në zgjedhjet e sivjetme, ajo u përcaktua për ndryshim të kësaj strategjie.

Mbështetur nga kompani vendëse e ndërkombëtare të marrëdhënieve me publikun, LDK-ja vendosi për një model të ri të komunikimit, i cili mbështetet në paraqitjen e një fryme mobilizuese, e cila i përfshiu disa eksponëntë të rëndësishëm të saj në nivelin lokal.

Ajo e zhvilloi komunikimin më forma të tjera nga ato tradicionale, duke përfshirë këtu edhe organizimin e ndejave të lira me të rinjtë ose me kategori të caktuara.

Për ndryshim nga PDK-ja, ky subjekt nuk ka nxjerrë pano reklamuese para fushatës, po të konisderojmë si fushatë institucionale dhe jo politike fushatën mediale të cilën e udhëhoqi kryetari aktual i Prishtinës, dr. Mustafa, i cili vetëm disa ditë para fushatës dëshironte të tërhiqte vëmendjen e votuesit duke treguar sukseset e tij gjatë mandatit të parë të qeverisjes me Prishtinën. Por, sikur pritej, asnjë logo ose porosi partiake nuk u nxor me atë rast.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës paraqet një model më vete, i cili nuk karakterizohet me mjete të fuqishme të propagandës.

Duke dashur të paraqiste një profil tjetër nga ai i dy subjekteve të mëdha, ajo u përplas më një të papritur që në fillim të fushatës, për të cilin nuk gjeti zgjidhje deri në fund të procesit të votimit debatin e fuqishëm mes dy rivalëve kryesorë politikë, PDK-së dhe LDK-së, si dhe ngushtimin e hapësirës mediale për promovim të një koncepti alternativ për shkak të rivalitetit dominues të këtyre subjekteve.

Kësisoj, AAK-ja u detyrua që të kërkonte hapësirën e vet mediale, duke shpallur ad hoc seanca komunikimi me opinionin. Në to, ata shpalosën konceptin politik, i cili, thënë troç, ishte shpenzuar në masë të madhe para se të fillonte gara elektorale dhe nuk mund të propagohej si produkt mediatik.

Ajo u mbështet në figurat qendrore të saj, liderin e partisë, si bërthamë tradicionale dhe vlerë përfaqësuese, si dhe në nënkryetarin, Shala, i ardhur pak kohë para se të fillonte fushata, si tendencë e reformimit dhe e ripërtëritjes kualitative të partisë.

Madje, edhe sfondi i panove të kandidatit për Prishtinën i përmbante këto dy figura, me porosinë se ky binom përbën gërshetimin e vlerave tradicionale dhe vizionit për të ardhmen. Pano të këtyre dy figurave, me moton Aleancë për Kosovën janë parë para se të fillonte fushata.

Nga sa u tha, është e kuptueshme që PDKja dhe LDKja, sikur do të shihet edhe më poshtë, përbëjnë dy polet krahasuese në një analizë që synon përzgjedhjen e mjeteve dhe të metodave të komunikimit me opinionin publik gjatë fushatës elektorale.

Derisa LDK-ja është poli që e synon ikjen me çdo kusht nga paraqitja mediatike me mjete tradicionale, PDK-ja paraqet polin tjetër, atë të mbisundimit të metodave te njohura për të, që përcaktohet nga ndjenja e mosndryshimit të strategjisë, me synimin për të paraqitur vazhdueshmëri të programit, vlerave dhe konceptit politik, me kartën e fuqishme të votave të 2007ës.

Platformat zgjedhore

çfarë u diskutua deri këtu paraqet strategjinë e komunikimit për procesin zgjedhor. Por, është shumë e rëndësishme që para se të flasim për mënyrën se si është zhvilluar komunikimi i partive kryesore politike me publikun gjatë fushatës zgjedhore, të hetojmë edhe një dimension të fuqishëm të komunikimit të tyre me elektoratin.

Vrojtimi ynë kryesisht në mënyrën se si këto subjekt politike i kanë hartuar platformat zgjedhore dhe se si kanë komunikuar ato me publikun gjatë procesit të hartimit të platformave zgjedhore.

A kanë pasur çfarëdo ndikimi opinionet e qytetarëve, votues ose anëtarë të këtyre subjekteve, në hartimin e programeve partiake ose të platformave zgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2009

Sado që nuk është bërë një hulumtim i veçantë nëse kanë ekzistuar projekte të veçanta nga subjektet politike për hartimin e platformave zgjedhore, si premisë politike për zgjedhjet, këtu mund tu referohemi disa aktiviteteve që ndërlidhen me artikulimin e politikave për zgjedhjet dhe në hartimin e tyre.

PDKja, e cila shquhet për formën e organizimit të brendshëm, në dy palë zgjedhje ka nxjerrë nga një model me të cilin ka tentuar të sensibilizojë dhe ti mobilizojë votuesit e saj para se të hynte në garë zgjedhore.

Më 2007, duke qenë subjekt politik në opozitë, ajo nisi një fushatë të drejtpërdrejtë dhe të gjerë komunikimi me opinionin publik. Në atë kohë, ajo e ndërtoi një strategji të tillë komunikimi e cila, duke e mbitheksuar programin, ndikoi në ndjeshmërinë qytetare për procesin.

Ajo zgjodhi hartimin e programit si dokument që buron nga kërkesat e qytetarëve. Më 2009, ndërkaq, ajo nisi një proces tjetër të rëndësishëm në rrafshin mobilizues, atë të regjistrimit të popullsisë, e cila ndikoi që strukturat e saj përfaqësuese të mund të mobilizojnë votuesit e këtij subjekti përmes një procesi të krijimit të përshtypjes së paku se secili votues tradicional ose i ri është pjesë e rëndësishme e partisë dhe se secili mund të jetë potencialisht pjesë e vendimmarrjes në të ardhmen.

Kjo ndikoi në krijimin e një dialogu të drejtpërdrejtë mes strukturave udhëheqëse dhe votuesve.

Por, nuk është e qartë nëse kjo periudhë parazgjedhore dhe ky dialog ka prekur dimensionin e diskutimit për platformën zgjedhore, si dhe nëse ka pasur tek e fundit një tendencë për hartim të programit zgjedhor i cili do tu ofrohej strukturave partiake në terren. Nuk dimë po kështu nëse ky subjekt ka pasur një program zgjedhor për këto zgjedhje.

LDK ja, shumë më konservatore në dialogun e saj me qytetarët, nuk ka aplikuar forma të veçanta të komunikimit me ta. Nëse u referohemi rishtas zgjedhjeve 2007, një nga arsyet e abstenimit të një pjese të madhe të votuesve të saj ka qenë pikërisht shkëputja e dialogut nga ana e strukturave ne raport me qytetarin.

Por, gjatë verës, ajo ka zgjedhur një metodë të rëndësishme dialogu, e cila ka pasur efekte të rëndësishme në rrafshin e komunikimit publik atë të ripërcaktimit për vlerat programore e për vlerat e përbashkëta, si vlera përfaqësuese për të ardhmen.

Në qershor ajo ka mbajtur konferencën e njohur si VV nën moton Vlera të dëshmuara, vizion i ri,  duke hartuar edhe dokumentin programor mbi vlerat dhe vizionin e LDKsë, i cili synon që në një skemë të rikonfiguruar politike, pas pavarësisë së Kosovës, ta përshtatë LDKnë për tregun konkurrues.

Po kështu, ky dokument është menduar të shërbejë si pikënisje për hartimin e programit zgjedhor, më saktësisht të jetë pjesë preambulare e saj, ndërkohë që e tërë pjesa tjetër e programit do të hartohej nga vetë degët, si specifikim programor i kërkesave të qytetarëve nëpër komuna.

Pra, programi duhej të përmbante një preambulë kornizë programore uniforme për të gjitha programet nëpër komuna, si dhe një pjesë e cila si sasi do të përbënte pjesën dërmuese të programit me politika të hartuara dhe të aprovuara nga strukturat lokale, me synimin që të bashkërendoheshin në dialog me qytetarët dhe të përmbushnin kërkesat e tyre brenda një oferte politike.

Sikur në rastin e PDK-së, nuk më ka rastisur të gjej shembuj të hartimit të plotë të programit zgjedhor, përpos specifikim të ofertës në disa pika zhvillimore.

AAKja gjatë periudhës së parazgjedhjeve është përqendruar që ndikimin e saj tek opinioni publik ta shtrijë duke artikuluar një qëndrim të fortë mediatik kundër politikave qeveritare, pozicionim i cili nxori atë forcën kryesore opozitare, përkundër faktit se dy parti tjera, AKR-ja dhe LDD-ja, në zgjedhjet e vitit 2007 kishin siguruar përkrahje më të gjerë tekq qytetarët.

Në zgjedhjet e vitit 2009,  këto subjekte konkurruan me kandidatë të përbashkët për kryetarë komunash dhe me lista të veçanta zgjedhore për asambletë komunale.

Po kështu, gjatë kësaj periudhe AAK-ja i ka ekspozuar në diell disa eksponentë politikë të dalë nga rivalët e saj, si tendencë për fuqizim të rolit konvergjues politik. Duhen hulumtime për të hetuar këtë efekt.

Strategjia e komunikimit

Partitë politike kanë udhëhequr strategji të ndryshme komunikimi për vlerat e tyre gjatë fushatës zgjedhore. Komunikimi me publikun ka qenë më intensiv dhe më i centralizuar, herën e parë, dhe më heterogjen, herën tjetër.

Por, a ka pasur strategji të mirëfilltë të komunikimit me publikun. A ka ekzistuar një plan i hartuar i komunikimit. Cilat kanë qenë shtyllat në të cilat është mbështetur ai. Si është zhvilluar relacioni me mediet. Si janë krijuar mesazhet kryesore dhe si janë përcjellë ato te publiku. Le ti referohemi edhe një herë komunikimit që disa nga partitë politike e kanë udhëhequr gjatë fushatës.

PDKja komunikimin e ka shtrirë në nivel të strukturave udhëheqëse politike, duke mos krijuar ndonjë prerje mes veprimeve operative dhe atyre që mbesin përgjegjësi politike. Megjithëse ka pasur një shtab zgjedhor, ai nuk është identifikuar plotësisht me veprimin në terren dhe nuk ka marrë përgjegjësi të komunikimit me opinionin publik nuk ka pasur konferenca të rregullta me medie dhe nuk i është kushtuar ndonjë rëndësi e veçantë komunikimit të rregullt me qytetarët përmes tyre.

Më tepër se kaq, ajo është përqendruar në pasqyrimin e aktiviteteve të kandidatëve të saj, si dhe në përcjelljen e një mesazhi politik për vlerat e përbashkëta në të cilat besojnë ata. Krenohu me PDKnë, mesazhi kryesor, është përcjellë në çdo paraqitje mediatike të saj. Sikur u tha, strategjia mediale nuk ka qenë e përqendruar në figura të veçanta, por në mesazhe.

Ta zëmë, shefi i shtabit zgjedhor, ose përfaqësuesit e tjerë të këtij organi nuk janë parë pothuajse asnjëherë në konferenca me medie, sikundër që nuk kanë dhënë përgjigje për çështje të ngritura nga rivalët e tyre.

Këtu bën përjashtim shtabi i kandidatit për kryetar të kryeqytetit, me të cilin është identifikuar në opinion e tërë fushata mediale e këtij subjekti, madje jo vetëm për shkak të pjesëmarrjes më aktive, por edhe për shkak se atë e kanë përfaqësuar personalitete nga institucioni i kryeministrisë, që udhëhiqet nga lideri i PDK-së.

Më tepër se në komunikimin e rregullt dhe të drejtpërdrejtë, PDK-ja duket se është përqendruar në përcjelljen e mesazheve të fuqishme për votuesit, duke i pasqyruar aktivitetet e ditëpërditshme të kandidatëve  të saj.

Është interesant se ky subjekt ka zgjedhur një metodë të heshtjes karshi akuzave të rivalëve politikë, sidomos nga LDKja, që kanë të bëjnë me keqqeverisjen, me të cilën rivalët politikë e identifikonin PDKnë.

Në fakt, kjo kundërpërgjigje ka ardhur në mënyrë të tërthortë, përmes vizitave përkrahëse të kryeministrit të vendit e kryetarit të PDK-së, Thaci, në qytetet ku kanë qeverisur kandidatët e PDKsë dhe ofrimit të shumave të mëdha për investime nga paratë publike, si ofertë partiake.

Në pjesën e dytë të fushatës, sidomos në balotazh, PDK-ja këtë dimension e ka zhvilluar duke iu rikthyer metodave tradicionale të komunikimit, të njohura nga fushata e vitit 2007, kur spotet televizive ishin të mbushura me mesazhe përkrahjeje nga kryetari i partisë për kandidatët e këtij subjekti, ose me mesazhe të ishvotuesve të LDK-së për ndryshim mendjeje se për kë do të votojnë rasti i Klinës.

Edhe pse sfidë në kuptimin e vërtetësisë së mesazhit, kjo metodë mund të ketë pasur ndikim në opinionin e të pavendosurve ose të të zhgënjyerve.

LDKja, në anën tjetër, e ka centralizuar komunikimin në shtabin qendror të saj, me qëllim që të pasqyrojë një mesazh uniform dhe homogjen në opinion. Strukturat e saj politike dhe departamenti i komunikimit kanë punuar në hartimin e strategjive politike, përkatësisht mediale, por nuk janë dukur shumë në opinion. Përqendrimi kryesor ka qenë në shefin e shtabit, i cili ka udhëhequr edhe komunikimin për zgjedhjet.

Kësisoj, ajo ka bërë një prerje mes nivelit politik dhe atij operativ dhe kjo ka pasur një arsye të madhe politike LDK-ja është gjendur në vështirësi për shkak të komunikimit shpesh herë krejtësisht heterogjen nga disa pjesë të strukturave udhëheqëse të saj pas kuvendit të gjashtë.

Ajo ka ushtruar një komunikim më të rregullt, duke i theksuar ato që grupet punuese për programin i kanë cilësuar vlera dhe vizion të ri të LDKsë për të ardhmen.

Një qëllim, një vizion, sado i pazbërthyeshëm ndonjëherë sa duhet dhe jo krejtësisht i qartë në kuptimin semantik formulim i artikuluar në anglishte, por që nuk bart kuptimin e plotë semantik në gjuhën shqipe, ka shërbyer si tendencë për të dëshmuar se me përmbylljen e procesit të pavarësisë, hapet një kaptinë e re në skenën politike dhe për këtë nevojitet një vizion i ri, si vlerë e përbashkët. Por, një plan i saktë i komunikimit nuk besojmë të ketë ekzistuar.

Më tepër, ai është përcaktuar nga dinamizmi i fushatës dhe nga domosdoja për të ofruar informata të nevojshme si kundërpërgjigje për fushatën negative të rivalëve dhe kjo prek kryesisht shtabin zgjedhor të kandidatit të saj për kryeqytetin, por edhe shtabin qendror.

Relacioni me mediet është zhvilluar si pjesë e strategjisë së përgjithshme të komunikimit. Në fillim ka qenë sfidë instalimi i një mënyrë të re të komunikimit, derisa zëdhënësi i partisë dhe strukturat e tjera e kanë orientuar komunikimin drejt përfaqësuesve të shtabit për çështje operative.

Pastaj, sfidë e dytë ka qenë tendenca për të instaluar një zëdhënës shtabi, e cila nuk ka funksionuar dhe, në fund, tendenca për të koncentruar informimin te udhëheqësi i shtabit. Metoda e zgjedhur ka qenë ajo e fajësimit të rivalit kryesor politik për keqqeverisje në vend LDK-ja është pjesë e koalicionit në nivel qendror dhe akuzimi i partnerit qeverisës ka qenë sfidë për të, sepse jo rrallë ajo është akuzuar mediatikisht për dyfytyrësi politike.

Përqendrimi në nivel të akuzave për mënyrën e qeverisjes në nivel qendror e ka pasur një arsye të fuqishme praktike dhe një arsyeshmëri edhe më të madhe praktike ajo ka ardhur si pasojë e mosinstalimit të plotë të një mënyrë produktive të komunikimit me nivelet e tjera të partisë, sidomos me komunikuesit lokalë.

AAK-ja po kështu nuk ka shfaqur ndonjë performancë të veçantë në fushë të marrëdhënieve me publikun. Ajo ka pasur një shtab të pavërejtur zgjedhor dhe një komunikim i cili është mbështetur kryesisht në metoda të atypëratyshme të komunikimit, i cili është përqendruar në dy figura sekretarin e përgjithshëm dhe kryetarin e saj.

Megjithëse partia më e zëshme opozitare deri në fillim të procesit zgjedhor, ajo ka mbetur gjysmë e heshtur gjatë këtij procesi, mbase për shkak të dominimit edhe mediatik të rivalitetit të theksuar mes dy partive më të mëdha.

Mesazhet janë përcjellë në konferenca me medie, kurse është tentuar që aktivitetet e kandidatëve të saj të paraqiten në mënyrë përmbajtjesore.

Shtabi zgjedhor i kryeqytetit ka funksionuar në mënyrë pothuajse autonome, ai nuk ka pasur mbështetjen profesionale të partisë, por duket se është mjaftuar me mbështetjen politike, sidomos të liderit të partisë, e cila duket se nuk ka munguar.

Ideologjia dhe komunikimi publik

Në kuadër të analizimit të strategjive dhe qasjeve komunikuese të partive politike kosovare në raport me publikunelektoratin, element i rëndësishëm i cili duhet analizuar është edhe qëndrimi që këto parti kanë shprehur në raport me ideologjitë politike, në kuptim të deklarimit apo mosdeklarimit të identitetit të tyre ideologjik që e kanë apo që pretendojnë ta kenë.

Rëndësia e analizimit të këtij elementi qëndron në faktin që sot në Kosovë pretendohet që ende nuk ka një profilizim të mirëfilltë ideologjik të partive politike, pra se mbetet në vullnetin dhe vizionin e partive që ta orientojnë veten ideologjikisht kah ato pretendojnë të shkojnë.

Megjithatë, është e qartë që në Kosovë nuk do të mbështetej fuqishëm elektoralisht asnjë parti me orientim ideologjik majtist, përkatësisht vetëm partitë që veten e lidhin me parimet themelore të djathtizmit si Liria, Demokracia, Kombi etj, mund të pretendojnë të marrin votën e elektoratit shqiptar të Kosovës.

Dihet mirëfilli se historikisht prej se është vendosur pluralizmi politik në Kosovë në fillimvitet 90, partia më e mbështetur elektoralisht mbetet Lidhja Demokratike e Kosovës.

Një gjë e tillë ka ndodhur edhe për faktin që LDK-ja identifikohej me Lëvizjen Nacionale për Pavarësi simbol i së cilës ishte kryetari i saj LDK-së dhe Presidenti i parë i Kosovës Ibrahim Rugova.

Mbi këtë bazë LDK-ja paraqiste antitezën e sistemit totalitar dhe komunist jugosllavserb, pra ishte për liri e demokraci, e kërkesa e saj për pavarësi të Kosovës paraqiste realizimin e kërkesës nacionale të shqiptarëve.

Pra, në protoelemente siç janë Liria, Demokracia, Pavarësia kombëtare etj, LDKja klasifikohej edhe si lëvizjeparti djathtiste, ndërsa një gjë të tillë e kishte deklaruar e sanksionuar më vonë edhe publikisht e legalisht në statutin e saj.

Ndërsa sot, pra edhe në këto zgjedhje, në komunikimin e saj me publikun Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në vazhdimësi ka deklaruar se ajo tashmë është profilizuar si parti e djathtë dhe se bashkëpunimin e saj elektoral e politik do ta realizojë vetëm me partitë e djathta, duke aluduar veçanërisht në LDK-në e duke e përjashtuar veçanërisht PDK-në si parti ideologjikisht majtiste.

Duke mos e paragjykuar qëndrimin real konceptual të AAK-së në raport me djathtizmin si ideologji politike, deklarimi i saj si e djathtë, përkatësisht vullneti i saj për tu përafruar me LDK-në dhe mbështetja e theksuar ndaj Rugovës dhe trashëgimisë së tij politike Rugovizmit, ka një logjikë efikase elektorale.

Dihet mirëfilli se elektorati i LDK-së, përkatësisht tërësia e elektoratit që e mbështet Rugovën, në vazhdimësi ka shkuar duke abstenuar, dhe AAK-ja duke pretenduar profilizimin djathtist dhe përafrimin me rugovizmin synon pikërisht të përfitojë shumësinë e elektoratit rugovian, i cili përbën kuotën e vetme elektorale në Kosovë e cila mund të çojë në krijimin e mazhorancave elektorale politikeideologjike.

Rrezikun nga kjo strategji elektorale të AAKsë e ka ndjerë veçanërisht PDKja, e cila ka kuptuar se një mobilizim i ri i elektoratit rugovian, pra mbi baza ideologjike djathtiste, ku elektoratit të Kosovës do ti kërkohej të votohej për të djathtët p.sh. LDKnë, AAKnë, LDDnë etj, dhe për të majtët PDKnë, PSDnë, PSKnë etj, kjo do të paraqiste gati një pamundësi teorike të PDKsë për të qëndruar apo për të ardhur në pushtet.

Prandaj, edhe PDK-ja ka nxituar të shprehet fillimisht, se ajo nuk është parti majtiste, bile se ajo është partia më djathtiste në Kosovë.

Megjithatë, një pjesë e figurave qendrore të kësaj partie, që kanë prejardhje nga grupet marksisteleniniste që kanë vepruar në Kosovë kryesisht para viteve 90, relacionet e afërta të PDKsë me Partinë Socialiste të Shqipërisë, si dhe raporti që qeveria e udhëhequr nga PDK-ja do të ketë me Lirinë, Demokracinë dhe Nacionalen, i kanë parë si sfidat e përcaktimit ose vërtetimit të identitetit real ideologjik të saj PDKsë.

Përfundimisht, është fare e qartë se do të jetë mjaft i rëndësishëm përcaktimi i pozitës ideologjike të partive politike në Kosovë në kontekst të së ardhmes së tyre elektoralepolitike. Mbi këtë bazë, edhe forma e komunikimit publik, në kuptim të një komunikimi politik strategjik në funksion të informimit e jo propagandimit të elektoratit lidhur me orientimin ideologjik të partive politike, do të jetë tejet i rëndësishëm.

Gjithashtu, është e rendësishme që partitë politike gjatë procesit të profilizimit, ndërtimit a riformimit të këtij profili ideologjik, të jenë transparente dhe jomanipuluese, në kuptim të krijimit të alternativave reale ideologjike që i duhen Kosovës.

E përbashkëta e të gjitha proceseve profilizuese, si kah e djathta ashtu edhe kah e majta, duhet të jetë demokracia. Vetëm mbi baza të pakontestueshme demokratike mund të ndërtohen profile ideologjike të cilat do të mund të shpërfaqeshin si metodologji qeverisëse të partive politike që do të vinin në pushtet.

Raundet zgjedhore

është e rëndësishme të thuhet se këto zgjedhje lokale 2009 janë karakterizuar përveç të tjerash edhe nga fakti i zhvillimit të raundit të dytë zgjedhor në shumicën e komunave, si pasojë e mosarritjes së shumicës absolute në raundin e parë nga asnjë kanidat për kryetar në këto komuna, si dhe zhvillimit të procesit të rivotimit apo të themi kushtimisht, zhvillimit të një raundi të tretë në dy komuna siç ishin Prizreni dhe Lipjani. Potencimi i këtij fakti në raport me komunikimin është i rëndësishëm në kontekst të mundësisë së analizimit dhe krahasimit të qasjeve dhe strategjive komunikuese të partive politike me publikun nga njëri raund në tjetrin.

Pra, në relacion me rezultatet zgjedhore të fituara në raundin e parë zgjedhor, a i ndryshuan partitë politike qasjet dhe strategjitë e tyre komunikuese me publikun në raport me cilësinë e rezultateve apo vazhduan me po të njwjtat metoda komunikimi publik.

Duke qenë se Partia Demokratike e Kosovës kishe rezultatin më të favorshëm zgjedhor në raundin e parë, si dhe hynte në balotazh si parti e parë ose e dytë në shumicën e komunave ku shkohej në raundin e dytë, ajo mund të konsideronte se qasja e saj me publikun ishte efikase elektoralisht, ndërsa bëri përforcime në praninë  e saj politikelogjistike dhe publike në ato komuna ku kundërshtarët e saj kryesisht LDK-ja pretendonin fitore, siç ishte rasti në Prizren, Lipjan, Gjilan, etj.

PDK-ja realizonte këtë rikomunikim publik në këto komuna përmes figurave të saj qëndrore politike siç është kryetari i saj dhe kryeministri i vendit,Thaçi, ose edhe me praninë e ministrave nga radhët e PDKsë që përceptohet se kanë qenë më të suksesshëm në këtë qeverisje.

Në anën tjetër Lidhja Demokratike e Kosovës, si pjesëmarrësja po ashtu më e madhe në raundin e dytë zgjedhor, duket se nuk pati risi komunikuese apo rikomunikim specifik në raundin e dytë, e as në rivotime.

Ajo vazhdoi po të njëjten formë komunikimi, ku si mbështetje dominante të kandidatëve të saj në balotazh ishin disa nga anëtarët e kryesisë qëndrore të LDKsë në krye me nënkryetarin Lutfi Haziri i cili ishte edhe shef i shtabit zgjedhor, si dhe në disa raste ishte prezent edhe kryetari i rizgjedhur i Prishtinës Isa Mustafa.

Për aq sa mund të gjykohetanalizohet në kontekst të komunikimit me publikunelektoratin, qasja e PDKsë në raport me partitë tjera, pra edhe me LDKnë, duket të ketë qenë më efikase, kjo bazuar edhe në rezultatet e raundit të dytë si dhe atë të rivotimeve në Prizren e Lipjan.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës edhe në raundin e dytë zhvilloi një retorikë komunikuese kryesisht kundërshtuese ndaj PDK-së, edhe aty ku vetë AAK nuk ishte në balotazh. Kjo qasje e AAKsë për ta sulmuar vazhdimisht PDK-në bëhej me synimin për të shpërfaqur natyrën politike ekskluzivisht anti PDK të kësaj partie, ose siç shpreheshin vetë zyrtarët e AAK-së për të bërë diferencën ideologjike dhe qeverisëse që kanë këto dy parti.

Kjo qasje anti PDK e AAK-së u bë edhe duke e mbështetur në të shumtën e rasteve LDKnë aty ku ajo ishte në balotazh me PDK-në. Përgjithësisht, analizuar edhe në kontekst të komunikimit me publikun, mund të themi se AAK-ja ka realizuar një rritje prezence dhe influence, në kuptim të rritjes së elektoratit të saj, pra përmes një komunikimi më efikas.

Edhe në raundin e dytë AAK-ja figurë qëndrore kishe liderin e saj Ramush Haradinaj, ndërsa qasje komunikuese kishte retorikën e tij anti PDK dhe kundërshtuese të qeverisjes Thaçi.

Përfundime

Sikundër shihet deri këtu, komunikimi me opinionin publik mbetet një ndër sfidat e fuqishme të partive politike në Kosovë. Megjithëse zhvillojnë forma të njohura të bashkëpunimit me opinionin publik, ato ende nuk e kanë kultivuar plotësisht vetëdijen për rolin e opinionit publik në hartimin e politikave, sikundër nuk marrin impulse të nevojshme për nivelin e jetësimit të programeve të tyre.

Ta zëmë, vetëm vitet e fundit partitë politike kanë filluar të zhvillojnë hulumtime të opinionit publik, si dimension shumë i rëndësishëm i komunikimit publik,  për pritjet e qytetarëve në raport  me politikat e propaguara nga partitë politike. Por, ato ende nuk e kanë instaluar hulumtimin e opinionit publik për shumë relacione të tjera, që prekin vendimmarrjen politike.

Disa parti politike dëshirojnë të krijojnë përshtypjen se udhëhiqen nga një plan deri diku i konsoliduar i komunikimit, i cili përfshin përcaktimin e objektivave strategjike, dhe e nënkupton rolin e vendimmarrësve në hartimin e tij.

Por, ajo që mungon në këtë drejtim është transparenca në komunikim, madje një ndër sfidat e madha të partive ka qenë pikërisht mungesa e informatave për sa u përket shpenzimeve buxhetore për aktivitetet e partive politike. Pasja e një plani të mirëfilltë nënkupton edhe krijimin e transparencës për shpenzimet, krahas asaj për aktivitetet.

Hartimi i planit të komunikimit, si dhe përcaktimi i qartë i shtyllave në të cilat do të mbështetet ai janë mundësi për partitë politike, por po kështu ato janë edhe sfidë, sepse në mungesë të udhëheqjes së qartë të komunikimit për të, ai mund të dështojë, sidomos në ambiente kulturore si ky yni, kur mungesa e transparencës së plotë rrit dimensionin kritik të komunikimit.

Krahas tij, sfidë dhe mundësi për komunikim të mirë mes subjekteve politike, sidomos për zgjedhjet e ardhshme në nivel nacional, mbeten strategjitë mediale, relacioni me mediet, si dhe krijimi i mesazheve te fuqishme dhe mënyra se si do të përcillen ato te publiku.

Tashmë është krijuar një praktikë pothuajse gjerësisht e njohur që subjektet politike të angazhojnë kompani të fuqishme të marketingut, ose kompani konsultuese, të cilat e udhëheqin në masë të madhe marrëdhëniet me publikun. Por, nxjerrja e mesazheve politike dhe dizajnimi i strategjisë duhet të kalojë nëpër nivelin e vendimmarrjes politike, para se të zbërthehet në mesazhe për opinionin.

Një gabim të tillë e ka bërë LDKja më 2007 dhe kjo ka qenë pothuajse vendimtare në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Më 2009 ajo ka angazhuar një kompani amerikane dhe disa kompani vendëse për tia udhëhequr pjesën e marrëdhënieve me publikun dhe po ashtu ka qenë vendimtarë në kthimin e besimit te përkrahësit e saj për këto zgjedhje.

PDK-ja ka qenë shumë aktive, me një fushatë dinamike dhe promovuese më 2007 dhe kjo ka reflektuar domosdo në nivelin e përkrahjes që i kanë dhënë qytetarët e Kosovës. Më 2007 ajo është përsëritur, sikur u tha, me synimin për të treguar konsistencë politike. Përkrahja po kështu ka qenë përafërsisht e të njëjti nivel.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)